NUMĖR 71
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 01 SHKURT 2003

Intervistë
Strategjia e majmunëve në Ballkan
© Bulevard, Novi Sad

A dini si i zënë majmunët në Afrikë? Sajojnë vegësha me fyt të ngushtë dhe i mbushin me lejthia. Majmuni fut dorën aty dhe mbush grushtin, e mbush aq shumë sa që nuk mund ta nxjerrë dorën. Dhe nuk kujtohet kurrsesi t'i lëshojë lejthiat. Ose ta marrë dhe ta vetëm një nga një. Atë sindrom të majmunit kanë njerëzit kur vijnë në pushtet; nuk duan t'i lëshojnë 'lejthiat' me asnjë çmim, as me çmimin e kokës së tyre e aq më pak me çmimin e jetës së të tjerëve.

Revista vojvodinase "Bulevardi", botoi në numrin e saj të fundit një intervistë me Adem Demaçin, po e publikojmë me disa shkurtime

Në fillim të bisedës e pyetëm z. Demaçi se si i duket gjendja politike në Serbi pas ndryshimeve të 5 tetorit?
Ai u përgjegj:

"Rezultatet e zgjedhjeve të fundit, përprushjet dhe tallazimet në jetën politike të Serbisë flasin në mënyrë krejt të qartë se disa procese politike pozitive, nëse ka pasur të tilla, tash janë ndalë. Nuk ndodhi ajo që shpresuam të gjithë, sepse edhe më tej kërkohen rrugë të tërthorta në mënyrë që reformat dhe procesi i transformimit të ndalen, që të mos shkohet më larg se te ndryshimet kosmetike, sipërfaqësore dhe të ruhet konstelacioni i brendshëm, me një fjalë që të ruhen njerëzit që në fakt përbënin regjimin e Millosheviqit. Pjesa dërrmuese e kuadrov të Millosheviqit, ajo pjesë që ishte aq e dallueshme në publik, dhe që përbënte infrastrukturën e pushtetit të tij, edhe sot është me shumë ndikim. Këtu para se gjithash mendoj në intelektualët, në gazetarët, por edhe në politikanët. Nëse tash shfaqin qëndrime të matura, këtë nuk e bëjnë sinqerisht, nga zemra. Ata vetë nuk besojnë në atë që e thonë, pra edhe nuk presin që t'u besojnë të tjerët. Krijohet atmosfera: mirë është, tejkaluam më të keqën, bota na pranoi të tillë çfarë jemi, mund edhe të mos ndryshojmë. Eni tash të perpiqemi ta realizojmë atë që Milosheviqi nuk ia arriti. Sikur Milosheviqi qenkesh mundur për shkak të zbatimit të keq të një politike, e jo për shkak të politikës që ka ndjekur.
Kështu neve, në Kosovë, na duket gjendja atje."

Boulevard: çka nuk kanë bërë, sipas jush pushtetarët e rinj serbë?

Demaçi: Për të bërë ndryshime të themelshme në Serbi, do të duhej të ndalohej veprimtaria e disa partive që kanë përgatitur dhe promovuar luftën dhe krimet, që kanë mbjellur e përhapur urrejtjen etnike e fetare. Kjo nuk do të thotë se doemos duhet të 'fluturojnë' kokat e njerëzve, por shumë njerëz, të paktën për një kohë, duhet të largohen nga mekanizmat e shtetit dhe ndikimi në opinionin publik. Vetëm kështu mund të vihet deri te përballja me të vërtetën për veten dhe për të tjerët. Dhe këso përballjeje faktikisht nuk ka, sepse tri të katërtat e votuesve në Serbi edhe më tej përcaktohen kundër ndryshimit të vetëdijës, pra këmbëngulin që të vazhdohet drejt të të njëjtit synim, por nëpër rrugë të tjera.

Bulevardi: Si duket është në pyetje rrethi vicioz, sepse shumë politikanë të këtushëm, edhe po të dëshironin, nuk do të guxonin të largohen shumë nga qëndrimet e Millosheviqit për çështjet kyçe. Si mendoni se mund të dilet nga ky rreth vicioz?

Demaçi: Pas krizave gjithnjë është vështirë të dilet nga rrathët viciozë pa këmbënguljen e vendosur të personaliteteve që do të mbrojnë qëndrimet e veta parimore, qoftë edhe me çmimin e margjinalizimit politik, etj. Këtë nuk duhet ta bëjnë vetëm politikanët, por edhe intelektualët, edhe qytetarët aktiv. Problemi është nëse mes tyre nuk ka njerëz të guximshëm. Ne në Kosovë, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare kemi arritur të dalim nga rrethi vicioz. Por për sa i përket Serbisë duhet të nënvizoj sërish se opinionin publik atje e formësojnë dhe mediat më me ndikim i kontrollojnë të njëjtit njerëz, të cilët tash kanë ndryshuar vetëm formën dhe fjalorin, por kurrsesi përmbajtjen.

Njerëzit e rinj dhe ata që i janë kundërvënë regjimit edhe sot janë pa asnjë ndikim. Pra nuk ka ardhur deri te katarza, dhe unë mendoj, edhe pse e di se disa e thonë të kundërtën, se shumica e qytetarëve të Serbisë ende nuk e di të vërtetën për atë që ka ndodhur në këto hapësira. E vërteta po fshehet, dhe në skenë vazhdon retorika se forcat serbe në Kosovë është dashur ta bëjnë atë që kanë bërë, sepse, o Zot, në Kosovë është shovinizmi shqiptar, që atje i ka vrarë serbët… Edhe sot e gjithë ditën shtrembërohet realiteti në Kosovë, shtrëmbërohet e kaluara dhe e sotmja… Sikur duan të thonë: krejt bota është kundër nesh, forca për zot nuk pyet, prandaj jemi të detyruar të lëshojmë pe, por e dijmë se si duhet të veprojmë. Mu për këtë, mendoj unë, gjendja është e pashpresë dhe vetëm faktori ndërkombëtar mund të ndikojë për ndryshimin e kësaj mendësie.

Bulevardi: Në çfarë mënyre?

Demaçi: Bashkësia ndërkombëtare ka mjete dhe mekanizma për të ndikuar që ndryshimet në Serbi të jenë të mirëfillta. Gjendja tash ka ndryshuar, sepse me kompletimin e Natos, Serbia tash është e rrethuar nga të gjitha anët dhe ajo më kurrë nuk do të mund të bëjë atë që ka bërë këto 15 vjetët e fundit. Por është bindja e përgjithshme edhe këtu në Kosovë se bashkësia ndërkombëtare është e ngathtë, subtile. Ajo thjeshtë ka kohë, pra nuk i ngutet. Për dallim nga ne që jemi faktikisht në zjarr, ajo merret me problemet e ëmbëla të superzhvillimit. Ndërkaq ekonomia jonë është ndalur. Është ndalur jeta. Për të gjitha duhen të holla e të holla nuk ka.

Pastaj nuk duhet laujtur naivin e harruar se në këtë kompleks ballkanik përthehen tentimet dhe pretendimet e fuqive të ndryshme. Dhe ky është njëri prej shkaqeve të ngadalesive të bashkësisë ndërkombëtare. Po shihen ashiçare lëshimet që po i bëjnë disa fuqi Serbisë vetëm për të ruajtur marrëdhëniet e tyre të mira me Rusinë ose Kinën, madje dhe me Francën. Këto kundërthënie politikanët serbë po i shfrytëzojnë maksimalisht. Nuk shoh arsye tjetër pse, për shëmbull, gjithë ky presion mbi Malin e Zi aq të vogël që gjithsesi të mbetet në bashkësi me Serbinë, kur edhe ai, ashtu si të tjerët, ka të drejtë të jetë shtet i pavarur. Pra, siç po shihni, sërish po harrnojnë, po përpiqen të ruajnë një bashkësi, në mënyrë që më në fund ta fusin aty dhe Kosovën. Kujt i shërben kjo? E ne kemi nevojë për paqe, për zhvillim, për bashkëpunim, e jo për harrnim të shteteve. Popujt e vegjël, siç jemi ne shqiptarët, gjithnjë kanë qenë viktimë e kërkesave megallomane dhe projekteve të diktatorëve e diktatorucve të ndryshëm që kanë sunduar në këto hapësira. Mu për këtë shqiptarët nuk besojnë më dhe janë kaq të kujdesshëm.

Bulevardi: Të jemi hipotetik, a mund të na thuani se si ka mundur të zgjidhet problemi i Kosovës në të kaluaren? A mund ta parashikoni se si do të zgjidhej kjo çështje atëherë?

Demaçi: Po të kishte më tepër vullnet, po të mos ishte hegjemonizmi serb, gjithsesi do të gjendej një zgjidhje. Që në fillimivitet shtatëdhjetë duhej respektuar vullnetin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që Kosova të bëhet Republikë, pra të nxjerret nga kthetrat e Serbisë. Nuk duhet harruar kurrë se Millosheviqi është ngritur në Kosovë dhe përmes Kosovës. Kosova u bë ajo una që dhezi e dogji krejt Jugosllavinë. Po qe se Kosova do të bëhej Republikë, nacionalizmit serb do t'i hiqej një mbështetje e rëndësishme dhe nuk do të mund të bënte gjithë këto të zeza. Ndërkaq Serbia do t'i kthehej vetës dhe do të merrej me demokratizimin e saj. Kështu Kosova frustroi gjithë kombin serb.

Ditë më parë kam qenë në Sllovaki, e cila, siç e dini, paqësisht është bërë shtet sovran. I pyeta si po ndiheni tash që keni shtetin tuaj. Rrudhën krahët dhe më thanë se kanë besuar se me t'u bërë të pavarur do të lulëzojnë në të gjitha anët, por në vend të kësaj kanë dalur në pah përplot probleme, mungesa e investimeve, mungesa e ndihmës ndërkombëtare... Sikur donin të më thonë se janë penduar pse janë pavarësuar! Edhe këtu do të ndodhte e njëjta gjë, sikur ish-Jugosllavia të çmontohej paqësisht.

Në mahi e sipër shpesh e tregoi atë anekdotën se si, në Afrikë, i zënë majmunët: Sajojnë vegësha me fyt të ngushtë dhe i mbushin me lejthia. Majmuni fut dorën aty dhe mbush grushtin, e mbush aq shumë sa që nuk mund ta nxjerrë dorën dot. Dhe nuk kujtohet kurrsesi t'i lëshojë lejthiat. Ose t'i marrë i t'i hajë një nga një. Atë sindrom të majmunit kanë njerëzit kur vijnë në pushtet; nuk duan t'i lëshojnë 'lejthiat' me asnjë çmim, as me çmimin e kokës së tyre e aq më pak me çmimin e jetës së të tjerëve. Kjo sidomos është vërtetuar te komunistët. Të gjithë e duan pushtetin, por komunistët ka qenë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për pushtetin! Fundi i fundit, për këtë shkak edhe nuk ka ardhur deri ndarja e qetë në ish-Jugosllavi.

Bulevardi: Njëra prej temave më të përmendura në mediat e Serbisë është gjendja e sigurisë në Kosovë, e cila vlerësohet si e keqe. Cili është mendimi juaj?

Demaçi: Pa hyrë në atë se si e vlerëson këtë gjendje aparati propagandistik i Beogradit, mund të them se në Kosovë është një gjendje e pazakontë. Siç e dini këtu ka shumë ushtarë dhe policë të huaj, që vijnë nga 50 vende të botës. Ata kalojnë këtu 6 muaj dhe shkojnë në shtëpi mu atëherë kur fillojnë t'i njohin rrethanat, të mësohen me punën. Gjatë gjithë kohës pra kemi rishtorë, të cilët nuk dinë dhe nuk kanë se si të përballen me nevojat. Anomalia e këtij sistemi është përkohësia, e dihet se sistemi policor për të qenë i suksesshëm duhet të jetë i ngulitur mirë. Duhet shumë punë dhe përvojë. Pa folur këtu për pengesat gjuhësore etj.

Mu për këtë unë, por dhe të tjerët, insistojmë që qeverisë së Kosovës t'i jipen kompetencat e me to edhe përgjegjësia për sigurinë në Kosovë.

Pastaj ka edhe anomali të tjera: ka policë që sillen në përputhje me ligjet e vendit të tyre: për shëmbull, e zënë hajdutin, ia marrin të dhënat dhe e lëshojnë! Pastaj kërkojnë ta arrestojnë..., ndërkohë që hajduti ia ka shkelë, një zot e di ku. Ky mekanizëm, thjeshtë nuk mund të funksionojë. Pastaj, shumë përfaqësues të organeve të sigurisë janë mbi ligjin. Askush nuk përgjigjet për asgjë. Vetëm nëse bëjnë ndonjë budallaki të madhe, i kthejnë në vendin e tyre, i dënojnë apo s'i dënojnë atje, një zot e di...

Por megjithkëtë krimi po bie. Po ulet edhe tensioni ndëretnik. Duhet të themi se vendet më të pastra etnike në Kosovë, janë pikërisht të ashtuquajturat enklava serbe, të cilat pushtetit aktual në Beograd po i duhen për të imagjinuar njëfarë ndarje të Kosovës.

Bulevardi: Po si është gjendja ekonomike në Kosovë?

Demaçi: Dramatike. Nuk kemi rrymë, nuk kemi mjaft ujë të pijshëm, rrugët nuk janë rregulluar të gjitha. Ekonomia praktikisht është ndalë. 400 ndërmarrje të dikurshme shoqërore nuk funksionojnë ose memzi mbijetojnë. Bota bën trysni mbi ne që t'i pranojmë rregullat e tyre të lojës. Kjo natyrisht se është vështirë. Në pyetje janë makroprojektet afatgjatë që nuk marrin parasyshë vështirësitë tona të tanishme.
Po përpiqem t'i kuptojë, por edhe nuk po mund të përmbahem e të mos bërtas, natyrisht kur po më dhemb!

Bulevardi: A mund të thuhet se në Kosovë është një gjendje konstante dhe e jashtëzakonshme?

Demaçi: Në Kosovë gjendja është ireale. Krejt ato që bëjnë shtetin: punët e brendshme e të jashtme, financat, ekonomia, sistemi juridik dhe mbrojtja janë në dorë të ndërkombëtarëve. Shqiptarët kanë vetëm pushtetin lokal, madje edhe aty është dikush që i mbikqyr. Pra janë krijuar modalitetet juridike, të cilët mundësojnë që gjërat të zhvillohen dhe të vazhdojnë të jenë në një gjendje të jashtzakonshme.

Bulevardi: Sipas mendimit tuaj sa janë shqiptarët sot të gatshëm për një dialog të mirëfilltë me njerëzit e Serbisë, natyrisht me ata që nuk i takojnë ideologjisë dominuese?

Demaçi: Ne gëzohemi shumë kur dëgjojmë qoftë dhe një zë të vetëm në Serbi, i cili ka mirëkuptim për problemet tona. Kur të jetë zgjidhur përgjithnjë çështja e Kosovës, kur shqiptarët më në fund ta kenë shtetin e tyre, natyrisht shtetin në të cilin do të respektohen të drejtat e të gjithëve, procesi i bashkëpunimit dhe pajtimit do të shkojë shumë më shpejtë...

Bulevardi: Ndoshta zgjidhja e të gjitha çështjeve do të jetë pjesëmarrja në proceset integruese evropiane?

Demaçi: Po gjithsesi kjo është zgjidhja. Por droj se do të kalojë shumë kohë deri atëherë. Do të na duhet edhe shumë kohë, sepse Evropa nuk i pranon të verbërit dhe sakatët.

Përktheu nga serbishtja: Bardh Dema


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:33
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË