Si
e harroi Enveri Kosovën
Shkruan:
Luan KONDI
Shteti i ri i pavarur shqiptar,
i shpallur më 28 Nëntor 1912, që në ditët
e para të tij, u ndesh me problemin jetik të njohjes ndërkombëtare
dhe më pas atë të sigurimit dhe të mbrojtjes
së tërësisë territoriale të tij. Treva
të tëra shqiptare, fillimisht, gjendeshin të pushtuara
nga forcat ushtarake shoviniste serbe e malazeze në Veri dhe
greke në Jug.
Do
të ishin Fuqitë e Mëdha, ato që do të merrnin
në dorë zgjidhjen e çështjeve më të
qenësishme të shtetit të ri. Në bazë të
traktatit të paqës, të 30 majit 1913, Turqia, siç
thuhet, u besoi Fuqive të Mëdha (Gjermanisë, Austrisë,
Francës, Anglisë, Italisë, Rusisë) detyrën
e caktimit të kufijve të Shqipërisë dhe të
gjitha çështjet lidhur me të.
Kur Shqipërisë i morën Kosovën
Për këtë qëllim
mblidhet Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha
për t’u dhënë rrugëzgjidhje çështjeve
të lindura nga mundja e Perandorisë Osmane në Luftën
e Parë Ballkanike. Konferenca e Ambasadorëve, e cila i
filloi punimet me 17 dhjetor 1912, nën kryesinë e përhershme
të ministrit të Jashtëm anglez, Eduard Grej, u bë
arenë e përplasjes së interesave kontradiktore. Shtrimi
e diskutimi i çështjeve u shoqërua me debate të
ashpra. Me 22 mars 1913, u vendosën përfundimisht kufijtë
veriorë. Nga trungu i Shqipërisë u shkëputën
Kosova dhe tokat shqiptare në Maqedoni, të cilat dënoheshin
të kalonin nën zgjedhën e re serbo-malazeze.
Për këtë qëllim,
Konferenca e Ambasadorëve krijoi dy komisione ndërkombëtare;
njërin për kufijtë me Malin e Zi dhe Serbinë
dhe tjetrin për kufirin me Greqinë. Fuqitë e Mëdha
po luanin lojërat e tyre për interesat e tyre afatgjata
dhe jo në interes të të voglit e të dobtit.
Këtë e tregojnë qartë Traktati i Shën Stefanit,
Traktati i Versajës, Konferenca e Ambasadorëve në
Londër, apo Protokolli 1915 mbi copëtimin e territoreve
shqiptare.
Çështja e Kosovës,
Sanxhakut dhe Dukagjini nisën të dalin përsëri
në horizont me pushtimin e Shqipërisë nga Italia.
Musolini e përfshin Kosovës në territoret e zotëruara
nga trupat e tij. Udhëheqja e PKSH e dënoi pushtimin fashist
të Kosovës, si një akt agresioni dhe nuk bëri
as përpjekjen më të vogël për t´i
shpjeguar popullit shqiptar situatën e re që ishte krijuar
në këtë mënyrë nga fatet e ndryshme të
luftës. Këtu duket edhe varësia e komunistëve
shqiptarë ndaj shokëve të tyre serbë, fakt ky
që indirekt flet për influencen e politikës serbomadhe
në Ballkan.
Mbledhja themeluese e PKSH “harroi” çështjen
kombëtare
Partia Komuniste Shqiptare, që
ditën e lindjes, më 8 nëntor ´41, lindi si
parti jo gjithkombëtare, pasi varrosi nuk kishte në programin
e saj çështjen kombëtare. Çështjes
shqiptare në Kosovë e vise të tjera shqiptare në
Jugosllavi, por edhe gjithë çështjes nacionale,
asaj të coptimit të trojeve shqiptare, iu vu vula që
në mbledhjen themeluese të PKSH, më 8 nëntor
1941, kur të gjithë pjesëmarrësit në mbledhje
u pajtuan me bazat ideologjike e organizative të dhëna
nga sërbët Miladini e Mugosha, të cilat u përcaktuan
ekzakt në Rezolucionin e themelimit të partisë së
komunistëve shqiptarë.
Pikërisht, detyra e katërt
e bazave organizative të partisë përcaktonte qartë:
“Me anë të aksioneve, sabotimeve, demonstratave,
grevave, duhet që të përgatitet populli politikisht
dhe ushtarakisht për kryengritjen e armatosur, duke përfshirë
në këtë luftë të gjithë forcat patriotike
dhe antifashiste. Në asnjë rrethanë nuk lejohet që
të harrohet rreziku, që vjen nga ndikimi i nacionalizmit”.
Nga detyra katër e bazave organizative
të partisë, po veçojmë fjalinë e fundit
të saj: “Në asnjë rrethanë nuk lejohet
që të harrohet rreziku, që vjen nga ndikimi i nacionalizmit”.
Kjo u miratua nga të gjithë pjesëmarrësit në
mbledhjen themeluese të PKSH, që më 8 nëntor
´41.
Mukje, ngritet problemi i Kosovës
Në gusht të vitit 1942,
për të parën herë do të kujtoheshin shqiptarët
për trojet e tyre të mbetura jashtë kufirit aktual
shtetëror në veri të Shqipërisë, ato të
Kosovës dhe Sanxhakut. Kjo mbledhje, është e para
ku takohen forcat politike shqiptare në një kuvend për
të diskutuar çështjen kombëtare. Qëllimi
i mbledhjes ishte; krijimi i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar
dhe i Shqipërisë etnike.
Megjithatë, Komiteti Qendror
i PKSH, nën presionin e përfaqësuesve jugosllavë
që vepronin pranë komunistëve e denoncoi Marrëveshjen
e Mukjes si tradhti, dhe spostoi ngadalë Ymer Dishnicën,
nënshkruesin e marrëveshjes. Megjithatë për
hir të vërtetës, dokumente të mëvonshëm
tregojnë se Enver Hoxha dhe disa anëtarë të
Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë
ngurruan rreth dy ditë që ta dënonin marrëveshjen.
Më pas, Svetozar Vukmanoviç Tempo dhe shokë të
tjerë jugosllavë, që kishin përkrahje brenda
PKSH, më në fund fituan mbi Enver Hoxhën, i cili
më pas e dënoi Marrëveshjen e Mukjes si akt tradhtie.
Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç
u shprehën totalisht kundër marrëveshjes së
Mukjes. Mugosha do të thoshte: “Ky bashkim i forcave
shqiptare është i papranueshëm. Tashmë, ne po
forcohemi nga dita në ditë dhe shumë shpejt do t´i
sulmojmë në mënyrë të pamëshirshme.
Ne kurrë nuk do t´i lejojmë të bashkohen dhe
kurrë nuk do të lidhemi me këta qenër. Dhe pastaj,
ç´është kjo Shqipëri etnike! Le të
përpiqen dhe ta bëjnë nëse ua mban”.
Optimizmi për dakordimin e
arritur në Mukje do të ishte shumë i shkurtër,
pasi të dërguarit e Titos urdhëruan Enver Hoxhën
ta denonconte atë si tradhti. Hoxha dhe përkrahësit
e tij, të mbetur në minorancë u dorëzuan pa
bërë aspak rezistencë. Këtu nis edhe konflikti
i armatosur mes komunistëve dhe nacionalistëve. Mugosha
dhe Popoviç po bënin ligjin në Shqipëri.
“Shoku Tempo” gjendej
atëherë në Shqipëri posaçërisht
për këtë çështje. “Ne e diskutuam
çështjen me anëtarët e Komitetit Qendror dhe
studiuam të gjitha mundësitë, situatën dhe gjithçka
tjetër dhe përfundimisht vendosëm të hidhnim
poshtë Shpalljen dhe të mos e njihnim krijimin e Komitetit
të Shpëtimit të Shqipërisë, apo rolin e
tij si organi më i lartë në luftën çlirimtare.
Ne vendosëm të mblidhnim konferencën pa vonesë
dhe të zmadhonim Komitetin Qendror…”, thuhet në
një dokument të PKSH, nxjerë së fundi nga arkivi.
Serbët do të ishin prezent
edhe në Konferencën e Labinotit, në tetor 1943, madje
ata jepnin udhëzime të drejtpërdrejta. Të gjitha
çështjet, që kishin të bënin me qëndrimin
ndaj forcave nacionaliste, organizimin e forcave të armatosura
dhe punën e partisë, ndikoheshim nga interesat serbe.
Pas kësaj, udhëheqja e
Ballit Kombëtar botoi Manifestin e vet me titullin “Rruga
e drejtë dhe rruga e gabuar”. Në këtë
manifest thuhej: “Është e qartë për popullin
se kjo parti, që udhëhiqet nga Sale (Dushan Mugosha) dhe
Miladin me shokët e tyre, po përgatitet të na japë
një diktaturë dhe terror në vend të lirisë
së premtuar, do të na japë shkatërrim në
vend të progresit…”. Atëherë shqiptarët
nuk kishin dyshime për rolin e të dërguarve serbë
në Shqipëri.
Por, prapaskenat e Dushanit dhe
Miladinit ishin aq finoke, saqë as Enver Hoxha, as ndonjë
anëtar i Komitetit Qendror të PKSH nuk mund ta ndalonin
të keqen. Komunistët u kapën në rrjetën
e serbëve, të cilët ishin mjeshtër të mbaruar
për ta përkulur Enver Hoxhën ngado që ata dëshironin
dhe kishin arritur t´i lidhnin duart me fijet sekrete, të
cilat i kishin fillimet e tyre më 8 nëntor 1941, në
një shtëpi të thjeshtë në Tiranë.
Enver Hoxha ishte plotësisht
i ndërgjegjshëm se pa “vëllezërit e tij”
serbë nuk do të kishte mundur të ngjiste shkallën
e partisë dhe të kapte postin e Sekretarit të Përgjithshëm
të Komitetit Qendror të PKSH. Kjo ishte arsyeja se pse
udhëheqja komuniste shqiptare nuk mund ta thoshte fjalën
e vet për sa u përket çështjeve të veta
të brendshme, kur fatet e vendit po vendoseshin dhe nuk mund
të kundërshtonte planet serbe për vendosjen e ardhshme
të territoreve shqiptare në Jugosllavi.
Divizionet shqiptare në kurthin e Titos
Nga fundi i luftës, Shtabi
i Përgjithshëm i Ushtrisë jugosllave ftoi disa njësi
të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare shqiptare të
shkonin e të ndihmonin partizanët jugosllavë në
Kosovë, Metohi dhe Sanxhak, që të shporrnin divizionet
gjermane. Fakt është se një numër shqiptarësh
etnikë (veçanërisht farefisi i njohur i Kryezinjve)
në ato rajone ishin bashkuar me forcat gjermane, aspak për
shkaqe ideologjike, po pse te ata thjesht shihnin shpëtimtarët
prej zgjedhës serbe dhe bashkimin me trungun amtar.
Udhëzimet dhe ftesa për
këtë lëvizje masive të trupave shqiptare drejt
Jugosllavisë erdhi nga Beogradi; kjo ishte një lëvizje
pa precedent nga ana e serbëve, të cilët për
shekuj me radhë kishin kultivuar mitin “Kosova djepi
i qytetërimit serb”. PK e Jugosllavisë kishte siguruar
të gjithë garancitë nga PKSH se gjithçka do
të shkonte siç ishte parashikuar. Madje, Tito e dinte
shumë mirë se çfarë po bënte, ndaj dhe
lejoi njësitë e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare
shqiptare të bashkëvepronin plotësisht dhe të
vëllazëroheshin me njësitë partizane jugosllave
në rajon.
Tito, gjithashtu, ndërmori
këtë hap të rrezikshëm thjesht për arsyet
strategjike të koordinimit të operacioneve të luftës
në Ballkanin Perëndimor. Ai kishte plane të rëndësishme
për të ardhmen e Jugosllavisë si lojtar parësor
në Ballkanin e pasluftës.
Udhëheqja jugosllave po llogariste
çdo gjë me kujdes. Ajo kishte marrë çdo
siguri nga udhëheqja komuniste shqiptare, dhe se prania e njësive
të ushtrisë në territorin e Jugosllavise nuk do të
përmbyste situatën dhe nuk do të krijonte probleme
për të ardhmen. Tito po llogariste që të përdorte
praninë e forcave shqiptare në Kosovë me qëllim
që të krijonte një situatë konfliktuale ndërmjet
kosovarëve që ishin bashkuar me forcat gjermane dhe me
partizanët shqiptarë, të cilët në fakt
punonin në favor të tij. Po ashtu ekzistonte një
marrëveshje e heshtur mbi të ardhmen e Kosovës dhe
Metohisë ndërmjet jugosllavëve dhe komunistëve
shqiptarë.
Ç’thonë dokumentet për takimin Hoxha - Tito
Nga viti ´44 deri në
vitin ´48, varësia e Komitetit Qendror të PKSH ndaj
udhëheqjes komuniste të Beogradit u rrit. Në atë
kohë çdo shqiptar do të kishte pritur që kreu
i PKSH të shfrytëzonte takimin e tij me Titon për
të ngritur të paktën pak çështje thelbësore
të lidhura me statusin e ardhshëm të territoreve
të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi (në
tokat e tyre në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit, Malësi,
Anë e Malit dhe Maqedoninë Perëndimore e kudo tjetër).
Enver Hoxha duhej të kishte
pyetur Titon se çfarë mendonte ai për të ardhmen
e shqiptarëve të Kosovës, që kishin kontribuar
aq shumë në krijimin e shtetit shqiptar në vitin
1912 dhe padrejtësisht ishin lënë jashtë atij
shteti, për të cilin ata kishin kontribuar për ta
krijuar. Hoxha në librin e tij “Titistët”,
pretendon të ketë ngritur çështjen e së
ardhmes së Kosovës. Madje, atje thuhet se Tito i është
përgjigjur se problemin i Kosovës nuk mund të ngrihej
për momentin, sepse, sipas tij, do të trazonte serbët.
Tito nuk e kishte në plan të
diskutonte Kosovën me Enver Hoxhën. Që këtej,
i vetmi rast zyrtar për Enver Hoxhën që të ngrinte
çështjen e Kosovës me “shpirtin vëllazëror
ndërkombëtar” me udhëheqësin jugosllav
nuk u shfrytëzua. Beogradi diktoi dhe Enver Hoxha u bind. Enver
Hoxha e kishte kuptuar se e ardhmja e pozicionit të tij si
timonier i Komitetit Qendror të PKSH dhe i Shtetit të
ri shqiptar vendosej në Beograd. Ai priti rastin që të
paraqiste veten. Në intervistat që Hoxha ka dhënë
për mediat serbe gjatë vizitës së tij në
Jugosllavi më 30 qershor 1946 citohet: “Është
e pamundur të imagjinosh rezistencën e popullit të
vogël shqiptar kundër armikut pa luftën e popujve
jugosllavë”.
Hoxha e poshtëroi popullin
e tij para personit serb, pasi këta të fundit e kishin
ndihmuar të rrinte në udhëheqjen e PKSH. Ish-drejtuesi
i shtetit komunist nuk mund të mohonte përpjekjen që
Miladini dhe Dushani i dhanë atij, që të vinte në
krye të PKSH dhe Shqipërisë për qellimet e tyre.
Hoxha u dorëzua pa kushte para Titos dhe në një farë
mënyre ai ra në gjunjë para Titos. Madje, këtë
e kanë vërtetuar edhe shumë njerëz që e
kanë shoqëruar atë në vizitën e parë
zyrtare në Bled të Jugosllavisë”.
Deklarata të së njëjtës
natyrë, si ato që Enver Hoxha bëri në Bled,
gjenden të shumta në shtypin shqiptar të vitit 1947-1948,
apo raportet e shumta të misioneve jugosllave në Tiranë.
Udhëheqësit shqiptarë heshtën për fatin
e Kosovës
Historiografia shqiptare është
e heshtur për marrëveshjen që u firmos në Beograd
më 1948. Enver Hoxha preokupohej vetëm për sigurinë
dhe ruajtjen e pozitës së tij. Çmimi me të
cilen ai arrinte atë që dëshironte nuk kishte rëndësi
për të. Preokupimi mbizotërues për të ishte
ruajtja e pushtetit, të cilin e fitoi duke tradhtuar bashkëpunëtorët
e tij më të ngushtë, duke filluar me Qemal Stafen,
Nako Spirun, Tuk Jakovën dhe duke mbaruar me Sejfulla Malëshovën,
vetëm në pak vite pas luftës.
Pa u marrë me lidhjet sekrete
mes Enver Hoxhës dhe të dërguarve të serbëve
në Shqipëri, për shkak se dokumentet e asaj periudhe
ishin në duart apo kujtesën e personave në fjalë,
ekzistojnë momente kritike në karrierën e “udhëheqësit
legjendar” të Shqipërisë në periudhen
e shkurtër të ndikimit jugosllav, kur ai ishte kukull
në duart e komunistëve serbë.
Viktimat e indoktrinimit serbo-hoxhian
janë shumë. Më shumë viktima do të gjenden
mes diasporës shqiptare, e cila ëndërron për
një shtet shqiptar të fortë, megjithëse nën
një diktator mizor, për hir të përmbushjes të
idesë utopike të ndjekjes të një të ardhmeje
të lumtur për Kosovën që ekzistonte vetëm
në mendjet e tyre të shtrembëruara.
Plenumi i Beratit
“Historia e Partisë së
Punës së Shqipërisë” (volitshëm botuar
vetëm 30 vjet pas themelimit të saj më 8 nëntor
1941), i lë hapësirë të mjaftueshme Plenumit
famëkeq të Beratit. Është fakt se të dërguarit
serbë ishin të pranishëm dhe e vunë në
skenë këtë ngjarje të rëndësishme.
Me sa duket, ata zotëronin shënime stenografike mbi ecurinë
e Plenumit.
Në një pohim të Enver
Hoxhës thuhet: “Jo vetëm që kurrë nuk
kam patur ndonjë avantazh, duke u shoqëruar me Alija (Miladin
Popoviç), por kam vuajtur për shkak të tij, sepse
ai më ka mbajtur larg punës me organizimet e tij ordinere
jopolitike”.
Për sa u përket dobësive
të tij në përmbushjen e detyrave të partisë
si sekretar i Komitetit Qendror të PKSH, Enver Hoxha, pohon:
“Unë nuk isha në gjendje të organizoja mitingje,
sepse pozicioni i rëndësishëm që kisha (si sekretar
i Komitetit Qendror) kërkonte aftësi të veçanta
dhe përgatitje të veçantë. Unë nuk isha
thjesht një shok partie.”
Përçartje interesante
dhe gjysmëpohim i pazotësisë së tij. Dhe më
tej shokët e tij i vunë në gojë fjalët
e mëposhtme: “Prandaj u detyrova të shtyja mbledhjet…
unë nuk kujtoj të kem propozuar ndonjëherë të
mbahet një mbledhje teorike, sepse ishte e vështirë
për mua ta bëja një gjë të tillë.
Edhe tani unë nuk jam në gjendje të bëj një
detyrë të tillë. Unë nuk thirra mbledhje të
tilla, jo sepse u shmangesha detyrave të mia, por sepse nuk
jam në gjendje të bëj një punë të
tillë”.
Kështu Enver Hoxha pohoi tri
herë rresht se ai ishte i paaftë të udhëhiqte
PKSH. Gjatë “muajit të mjaltit” me Titon ai
përsëriti se pa Jugosllavine e lavdishme dhe pa Titon
e madh lufta e popullit shqiptar do të kishte qenë një
hiç.
Enver Hoxha mohon Kosovën në Paris
Në Konferencën e Paqes
në Paris, gusht 1946, Enver Hoxha do të deklaronte: “Ne
nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë, Jugosllavisë”.
S’ka komb tjetër në Evropë, si ai shqiptar,
i coptuar në ato përmasa sa kufij politikë ka vetveten.
Politika zyrtare e partisë-shtet komunist, po ashtu dhe historianë,
kanë shkruar mjaft për politikën antikombëtare
të fuqive të mëdha për coptimin e Shqipërisë.
Dhe gjithnjë, me të drejtë,
shkaku i kësaj tragjedie të madhe kombëtare është
kërkuar në synimet shoviniste të qeverive të
vendeve fqinje, si edhe në politikat antishqiptare që
përgatiteshin e merrnin jetë në kancelaritë
perëndimore. Dhe asnjëherë e në asnjë rast
nuk ka ndonjë vështrim historik, sado të shkurtër,
për të parë edhe së brendshmi, nga vetvetja,
për të kërkuar ndonjë përgjegjësi
në faktorë politikë shqiptarë, të pozicionuar
përkundër interesave kombëtare, e për ta shprehur
më açik, të qenit të ndokujt mbështetës
për coptimin e trojeve shqiptare.
“Ju në atë kohë
a e mendonit çështjen e bashkimit me Shqipërinë
të popullsisë shqiptare që banonte në Jugosllavi?...”.
Është një nga pyetjet që publicisti grek Benakis
i bënte Ramiz Alisë, dhe bashkë me përgjigjen
e tij, edhe refleksione tona që vinë ndesh me autorin,
Alia.
Pas prishjes me Jugosllavinë
Pas prishjes me Titon, në vitin
1948, që ndodhi menjëherë pas letrës publike
të Informbyrosë, Enver Hoxha mohoi rolin dhe kontributin
e Dushanit dhe Miladinit sa herë që i jepej rasti. Ai
mohoi Titon më 1948, Hrushovin më 1961 dhe Mao Ce Dunin
më 1977 dhe i ekspozoi ata si armiq të komunizmit më
të njëjtën furi dhe vrull siç mbrojti Stalinin
gjatë gjithë jetës së tij. Ai mohoi çdo
gjë rreth “vëllezërve të tij komunistë”,
por ai harroi se ka dokumenta arkiva që
dëshmojnë për qëndrimin indiferent të tij
dhe shtetit që drejtonte ndaj vetë çështjes
kombëtare.
Partia e Punës, Enver Hoxha,
por edhe historiografia gjithnjë kanë kritikuar Titon,
i cili nuk e mbajti fjalën e dhënë se çështja
e Kosovës do të zgjidhej pas luftës. Edhe në
këto vite, nga Alia pranohet se “për Partinë
Komuniste Shqiptare ekzistonte çështja e shqiptarëve
që jetonin në Jugosllavi, të Kosovës e viseve
të tjera, por kishim bindje se me udhëheqjen e Jugosllavisë
së re antifashiste mund të diskutohej e të zgjidhej
drejt edhe ky problem i trashëguar nga historia”.
Historiografia marksiste-leniniste,
por edhe historiografia zyrtare bashkëkohore, kanë parë
dhe stigmatizuar vetëm njërën anë, atë
të politikës antikombëtare të partisë e
shtetit jugosllav në qëndrimin ndaj çështjes
së pazgjidhur të Kosovës dhe përpjekjeve për
ta bërë Shqipërinë republikë të shtatë
të Jugosllavisë. Dhe nuk mund të vihet në dyshim
kjo e vërtetë historike.
Veçse
problemi ka dhe anën tjetër të medaljes, që
asnjëherë nuk trajtohet, atë të qëndrimit
të Partisë Komuniste Shqiptare ndaj çështjes
së Kosovës, dhe intergrimit të Shqipërisë
në Federatën Ballkanike. Pra jugosllavët gjetën
në vendin tonë truall të përgatitur mirë
për realizimin e planeve të tyre antikombëtare ndaj
Shqipërisë. |