NUMĖR 71
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 01 SHKURT 2003

Standardet, statusi - pastaj korrupcioni?

Shkruan: Iliriana BAJO

Deri dy-tre vjet më parë raportet e organizatave ndërkombëtare, qeveritare, jo qeveritare apo ndërshtetërore, mbi Ballkanin lidheshin kryesisht me gjendjen e të drejtave të njeriut, krizat apo luftrat e sapo përfunduara, luftrat në zhvillim e sipër apo ato që dukeshin në horizont.

Në këto vite të fundit, kryesisht pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe rënies së Millosheviqit në Serbi, organizatat ndërkombëtare duket se shumë shpesh e përmendin Ballkanin në kuadër të korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të ndryshme.

Konferencat mbi përfundimin e luftrave apo ribërjen e kufijve ia kanë lenë vendin atyre mbi luftën kundër korrupsionit dhe trafikut.

Madje ndonëse nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejt duket se emërtimi Ballkan është përdorur gjerësisht në tekstet që përqëndroheshin në konfliktet ndëretnike, ndërsa emërtimi tjetër, Evropa Juglindore, përdoret gjerësisht në raportet lidhur me korrupsionin.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave dhe Organizata Ndërkombëtare e Migracionit duket se ishin ndër të parat organizata ndërkombëtare që filluan të flisnin për këto dukuri.

Organizata Ndërkombëtare e Migracionit vetëm pak muaj pas hapjes së misionit të saj në Kosovën e pasluftës, krahas projekteve për kthimin e strehimkërkuesve, apo integrimin e ish pjestarëve të UCK-së në jetën civile apo Trupat Mbrojtëse të Kosovës, nisi dhe projektin kundër trafikut të qenieve njerëzore.

Projekt ky që është i lidhur drejtpërsëdrejti dhe me luftën kundër korrupsionit, derisa është e qartë se trafiku nuk ka vend pa ndihmën e forcave të rendit, gjyqësorit apo ekzekutivit.

Ndërkaq Grupi Ndërkombëtar i Krizave nënvizonte korrupsionin si një nga elementët që vinin në pikëpyetje funksionimin e Maqedonisë si shtet.

Transparency International, një tjetër organizatë ndërkombëtare me qendër në Berlin, ka publikuar raportin vjetor mbi korrupsionin. Raport ku nuk mungon natyrisht as Evropa Juglindore.

Sipas drejtorit të zyrës së kësaj organizate në Tiranë, Bardhi Sejdarasi, raporti i këtij viti për Shqipërinë është i ngjashëm si dy pika uji me atë të vitit të kaluar. Dhe kjo do të thotë se vazhdon ekzistenca e korrupsionit në shumë sektorë jetikë.

Sa i përket Kosovës raporti përmend dy rastet më të rënda të korrupsionit, sic cilësohen. Së pari rastin e korrupsionit në dogana, i cili doli hapur në maj të 2002. Pas dy vjet hetimesh të UNMIK-ut u arrestua një nga drejtuesit më të lartë të doganave për keqpërdorim të postit. Dhe rasti tjetër është ai i Kompanisë Elektro-Energjitike të Kosovës, ku bëhet fjalë për një shpërdorim prej 4.1 milionë dollarësh. Ndërsa me përgjegjësin për këtë skandal të fundit po merret drejtësia gjermane, drejtuesi i lartë i doganave është liruar vetëm pak kohë pas arrestimit, çfarë është pritur me shume kritika nga ai grup i pakët njerëzish e institucionesh, që i kushton rëndësi luftës kundër korrupsionit.

Ndërkaq Pakti i Stabilitetit, Nisma për zhvillimin Ligjor të Evropës Juglindore, Këshilli i Evropës, qeveria amerikane përmes agjencisë së saj për zhvillim, USAID, apo Fondacioni për Shoqëri të Hapur kanë ndërmarrë një numër projektesh në vendet e Evropës juglindore.

Në Shqipëri si pjesë e luftës kundër korrupsionit bashkësia ndërkombëtare ka financuar projekte në mbeshtetje të shoqërisë civile, në menyrë qe ajo të vihet në frontin e parë të luftës kundër korrupsionit. Duket se në Kosovë projekte të tilla janë në fazat e diskutimeve, por pa u konkretizuar ende.

Ndërkaq vetë administrata ndërkombëtare ende nuk ka ngritur mekanizma që merren vetëm me luftën kundër korrupsionit.

Megjithatë, stuktura të tilla, të ngritura nga organizmat e mësipërme në disa vende, ende kanë mbetur në kufijtë e qëllimit të mirë pa shkuar më tej, duke u imponuar si faktor në luftën kundër korrupsionit.
Por në të gjitha raportet ndërkombëtare mbi korrupsionin gjithmonë theksohet një element dhe ky është roli i mediave.

Human Rights Ëatch, organizatë joqeveritare amerikane, në raportin e saj vjetor shkruan se në Shqipëri shteti përdor fondet për reklama në media si mjet presioni që mediat të mos shkruajnë apo flasin për korrupsionin.

Ndërkaq sipas një ankete të OSBE-së të organizuar në Kosovë në dhjetor të vitit 2001, 78 për qind e gazetarëve që merreshin me gazetari hetuese në Kosovë ndjeheshin të rrezikuar fizikisht. Dhe sipas të njëjtave burime gazetarët shpesh ishin kërcënuar, ndërsa shkruanin për raste korrupsioni apo keqpërdorimesh.

Ana tjetër e medaljes

Përveç raporteve ndërkombëtare, Kosova ka qenë nën mbikqyrjen jo zyrtare dhe të atyre që kanë punuar atje në tre vitet e fundit, si pjesë e strukturave ndërkombëtare.

Pas largimit nga Kosova një pjesë e tyre kanë botuar libra mbi Kosovën e pas luftës, artikuj në mediat vendase apo kanë dhëne intervista të gjata lidhur me përvojën e tyre kosovare. E natyrisht jo rrallë ata kanë shkruar e folur dhe për korrupsionin atje.

Keshtu Eric Lehman, ish drejtori i RTK-së së pas luftës në librin e tij të titulluar "Ditar i pasluftës në Kosovë", i cili së shpejti do të botohet dhe në shqip, sjell detaje të korrupsionit ne media. Pikërisht kur këto të fundit duhet të ishin në vijën e parë të luftës kundër korrupsionit.

Në mes të tjerash në faqen 34 të librit, Eric Lehman citon një raport konfidencial të NATO-s, ndër të tjera për një nga radiot që transmeton në gjithë Kosovën dhe drejtuesen e saj shkruhej: "Ka raporte të pakonfirmuara se ajo është e motivuar nga mundësitë për përfitime financiare personale. Ka gjithashtu akuza të pakonfirmuara se anëtarë të familjes së saj janë në listat e rrogës, pavarësisht faktit se ata nuk punojnë atje" (Journal de l'après-guerre au Kosovo - Eric Lehman)

Në një intervitë dhënë vitin e kaluar për programin shqip të Radios "Evropa e Lirë" Martin Dvorak, ish administrator i Gjakovës dhe Istogut, mes të tjerash thotë se në Kosovë korrupsioni jo vetëm ka përhapje të gjerë, por eshte e habitshme lehtësia e popullsisë për të korruptuar.

Më tej ai theksonte se korrupsioni është problem i dyanshëm, pasi jo vetëm drejtuesit mendojnë se një pjesë e pronës së përbashkët sikur u përket atyre, por edhe njerëzit mendojnë se problemet e tyre zgjidhen përmes korrupsionit.

Problemi është që korrupsioni konceptohet si pjesë e shoqërisë jo si një rrezik, që duhet zhdukur, thotë Dvorak lidhur me korrupsionin në Kosovë.

Dhe bashkësia ndërkombëtare në 10 vitet e ardhshme do të përqëndrohet kryesisht në luftën kundër korrupsionit, trafiqeve dhe krimit të organizuar, në Evropën Juglindore. Këtë e thekson dhe raporti Ballkan 2010 i hartuar nga Këshilli për Mardhënie me Jashtë, një organizatë amerikane me qendër në Nju-Jork dhe me ndikim në vendimmarrjen dhe në hartimin e politikave amerikane. Dhe pesë ishin pikat kryesore të raportit. Ndër to ishte dhe lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafikut. Sipas hartuesve të raportit "Ballkan 2010" korrupsioni dhe krimi i organizuar në Ballkan është fatkeqësisht një nga shembujt e parë të bashkëpunimit të mirë ndëretnik.

Dhe e lidhur ngushtë me këtë pikë ka qenë dhe rekomandimi tjetër i raportit që lidhej me reformën arsimore dhe vendosjen e një shoqërie civile, përfshirë këtu dhe mediat e pavaruara.


Standartet, pastaj statusi - pastaj korrupsioni ?

Bashkësia ndërkombëtare në Kosovë po këmbëngul se më parë Kosova duhet të përmbushë një sërë standartesh dhe pastaj do të duhej të diskutohej çështja e statusit.

Në mesin e standarteve është dhe vendosja e institucioneve demokratike dhe funksionale. E dihet se institucionet nuk mund të jenë as demokratike dhe as funksionale nëse korrupsioni ka mbërthyer një pjesë të sektorëve publikë, të jetës ekonomike, apo asaj politike.

Kështu askush nuk duhet të habitet kur në një të ardhme të diskutohet statusi i Kosovës në tryezë të jenë dhe raportet për korrupsionin, krimin e organizuar apo trafikun.

Natyrisht si përherë do të jetë përgjigjja naive se në Kosovë duhet të kemi njëherë shtetin pastaj luftojmë dukuritë e mësipërme. Dhe në fakt harrohet se shteti nuk është thjesht akt juridik, por një tërësi parimesh të cilat dëshmon se di t'i respektosh ose jo kohë më parë se shteti të legjitimohet përmes një akti juridik.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:33
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË