NUMĖR 71
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 01 SHKURT 2003

Korrupsioni, apo teja që po bren strukturën e vendit

Shkruan: Xhafer SHATRI

Fjala korrupsion ka prejardhje latine dhe kuptim të gjerë. Në jetën e përditshme ajo po përdoret aq shumë sa që tash tingëllon gati si emërtim simpatik, edhepse kuptimi i saj i mirëfilltë në thelb do të thotë prishje, ndyerje, fëlliqje, qelbim... Sidoqoftë, korrupsioni ekziston, të thuash prej që ekziston njerëzimi. Atë e gjen në të gjitha mjediset, në të gjitha sistemet dhe regjimet e mundshme. Ai u përshtatet të gjitha situatave dhe mbijeton edhe gjatë fushatave më të organizuara kundër tij.

Praktika tregon se edhe vendet më të zhvilluara, me organe gjyqësore të efektshme, humbin jo pak beteja në përballje me korrupsionin. Ndodhë kështu, sepse korrupsioni zë rrënjë në trollin e gjerë të dobësive të njeriut: etja për pushtet, etja për të pasur, etja për t'u dukur, etja... Për këtë prandaj ai është shumëfarësh dhe shërbimet e tij paguhen në të gjitha format e mundshme: me para, me kundërshpërblim të ngjashëm në rrafsh tjetër, me dhurata-ryshfete, por edhe në natyrë (ta zëmë makineria e prostitucionit mbron veprimtarinë e vet duke shpërblyer bujarisht me shërbimet e saj policinë ose gjyqësorin...)

Në vendet në tranzicion, siç është Kosova, në mungesë të institucioneve të efektshme dhe me probleme të shumta sociale, korrupsioni lulëzon në të gjithë zërat e jetës dhe bëhet kështu jo vetëm pengesë serioze për zhvillimin e vendit, por edhe fidanishtë e krimit të organizuar.

Korrupsioni ka traditë në Kosovë

Mbi dhjetë vjet pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës janë nxjerrë jashtë sistemit: nga puna, nga administrata; kolektivisht janë privuar nga mundësia për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe për të pasur një jetesë sadopak të siguruar. Në fakt, Kosova ka mbijetuar më së shumti falë mërgatës së numërt që ka financuar prej bukës së gojës e tutje.

Veç tjerash, Kosova, pa llogaritur këu tatimet dhe taksat e shumfishta ka ushqyer gjithë aparatin represiv serb në Kosovë: policinë dhe gjithë administratën shtypëse. Sepse pa paguar rrast nuk ka mundur të mbijetojë as shitësi i cigareve, as taksisti, as argati në tregun e punës, as tregtari i vogël me 'tezgën' e tij. Askush nga shqiptarët nuk ka mundur të nxjerrë një dokument çfardoqoftë, nuk ka mundur të ketë minimumin e shërbimit mjekësor etj. etj. pa paguar rrast xhepin e pafund serb.

Lirisht mund të thuhet prandaj se Kosova e pasluftës ishte një vend me traditë të qëndrueshme të korrupsionit. Dhe duke qenë krejt e zhveshur, pra duke mos pasur asnjë organ vendor mbrojtës, korrupsioni mori përmasa për të cilat njeriu i thjeshtë i Kosovës nuk mund t'i marrë me mend.

Fillesat u bënë autostradë

Menjëherë pasluftës, korrupsioni ka filluar dhe ka qenë fort efikas në strukturat ushtarake dhe paraushtarake të Kosovës, kur me pare të thata kanë blerë qetësinë e pamerituar edhe përplot bastardë shqiptarë që gjatë gjithë jetës së tyre të pështirë jo vetëm kanë punuar për pushtuesit por edhe kanë përskuqur duart e tyre, të pista, me gjakun e fëmijëve më të mirë të Kosovës.


Janë dhënë autorizime me shkrim ose pa të, por, merret vesh, pa asnjë mandat, që ky ose ai tjetri ta marrë këtë ndërtesë apo atë shitore, këtë bistro apo atë ndërmarrje etj..., kjo praktikë i kaloi caqet e korrupsionit dhe u kthye në plaçkitje të pamëshirë të pasurisë së përbashkët.

Pas luftës, në Kosovë vërshuan ndihmat e gjithllojshme nga të gjitha anët e botës. Në mungesë të institucioneve të mirëfillta vendore ndihmat shpërndaheshin në mënyrë krejt anarkiste. Për pasojë shumë donacione nuk kanë përfunduar në vendin për ku janë dhënë. Me një fjalë me shumë donacione ka ndodhur si me peshkun e famshëm të Heminguejit; në breg (Kosovë...) ka arritur vetëm skeleti. Sepse zbatuesit e donacioneve me ndihmën e pakursyeshme të ndërmjetësve kosovarë kanë mbushur xhepat me të holla.

Ardhja e ndërkombëtarëve në Kosovë kërkonte dhe punësimin e një numri të madh vendorësh qoftë si përkthyes, shoferë, apo kuadro të tjerë të specializuar. Duke qenë se papunësia ishte dhe vazhdon të jetë shumë e madhe, punësimi në organizata ndërkombëtare ishte një privlegj i madh, prandaj edhe u kthye në një biznes të leverdishëm. Fillimisht çmimi për një vend pune ishte një rrogë për ndërmjetësuesin ndërsa më vonë u shtua çmimi: tri rroga... (Do të ishte gjynah mos me përmend edhe rolin që ka luajtur shpeshherë shtrirja në shtrat për një vend të shkretë pune).

Ky biznes me kohën u kthy në industri të vërtetë. Të përmendim këtu rastet e pranimit në punë të gardianëve të burgjeve. Një shëmbull që njeriu i shkretë e ka vështirë t'u besojë veshëve dhe syve të vet: Në fund të vitit 2001 u hap një konkurs për pranimin e gardianëve të burgjeve. Kërkoheshin 120 kandidatë. Natyrisht se kokurruan të paktën tri herë më shumë. Konkurrenca ishte e fortë, por edhe sistemi i korrupcionit nuk ia lëshonte udhën. Shumica e atyre që konkurruan dhanë 'ndër dorë' nga 2000 (dy mijë) DM gjegjësisht 1000 euro. Problemi u ashpërsua sepse numri i atyre që u pranuan në punë ishte shumë më i vogël se numri i atyre që i kishin dhënë paret! Dhe ata që kishin mbetur jo vetëm pa vendin e punës, por edhe pa 1000 euro, filluan të reagojnë! U deshën shumë kërcënime dhe gjithashtu shumë kohë që këta të fundit t'i nxjerrin disi të hollat e tyre!

A mund të thotë dikush se, ankimi krejt njerëzor i qindra vetave që kishin dhënë të hollat kot së koti, nuk ka arritur edhe në veshin e një prokurori, një polici, ose të paktën një gazetari? Nuk mund ta besoj kurrsesi, sikundër që nuk mund ta besoj gjithashtu se një pjesë e këtyre të hollave nuk ka shkuar edhe në xhepin komod të ndonjë funksionari ndërkombëtar.
Dhe këtu është e keqja më e madhe, sepse njerëzit mësohen të jetojnë me korrupsionin, mësohen të bashkëjetojnë me të pa ndonjë siklet madje edhe ata që janë të thirrun ta luftojnë atë me të gjitha mjetet.

Shtrohet pyetja tjetër: ata që bëjnë sot publikisht gjëra të tilla, a nuk do të shkojnë nesër edhe me larg; t'ua hapin, për shëmbull, dyert e burgjeve bosëve të krimit të organizuar, të cilët rrjeti edhe ashtu i rrallë i gjyqësisë unmikiane mund t'i ketë hudhur prapa grilave?

Me kohën, korrupsioni, qelbimi, i kapërceu kufinjtë dhe u kthye në plaçkitje publike, ku pjesën e luanit përpinin dhe, ndoshta, vazhdojnë të përpijnë dhe sot "ekspertët" ndërkombëtarë që u instaluan në vendet udhëheqëse në ndërmarrjet e mëdha publike si KEK-u, Posttelekomi, Dogana etj. Rasti më drastik, por që është vetëm maja e Icebergut, është ai i Joe Trussler-it, njërit prej administratorëve të KEK-ut, i cili kishte përvetësuar, sa çelë e mëshelë sytë, 4.5 milionë euro në transakcionet me rrymën aq të mangët në Kosovë...


Veç kësaj korrupsioni ka prekur rëndshëm dhe sisteme të tjera jetike për Kosovën, siç janë për shëmbull arsimi e shëndetësia.

Punonjësit e këtyre sistemeve, e sidomos ai i arsimit, për dhjetë vjet gjatë periudhës së apartheidit serb, ishin në vijën e parë të frontit e të qëndresës. Ndërkaq, paslufta shumicën prej tyre i gjeti krejtësisht për toke. Në mungesë të institucioneve që do të mbronin para administratës ndërkombëtare interesat e punonjësve të shëndetësisë dhe të arsimit ata mbetën me të ardhura minimale që nuk u siguronin as bukën e gojës. Në këtë gjendje ai moral i fortë që i kishte mbajtur gjallë e të papërkulur përballë trysnisë serbe u shkri dhe disa prej tyre shqitën keq në kënetën e korrupsionit, i cili sidomos në shëndetësi ka prekur edhe vetë kurrizin e sistemit.

Thjeshtë, sot ata që nuk kanë të holla për të korruptuar punonjësit shëndetësorë, nuk kanë pse ia mësyejnë spitalit për një operacion sado i thjeshtë qoftë.

Korrupsioni është gjithpërfshirës edhe nëpër shkolla, e sidomos në universitet. Ka profesorë që marrin të holla për nota, ka të tjerë që për 50 euro ua punojnë nxënësve edhe temat e diplomave! Ndërkaq shumë fakulteteve tashmë nga disa herë u ka dalur nami i zi për korrupsion në provime por sidomos gjatë procedurave të pranimit në fakultete. Nuk është çudi që në një rrëmujë të tillë në vend të pareve shpeshherë të kërkohet e të jipet edhe trupi. Për këtë flitet haptas, por jo atje ku do të duhej: në gjykata dhe në media.

Në administratën lokale korrupsioni përfshin jo pak struktura: entin urbanistik, kadastrën, ndërmarrjet publike etj. dhe institucionin tashmë krejt të përdalë të 'tenderit'.

Një aspekt tjetër i korrupsionit apo i plaçkitjes në Kosovë është vjelja e obligimeve të ndryshme dhe taksave. Ta zëmë te faturat për rrymën, ujin ose telefonin. Ato në shumë raste mund të jenë katërfishi i obligimit real që ka qytetari. Ankimet për këso enjtjesh të faturave zakonisht përfundojnë në shportat e mëdha të administratës primitive të Kosovës.

Me këtë rast detyrohem të përmend gjëra që i dijnë edhe zogjtë e Kosovës: në vendin tonë prej gati katër vitesh shiten me mijëra tonë cigare në vit, pjesa më e madhe pa akciza dhe pa doganë. Po kështu ndodhë me naftën dhe benzinën. Ky biznes që ka dëmtuar rëndshëm buxhetin e vendit është fusha ku më së miri kanë bashkëpunuar vendorët dhe ndërkombëtarët, serbët dhe shqiptarët. Përplot emra të njohur të politikës dhe të biznesit kosovar sot kutërbojnë benzinë dhe cigare. Dhe këtë erë të ndotur nuk mund t'ua heqin as kostumet e shtrenjta, as parfemi parisien.

Kuptohet se me këtë biznes bashkudhëtojnë edhe dosjet e shërbimeve të ndryshme të zbulimit që mund të përdoren sa herë që të jetë nevoja për t'ua zënë bishtin me derë edhe njerëzve më me peshë në Kosovë.

Procedura e privatizimit të ndërmarrjeve, tokave, ndërtesave etj. është një sfidë tjetër e madhe për Kosovën. Kështu që vendimi i shefit të UNMIK-ut, për ta sjellur në Kosovë policinë italiane që është përvojshme me luftën kundër krimit financiar është ndër vendimet e rëndësishme për vendin. Por nëse krahas kësaj nuk formohet edhe policia financiare e Kosovës, rezultatet do të jenë afatshkurta.

Kjo analizë do të mbetej e përciptë po qe se nuk i shtohet një aspekt tjetër i korrupsionit: blerja (nga personat dhe qarqet jashtë redaksisë) e gazetarëve për të shkruar artikuj apo për të bërë emisione me porosi; për të mbështetur subjekte apo personalitete politike ose për t'i yshtur që të shkruajnë artikuj afirmues ose shpifës për persona të ndryshëm.

Një miku im më ka dëshmuar, e zezë në të bardhë, se si në një 'biesedë' virtuale me një politikan që mëton të jetë ndër personalitetet kryesore të Kosovës, ky zotëri pranon hapur: 'Nëse kam të holla, dhe të holla kam boll (të fondeve publike, natyrisht), nuk kam asnjë problem për të depërtuar në cilindo medium të Kosovës!'
Këtu ia vlen të prek shkaras dhe një fakt tjetër, një fakt që duhet ta shqetësojë çdo qytetar: dy dacibao, që vetëquhen gazeta, të Kosovës financohen apo udhëheqen politikisht nga dy shërbime informative të huaja. Dëmet e tyre politike e morale janë shumë të mëdha, aq të mëdha sa që i kalojnë suazat e korrupcionit dhe hyjnë në domenin e kolonës së pestë, sepse po çajnë dhe po gërryejn pa teklif Kosovën.

Korrupcioni - i paprekshëm

Në kohë tranzicioni dhe krizash viktima e parë është sistemi i vlerave, që përmbyset me rrapëllimë: sepse imponohet kudo pasaniku i dyshimtë, zyrtari hipokrit, administratori plaçkiktës, 'patrioti' matrapaz, shtetari i blerë, publicisti i prostituar.

Prandaj, krahas forcimit të ngutshëm të institucioneve dhe nxjerrjes së ligjeve rigoroze, lufta kundër korrupsionit nuk mund të mendohet dhe pa media të fuqishme e të papërlyera. Në këtë vijë ndoshta puna e parë që duhet bërë është insistitimi në regjistrimin dhe bërja publike e pasurisë së politikanëve dhe personave publikë, që janë kryet e punës, pastaj edhe pasurinë e të tjerëve me radhë.

Shteti shtrin pushtetin e tij përmes ligjeve, organeve dhe kontrollit gjithpërfshirës që ndryshe i thonë llogaridhënie, e cila është vetë thelbi dhe kuptimi i shtetit.

Me një polici të pakompetenca, me një gjyqësi poashtu të pakompetenca dhe të paligje, me institucione të brishta, korrupsioni në Kosovë ndihet krejt i paprekshëm. Nëse në shumë vende të rajonit, transicioni po krijon pak pasanikë e shumë varfanjakë, në Kosovë ai rrezikon të kthehet në një proces edhe më kriminal, ku gjyshërit do t'ua hanë ardhmërinë nipërve dhe mbesave të veta..., madje pa e parë ende dritën me sy.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:36
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË