NUMĖR 76
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 06 NËNTOR 2003

Flakareshat e nxehta në fytyrën e zbehtë të Kosovës

Shkruan: Xhafer SHATRI

1.
Cdo luftë, pavarësisht nga numri i ushtarëve pjesëmarrës, pavarësisht nga numri i viktimave dhe përmasat e rrënimeve përfundon në një tavolinë, ku, në vend të ushtarakëve, konfrontohen, poashtu pa pikë mëshire, dy çeta të vogla diplomatësh.

Të gjithë e kanë ditur se edhe lufta shqiptaro-serbe do të përfundoj në një tavolinë. Në këtë kuptim nëse lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera, siç thoshte Klauzevici, si kudo tjetër edhe në Kosovë politika është vazhdim i luftës, por me mjete të tjera.

Mirëpo, siç po shihet, këtë fakt nuk e paskëshin ditur vetëm pjesëtarët e parisë së Kosovës. Sepse kur Holkeri erdhi, me vendosmëri trashanike, që t'i realizojë njërin prej standardeve tashmë të njohura e sidomos dokumentin e Selanikut, pavarësisht se këtë e bëri pa e njohur fare realitetin në Kosovë, njerëzit më përgjegjës të vendit tonë ose u futën në birë të minit ose e humbën logjikën krejt.

Kjo sjellje e parisë e la opinionin e huaj dhe tonin me gojë hapur. Sepse çështja e negociatave të Kosovës me Serbinë është përmendur rregullisht nga qendrat e vendosjes të paktën tash një vit e këtej.

2.
Sidoqoftë, ata që ua kanë dhënë votën patën rastin të mësojnë;

- se kryetari i Kosovës nuk paskësh çarë kaptinën për punët me të cilat e autorizon korniza kushtetuese, por ka vazhduar të merret me verëra e konjak, me heraldikë dhe me shpërndarje kristalesh e medaljesh;

- se qeveria e Kosovës, që është qeveri koalicioni dhe pa opozitë nuk paskesh caktuar madje as në formë këshilltarësh një ekip të paktën prej tre personash që do të përcillte aktivitetin diplomatik të Serbisë dhe masat që duhet të ndërmarrë;

- se parlamenti është kthyer në pronë private të Nexhat Dacit, sepse nuk ishte në nivel të përgjegjësisë të aprovojë qoftë edhe një deklaratë të thjeshtë, në të cilën do të përcaktoheshin qëndrimet e Kosovës për kornizën e negociatave të ardhshme me Serbinë;

- se LDK-ja, si forcë kryesore politike e vendit, është kthyer në pronë private të Ibrahim Rugovës dhe të klanit të tij llapjan; sepse kjo parti nuk ka asnjë organ legjitim, nuk ka fare debat as për çështjet më përvëluese të vendit. Në të funksionon vetëm një njeri: Ibrahim Rugova dhe supotët e tij. Të gjithë të tjerët, me mijëra aktivistë të devotshëm janë kthyer në statistë; ndërkohë që, jo dikush tjetër, por i biri i Rugovës, është kthyer në bos të firmave kryesore private në Kosovë që me shantazhin e mosmarrjes të asnjë tenderi, detyrohen të japin para të majme për aktivitete jashtinstitucionale "për pavarësinë e Kosovës";

- se PDK nuk është parti, por argashti e Hashim Thaçit, që kontrollohet dhe mbahet në këmbë vetëm në saje të shërbimit sekret dhe se ky shërbim partiak e pa asnjë legjitimitet me metoda krejtësisht mafioze ka disiplinuar jo vetëm kundërshtarët e tij politikë brenda e jashtë partisë, por edhe mediat kryesore e "të pavarura" të vendit. Duke qenë protoganist i negociatave ai mashtrohet se mund t'i ikë përgjegjësisë për fajet e rënda që ka bërë;

- se AAK është bërë grupimi politik më joserioz në Kosovë; vetëm brenda këtij viti, kjo parti në të cilën kanë shpresuar shumë njerëz, ka organizuar tri budallaki të mëdha: një dasmë, ku kanë marrë pjesë mbi 5000 veta e ku ka ardhur në shprehje primitivizmi dhe sharlatanizmi më i shëmtuar shqiptar; një fushatë për të shpallur sërish pavarësinë e Kosovës, që populli i saj, në çaste shumë të vështira, e ka shpallur me referendum këtu 12 vjet më parë dhe një fushatë tjetër deri në mjerim naive për mospjesëmarrje në takimin e Vjenës.

3.
Ndërkohë, njerëzit e Kosovës kanë pritur nga paria e tyre që, para e pas negociatave të imponuara me Serbinë, të bëjnë presion të përbashkët e të vendosur qe:

- nëse lejohet edhe më tej që në një pjesë të konsiderueshme e territorit të Kosovës, në kundështim flagrant me rezolutën e famshme 1244, të veprojë shteti serb;

- nëse vazhdohet edhe më tej që qeveria e dalë nga vota të lira të mos ketë kompetencat më themelore për qeverisje ;

atëherë shqiptarët do të largoheshin nga të gjitha institucionet lokale e qëndrore.

UNMIK-u, i vetëdijshëm se kjo do të krijonte një krizë jashtëzakonisht të rëndë, do të detyrohej që më në fund faktorin shqiptar ta marrë seriozisht; në fakt kjo mbetet e vetmja rrugë që (pa luftë) Ibri të mos bëhet kufiri verior i Kosovës.

Siç dihet, deri më tash nuk është bërë as një presion serioz për këto çështje. Për më keq, ka pasur raste, siç është ai kur Hashim Thaçi në Parlament thotë: qeveria nuk ka nevojë për kompetenca më të mëdha, sepse nuk po i shfrytëzon as këto që i ka!

4.
Njerëzit e Kosovës nga institucionet e saj kanë pritur gjithashtu që ta kenë të paktën një skelet-platformë për negociata me Serbinë, ku do të bëhej e qartë se për Kosovën çështje të panegociueshme, përafërsisht, janë këto:

- se shteti serb, në asnjë formë, nuk mund të kthehet në Kosovë;
- se copëtimi i Kosovës nuk mund të bëhet pa luftë;
- se për serbët e Kosovës nuk do të bisedohet me Beogradin, por me përfaqësuesit e tyre;
- se shqiptarët nuk do t'u japin kurrë të drejta serbëve të Kosovës (sepse një ditë mund t'u teket dhe t'ua marrin), por me garanci ndërkombëtare do t'ua respektojnë të gjitha të drejtat një për një: të drejtën e patjetërsueshme të kthimit në shtëpitë dhe pronat e tyre; të drejtën e lirisë së qarkullimit, të drejtën e shprehjes, të organizimit politik, të drejtën dhe praktikën që në të gjitha institucionet e Kosovën të jenë të përfshirë, si pjesë e pandashme e tyre...

Për të tjerat duhet bërë negociata.

5.
Njerëzit e Kosovës kanë pritur gjithashtu që krerët e institucioneve të tyre, në vend që të grinden si gjelat për të shkuar apo për të mos shkuar në Vjenë, ta caktojnë ekipin e ekspertëve, duke angazhuar edhe ekspertë të huaj, dhe krahas përgatitjes së negociatave të kontaktojnë qeveritë e ndryshme dhe, veç shpalosjes së platformës përnegociata të dëshmojnë, duke nxjerrë fotografi konkrete, se negociatat nuk mund të jenë të suksesshme nëse me mijëra skelete fëmijësh, grash e burrash të Kosovës vazhdojnë të gjenden kudo nëpër Serbi, e madje edhe nën asfaltin autostradës Beograd-Novi Sad, ku kalojnë me dhjetëra mijëra automjete në ditë.

Ky është një krim i rënd e i pandodhur deri më sot, sepse përdhunon për çdo çast edhe për së vdekuri njerëzit e masakruar dhe njëherit acaron edhe më tej gjendjen në Kosovë. Sepse ata ishin të këtij vendi, ku kanë ende prindërit, vëllezërit, motrat, të afërmit…

Për këto çështje do të duhej organizuar edhe konferenca për shtyp në Vashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris pse jo edhe Moskë e Pekin, sepse kështu më së miri do të zhvlerësohej propagandën serbe, e cila po korr suksese konkrete, siç ishte edhe ndalimi arbitrar i privatizimit në Kosovë.

6.
Shtrohet pyetja a nuk i ditkan krerët e Kosovës këto gjëra që janë kaq të thjeshta, por paskesh nevojë që t'ua hapë sytë ndonjë gazetar?

I dijnë shumë mirë, por, mjerisht, sjellja e tyre të lë të kuptosh rrezikun e madh që paraqesin, jo vetëm për Kosovën, politikanët me dosje, apo thënë më mirë krerët që e kanë bishtin e zënë me derë. Sepse, sado dashamirës që të jetë njeriu, megjithatë sjellja e Rugovës, Thaçit, Haradinajt, Dacit etj., nuk mund të shpjegohet ndryshe.

Fakti se ata edhe shkuan e nuk shkuan në Vjenë, e dëshmon këtë më së miri. Sepse në Vjenë realisht nuk shkoi Kosova, por fytyra e saj me shënjat e flakareshave të shumta, që nuk ia dhanë serbët,por prijësit shqiptarë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË