NUMĖR 76
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 06 NËNTOR 2003

Zgjedhje talibane në Shqipëri

Shkruan: Ardiana SHALA

Ato e ata që dyshonin më herët se mos ka përparuar gjë pozita e femrës në Shqipëri, pas zgjedhjeve vendore mund të binden katërçipërisht. Shteti shqiptar mbetet bedem i patriarkatit absolutisht më primitiv që ekziston në tërë kontinentin e Evropës – e besa shembull tmerrues edhe për Afrikën dhe Azinë.

Në zgjedhjet e 4-ta me radhë të ”demokracisë shqiptare” femra shqiptare bëri edhe një hap theqafësh prapa, duke rënë në fund të pusit. Nga 1948 persona që do të zgjedheshin në komplet tërë administratën vendore të Shqipërisë, vetëm 70 veta – sall 3.5 përqind – ishin femra. Në 308 komunat e Shqipërisë u kandiduan veç 3 femra për postin kryetar, kurse në 65 bashki 0 (zero) femra.

Natyrisht, edhe pjesëmarrja e femrave në këtë farsë zgjedhore ishte konform pritjeve që ekzistonin. Ndërsa pjesëmarrja e përgjithshme e votuesve të regjistruar shënoi rekord të ulët me gjithsejt 52 përqind, pjesëmarrja e femrave ra në 23 përqind – më ulët, ndoshta, se në kohën e Zogut, më ulët se kudo në Evropë e në të dy Amerikat, e se në gjysmën e shteteve të Azisë dhe të Afrikës.

Ndryshe s’kishte se si, kur të kesh parasysh ndryshkun e trashë të patrarkatit shqiptar. Ndërsa partitë politike garojnë në ”modernizim” gjer atje sa të nxjerrin në pazar gjithçka që është shqiptare, përfshirë këtu edhe vendin e vet (si dëshmoi qartë rasti i Himarës), ato këmbëngulin bashkë si tufë derrash që ta ruajnë të paprekur raportin diskriminues të burrit me gruan, frutin më të krymbur të tërë kulturës shqiptare.

Mjafton t’ia hedhësh një sy partive shqiptare për të kuptuar sa është ora. Asnjë nga liderët e partive nuk është femër. Asnjë nga partitë nuk ka përfaqësim të barabartë gjinor – disa s’kanë femra fare! – në organet e veta drejtuese, që prej selive qendore e gjer te nëndegët e fshatrave. Dhe asnjë nga partitë këtë nuk e përjeton si problem.

S’do mend që çfarëdo teatri politik mes këtij soji të aktorëve do të zhvillohet konform natyrës së tyre primitive. Vet organi që do ta shpallte ligjësinë a paligjësinë e zgjedhjeve s’ishte fare më i mirë. Në Komisionin Qendror Zgjedhor KQZ, numri i femrave kësaj radhe arrinte në 40 përqind – në sekretariat. Brenda në KQZ, si anëtare, ishte vetëm 1 (një) femër.

E kështu me radhë, diskrepanca mes dy gjysmave të pabarabarta të popullit shqiptar vazhdon nëpër të gjitha sërët e mbikëqyrësve, prej KQZ-së e gjer te komisionet e vogla vendore. Dhe as këta, njësoj si partitë, s’e ndjejnë fare që kjo është problematike.

Natyrisht që kjo relatë e sëmurë mes sekseve nuk vje nga ndonjë mosinteresim i femrës për ta pasur në dorë fatin e vet, përkundrazi. Raporti final i vëzhguesve të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE) rrëfen për trysni negative ndaj femrave para dhe gjatë procesit zgjedhor.

Femrat janë shantazhuar prej burrash brenda partive që të mos kandidohen fare, ose që të tërhiqen pas kandidimit të parë. Si pasojë, arratia e femrave prej posteve të kandidueshme ka shpier drejt arratisë së femrave prej zgjedhjeve në përgjithësi.

Ndryshe s’kishte se si. Në mexhliset e mulla Mojsiut, mulla Berishës, mulla Nanos, e të mullave tjerë të politikës shqiptare, femra mund të hyjë vetëm si bashkëshorte (shqiptare a serbe, e parë a e dytë – këto s’kanë rëndësi) apo si sekretareshë. Por vendet kyçe të mendermethanë ”demokracisë shqiptare” janë të rezervuara vetëm për burrat.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË