NUMĖR 76
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
EDITORIAL VITI V - 06 NËNTOR 2003

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Lexuesi besnik mund të vërejë që ky edicion i revistës PASQYRA botohet i vonuar. Shkaqet janë, pse ta fshehim, ekonomike. Mjerisht, fjala e lirë – fjala që lufton të mbetet e çliruar si prej partive, ashtu dhe prej ndërkombëtarëve – mbetet e brishtë, e rrallë, dhe tragjikisht e paçmuar. Si është zakon në këtë botë, ajo shpesh herë madje mallkohet prej bashkëkohësve; por ne që punojmë e jetojmë për revistën PASQYRA jemi thellësisht të bindur se ajo do të çmohet prej pasardhësve.

Meqë ka kaluar ca kohë qëkur kam pranuar të jem kryeredaktor i revistës PASQYRA, më duket momenti ta bëj një përmbledhje të shkurtër të rrugës gjer këtu. Më thotë mendja qe vlera e kësaj reviste para së gjithash qëndron te këmbëngultësia e pakompromistë që të mbetemi të pavarur me çdo kusht. Ne thjesht kemi vendosur që, nëse vje puna deri atje, më mirë ta mbyllim dyqanin, se sa t’ia lëmë në dorë hajdutëve.

(Tashti, dikush me sens më të mirë ekonomik do të thoshte që kjo këmbëngultësia jonë nganjëherë i gjason asaj të gomarit; aq më tepër kur ne na kanë ofruar të holla p.sh. për të botuar shkrime partiake. Unë për vete, që i përkas gjeneratës që e çmon një vizatimor të mirë, citoj gomarin te Shreku: ”Gomari, or miq, është një kafshë fisnike!”)

Pos kësaj, revista PASQYRA ka mbetur kryeneçësisht e pandalshëm pankombëtare. Te ne ka qenë e mbetet çështje nderi që në çdo numër të kemi artikuj nga sa më shumë treva shqiptare, prej shtetit shqiptar e prej trojeve të mbetura jashtë tij. Në një kohë kur nacionalizmi është barazuar me folklorin vulgar, që prej zyrave presidenciale e deri te ato redaksionale, revista PASQYRA është munduar ta paraqes një analizë moderne, të qytetëruar e, do të thoshim, perëndimore të ideve e koncepteve shqiptare.

Në këtë kontekst, posaçërisht krenar ndjehem kur kujtoj që revista PASQYRA ka arritur të promovojë pikëpamjet e feminizmit shqiptar, si lëvizje çlirimtare (apo emancipuese, nëse parapëlqeni termet e huaj) që synon të drejta e detyrime të barabarta për të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh seksin. Atyre që ka kanë qortuar si ”antipatriotë” në këtë pikë dua t’u them: nëse ju këtë ende s’e shihni si patriotizëm, ahere duhet të shkoni në parashkollore që të mësoni prej fillimit!

A kemi mundur të bëjmë diçka më mirë?

Patjetër! Në fakt, kemi mundur të bëjmë gjithçka më mirë. Por, lexuesi kritik le të kujtojë që shumica dërmuese këtu kontribojnë si unë, pra idealisht. Ose shule-shqip, pa asnjë qindarkë pagesë. Vetëm të shtyrë prej një idealit – të mbajmë gjallë sa më gjatë një forum të analizave të mirëfillta në moçalin e gazetarisë partizane shqiptare.

Puna është, thjesht, se shumë prej penave që do të mund të kontribonin ca më mirë s’e kanë atë luks që të shpenzojnë kohë për të shkruar falas. Fëmijët duan bukë, e në Shqipëri, në Kosovë, në IRJM e gjetiu, të jesh intelektual shqiptar dtth të vesh me ndërgjegje konstant të vrarë për Lulin e vocërr tënd, që të shikon në sy.

Meqë jemi këtu, ndoshta as që ka nevojë të them se kontributet financiare për revistën PASQYRA janë tejet, tejet të mirëseardhura. Ti që e lexon falas këtë artikull, e artikujt tjerë këtu, mbase ke besuar që ne jemi milionerë. -Le të mbetet në besim mes nesh, por s’jemi.

Kaq kësaj radhe. Mirësevini te faqet tona; shlefoni e kënaquni, ose nxehuni, sa t’ju dojë qejfi – sa më shumë, aq më mirë. Gjer sot kemi marrë aq shumë e-maila me lavdata e qortime, sa sikur t’ishin shkruar në celulozë, sigurisht do ta kishin zhdukur vegjetacionin e një pylli të dendur. Fatmirësisht, zerot e njëshat në internet janë pa mbarim, prandaj vazhdoni të shkruani pa ngurruar; efekte të këqia ndaj ambientit s’do të ketë…


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË