NUMĖR 69
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
DEBAT VITI V - 1 JANAR 2003

PAVARËSIA E KOSOVËS DHE BASHKIMI KOMBËTAR

Shkruan: Hysamedin FERAJ

Këtu do të shqyrtohet shkurt një marrdhënie e çuditshme ndërmjet idesë së pavarësisë së Kosovës dhe bashkimit kombëtar shqiptar. Në fund do të tërhiqet vëmendja drejt një fushate të pritshme që do ta zhvillojnë vetë një pjesë e shqiptarëve për të realizuar programet nacional-shoviniste serbe e greke sipas të cilave shqiptarët nuk janë fare komb por "kombe' të ndryshme që duhen mbajtë të coptuar e nën kontrollin e kombeve të mirëfillta serbe e greke. Në krye të kësaj fushate po konkuron për t'u vënë Ibrahim Rugova si "terminator" (përmbarues).

1. Rugova: barazimi i Shqipërisë me Serbinë

Si meritë e veçantë e Rugovës shpesh paraqitet "pavarësia" e tij nga udhëheqja e Shqipërisë. Kjo, megjithkëtë, është thikë me dy presa: ka anën e vet të mirë dhe anën e vet të keqe. Ana e keqe është vënë shumë në dukje nga rivalët e tij "thaçistë". Ana e mirë është vënë shumë në dukje nga mbështetësit e tij "rugovistë". Këtu do të kujtohet vetëm shkurt ana e mirë, ndërsa theksi do të vihet në anën e keqe sepse tani bëhet e rëndësishme kjo anë: çka ka qenë e mirë dje mund të bëhet e keqe sot, ose çka ka pasë peshë të vogël dje mund të marr peshë të madhe sot.
Dihet se Shqipëria, fatkeqësisht, nuk ka pasë në krye politikan të aftë as për të ndjerë mirë për Shqipërinë, as për të menduar dhe as për të vepruar mirë për Shqipërinë e shqiptarët. Kur Berisha i kërkoi Rugovës më 1996 të rreshtohet në demostrata krahas Drashkoviçit kundër Millosheviçit sepse i kishte vjedhë votat opozitës së atëherëshme serbe "zajedno", Rugova bëri mirë që nuk dëgjoi. Berisha bënte sikur nuk e dinte se Kosova kishte shpallë pavarësinë dhe nuk kishte punë me zgjedhjet në Serbi që ishin institucion dhe çështje e mbrendëshme e Serbisë. Kur më 1998 Nano i kërkoi, ashtu si Berisha, të heqë dorë nga insitucionet paralele dhe të kthehet në institucinet serbe, Rugova bëri mirë që nuk e dëgjoi.
Por Rugova bëhet njëlloj si Berisha, Nano dhe barazohet me ta, e ndoshta bëhet më i dëmshëm kur barazon Shqipërinë me Serbinë. Ky barazim bëhet shpesh nga Rugova i cili e ka bërë zakon të shprehet: "Kosova e hapur njëlloj si ndaj Shqipërisë edhe ndaj Serbisë", "Kosova e pavarur nga Serbia dhe Shqipëria", "Kosova të ketë simbolikën (flamurin, himnin, stemën etj.) e veçantë nga Shqipëria" etj. Pse këto ide, ndjenja dhe veprimtari janë edhe të gabuara, edhe të dëmshme për shqiptarët?
Barazimi i Shqipërisë me Serbinë, edhe sikur të mos kishim asnjë ndjenjë, të ishim njerëz pa ndjenja e pa moral apo robot, është mendërisht i gabuar, shumë i gabuar. Le të analizojmë disa aspekte:
Së pari, "rugovistët" mund të thonë se këto shprehje ai i përdorë për taktikë, për t'i mbushë mendjen botës se nuk kërkohet "Shqipëria e Madhe" apo "Kosova e Madhe", por në të vërtetë ai e do edhe Shqipërinë, edhe bashkimin kombëtar. Bota kërkon sot nga udhëheqësit shqiptar (të Shqipërisë e të Kosovës) të garantojnë se nuk kërkojnë bashkimin. Mirëpo, bashkimi është fazë e mëvonshme, mbasi të arrihet pavarësia etj., etj.
a) Qoftë edhe si taktikë ka një kontradiktë logjike, është, siç u tha, mendërisht e gabuar. Në qoftë se Rugova "taktizon" kur e barazon Shqipërinë me Serbinë, atëherë edhe Berisha e Nano "taktizojnë" kur "e barazojnë" Kosovën me Serbinë por në të vërtetë e duan bashkimin kombëtar. Pra, në qoftë se të dy palët taktizojnë, dhe taktizojnë siç u kërkohet, në të njëjtin drejtim, atëherë nuk kuptohet se pse Rugova nuk shkon mirë me udhëheqësit e Shqipërisë dhe pse duhet lavdëruar për "pavarësinë" nga udhëheqësit e saj.
b) Rugovës i lejohet "të taktizojë" siç ia kërkon bota, ndërsa udhëheqësve të Shqipërisë nuk u lejohet. Teorikisht edhe kjo mund të jetë, por atëherë duhet treguar se Shqipëria është në gjendje të përballet me presionin botëror, ndërsa Kosova nuk është në gjendje, prandaj Shqipërisë nuk i lejohet të taktizoj ndërsa Kosovës i lejohet. Mirëpo nga të dhënat e njohura deri tani del se Shqipëria nuk është shumë më e fuqishme se Kosova në arenën botërore sa të mos ketë nevojë të "taktizojë".
c) "Rugovistët" thonë se Rugova "taktizon" ndërsa udhëheqësit e Shqipërsië janë me ndjenja, me të vërtetë kundër bashkimit kombëtar. Në fakt këta të fundit kurrë nuk kanë arritë deri në këtë gradë që ka arritë Rugova sa të barazojnë Kosovën me Serbinë, siç e barazon Rugova Shqipërinë me Serbinë, kurr nuk janë shprehë se Serbia dhe Kosova janë njëlloj për ta, se kërkojnë marrdhënie të njëllojta etj. Prandaj, një mundësi tjetër, po kaq e bazuar është edhe që Rugova është me ndjenja, me të vërtetë kundër bashkimit kombëtar ndërsa udhëheqësit e Shqipërisë vetëm "taktizojnë" por në të vërtetë e duan bashkimin kombëtar. Mundësia për t'i vërtetuar apo hedhë poshtë këto dy pohime është e njëllojtë, prandaj askush nuk mund të thotë se di diçka të sigurtë për to (për ndjenjat).
d) Nga ato që të gjithë mund të shohin, të kontrollojnë e të vërtetojnë janë qëndrimet e njëllojta, praktikat e njëllojta, veprimtaritë dhe sjelljet reale. Nga njohja e këtyre mund të thuhet vetëm se, ose të dy palët taktizojnë dhe atëherë nuk ka kuptim pse Rugova ka bërë mirë që është "prishë" me udhëheqjen e Shqipërisë, ose të dy palët janë kundër bashkimit kombëtar dhe atëherë përsëri nuk ka kuptim pse janë "prishë". Nga pikëpamja kombëtare në të dy rastet Rugova del njëlloj si udhëheqësit e Shqipërisë dhe nuk ka asnjë gjë për t'u lavdëruar pse është "prishë" me ta.
e) Apo ndoshta nuk është prishë fare me ta? Apo ndoshta është Rugova pikërisht bashkëpunuesi më i ngushtë në Kosovë me Berishën, Nanon e të tjerët kundër bashkimit kombëtar, siç e dëshiron Serbia e Greqia, dhe për ta mbuluar këtë bashkëpunim bëjnë sikur nuk shkojnë mirë, ndërkohë që merren vesh për mrekulli? A mos ndoshta është taktizim "prishja" dhe strategjik bashkëpunimi kundër bashkimit kombëtar? Edhe për këtë s'mund të thuhet gjë me siguri, ndonëse objektivisht, në realitet del se është kështu: ata po veprojnë bashkërisht kundër bashkimit kombëtar, jo vetëm të tanishëm, por edhe në të ardhmen. E, çka e shqetëson Serbinë e Greqinë është pikërisht e ardhmja. Tani për tani serbët e grekët mund të pajtohen se Serbia e ka humbë Kosovën. Puna është vetëm që Kosova dhe Shqipëria të mos bashkohen asnjëherë në të ardhmen.
Pra, përmbledhtas mund të thuhet se, në qoftë se Rugova, Berisha, Nano etj., taktizojnë kur dalin kundër bashkimit kombëtar, atëherë nuk ka kuptim "prishja" e Rugovës me udhëheqësit e Shqipërisë dhe as meritë se është "i pavarur" prej tyre kur vepron njëlloj bashkë me ta. Në qoftë se e kanë seriozisht qëndrimin kundër bashkimit kombëtar, atëherë, prapë "prishja" nuk ka kuptim sepse të dy palët janë të pajtuar të veprojnë kundër këtij bashkimi dhe, prapë Rugova nuk ka ndonjë meritë se ëshë "i pavarur" nga udhëhqeja e Shqipërisë sepse vepron njëlloj e bashkë me ta kundër bashkimit. Që njëra palë taktizon, ndërsa tjetra e ka seriozisht është një mendim që askush nuk mund ta vëretoj e të jetë i sigurtë sa kohë që të dy palët veprojnë, sillen e flasin njëlloj. Mendimi i pambështetur në asgjë të sigurtë i takon fushës së iracionales dhe nuk përbën bazë për diskutim logjik, racional.
Së dyti, barazimi nga Rugova i Shqipërisë me Serbinë është i gabuar edhe faktikisht. Serbia ka kryer krime dhe i ka shfarosë shqiptarët e Kosovës për shekuj me radhë. Pa shkuar shumë herët në shekuj, vetëm në fund të shekullit XIX Serbia ka dëbuar e ka shfarosë me thika e plumba, në dimrin që ka ngrirë mijëra shqiptar nga rrethi i Nishit gati gjithë popullsinë shqiptare që edhe sot janë "muhaxhirë" në vendin e vet në Kosovë. Serbia u ka ndaluar gjuhën shqipe, simbolikën shqiptare, i ka dhunuar e torturuar për të ndërruar besimin fetar, i ka përzënë për Turqi, i ka varrosë shqiptarët e Kosovës të gjallë në varre masive. Këso lloj krimesh ndaj Kosovës, sa del nga dokumentet që njihen deri sot, nuk ka kryer asnjëherë Shqipëria. Por Rugova e barazon Shqipërinë me Serbinë, vendos simetri, kërkon të ketë marrdhënie të njëllojta, të jetë njëlloj e hapur etj. Kjo siç shihet është gabim sepse nuk mbështetet në dokumente, nuk ka fakte se Shqipëria dhe Serbia kanë qenë njëlloj ndaj Kosovës, prandaj kur Kosova të fitoj pavarësinë t'i trajtoj njëlloj si Shqipërinë, si Serbinë.
Së treti, në qoftë se Rugova e ka fjalën për barazim të Shqipërisë me Serbinë në shekuj atëherë barazimi nuk ka kuptim sepse për vitet e shekujt para shpalljes së pavarësisë nuk ka kuptim termi Shqipëri sipas kufijve që ka sot, atëherë Kosova është vetë Shqipëri. Në qoftë se e ka fjalën për periudhën mbas shpalljes së pavarësisë, atëherë prap nuk mund të provohet se shteti i quajtur Shqipëri ka kryer të njëjtat krime që ka kryer Serbia ndaj Kosovës. Shteti i quajtur Shqipëri mund të mos e ketë ndihmuar sa duhet Kosovën në luftën kundër Serbisë, ndonjëherë mund t'i ketë sjellë edhe dëme me politikën e vet, por kurrë nuk barazohet me Serbinë në krimet që ka kryer Serbia ndaj Kosovës. Shqipëria ndoshta nuk e ka ndihmuar shumë Kosovën por së paku jo rrallë ia ka lehtësuar dhimbjet e ia ka fashuar disa plagë. Kur iknin të tmerruar e të frikësuar nga ushtritë serbe shqiptarët e Kosovës jo rrallë dhe masivisht kanë gjetë strehim në Shqipëri si në "kohën e Zogut", si në "kohën e Majkos", gjatë gjithë shekullit. Ndoshta nuk ka ofruar luks, por varfërinë e vet e ka nda me buajri me shqiptarët e Kosovës që nuk dinin ku të fusin kokën nga frika prej ushtarëve serbë. Por Rugova thotë se Shqipëria dhe Serbia duhen trajtuar njëlloj, se Kosova e pavarur do t'i trajtoj njëlloj si Serbinë, si Shqipërinë.
Ky barazim është i gabuar si mendim edhe po të mos shqyrtohet fare me ndjenja p.sh. me ndjenja dashurie për kombin, apo me vlerësim moral si një barazim imoral. Thjeshtë nuk qëndron si mendim. Për ta barazuar Shqipërinë me Serbinë Rugovës do t'i duhen shumë dokumente, fakte e të dhëna që të provojnë se Shqipëria ka shfarosë qindra mijë shqiptar, i ka pastruar etnikisht territoret shqiptare si Serbia sanxhakun e Nishit, se shqiptarët e Kosovës kanë ikë masivisht nga frika e ushtarëve të Shqipërisë dhe kanë gjetë strehim buajr në Serbi etj., etj. Nuk është çudi që Rugova të nxisë historianët "rugovistë" ose këta ta bëjnë vetë një fushatë për të "vërtetuar" se Shqipëria e mjerë dhe e cunguar ka kryer të njëjtat krime ndaj Kosovës si edhe Serbia. Në logjikën e deritashme të "rugovistëve" çka thotë Rugova është e pagabueshme, prandaj nuk duhet lënë pa dëshmuar se edhe barazimi i Shqipërisë me Kosovën kur e bën Rugova është i drejtë, i vërtetë dhe i saktë, përndryshe udhëheqësi lihet në baltë. Sidoqoftë në shkallën e tanishme të dijeve Rugova e ka gabim kur e barazon Shqipërinë me Serbinë. Pra, edhe Rugova gabon, e gabon randë: bën faj (dhe krim ndaj të vërtetës, moralit, ndjenjave dhe interesit të shqiptarëve, por këto njëherë do të lihen mënjanë).
Së katërti, duke e barazuar Shqipërinë me Serbinë, Rugova bën edhe një gabim tjetër: barazimin e Shqipërisë me udhëheqësit e saj politik. Ndoshta Rugova "lavdërohet" jo pse është "pavarësuar" nga Shqipëria, por nga udhëheqësit e Shqipërisë. Ky është një interpretim, por nuk del dhe nuk është kuptimi i politikës së tij të shprehur në moton "Kosova njëlloj e hapur si ndaj Shqipërisë edhe ndaj Serbisë", "Kosova njëlloj e pavarur si nga Serbia edhe nga Shqipëria". Rugova kur flet vetë barazon Shqipërinë me Serbinë dhe jo udhëheqjet e dy vendeve. Se e ka fjalën për udhëheqjen e Shqipërisë është vetëm interpretim i fanatikëve rugovistë. Megjithatë në të dy kuptimet barazimi është i gabuar. a) As në nivel udhëheqjesh, udhëheqësit e Shqipërisë dhe udhëheqsit e Serbisë nuk kanë qenë njëlloj kriminal ndaj Kosovës. As Nano, as Berisha as ndonjë tjetër nga Shqipëria nuk ka dërguar tanket, qentë, paramilitarët për të vrarë, shqyer, përdhunuar gratë, fëmijët e pleqtë e Kosovës, por këtë e ka bërë udhëheqja e Serbisë, inteligjenca e Serbisë, shoqëria civile e politike serbe, dhe do ta bëj prapë mbas pak vitesh në qoftë se ndiqet politika e Rugovës e barazimit të Shqipërisë me Serbinë. b) Në qoftë se kur thotë Shqipëri ka parasysh udhëheqjen politike, atëherë prap bën gabim që i barazon termat, bën po atë gabim që bënin enveristët kur barazonin Shqipërinë me Enverin. Por Shqipëria nuk është identike me udhëheqsit e saj dhe barazimi i Shqipërisë me ta është gabim i rëndë mendor që është vërtetuar disa herë.
Së pesti, Rugova lavdërohet se "është pavarësuar" nga udhëheqësit e Shqipërisë kurse në fakt bën të njëjtin gabim që kanë bërë tradicionalisht udhëheqësit e Shqipërisë. Kjo do të thotë se Rugova nuk është "pavarësuar" po ka mbetë skllav i skemës mendore tipike të udhëheqësve të Shqipërisë në 90 vjetët e fundit. Që nga shpallja e pavarësisë e deri sot udhëheqësit e Shqipërisë, në mënyrë tipike, kanë besuar se mbrenda kufijvë që ju vunë Shqipëria do të mundej të zhvillohet ekonomikisht e të ndërtonte rend politik stabil, se do të forcohej e atëherë do të bashkohej me Kosovën. Po bëhen 100 vjet me këtë ide, janë provuar lloj-lloj sistemesh politike e ekonomike dhe Shqipëria e coptuar nuk ka mundur as të zhvillohet ekonomikisht dhe as të stabilizohet politikisht. Kur tani në Shqipëri këtë gjë e kanë kuptuar gati të gjithë, në Kosovë del Rugova dhe mbron të njëjtin mendim të vjetruar e të përgënjeshtruar të udhëheqejs së Shqipërisë, sipas të cilit, Kosova e pavarur, mbrenda atyre kufijve të cunguar do të jetë në gjendje të forcohet ekonomkisht e të ndërtoj një rend stabil politik.
Kosova dhe Shqipëria janë pjesë të një të tëre dhe nuk mund të zhvillohen të pavarura nga njëra-tjetra. Shqipëria është në varësi të Kosovës dhe këtë tani po e kuptojnë gati të gjithë në Shqipëri. Ideja se një Shqipëri e fortë dhe e begatë do të ishte tërheqëse për Kosovën i ka shtyrë shume shtete të fuqishme të ndjekin politika e të veprojnë për ta mbajtë të dobët e jostabile dhe ia kanë arritë. Edhe Kosova është në varësi të Shqipërisë, dhe këtë gjë që e dinin (por edhe e tepronin në Kosovë) tani duan ta shpërfillin duke i përgaditë vetes një të ardhme si të Shqipërisë gjatë shekullit të kaluar. Në Shqipëri që në fillim ka qenë zhvilluar një ide e saktë e tipit: "Pa Kosovë e Çamëri, nuk ka Shqipëri!". Një kohë të gjatë është dashur të zhvillohet një luftë e vështirë dhe e rëndë mendore për të heqë iluzionin se Shqipëria mund të zhvillohet pa pjesët që iu shkëputën. Tani po aq e saktë dhe, edhe më e saktë është se: "Pa Shqipëri e Çamëri, nuk ka Kosovë!". Besimi se Kosova mund të zhvillohet e të stabilizohet "e pavarur" nga Shqipëria është një iluzion edhe më i rrezikshëm se i udhëheqësve të Shqipërisë se Shqipëria mund të zhvillohet "e pavarur" nga Kosova. Por këtij problemi nuk dua t'i shkoj më tej këtu dhe nuk është mirë të bëhet objekt i shumë debateve. Tani duhet argumentuar se Kosova e pavarur është e mundur (por të vetëdijshëm se ëshë vetëm fazë kalimtare drejt bashkimit). Çka duhet uruar është që "pavarësia" e Kosovës nga Shqipëria të mos zgjasë sa "pavarësia" e Shqipërisë nga Kosova, dhe Kosova të mos i përsërisë rrëmujat dhe problemet që i kanë ardhë Shqipërisë nga kjo "pavarësi". Sidoqoftë disa në Kosovë, duke përfshi edhe idetë e Rugovës, të kujtojnë ato rryma serbofile e grekofile shqiptare, ato rryma e grupe joshqiptare që e shikonin me gëzim coptimin e Kosovës nga Shqipëria si çlirim prej Kosovës dhe "malokëve". Në këtë kuptim Rugova nuk është "pavarësuar" nga Shqipëria, por vetëm ka mbetë një kopje e pjesës më të gabuar dhe më të neveritëshme të mendimit politik të Shqipërisë.
Së gjashti, Rugova vendoset në pozicion të kundërt me mendimin e rilindësve shqiptar dhe në krah të atyre që tradicionalisht njihen si serbofile e grekofil, si bashkëpuntorë të vetëdijshëm a të pavetëidjshëm të kryerësve të krimeve ndaj shqiptarëve. Edhe në kuptimin më të pafajshëm pavarësia e Kosovës krijon një gjendje të ngjashme me periudhën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, gjendjen e ekzistencës së disa vilajeteve shqiptare. Por ndryshe nga rilindësit që shpallën programin e bashkimit të vilajeteve shqiptare në një njesi të bashkuar politike-kombëtare përballë rrezikut sllavo-grek, Rugova kërkon mbajtjen e vilajeteve të ndara dhe trajtimin e një vilajeti shqiptar (Shqipërisë) njëlloj si rreziku sllav e grek. Nuk është puna tek ironizmi ndaj tij, sikur ëndërroka të quhet Ibrahim Pashë Rugova, vali i Kosovës me qendër në Prishtinë etj. Problemi është se nuk mund të merret lehtë si lajthitje mbasi ky lloj të menduari njihet. Të heqësh sotë dorë nga ideja e bashkimit të "vilajeteve" kur nuk është heqë dorë në kohë shumë më të vështira, ndërmjet dy luftrave botërore, në kohën e ndarjes së botës në blloqe e të perdes së hekurt, të heqësh dorë tani që premisat për bashkim janë më të mirat, do të thotë se pikërisht ky është shqetësimi. Tani shqetësimi nuk vjen nga pamundësia, por nga mundësitë që janë krijuar për bashkim dhe prandaj duhen gjetë mënyra për ta ndaluar. Ky është program i vjetër dhe jo ambicie të Rugovës për titullin Ibrahim Pashë Rugova, ndonëse ambiciet e individit dhe roli i tyre në ngjarjet politike nuk është pa rëndësi.
Si përfundim mund të thuhet se e shqyrtuar vetëm mendërisht, logjikisht, pa ndjenja dhe gjykim moral barazimi nga Rugova i Shqipërisë me Serbinë dhe ideja për ta pavarësuar Kosovën nga Shqipëria e për të pasë marrdhënie të njëllojta si me Serbinë edhe me Shqipërinë është e gabuar, e pabazuar.
E shikuar nga këndvështrimi moral dhe ndjenjësor ky barazim dhe kjo politikë është thellësisht imorale dhe armiqësore ndaj shqiptarëve si komb. Por kjo nuk do të shqyrtohet hollësisht këtu.
Është imorale në pikëpamje intelektuale, sepse të shpifësh, të barazosh dy gjëra që nuk janë të barabarta, që madje ndryshojnë rrënjësisht, në pikëpmaje të etikës intelektuale është thëllësish imorale, është fyerje e arsyes, e ratios. Është imorale në pikëpamje njerëzore barazimi i viktimës me kriminelin sepse Shqipëria jo rrallë ka qenë edhe vetë viktimë e krimeve serbe ndërsa Rugova e barazon Shqipërinë me Serbinë, viktimën me kriminelin. Është imorale në pikëpamje politike sepse barazon mikun me armikun, sepse mban të njëjtin qëndrim si ndaj vëllait që ndoshta nuk ka qenë aq i mirë por nuk ka kryer krime me armikun që e ka shfarosë. Është imorale politikisht sepse, siç thoshte Karl Shmit (Carl Schmit), edhe në qoftë se në jetën private ka ndonjë vlerë porosia "duaje armikun tënd" në politikë porosia "duaje armikun tëndë" nuk vlenë. Është imorale sepse gjatë gjitëh shekullit Shqipëria ka strehuar shqiptarët e Kosovës të ndjekur nga serbët dhe ka nda me ta kafashatën e vet të varfër, ndërsa tani Rugova e barazon me Serbinë duke treguar mosmirënjohjen e vetë. E mosmirënjohja është ves i ulët moralisht etj.

2. Rugova: "dealbanizacija Kosova i Metohije"

Pikëpamjet e Rugovës qofshin edhe për taktikë janë të rrezikshme sepse janë në vijën e nacionalizmave serbë e grekë dhe sepse janë ide gjenerike, ide lindëse, që lindin një program të tërë antishqiptar. Pikëpamjet e Rugovës përmbajnë një program të tërë, karaktersitik për lëvizjet e fuqishme për krijimin e një kombi që përfshijnë nga lufta, ideologjitë, riinterpretimi i historisë, letërsia e veçantë, krijimi i miteve e deri tek heraldika, muzika etj. Sepse programi i Rugovës parashikon krijimin e një kombi të ri, e kombit kosovar. Sipas Rugovës shqiptarët duhet të harrojnë se janë shqiptar dhe të bëhen kosovarë. Por për këtë tani është shumë vonë.
Kombi shqiptar është formuar mbi bazën e kritereve etnike-kulturore, ose sipas modelit "gjerman" dhe jo mbi bazën e shtetësisë, ose modelit "francez". Prandaj për shqiptarët ka qenë i vetëkuptueshëm dallimi ndërmjet kombit e shtetësisë. Prandaj shqiptarët edhe pse kanë jetuar në shtete të ndryshme (romak, bizantin, osman, sllav, grekë) nuk e kanë identifikuar veten sipas shtetësisë. Prandaj shqiptarët në ish-Jugosllavi nuk e kanë identifikuar veten me Jugosllavinë, nuk e kanë parë veten si jugosllavë por si shqiptarë.
Programi i Rugovës e godet kombin në themelin e vet, në llojin e identitetit, dhe jo në çështje anësore. Ai është program i tipit "francez", jugosllav dhe serbo-grek. Ndoshta sepse Rugova ka njëfarë shkollimi në Francë, ndoshta sepse është ndikuar nga jugosllavizmi, ndoshta sepse nuk di çka bën. Por të gjitha këto janë pa rëndësi. E rëndësishme është përmbajtja e programit.
Së pari, programi i Rugovës për kombin kosovar është i të njëjtit tip me programin komunist të jugosllavizmit. Jugosllavizmi ka qenë një përpjekje për të barazuar kombin me shtetësinë. Në regjistrimin e popullsisë në ish-Jugosllavi në rubrikën e kombësisë mund të bëhej regjistrimi "jugosllav", sipas shtetësisë. Numëri i jugosllavëve ka qenë gjithnjë shumë i vogël në të gjitha kombet e ish-Jugosllavisë, por programi ka ekzistuar. Tani në emër të shtetësisë së Kosovës, Rugova kërkon të ndërrohet simbolika kombëtare si flamuri, hymni etj. Rugova, sipas modelit "francez" dhe jugosllav komunist kërkon epërsinë e shtetësisë ndaj kombit, heqjen dorë nga simbolika kombëtare për hirë të simbolikës shtetërore.
Edhe në qoftë se ky është një "taktizim" për të plotësuar disa kushte që Kosova të njihet në arenën ndërkombëtare si shtet më vete e për këtë i duhen simbole dalluese nga Shqipëria kjo duhet të bëhet shumë e qartë prej tij sepse përpjekjet për të përdorë kriteret ideologjike dhe shtetërore për përkufizimin e shqiptarëve dhe kosovarëve si dy kombe të ndryshme janë nxitë nga dikush edhe në Shqipëri.
Që më 1992 duke u nisë nga kriteri i shtetësisë, Spartak Ngjela, tani njeriu i parapëlqyer i Berishës (edhe ky i specializuar në Francë) shprehej se shqiptarët dhe kosovarët janë dy kombe të ndryshme si austriakët dhe gjermanët. Fatos Lubonja, njeriu i parapëlqyer i Veton Surroit, i përmbahet kriterit ideologjik-shtetëror kur ngulë këmbë se shqiptarët dhe kosovarët përbëjnë dy kombe të ndryshme sepse kanë jetuar në shtete dhe ideologji të ndryshme, sepse kosovarët e duan Enver Hoxhën, ndërsa shqiptarët e urrejnë etj. Mendimi i Lubonjës është në vijën e Leninit që i dallonte kombet sipas regjimit dhe ideologjisë në kombin socialist dhe kapitalist. Kjo përpjekje ka qenë bërë veçanërisht në ish-Gjermaninë Lindore për t'i paraqitë si dy kombe të ndryshme gjermanët socialistë nga gjermanët kapitalistë sipas shtetësisë dhe ideologjisë së ndryshme, përpjekje që nuk ka pasë sukses as atje. Edhe grekët nuk pranojnë të ketë kombësi tjetër asnjë person që ka shtetësi greke ose fe ortodokse.
Atë që nuk e arriti jugosllavizmi do ta përfundojë Rugova: ndërrimin e kuptimit të vetes nga shqiptarët si komb, ndërrimi i kriterit mbi të cilin e kuptojnë identitetin e vet: nga etnik-kulturor në kriterin shtetëror. Ka shumë mundësi që programi i Rugovës të dështoi siç ka dështuar jugosllavizmi, kombi socialist etj., por dhimbje e plagë shkakton, sidomos kombit plot vuajtje të tjera, kombit shqiptar. Tani është shumë vonë që shqiptarët të identifikojnë veten mbi bazën shtetërore e jo shpirtërore, të zevendësojnë kuptimin e vets si komb mbi bazën etnike me kuptimin mbi bazën e shtetësisë sipas tipit "francez", "leniniste" ("lubonjist"), "jugosllavist" etj.
Së dyti, programi i Rugovës është në vijim të programit serb për "deshqiptarizimin e Kosovës" ose "dealbanizacija Kosove". Një prej shqetësimeve më të mëdha të nacional-shovinizmit serb gjatë viteve '80 ka qenë mbrojtja e Kosovës nga ndikimi i Shqipërisë. Sipas serbëve Kosova po ndikohej nga Shqipëria çka shfaqej në tekstet shkollore e deri tek simbolika e njëjtë. Nën programin e dealbanizmit të Kosovës u kërkua ndryshimi i pamjes së flamurit, stemave etj., etj. Ndaj këti programi nacionalshovinist serb ka pasë një qëndresë, derdhje gjaku e dhënie jetësh nga shqiptarët, një përbashkim me njëri-tjetrin dhe një veprimtari madhështore për ruajtjen e simbolikës kombëtare. Tani programin e nacionalshovinizmit serb kërkon ta çoj në fund Rugova: ta pastroj Kosovën nga ndikimet e Shqipërisë, nga simbolika e njëjtë kombëtare etj.
Së treti, simbolika "e Shqipërisë", flamuri, hymni, etj., nuk janë simbole shtetërore por janë simbole kombëtare, që u takojnë gjithë shqiptarëve si komb dhe jo vetëm Shqipërisë si shtet. Ato janë bërë simbole shteti sepse u krijua një cop shtet shiqptar dhe synohej forcimi i simbolikës kombëtare. Por ato janë simbole të Kosovës po aq sa të Shqipërisë. Lufta për mbrojtjen e falmurit, gjuhës, himnit etj., etj., nuk ëshë zhvilluar më shumë në Shqipëri se në Kosovë. Ato më lehtë ndërrohen (modifikohen) në Shqipëri me një vendim të Kuvendit dhe ka më pak pasoja negative se në Kosovë.
Së katërti, programi i Rugovës përputhet me synimet afatgjata të nacionalshovinizmit grek e serb për të argumentuar dhe për të realizuar se nuk ka komb shqiptar, se shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë janë dy kombe të ndryshme. Shqiptarët kanë argumentuar se janë një komb, se kanë prejardhje e, rrejdhimisht, gjuhë, histori, traditë, simbole etj., etj., të përbashkëta. Tani atë që nuk e kanë arritë nacionalizmi grek e serb sepse është bërë qëndresë, synojnë ta arrijnë përmes Rugovës që do të veçoj simbolikën e ndoshta edhe historinë, traditën etj., të Kosovës nga Shqipëria.
Shkurt në programin e Rugovës nuk ka asgjë të re veç ideve të nxjerra nga programet dhe praktikat e nacionalshovinizmave grekë e serbë: të barazimit të kombit me shtetin dhe të coptimit të kombit shqiptar në "kombe" të ndryshme.
Edhe njëherë duhet theksuar se, edhe nëse është "taktizim" (për ta gënjyer botën, sikur bota të ishte teveqele) shfaqjet e tij mbartin një rrezik të madh sa as vetë programet nacionalshoviniste greke e serbe nuk kanë mundur të shkaktojnë. Ndaj këtyre përpjekjeve serbe e greke shqiptarët kanë qenë syçelë dhe kanë bërë qëndresë. Ndërsa kur realizohen nga Rugova njerëzit mund të gënjehen dhe kur ta kuptojnë do të jetë vonë, jo se do shndërrohen në komb tjetër, por se do të mbeten në mes të rrugës, pa identitet të fortë, pa bazë zhvillimi. Edhe në qoftë se Rugova nuk e dëshiron seriozisht dhe sinqerisht fushatën e paracaktuar vetëm të shkaktoj vuajtje por jo të ketë sukses për krijimin e dy kombeve të ndryshme, taktikën e tij do ta përdorin të tjerë shqiptarë që janë me vullnet të plotë në shërbim të armiqëve të shqiptarëve. Edhe në qoftë se Rugova si person "taktizon" elektorati dhe simpatizantët e tij mund ta marrin seriozisht dhe të fillojnë punën për të argumentuar secili në fushën e vet se janë komb i ndryshëm nga kombi shqiptar, me histori, heraldikë, simbolikë, gjuhë etj., të ndryshme. Edhe në qoftë se Rugova "taktizon" personalisht këtë mund ta marrin seriozisht kundërshtarët e tij real, serbofilët e grekofilët e paguar e të papaguar shqiptar.
Thamë se ai është një program gjenerik që përfshinë shumë mundësi për veprimtari antishqiptare. Kur thamë se përfshinë deri heraldikën kjo do të thotë se p.sh. në emër të studimit të stemave për stemën e Kosovës do të argumentohet historia e ndryshme e Kosovës nga historia e Shqipërisë. Të tjerë për të provuar të drejtën e Kosovës për shtetësi do të argumentojnë se Kosova ka histori të ndryshme nga historia e Shqipërisë. Të tjerë, siç propagandon Kastriot Myftaraj në Tiranë, do të thonë se Kosova dhe Shqipëria kanë dy gjuhë të ndryshme dhe se gegët duhet të fillojnë luftën për t'u çliruar nga sundimi gjuhësor i toskëve etj., etj. Nuk ka gjë se këto nuk qëndrojnë si argumente. Zhurma do të jetë aq e madhe sa krijohen përshtypjet, paragjykimet dhe frustracionet jokritike iracionale masive. Kontrollojeni shtypin, median përgjithësisht dhe do të shihni se si atë çka nuk e arritën për shekuj nacionalizmat serb e grekë po përpiqen ta arrijnë përmes shqiptarëve. Çështjes së bashkimit kombëtar të shqiptarëve, çështjes shqiptare do t'i jepet një zgjidhje: nuk ka një komb shqiptar. Këtë e thoshte Spartak Ngjela dhjetë vjet më parë: çështja shqiptare është e zgjidhur. Shqiptarët dhe Kosovarët janë dy kombe të ndryshme. Këtë përpiqet të realizoj Rugova: të krijojë dy kombe të ndryshme.
Siç shihet, qoftë edhe si "zbulim" Rugovës nuk i takon ndonjë meritë për këto ide, sepse nuk janë të reja, sepse janë shumë të vjetra dhe Rugova vetëm sa i është bashkëngjitë një rryme që vepron me kohë në radhët e shqiptarëve për t'i copëzuar shpirtërisht mbasi i kanë copëzuar territorialisht.
Së pesti, programi i Rugovës është në përputhje me programin nacionalshovinist grek e serb që mbas coptimit territorial të realizohej coptimi shpirtëror i kombit shqiptar. Në të vërtetë Lubonja këtë e paraqet si gjendje të arritur, por dallimet që përmend ai janë shumë sipërfaqësore për të provuar se janë krijuar dykombe të ndryshme. Ndërsa idetë e Rugovës prekin krakakteristika themelore dhe mbi programin e tij mund të preket edhe vetë gjuha, historia e tredita si elemnte kyç të vetëpërkufizimit të identitetit. Ata që i coptuan territoret dhe kombin shqiptar kanë shpresuar se nga jeta në shtete të ndryshme do të largohen shpirtërisht. Kështu ajo që mund të quhej çështje shqiptare do të zgjidhej për disa dekada. Mirëpo deri tani kjo strategji nuk ka ecur. Dhe siç vë në dukje Baleta, ndoshta për ironi të historisë, bota që i kishte coptuar u detyrua të ndërhynte ushtarakisht në mbrojtje të asaj pjese të shqiptarëve që kishte parashikuar të asimilohen shpejt nga shteti serb, në mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës. E, siç hamendëson më një ironi të shkëlqyer Baleta, ndoshta ndërhynë ushtarakisht kundër serbëve edhe si ndëshkim pse për një shekull nuk arritën t'i asimilojnë shqiptarët e t'iu ndërrojnë ndjenjën e identitit kombëtar. Por atë që nuk u bë për një shekull synon ta realizoj në të mirë të serbëve për pak vite vetë Rugova: ndërrimin e identietit shqiptar dhe shkëputjen shpirtërore të shqiptarëve të Kosovës nga pjesët e tjera të kombit.
Pra, në shumë drejtime Rugova del si "terminator", përmbarues i politikave serbo-greke e ndërkombëtare kundër shqiptarëve që kanë mbetë në mes, pa u realizuar. Këtu hyn zbatimi deri në fund i ndërrimit të kriterit të identitetit kombëtar nga etnik në shtetëror (jugosllavizmi). Dhënia fund e çështjes shqiptare mbas coptimit territorial duke krijuar dy kombe të ndryshme dhe kështu nuk ka më problem shqiptar. Coptimi e ndarja territoriale le etjen dhe dëshirën për bashkim, ndërsa ndarja shpirtërore i jep fund përgjithnjë.
Dhe, me njëfarë "gjakftohëtësie" cinike ndaj vetes mund të themi se, sikur të ishte e mundur ndoshta s'do të kishte asgjë tragjike veç detyrimit moral ndaj të parëve tanë që kanë vuajtur të na lënë një identitet. Por krijimi i një kombi të ri kosovar në vend të kombit shqiptar në Kosovë tanimë është i pamundur dhe vetëm shkakton vuajtje tragjike të mëdha, ndoshta edhe më të mëdha se ato që na kanë rënë në kokë për shekuj. Sepse në vend se t'i bashkojmë forcat për të mbrojtë veten, ende e vëmë veten në dyshim jemi apo nuk jemi shqiptar. Mbas shekujsh që vijnë që nga fillimi i botës Rugova u thotë shqiptarëve: harroni që jeni shqiptarë. Tani e tutje jeni kosovarë. Edhe me kaq nacionbalshovinizmi grek e serb e ka realizuar në personin dhe me personin Ibrahim Rugova një pjesë të rëndësishme të programeve të veta antishqiptare. Në vend se të merremi me programe si të zhvillohen, të përparojnë, të përmirësojmë jetën tonë na kthejnë në çështje që as do të duhej të diskutoheshin: jemi apo nuk jemi komb, jemi apo nuk jemi një komb etj. Dhe thonë pastaj se Serbia ka marrë fund, kur ajo na sundon po aq mirë përmes personave dhe rrymave tona shqiptare.

Marrë nga RIMEKEMBJA 26/ 11/ 2002 /



 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:41
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË