NUMĖR 76
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 06 NËNTOR 2003

Fëmijët shqiptarë, viktimë e albanfobisë në IRJM

Shkruan: Naser SELMANI

Dyzet nxënës shqiptarë të Manastirit dhe fshatrave përreth me gjithë kundërshtimin e moshatarëve të tyre maqedon, do të vazhdojnë mësimin në klasën e vetme të mesme me mësim në gjuhën shqipe të qytetit. Me gjithë protestat agresive të nxënësve dhe prindëve maqedon, Ministria e arsimit dhe qeveria e Maqedonisë nuk iu nënshtrua trysnive të pashembullta për të mos lejuar që nxënësit shqiptarë të gëzojnë të drejtën e arsimit në gjuhën amtare, e cila garantohet me kushtetutën e vendit dhe ligjet pozitive.

Mijëra nxënës maqedon të shkollave fillore dhe të mesme të manstirit për disa ditë me radhë bojkotuan mësimin duke protuestuar nëpër rrugët e qytetit në shenjë revolte kundër vendimit të Ministrisë së arsimit për të hapur një klasë të ciklit të mesëm me mësim në gjuhën shqipe. Në këto protesta ishte manifestuar një uurejtje e papërmbajtur antishqiptare. Ishte e llahtarshme të shohësh se si fëmijë të mitur maqedon nëpër rrugët e Manastirit brohoritin "Vdekje për shqiptarët" dhe "Komora gazi për shqiptarët".

Në protesta nuk kishin dal vetëm fëmijët, por edhe prindët e tyre dhe qytetarë të tjerë, në shenjë solidarizimi me kërkesat e tyre.

Protestuesit disa herë kishin rrethuar objektin ku mësonin nxënësit shqiptarë dhe ishin përpjekur me forcë të hynë dhe ti qërojnë hesapet me ta. Kjo i ngjante një linçi të vërtet, të cilit i ishin nënshtruar nxënësit shqiptarë, vetëm pse duan që të gëzojnë të drejtën ligjore për të mësuar në gjuhën e nënës.

Maqedonasit e Manstirit për t'ua bërë me dije qartë shqiptarëve se nuk do lejojnë punën paralelës shqipe, një natë dhunshëm kishin hyrë në shtëpinë ku është vendosur klasa shqipe, në të cilën përndryshe është mbajtur kongresi i alfabetit shqip, duke plaçkitur tërë interierin shkollor.
Ditët kur Manstiri ishte çuar në këmbë për të ndaluar hapjen e një klase shqipe, po të mos ishte policia për të penguar protestuesit, epilogu i kësaj drame do të ishte vërtet i përgjakshëm. Më e keqja është menjanuar, së paku përkohësisht.

Ato ditë në qytetin e Manastirit mbretëronte një histeri e vërtetë antishqiptare. Manstirasit për mediat shqipe kanë njoftuar se aktivist të partisë opozitare VMRO-DPMNE përmes mediave lokale kishin ftuar nxënësit dhe qytetarëve maqedon që me protesta të pengojnë hapjen e paralelës shqipe, e cila sipas tyre do të thotë përpjekje e shqiptaromëdhenjëve për të shqiptarizuar Manstirin.

Për të qetësuar shpirtërat kryeministri Branko Crvenkovski përmes zëvendësministrit të Arsimit, Tale Keramiçievski kishte njoftuar protestuesit se vendimi për hapjen e paralelës shqipe ishte pezulluar. Të kënaqur me këtë epilog nxënësit maqedon u kthyen përsësri nëpër mësojtore. Por vendimi i fundit i qeverisë për rihapjen e paralelës shqipe në Manastirë, mund ti nxisë nxënësit maqedon që sërish të bojkotojnë mësimin dhe të organizojnë protesat të reja. Qeveria u është kërcënuar se nxënësit që do të vazhdojnë të bojkotojnë mësimin do përjashtohen prej shkolle.
Protestat e nxënësve maqedon të Manstirit dhe porosit që dërguan prej tyre kanë thelluar hendekun e mosbesimit dhe urrejtjen ndëretnike midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Fërkime midis nxënësve shqiptarë dhe maqedon ka pasur edhe nëpër shkollat e mesme të Shkupit. Duket se mundësia për një përplasje të re etnike në Maqedoni është reale, varet se si do ta menaxhojë krizen qeveria e koalicionit.

Këto protesta ashpër janë dënuar nga faktori ndërkombëtarë, por reagimi i opinionit maqedonave nuk ka qenë i vendosur. Hapur kundër tyre janë deklaruar disa intelektual, pak gazetarë dhe një ministër. Të gjithë këto u shpallën persona non grata nga maqedonët e Manstirit. "Më vjen turp për këtë që ndodh në Manstirë" do të deklarojë ministri i punëve të brendshme Hari Kostov, në parlamentin e Maqedonisë.

Pas protestave me ngut janë organizuar një varg seminaresh, ku janë kërkuar burimet e urrejtjes ndëretnike që u manifestuan në Manastirë te nxënësit maqedon. Atje me të drejtë u tha se burimi i problemeve duhet të kërkohet te sistemi i arsimit në Maqedoni. Sa sistemi arsimor i tashëm është në shërbim të edukimit dhe arsimimit të gjeneratat e reja në frymën e integrimeve dhe promovimit të tolerancës ndëretnike? Maqedonia përveç krizës ekonomike dhe të sigurisë, kalon edhe përmes një krize të thellë morale, që pashmangshëm ka kapluar edhe arsimin. Korupsioni ka vërshuar edhe këtë sferë të jetës.

Po si mund të sqarohen këto zhvillime në Maqedoni, që si shkas kanë problemet e arsimit. Probleme objektive ka, por si duket burimet e kundërshtive ndëretnike duhet të jenë më të thella.
Problem real është mungesa e shkollave, që është trashëguar nga e kaluara. Gjatë sistemit njëpartiak pushteti maqedon kishte ndërtuar objekte shkollore vetëm për nevojat e arsimin të mesëm në gjuhën maqedone, por jo edhe në gjuhën shqipe, sepse ai deri në vitin 1990 ishte shkatëruar tërësisht. Tash shqiptarët kërkojnë të arsimohen në gjuhën amtare, a kushte për këtë shteti nuk mund të sigurojë.

Qeveria ankohet se nuk ka mjete që shpejtë të ndërtojë objekte të reja shkollore për arsimin e mesëm shqip, prandaj është i detyruar që nxënësit shqiptarë t'i vendos nëpër shkolla të mesme ku deri tani kanë mësuar vetëm maqedonët. Kjo krijon përshtypje të maqedonët se shqiptarët janë duke ua uzurpuar hapësirën e tyre dhe krijon frustracione. Reagimi i tyre pezmaton shqiptarët, të cilët komentojnë; edhe ne jemi hisedarë në këtë shtet.

Problem më i rëndë se mungesa e objekteve shkollore janë paragjykimet dhe stereotipet që maqedonët dhe shqiptarët ushqejnë për njëri-tjetrin. Të luftosh kundër tyre nuk të ndihmon as paraja as forca, por një strategji më afatgjate e shtetit, që aktualisht mungon.

Maqedonët ende i perceptojnë shqiptarët si kërcënim për ta, ndërsa shqiptarët fqinjët e tyre maqedon i përjetojnë si ngulfatës të zhvillimit të tyre.

As shqiptarët janë kërcënim për maqedonët, as maqedonët mund të pengojnë zhvillimin e shqiptarëve aq sa duan ta tregojnë shqiptarët. Pushtetarët maqedon s'lanë gjë të gjallë pa vjedhur nga pasuria shtetërore, ndërsa rajën e tyre e ushqejnë me antishqiptarizëm si terapi për larje të trurit.

Ngjashëm veprojnë edhe qeveritarët shqiptarë, të cilët për të fshehur paaftësinë e tyre dhe punët e pista që bëjnë për t'u pasuruar në kurriz të qytetarëve, pa pikë turpi para shqiptarëve do thonë : S' kemi sukses në punë se me maqedonët është vështirë të punohet. Kjo thjeshtë s'është e vërtetë. Me maqedonët është shumë lehtë të punohet kur ke hesape të pastra, por kur je i përlyer me ndytësira atëherë duhet të bësh kompromise të dhimbshme në dëm të shqiptarëve.

Këto janë problemet reale për të cilat shteti nuk ka përgjigje adekuate. Atëherë kur shtetit i mungon strategjia për të zgjidhur problemet, atëherë në shprehje vijnë improvizimet dhe manipulimet politike.

Është larg mendsh të besohet se nxënësit maqedon protestat në Manastirë i kanë organizuar kokë në vete. Dikush qëndron pas tyre dhe manipulon me ta, por qëllimet që duan t'i arrijnë janë të diskutueshme. Edhe laikët më të mëdhenjë e kanë të qartë se pas fëmijve fshihen të rriturit. Me nxënësit maqedon mund të luaj me shumë opozita se sa qeveria, edhe pse implikimi saj nuk mund të përjashtohet plotësisht. Të dy palët motivet mund t'i kenë të dobëta për të ardhur në pushtet, respektivisht për ruajtur pushtetin duke imponuar tema me karaker ndëretnik, që ende i ha pazari në opinionin maqedon.

Por qëllimet e partive maqedone mund të jenë edhe më të thella dhe me strategjike. Atë që maqedonët nuk guxojnë të thuan hapur, sepse drojnë nga reagimi i ndërkombëtarëve, janë duke e thënë fëmijët e tyre. Porosia e protestave është shumë e qartë dhe shumë indikative: Nuk duam të jetojmë së bashku me shqiptarët.

Kjo do të thotë se dikush te maqedonët dëshiron të forcojë bindjen se bashkëjetesa me shqiptarët është e pamundshme dhe prandaj ndarja është e pashmangshme.

Teza e ndarjes midis maqedonëve dhe shqiptarëve nuk është e re për Maqedoninë. Ajo u aktualizua më zëshëm gjatë luftës së vitit 2001 nga ish kryeminsitri Lubço Georgievski dhe Akademia e shkancave dhe arteve maqedone. Pas luftës publiksiht idenë e ndarjes e mbështet edhe partia opozitare shqiptare e Arben Xhaferit, por qëndrimi i saj nuk është vendimtarë për ardhmërinë e vendit.

Publiksiht idenë e ndarjes me kohë e kanë denoncuar socialdemokratët maqedon, që aktualisht qeverisin vendim së bashku me partinë e ish drejtuesit të UÇK-së Ali Ahmeti. Por dilema është se vallë është e gatshme LSDM-ja e Crvenkovskit që për të ruajtur të pandarë shtetin t'i pranojë si partner shqiptarët?

Ballafaqimi i socialdemokratëve me obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohërit do të jetë test më i mirë për të parë angazhimin e tyre të vërtetë për të ruajtur vendin të bashkuar.

Nuk do jetë çudi nëse ndodhin kthesa te socialdemokratët, trashëgimtarë të komunistëve. Konceptin e ndarjes do të mund ta përqafojë edhe LSDM-ja. Nëse kryeminsitri Cërvenkovski nuk arrit që të instrumenatlizojë krerët më të lartë të BDI-së, Ali Ahmetin dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, atëherë do të duhet t'i pranojë shqiptarët si partner e jo ti trajtojë si shërbëtorë si para luftës. Kjo do t'i iritojë maqedonët pa masë dhe do të akuzonin Cërvenkovskin për tradhëti. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me këto raporte në pushtet do kthehej opozita VMRO-DPMNE.

Varte prej Cërvenkovsit nëse do përcaktohet që ta ruajë shtetin të bashkuar dhe ta forcojë kohezionin e brendshëm midis maqedonasve dhe shqiptarëve, që mund të shkaktojë humbjen e pushtetit ne zgjedhjet parlamentare pas tre vitesh, ose do luajë në letrën e ruajtjes së pushtetit me çdo kusht duke rrezikuar edhe ekzistimin e vendit.

Ndarjen e Maqedonisë e kundërshtojnë EU dhe SHBA-të dhe pjesa dërmuese e shqiptarëve, si në Maqedoni, Shqipëri e Kosovë, ndërsa pro ndarjes disa herë është deklaruar diplomacia ruse, e cila angazhohet për një konferencë ndërkombëtare për Ballkanin. Simpati për koceptin e ndarjes për zgjidhjen e problemeve në Maqedoni ka treguar edhe Serbia dhe Greqia. Në politikën bullgare ka një kthesë radikale në rasport me Maqedoninë. Nuk përkrahin ndarjen por kërkojnë integrimin e saj në EU dhe NATO.

Radhën për t'u përcaktuar qartë e e kanë maqedonët edhe pse vendimi i tyre nuk do të jetë determinues për rrjedhat në Maqedoni e rajon. Po një gjë do të jetë e sigurt, se në rrethana te reja gjasat e Maqedonisë dhe të rajonit për integrim në EU dhe NATO do zbehen.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË