NUMĖR 76
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 06 NËNTOR 2003

Stina e marrisë politike

Shkruan: Hysamedin FERAJ

Muajt e parë të këtij viti u shfaqën si një sezon i budallëkut politik të subjekteve dhe udhëheqësve kryesor(ë) politik(ë) të Kosovës. Budallëku filloi me nismën e Rugovës për ndërrimin e simboleve kombëtare-shtetërore të Kosovës, u pasua nga nisma e Ramush Haradinajt për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe tani ka kulmuar në vendimin e Hashim Thaçit për moratoriumin ndaj statusit të Kosovës. Qëndrimi i Thaçit u shfaq sapo dukej se dy të parat u tërhoqën disi.

Nisma e Haradinajt për shpalljen e pavarësisë së Kosovës ishte një dëmtim i rëndësishëm i veprimtarisë për pavarësinë e Kosovës, ndër të tjera, sepse e banalizonte, e bënte qesharake pavarësinë e Kosovës. Pavarësia kudo mbahet si një nga çështjet më serioze, madje të shenjta. Pavarësia shpallet njëherë e jo njiqind herë. Mbasi një popull dhe institucinet e tij përfaqësuese shpallin pavarësinë, kërkojnë nga shtetet dhe popujt e tjerë njohjen e pavarësisë. Është çështje e vullnetit të atyre popujve nëse e njohin dhe kurë e njohin. Ndërsa duke e shpallë e rishpallë njiqind herë, pavarësia bëhet një gjest qesharak, veprim i zakonshëm që nuk kërkon ndonjë qëndrim serioz nga shtete dhe popuj të tjerë. Po të bëhej siç thotë Haradinaj, të rishpallet pavarësia, atëherë shtetet, popujt e tjerë dhe përfaqësuesit e tyre, e kanë lehtë t'i përgjigjen kërkesës së tij për njohjen e pavarësisë: "Nuk po ta njohim edhe kësaj radhe, po mos u mërzit se e shpallni prapë. Ju ia keni marrë dorën ta shpallni pavarësinë me qindra herë, kështu që ne nuk po nxitohemi. Derisa ju vetë nuk e njihni vullnetin që keni shpallë për pavarësi, e vini në dyshim, e shpallni prapë etj., atëherë nuk kemi pse të nxitohemi e ta njohim ne. Mos u mërzitni, mos u mërzitni, e shpallni prapë. Atëherë shohim e bëjmë. Po presim sa ta shpallni edhe një herë".

Budallëku i nismës bëhet edhe më i madh kur dihet se pavarësia mbasi shpallet nuk zhbëhet. Vendi mund ta humbë pavarësinë nga pushtimi i huaj. Por edhe në këtë rast, mbasi rifitohet pavarësia, nuk shpallet por thjeshtë thuhet se vendi u çlirua. Meqë e ka dëshirë Haradinaj, mund të kujtoj se edhe Enver Hoxha mbas çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazi-fashist, nuk e shpalli pavarësinë e Shqipërisë, por çlirimin e vendit, ndërsa shpallja e pavarësisë mbetej ajo e vitit 1912.

Aq më keq nëse Haradinaj e mori këtë nismë për të larguar vëmendjen nga problemet që i krijuan me ligjin: pavarësia e vendit, ideja e shenjtë e saj, nuk mund të përdoret për interesa private dhe me interesat e popullit e të kombit, nuk luhet për interesa private-personale.

I ndodhur bosh dhe pa i matë fare pasojat që mund të sjellë, Rugova hodhi idenë e ndryshimit të simboleve kombëtare shqiptare, pa u kërkuar nga askush, pa qenë fare e nevojshme, pa mundur të lidhet në asnjë aspekt me pavarësinë e Kosovës, por duke hedhë skemat e një ndarjeje të madhe ndërmjet shqiptarëve si komb. Tani duket se është tërheqë nga kjo nismë, duke dhënë shpresë se merr parasysh kritikën intelektuale dhe opinionin publik kundër. Por duke njohur stilin e Rugovës por të mos vepruar ashpër e, megjithkëtë, për të mos u tërheqë nga "e vetja", nuk është çudi që të mose ketë heqë ende dorë nga kjo nismë.

Për vite të tëra, Thaçi pothuaj nuk ka shfaqë ndonjë ide të rëndësishme. Më në fund, vendosi të thotë një "fjalë të madhe": të shpallim moratoriumin e statusit të Kosovës! Tani edhe kjo nismë është qortuar nga anë të ndryshme dhe është refuzuar nga opinioni shqiptar, por shija e hidhur e budallëkut të saj vazhdon ende.

Është një nismë pa kuptim në shumë drejtime. Me të drejtë, më duket se Bob Doll, tërhoqi vëmendjen se njeriu (ose subjekti i caktuar) nuk mund t'i vë moratorium vetes.

Fajla "moratorium" do të shotë shtyrje e afatit të shlyerjes së një pagese a borxhi (nga lat. 'mora' - 'shtyrje'). Në politikë termi moratorium përdoret për shtyrjen e shlyerjes së borxheve ose pagesave të ndryshme, edhe ndërmjet shteteve. Por termi nuk mund të përdoret për çështje të tilla si pavarësia, statusi politik etj. Mirëpo në rastin e Thaçit as nuk pritet që të di e të njoh(ë) përdorimin e termave politik(e) duke përfshirë edhe përdorimin e zakonshëm të tyre.

Njeriu, dashamirës ndaj tij, mund të thotë se Thaçi e ka përdorë termin në kuptimin e drejtpërdrejtë nga latinishtja, që do të thotë "shtyrje", duke dashur të thotë se "unë, Hashim Thaçi dhe partia ime do ta shtyjmë për më vonë çështjen e statusit të Kosovës". Pra, mund të merret si një dëshirë për të folë me "fjalë të mëdha", për të përdorë fjalën "moratorium" në vend se të flasë shqip e të përdorë fjalët "shtyrje', "lënie për më vonë", "për të ardhmen", në këtë rast, shtyrjen e përcaktimit të statusit të Kosovës. Në këtë rast, duket se gabimi ka ardhë nga dëshira naive për me folë me "fjalë të mëdha", me fjalë të huaja, që të duket "intelektual".

Por edhe i kuptuar kështu,budallëku mbetet i dukshëm dhe i dëmshëm. Kosova, sa u përket shqiptarëve, e ka statusin të përcaktuar: pavarësinë. Për shqiptarët, statusi nuk vihet në dyshim. Nga shqiptarët, politikanët, përfaqësuesit dhe institucionet e Kosovës, ka mbetë vetëm të kërkohet që pavarësia e Kosovës të njihet edhe nga popuj, shtetet etj., të huaja. Të huajt mund të shtyjnë për më vonë deklarimin e vet për statusin që i njohin Kosovës, mund të mos e bëjnë shpejtë etj., por nuk ka kuptim që një përfaqësues i një partie politike shqiptare, të vë 'moratoriumin", ta shtyj për më vonë njohjen e pavarësisë së vendit të vet, të Kosovës. Prandaj Doll i habitur ka thënë se njeriu nuk mund t'i vë moratorium vetes!

Për më keq, shpallja e moratoriumit nga Thaçi tregon, se ai nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe le të kuptohet, se mund të pranoj(ë) edhe ndonjë status tjetër për te. Thaçi deklarohet se e shtyn për më vonë përcaktimin e statusit të Kosovës, duke shpallë kështu se nuk e ka përcaktuar ende atë, se nuk njeh pavarësinë e Kosovës si status të saj tanimë të përcaktuar, por e konsideron atë çështje të hapur dhe që do të diskutohet më vonë.

Me idenë e moratoriumit, Thaçi bashkohet me Haradinajn në idenë, se nuk e njohin as vetë pavarësinë e Kosovës, si status i pranuar nga shqiptarët, që ata mendohet se përfaqësojnë dhe aq më pak, të ngulin këmbë para faktorit ndërkombëtar, që të njoh(ë) pavarësinë e Kosovës. Në qoftë se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, sepse nuk e ka shpallë ai dhe partia e tij, atëherë bashkohet me Haradinajn edhe në shndërrimin e idesë së pavarësisë, në ide e ndjenjë qesharake të shqiptarëve faqe botës. Pavarësia nuk lidhet dhe nuk duhet lidhë me një person a parti të veçantë. Përndryshe, të huajtë vazhdimisht mund të gjejnë një parti që nuk e njeh pavarësinë, madje mbasi të jetë shpallë nga Thaçi dhe partia e tij, mund të krijojnë një parti të re që të mos e pranoj(ë)pavarësinë, sepse është shpallë nga Thaçi para se partia e re të jetë kriujar, se unë mund të krijojë sot një parti politike dhe të them se nuk e njoh pavarëisnë e Shqipërisë të shpallur më 1912, sepse partia i me nuk ka pas ekzistuar dhe nuk e ka dhënë përlqimin etj., etj. Në qoftë se ky është motivi pse Thaçi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pse e sheh statusin e Kosovës të papërcaktuar edhe për vetë atë dhe shqiptarët që përfaqëson, atëherë ai bashkohet më Haradinajn edhe në gatishmërinë për ta përdorë çështjen e shenjtë të pavarësisë, për interesa private ose partiake, për përdorimin e interesave të kombit në interes të vetes e të partisë.

Të gjitha këto ide kanë qenë veçse të dëmshme edhe budallëk në kënvështrim intelektual. Për fat të mirë, asnjë prej tyre nuk ka gjetë mbështetje në popullsi, madje pavarësisht nga përkatësia partiake, duke dëshmuar se popullsia qëndron, në shumë drejtime, më lartë se udhëheqësit e vet politik(ë) dhe se në çështje të mëdha është e gatshme të ngrihet edhe kundër udhëheqësve të vetë partiak(ë): idetë e Rugovës janë qortuar edhe nga mbështetës të tij, e po kështu edhe të Thaçit e Haradanijat janë qortuar edhe nga mbështetësit e tyre.

Si përfundim, mund të thuhet se ky ka qenë një sezon i shterpësisë ideore të politikanëve të Kosovës. Në masën më të madhe kjo shterpësi vjen nga ndrojtja e tyre për t'u përcaktuar për të vetmin opcion racional dhe të mbrojtshëm intelektualisht: bashkimin kombëtar të shqiptarëve në një shtet kombëtar (etnik). Idetë e tjera është e lehtë të argumentohen si budallëk, sepse në të vërtetë ashtu janë.

Politika e bashkimit mund të shihet në të dy shfaqjet e saj: veprimtarinë e heshtur dhe të shpallur. Më së miri do të ishte të ndiqet politika e shpallur e bashkimit kombëtar. Por në qoftë se kanë frikë se me këtë humbin mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, do të duhej të dëshmonin para shqiptarëve se për këtë ndjekin "bashkimin e heshtur" ("silent integration") d.m.th. ndjekjen e politikave të atilla, që realisht bëjnë bashkimin, derisa ky të bëhet edhe fakt juridik ndërkombëtar. Edhe pa e shpallë, madje edhe mbrenda Kornizës, mund të realizohen një numër i madh politikash që bëjnë bashkimin faktik shqiptar. Dhe për këtë jo vetëm nuk kanë pengesa nga ndërkombëtarët, por janë krejt në përputhje me deklarimet dhe prirjet mbizotëruese të zhvillimeve ndërkombëtare. Por për këtë duhet pak vullnet, pak trimëri dhe pak, fare pak dituri.

Por, të pazotët për ta bërë cilëndo prej tyre, bashkimin e shpallur apo bashkimin e heshtur, ose të dyja krahas, politikanët e Kosovës gjatë këtij sezoni dolën me ide që rrënohen lehtë, duke i vënë në pozitën e vështirë të njerëzve që nuk dinë çka flasin e çka bëjnë. Meqenëse, siç u tha, asnjë prej këtyre ideve nuk ka gjetë mbështetje dhe janë qortuar nga shumë anë, këtu dëshiroj vetëm të uroj, bashkë me lexuesit, që ky katërmujor i këtij viti të ketë qenë një sezon budallëku dhe që ky sezon dashtë zoti e ka mbaruar dhe nuk vazhdon gjithë vitin. (Megjithëse ka rrezik se çka mbillet në pranverë, korret në vjeshtë).

Por dëm kanë bërë, qoftë edhe se kanë humbë energji debatesh e analizash. Kështu p.sh. edhe unë në vend se të isha duke u marrë me ndonjë projekt efektiv për realizimin e bashkimit të shpallur a të heshtur kombëtar, duhet të humbë kohë duke u marrë me budallëqet e udhëheqësve kryesor(ë) të Kosovës. Dhe kështu angazhohen edhe shumë energji shqiptare. Dashtë zoti e po kalon sezoni i budallëkut!

Çka jep shpresë është konstatimi se tani shqiptarët kanë filluar të marrin argumentin e drejtë ngado që vjen, e jo vetëm nga udhëheqësit e vetë partiak(ë), se megjithëse mund t'i mbështesin partitë dhe udhëheqësit e vet partiak(ë) në përgjithësi, për qëndrime të veçanta që argumentohen si të gabuara nga zëra të tjerë, të rinjë, edhe antarët e partive nuk mbështesin patjetër udhëheqësit e vet partiak(ë), por mbështesin argumentin më të fortë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË