NUMĖR 71
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 01 SHKURT 2003

Nga shtypi shqiptar
Çelen fondet, njerëzit në radhë për të shitur gjak

(c) Gazeta Shqiptare
Shkruan: Odeta HALILI


E bëri sakaq hesapin, me të palosur kartmonedhat. Do të marrë po kaq pas tre muajsh. "Do Zoti e ngrenë çmimin!" Ka 20 vjet që e firmos këtë bordero, por duke numëruar lloj-lloj shumash në të. "Varet, si ka lëvizur çmimi i gjakut në gjithë këta vjet", shpjegon M.G, 50 vjeç nga Kamza, pasi trokëllin mbi tryezë bakshishin 20 lekësh.

Shpërndarsëja e parave vijon me tjetrin, ndërsa 20 lekëshja që vihet mbi 3.400 lekë-kartmonedha (3420 lekë është vlera e një qeske 400 gramëshe) hiqet e rikthehet sërish mbi tryezën e ekonomistes.

Ata, 50 veta pas dere, kanë një muaj që piqen përditë me sho-shoqin. Dje u çelën ato të shkreta fonde e "shitësit" e gjakut u gdhinë në pikë të mëngjesit në Laprakë. "E po shyqyr", pëshpëritën më nevojtarët, ata, të cilët s'kishin sy e faqe të hidhnin çap në dyqanin e lagjes, e kishin shkruar fort shpesh emrin në listat e borxheve. Më në fund do shlyenin një pjesë të ushqimeve, pasi kishin shitur "ushqimin" e organizmit. Nuk u pëlqen të identifikohen. Mendojnë se nuk është për t'u përmendur aq më pak për t'u lavdëruar kjo sakrifica e tyre.

"Ç'të bëj, shfryn një mesogrua, e tëra në të zeza, nuk më del 5 mijë lekëshja e pensionit të burrit. Jam e detyruar, një herë në tre muaj vij këtu", ajo fërkon lëkurën mbi damarin e shpuar. Ndonjëherë s'pret puna të plotësohet standarti: "3 muaj".

Gruaja vjen pas dy muajsh, dy muaj e gjysëm, u lutet doktoreshave. Ajo është e shëndetshme, mund të dhurojë edhe para afatit. "Vinim të dy me tim shoq vite më parë, sot vij vetëm". Pensioni që i është lidhur pas vdekjes së burrit janë të ardhurat e vetme, për të dhe tre fëmijët, më e madhja syresh, vajzë rreth të 17-ave. Gruaja tjetër është e divorcuar, ka vetëm një djalë. Edhe ajo i numëron për çdo herë ditët që e ndajnë nga shitja e radhës.

"Burrat janë më të privilegjuar, vijnë më shpesh, neve edhe na kthejnë mbrapsht ndonjëherë". Megjithatë, e divorcuara, 35 vjeç grua e kujton fort mirë, një episod, nja 6 muaj të shkuar. Një burri i kishte rënë të fikët me të bërë analizat paraprake.

"Siç duket, ishte i pamësuar me këtë punë e e zuri gjaku", shpjegon gruaja. Një burrë tjetër u lutej infermiereve, ndërkohë. Dukej i dobët dhe infermieret mëdysheshin ta ulnin në shtrat për t'i vënë serumin. Ai vazhdonte të ngulte këmbë, "po më merrni gjak ju lutem, do ju lë 5 mijë lekë". Tutje mbi tryezën e ekonomistes, 20 lekëshja e bakshishit bënte "tutje-tëhu"-në e radhës. Ishte e 50 herë që vihej e hiqej mbi kartmonedha.

Marrë nga "Gazeta shqiptare"


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:41
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË