NUMĖR 71
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 01 SHKURT 2003

Maqedoni
Cërvenkovski duhet ta luftojë korupsionin e vet

Lufta e shpallur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar më tepër i ngjanë revanshit politik kundër opozitës se sa një aksioni antikrim mirë i paramendur. Nëse kryeministri Cërvnekovski dëshiron të luftojë korupsionin, njeherë duhet t'i pastrojë radhët e veta, e pastaj të ndjekë opozitarët e koruptuar

Shkruan: Naser SELMANI


Maqedonia është shtet me nivel të lartë të korupsionit. Ai është i pranishëm në të gjitha poret e jetës dhe ka marrë përmasa shqetësuese. Nëse nuk ndërmeren masa adekuate mund të rezikohet edhe e ardhmja e vendit. E vetmja shpresë për rimëkëmbjen ekonimike të Maqedonisë janë investimet e jashtme, mirëpo investitorët perendimorë nuk investojnë kapitalin e tyre në vende të koruptuara, si është Maqedonia.
Si qeveria, ashtu edhe opozita pajtohen se shoqëria maqedone është e korruptuar. Mendimet dallohen rreth qasjes se si duhet luftuar kjo dukuri negative.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë një ndër prioritetet e qeverisë së re të Branko Crvenkovskit. Mirëpo kjo nuk do të thotë asgjë derisa qeveria e re në vepër nuk demostron gatishmëri që seriozisht të luftojë korupsionin. Nga hapat e deritashëm mund të konstatohet se qeveria më shumë bënë propagandë mediale se sa vërtet lufton korrupsionin. Te ajo mungon vullneti politik për të sjellur këtë të keqe në kuadër të normales. Lufta e shpallur kundër korupsionit dhe krimit të organizuar më tepër i ngjanë një revanshi politik kundër opozitës se sa një aksioni antikrim mirë i paramendur.

Nëse kryeministri Cërvnekovski dëshiron të luftojë korupsionin, njëherë duhet t'i pastrojë radhët e veta, e pastaj të ndjekë opozitarët e korruptuar që qeverisën vendin gjatë katër viteve të kaluara. Fatëkeqësisht në njëqind ditët e para të qeverisjes Cërvenkovski po dëshmon të kundërtën. Ai po rehabiliton kuadro të kompromituara të partisë së tij. Në krye të shërbimit sekret maqedon rikthehet Zoran Verushevski. Ai kishte keqpërdorur postin nga qeverisja e mëparshme e Cërvenkosvkit. Fatëkeqësisht ky nuk është rasti i vetëm. Ish ministri i shëndetësis Ilija Filipçe, më 1997 u akuzua për keqpërdorime të fondeve të shëndetësisë, tashti sërish kthehet si drejtor sektori në Shëndetësi. Nën presion të opinionit publik Cërvenkovski atëkohë ishte detyruar që ta ndërrojë nga posti, ndërsa tani pas pesë vitesh që rikthehet në pushtet e ngarkon atë prapë me një detyrë me përgjegjësi në resorin e shëndetësisë.

Kryeministri Cërvenkovski njihet si politikan që jep premtime të mëdha, mirëpo e keqja është se ato nuk i realizon. Në vitin 1997, para se të humb pushtetin në Parlament mbajti një diskutim të guximshëm. Troç e pranojë se qeveria e tij ishte e koruptuar dhe se në Maqedoni kishte krim të organizuar. Ai simbilokisht tha se do ta luftonte oktopodin që kishte mbërthyer shoqërinë. Sipas tij këtij aksioni nuk do ti shpëtonin as bashkëpartiakët e tij socialdemokratë. Mirëpo rezultatet munguan. U burgos vetëm pronarja 'kursimore' piramidale TAT, që përpiu mbi 200 milionë marka gjermane të qytetarëve. Asgjë tjetër. Atëherë Cërvenkosvki zhgënjeu elektoratin dhe në vitin 1998 humbi zgjedhjet. Tashti përsëritet kënga e njëjtë, vetëm që këndohet në një kohë tjetër.

Të dhënat për nivelin e korruspinit në Maqedoni të prezentuara nga një organizatë joqeveritare janë më se shqetësuese. Transparent International thotë se mbi 82 për qind e qytetarëve mendojnë se në Maqedoni nuk zbatohen ligjet ndërsa mbi 75 për qind e tyre janë deklaruar se në vend nuk sundon shteti juridik.
Ekzistojnë indikacione të qarta se kurrupsioni dhe krimi i organizuar është produkt i vetë qeverive që udhëhoqën vendin deri tani. Fillet e korupsionit dhe krimit të organizuar datojnë nga viti 1993 e deri më vitin 1998, pikërisht kur vendi qeverisej nga kryeministri aktual Crvenkovski.

Është për t'u habitur se Maqedonia si shtet me nivel të lart korrupsioni, ligjin antikorupsion e miratoi vitin e kaluar, ndërsa zbatimi filloi në fillim të këtij viti. Transparent International thotë se ligji ka defekte dhe kërkon ndryshimin dhe plotësimin e tij. Ligji kundër larjes së parave u miratua më 2001, kurse në fuqi hyri në mars të vitit 2002. TI gjithashtu vëren se teksti i ligjit është i keq dhe i paharmonizuar me pjesën tjetër të rregullativës ligjore të vendit.

Transparent International thotë se në Maqedoni janë detektuar tre lloj korupsioni; korrupsion i lartë, i mesëm dhe i ulët. Korupsioni i lartë manifestohet te bartësit e lartë të funksioneve publike, që kanë të drejtë diskrecioni për të vendosur për projekte të mëdha të qeverisë. Ata mund të ndikojnë gjatë marrjes së vendimit për të fituar marrëveshje gradnioze për furnizime publike dhe për dhënien e koncesioneve qeveritare.

Tipi i mesëm locohet në eshallonin e dytë, të tretë dhe të katërt të kierarakisë shtetërore. Ekziston një qark i gjërë i funksionarëve në të gjitha nivelet që vendosin me diskrecion. Japin leje për import, marrëveshje, furnizime publike, koncesione, dokumenta të doganës, etj.

Korrupsioni i tipit të ulët paraqitet te shtresat e ulta të administratës, siç janë nëpunësit publik, policët, nëpunësit nëpër sportele. Ky tip korupsioni ka karakter social dhe është pasojë e erozionit shoqërorë dhe degradimit moral.

Sipas TI njëri ndër faktorët që ka ndihmuar paraqitjen e korupsionit është transformimi i sistemit politik prej atij socialist në shumpartak. Gjatë këtij procesi janë krijuar zbrazëti juridike, që klasa politike i ka përdorur për t'u pasuruar brenda natës.

Faktor tjetër është privatizimi jotransparent. Në Maqedoni s'kishte privatizim por vjedhje klasike të pronës shtetërore. Ligji ishte i tillë që hapte shtigje për manipulime. Transparent International thotë se lufta në trojet e ish-jugosllave dhe embargot e ndryshme ishin gjithashtu gjenerator të korrupsionit. Është sekret publik se krerët e shtetit maqedon gjatë luftës në Bosnjë e Kroaci qëllimisht thyenin embargon për naftë dhe armatim të vënë kundër Serbisë nga ana e OKB-së. Sipas disa vlerësimeve LSDM e kryeministrit Cërvenkovski nga thyerja e embargon ndaj Serbisë kishte inkasuar mbi 500 milion dollarë, që tani gjenden nëpër bankat qipriote.

Aty ku s'ka vullnet politik për të luftuar korupsionin dhe krimin mungon edhe kuadri institucional. Pushteti në Maqedoni vetëm formalisht është i ndarë në tre shkallë, në pushtetin ekzekutiv, ligjëvënës dhe gjyqësorë. Në praktikë qeveria dominon mbi Parlamentin dhe gjyqësinë. Në këto rrethana qeveria kontrollon gjyqet dhe policisnë si organe që janë të ngarkuara ta luftojnë krimin dhe korupsionin. Deri tani asnjë proces gjyqësor nuk është çuar deri në fund kundër ndonjë funksionari qeveritar.

Për luftë të suksesshme kundër korupsionit TI propozon disa masa. Ligjet e vendit të harmonizohen me standardet ndërkombëtare, ndërsa ligji për antikorupsion të ndryshohet dhe plotësohet. Kjo organizatë joqeveritare sugjeron miratimin e një ligji që pengon konfliktin e interesit dhe sjelljen e ligjit për finansimin e partive politike.

Në aspektin institucional pavarësimin finansiar të gjyqësisë dhe depolitizim të administratës publike. Të ndërtohen kritete për pranimin dhe gradimin e nëpunsve sipas aftësive profesionale e jo sipas përkatësisë politike.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:40
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË