NUMĖR 71
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
DOSSIER VITI V - 01 SHKURT 2003

FSHATI I ALI AHMETIT
Ekonomia politike e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni

Projekti për sigurinë në Maqedoni
I përkrahur nga Ministria e Jashtme e Zvicrës

Përkthyer nga
Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime Politike (KIPRED)
Shkup dhe Berlin
1 tetor 2002

PËRMBLEDHJE

Ky raport hulumton ekonominë politike të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni - të "konfliktit tjetër" të resurseve në zhdukje e sipër dhe të kolapsit të standardit jetësor, që shpesh mbeten pa u pavërejtur. Raporti është i përqëndruar në një rajon në Maqedoninë Perëndimore i banuar nga 52.000 banorë, 50 përqind të të cilëve janë shqiptarë etnikë ndërsa 40 përqind janë maqedonas etnikë. Sikundër edhe pjesa më e madhe e Maqedonisë edhe Kërçova ka traditë të thellë të bashkëjetesës etnike. Me dekada të tëra këtu nuk ka pasur dhunë ndërmjet bashkësive dhe ky rajon ka vazhduar të jetë i qetë edhe në vlugun e luftimeve gjatë vitit të kaluar. Në të njejtën kohë ky rajon vë në pah diversitetin e trendeve ekonomike dhe sociale ndërmjet bashkësive që jetojnë aty, gjë që duket të jetë e programuar që të ngjallë frikë dhe dyshim ndëretnik.

Zajasi, "fshati i Ali Ahmetit", është komunë rurale në rajonin e Kërçovës që ka rreth 10.000 banorë. Kjo është vendlindja e luftëtarit gueril, të shndërruar në politikan partiak, Ali Ahmetit, i cili udhëhoqi kryengritjen që më 2001 solli deri në skaj të luftës civile. Shteti Maqedonas përgjithësisht mungon në jetën e banorëve të Zajasit dhe të pjesëve të tjera rurale të shqiptarëve. Këtu s'ka pothuajse kurrfarë punësimi zyrtar dhe ka tejet pak infrastrukturë. Ekonomia lokale tërësisht mbushet nga ndihmat e punëtorëve të punësuar jashtë vendit. Sipas vlerësimeve konservative, emigrantët me përkatësi shqiptare që janë nga Kërçova e që tani punojnë në SHBA dhe Evropë, dërgojnë më shumë se 16 milion euro në vit - që është më shumë se sa shuma e përgjithshme e pagave të punëtorëve të përkatësisë maqedonase të cilët punojnë në sektorin publik dhe në ish ndërmarrjet në pronësi shoqërore.

Shumica e banorëve në qytetin e Kërçovës janë maqedonas etnikë. Jeta e tyre formësohet nga kriza e shoqërisë industriale të krijuar nga socializmi jugosllav. Gjatë dy dekadave të fundit familjet maqedonase kanë qenë dëshmitarë të rënies drastike të standardit të tyre të jetesës. Industria lokale tanimë ka shumë kohë që ka ndërprerë punësimin, ndërsa administrata publike është nën presion për reduktimin e numrit të të punësuarve si dhe për të bërë vend për një përfaqësim më të madh të pakicave. Në pjesën e maqedonasve etnikë të Kërçovës pothuajse nuk ka fare sektor të ri privat, me përjashtim të disa ndërmarrjeve të vogla të ndërtimit, dyqaneve dhe kafeterive. Kriza e punësimit sipas të gjitha gjasave do të vijë duke u thelluar, dhe secili vend i punës që zhduket e shtyn një familje në drejtim të varfërisë.

Marrëdhëniet ndëretnike në Kërçovë janë të formësuara nga ky paradoks. Si përfitues kryesor gjatë katër dekadave të zhvillimit industrial, maqedonasit etnikë i janë ekspozuar vrazhdë fatit në rënie të këtij zhvillimi. Përjashtimi i shqiptarëve nga sektori socialist dhe nga përfitimet që ky i ofronte, i ka shtyrë ata në kërkim të stratëgjive ekonomike, kryesisht emigrimit dhe tregtisë së vogël, gjë që në anën tjetër i ka bërë këta më të përgatitur për të mbijetuar dështimin e sistemit socialist. Sidoqoftë, dobësia e shtetit maqedonas është pengesë për zhvillim edhe për bashkësinë shqiptare po aq sa edhe për atë maqedonase. Fondet nga diaspora financojnë shpenzimin në Kërçovë, por shumë pak në drejtim të investimeve produktive. Pjesë të mëdha të bashkësisë shqiptare vazhdojnë të mbesin të ngujuara brenda një zhvillimi të ulët, gjë që vlen veçanërisht për pjesët rurale.

Këto përvoja divergjente, shpjegojnë perceptimet e ndryshme të dy bashkësive për atë sesi është duke dështuar shteti i Maqedonisë, si dhe për atë se kush është duke e bartur barrën e këtij dështimi. Edhe pse ka një prosperitet relativ në vend, këndvështrimi shqiptar është i ngjyrosur nga përvoja e përjashtimit gjatë gjithë jetës. Shqiptarët luftojnë për të arritur deri tek sistemi i përfitimeve të sponsorizuara nga shteti, derisa ky sistem pothuajse është zhdukur tërësisht. Nga ana tjetër, maqedonasit etnikë ndihen të rrethuar si në aspektin social ashtu edhe në atë ekonomik dhe këta i shohin kërkesat e shqiptarëve si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pozitës së tyre.

Në këtë ambient, beteja për të vënë nën kontroll burimet publike në rënie e sipër shumë lehtë merr ngjyrosje etnike, duke pasur parasysh se ekonomia politike e maqedonasve është e natyrës tejet eksplozive. Është joshës mendimi se tanimë është kryer pjesa më e vështirë e arritjes së paqes së qëndrueshme në Maqedoni. Megjithatë, analiza në këtë raport sugjeron të kundërtën. Gjatë periudhave që pasojnë, si elita politike maqedonase ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të merret me një varg çështjesh të ndjeshme. Dispozitat kryesore të Marrëveshjes së Përgjithshme të gushtit 2001 (Marrëveshja e Ohrit), (përfaqësimi i barabartë i pakicave në administratë publike, të drejtat gjuhësore dhe forcimi i qeverisjes lokale) do të kërkojnë një program ambicioz të ristrukturimit të institucioneve dhe të rishpërndarjes së resurseve publike. Presioni ndaj Maqedonisë për uljen e shpenzimeve publike, veçanërisht kur është fjala për pjesëmarrje në sektorin publik, nga ana e bashkësisë etnike maqedonase është e pashmangshme që të shihet si kërcënim.

Për politikën e jashtme të sigurisë (unike e embrionale) të Unionit Evropian, Maqedonia paraqet shembullin se si ndërhyrja intensive mund të kufizojë konfliktin duke e shndërruar krizën në sukses diplomatik. Por, për të ndërtuar më pas mbi këtë sukses, Unioni Evropian duhet që të krijojë një program të besueshëm jo vetëm për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe për adresimin e shkaqeve strukturale të konfliktit etnik. Vetëm një projekt serioz i ndihmës evropiane, që adreson problemin e rënies industriale dhe të nivelit të ulët të zhvillimit rural mund të lehtësojë dinamikën e rrezikshme që momentalisht formëson realitetin maqedonas.

Beteja për stabilitet ekonomik në Maqedoni është larg prej fitores. Janë vendet si Zajasi dhe Kërçova në të cilat zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të fillojë të bëjë ndryshime në jetën e njerëzve.

Kliko këtu për tërë dosjen në Adobe Acrobat

Kliko këtu për t'u pajisur falas me Adobe Acrobat (Anglisht)


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:39
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË