NUMĖR 76
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 06 NËNTOR 2003

Zgjedhjet në Shqipëri, kaloi apo ngeli politika?

Shkruan: Iliriana BAJO

Shqipëria ka votuar më 12 tetor. Votimet janë provë për demokracinë në Shqipëri, është dëgjuar shpesh gjatë javëve para zgjedhjeve, nga politikanët vendorë dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Në fakt Shqipëria është e vonuar në provën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, provë që duhej të ishte kaluar vite më parë, derisa zgjedhjet e para në një sistem shumëpartiak në vend janë zhvilluar në pranverën e 1991. Dëshmi për kete vonesë janë dhe vëzhguesit e ODHIR-it, që dhe këtë rradhë do mbulojnë zgjedhjet në Shqipëri. ODHIR-i si pjesë e OSBE-së vëzhgon zgjedhjet në vendet më problematike.

Megjithatë, duhet të mbetemi të shpresojmë, duke pasur parasysh shprehjen “më mirë vonë se kurrë”. Por a ishte prova e 12 tetorit një provë që e kaluan politikanët?

Pa dashur t’i marrim meritat që i takojnë politikanëve, një vështrim i shpejtë i procesit zgjedhor flet për një provë që e kanë kaluar votuesit.

Të lodhur nga tranzicioni i tejzgjatur, nga fytyrat e njëjta të politikanëve, nga e njëjta mëri mes partive politike, zgjedhësit shqiptarë vendosën t’i qëndronin larg partive politike.

Largësia është përcaktuar dhe nga shkalla e ulët e besueshmërisë që kanë politikanët në Shqipëri.

Mbi 2 milionë e 700 mijë qytetarë shqiptarë kishin të drejtën e votës, derisa më shumë se gjysma nuk e kanë përdorur këtë të drejtë, apo thënë më mirë kanë refuzuar për ta përdorur votën. Për këtë 50 për qindësh që nuk ka marrë pjesë në votime duket se asnjë nga forcat politike apo kandidatët nuk e meritojnë votën e tyre.

Në mesin e këtij grupi që nuk morrën pjesë në votime, ndonëse nuk ka statistika të sakta, duket se shumica i takon grupmoshave të reja të votuesve.

Në fakt kjo është shenjë jo e mbarë për partitë politike në vend, nëse realisht mendojnë për vazhdimësinë e tyre.

Por cfarë bënë politikanët në këto zgjedhje?

Drejtuesit politikë nga selitë qëndrore të partive kryesore në vend në fakt përdorën thuajse një fjalor të ngjashëm me atë të zgjedhjeve të kaluara, derisa ka pasur dallim në mënyrën e komunikimit mes kandidatëve në nivel bashkish e komunash.

Kandidatët nëpër rrethe kanë dëshmuar një nivel më të lartë qytetarie, duke ruajtur atë minimum aq të kërkuar deri tani nga zgjedhësit shqiptarë.

Megjithatë problemet mes partive politike shqiptare duken më pak të rrezikshme dhe më pak të rënda, nëse vështrojmë gjendjen ne zonat e jugut të Shqipërisë.

Shumë emigrantë nga Greqia, nën organizmin e strukturave ekstremiste të politikës greke, të njohura dhe si qarqe anti-shqiptare, kanë ardhur në mënyrë të organizuar për të votuar. Dhe votat e tyre janë për kandidatët, të cilët kanë mbështetjen e këtyre strukturave anti-shqiptare.

Në fakt për cudi të të gjithëve, edhe pse jemi të mësuar me këtë apati, edhe në këto zgjedhje nuk pati reagime nga partitë politike shqiptare. Për më tepër kur mësohet se edhe politikanë grekë, duke shkelur cdo ligj ndërkombëtar, kanë ardhur dhe kanë bërë fushata zgjedhore për kandidatë të caktuar.

Në shkëmbim ata premtojnë viza dhe dokumenta pune në Greqi. Dhe ashtu si herët e tjera mbetet, që vetëm disa javë apo muaj pas zgjedhjeve qeveria greke, apo të ashtëquajturat grupe që merren me të drejtat e pakicës greke në Shqipëri, t’i dorëzojnë peticione oragnizmave ndërkombëtare, rreth “shkeljeve të të drejtave” që iu është bërë pakicës greke në zgjedhjet e fundit.

E vetmja gjë që mbetet të bëjmë, duke qenë se deri më tash politika dhe mediat nuk e kanë kaluar këtë provim, është të shpresojmë se qytetarët sërish do të reagojnë përpara politikës. Le të besojmë se reagimi i tyre do të ndodhë përpara se të jetë vonë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË