NUMĖR 69
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 1 JANAR 2003

IDEA PËR UNIONIN E KOSOVËS DHE SHQIPËRISË KA MBËSHTETJE TË GJËRË

Shkruan: Bardh DEMA

Ditë më parë mediave shqiptare iu shpërnda një kumtesë e Lëvizjes Popullore të Kosovës, subjektit më të vjetër e më të efektshëm politik të vendit, përmes së cilës shpërfaqet qëndrimi lidhur me preambulën e dokumentit për krijimin e shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi.
Në kumtesë, ndër të tjera thuhet:
"… Parlamentet e Serbisë dhe të Malit të Zi, po shpejtojnë të aprovojnë Kartën e Unionit të këtyre dy shteteve në të cilën Kosova, si gjithnjë pa e pyetur fare, përdhunshëm, trajtohet si pjesë e Serbisë.

E vetëdijshme se këto pazarlleqe në kurriz të Kosovës janë shumë të rrezikshme, Kryesia e LPK-së, duke u mbështetur në Programin dhe Statutin e LPK-së të vitit 2000, (faqe 11), ku në mes tjerash parashihet (cit): " ...pavarësinë e Kosovës, zgjidhjen e çështjes Kombëtare dhe bashkimin në një shtet konform të drejtës së vetvendosjen kombëtare si parim themelor i Kartës së OKB-së ", në mbledhjen e mbajtur më datën 13.12. 2002, mori vendim që të autorizoj deputetin Hasan Meta, që në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, të kërkoj futjen në procedurë të miratimit të një Amandamenti kushtetues për krijimin e Unionit Kosovë-Shqipëri. E njejta kërkesë, t'i drejtohet edhe
Kuvendit të Shqipërisë… "

Kjo Kumtesë dhe Propozimi në aneks janë përgjigjja më e mirë që shqiptarët do të duhej t'ia japin përpjekjeve të Serbisë dhe të atyre që e mbështesin atë për ta mbajtur Kosovën si pjesë të sajën.
Në fakt përballë kërcënimeve dhe përpjekjeve të tilla të hapura të Serbisë kjo do të ishte kundërpërgjigjja më e efektshme ndaj të dy palëve: Beogradit dhe Brukselit. Dhe është për t'u çuditur se pse udhëheqja e Kosovës nuk i është drejtuar deri tash drejtpërdrejt z. Havier Solana, kumbarës së unionit të ardhshëm serbomalazez me një parashtresë dhe ta paralajmërojë se në qoftë se Brukseli lejon që në dokumentet e këtij unioni të prejudikohet statusi i Kosovës, atëherë Unioni i Kosovës me Shqipërinë do të jetë i pashmangshëm.
Nëse kjo nuk është bërë deri tash, duhet bërë menjëherë, sepse mungesa e reagimeve me kohë e udhëheqjes së Kosovës po ka pasoja të rënda. Ta përkujtojme vetëm një:
Më 22 shkurt 2001, në Shkup mbahej Samiti i vendeve Ballkanike. Në këtë samit kishte dhe shqiptarë dhe samiti kishte për qëllim forcimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Po në këtë samit Koshtunica dhe Trajkovski kishin vendosur të nënshkruanin marrëveshjen për kufinjt që do të bëhet një casus belli për shpërthimin e luftës në Maqedoni.
Ato ditë askush nga shqiptarët nuk reagoi. Si gjithnjë nuk reagoi Tirana, nuk reagoi as Tetova, e për më keq nuk reagoi as Prishtina, edhe pse kjo marrëveshje e lente Kosovën pa 25 km katrorë territor! Pa përmendur këtu problemin e mprehtë pronësor etj., etj.
Lexuesi i vëmendshëm, besoj nuk ka harruar reagimet e bujshme në Prishtinë, por një vit pasi Shkupi dhe Beogradi kishin kryer punën lidhur me këtë çështje. Kështu që reagimet e Kosovës dukeshin si kofini pas të vjelave.
Vonesë e ngjashme u bë edhe me dokumentin themeltar të Unionit srbo-malazez. Sepse Preambula me gjithë dokumentin themeltar, në formë projekti ka qenë publike, të paktën prej një vit e sa. Por askush në Kosovë nuk ka reaguar derisa ai nuk është aprovuar. E Kosova po bëhet një vit që ka edhe parlament, edhe qeveri, edhe president. Dhe këto institucione kanë bërë zhurmë e kanë çuar pluhur vetëm pasi Preambula ishte bërë akt i kryer.
Në Kosovë do të duhej të ketë institucione apo, të paktën, ndonjë individ në to, që të përcjellë deklarata, siç ishte kjo e Miroljub Labusit, personalitet kyq në Beograd që dha me rastin e Viti të Ri:
"Njëri prej shkaqeve kryesore pse ne, në Beograd kemi pranuar një model aq të komplikuar të bashkësisë shtetërore, është se në këtë mënyrë ne kemi blerë tri vjet kohë që të përpiqemi ta zgjidhim çështjen e Kosovës… Ai vlerësoi se bashkësia ndërkombëtare gjithnjë e më tepër po shkon kah ajo që Kosovën ta trajtojë ndaras, prandaj ka mbetur shumë pak kohë që në mënyrë diplomatike të ndalet ky vijim dhe Kosova të mbetet në një formë brenda kësaj bashkësie shtetërore…"
Për t'i dal në udhë këtyre përpjekjeve a nuk është e domosdoshme që institucionet e Kosovës ta nxjerrin propozimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës si atu të pashmangshëm?
Aq më tepër kur kjo ide ka mbështetje të gjerë.

Aneksi:

Lëvizja Popullore e Kosovës
Aktash II nr. 56
Prishtinë


PROPOZIM

KUVENDIT TE KOSOVES
KUVENDIT TE SHQIPERISE


Duke pasur parasysh :

-Se Jugosllavia e njohur ndërkombtarisht më nuk ekziston ;

-Se Unioni në krijim e sipër, Serbi - Mal i Zi ka përfshirë Kosovën në Projektkushtetutën e këtij Unioni dhunshëm, arbitrarisht e tinëzisht ;

-Se ky presedan është vazhdim i konfliktit dhe i agresionit kunder Kosoves nga ana e Serbise por edhe e Malit të Zi dhe eshte i papranueshëm për Kosovën ;

-Se në Kosovë jeton vetëm një pakicë serbe historikisht kolonizator që popullatës shumicë deshiron t'ia imponojë vullnetin e saj per te ardhmen e vendit;

-Se shumica e popullit jemi shqiptarë autokton që e ndiejmë veten të rrezikuar nga lidhja në formë të re të Kosovës me okupatorin - Serbinë ;

-Kërkojmë që Kuvendi i Kosovës, në seancat e ardhshme të përgatis dhe aprovojë një Amandament kushtetues per krijimin e Unionit Shqipëri-Kosove. E njëjta gjë kërkohet edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.

-Pasi që Kosova detyrimisht u dashka të jetë e lidhur me dikend, atëherë ajo duhet të jetë e lidhur me trungun e vet - Shqipërinë nga e cila është ndarë padrejtësisht në vitin 1913.

-Kerkojme gjithashtu, që të vazhdoj mandati i OKB-së dhe i KFOR-it në Kosovë, me qëllim që të ndihmojnë në zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb.

Prishtinë, 25 dhjetor 2002

LEVIZJA POPULLORE E KOSOVES


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:42
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË