NUMĖR 73
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 08 MAJ 2003

Amerika shkund pemën, tjerët duan frutat

Shkruan Iliriana BAJO

Kush do ta ndërtojë Irakun? - është pyetja që është vënë në qendër të debatit ndëratlantik, pas përfundimit të luftës në Gjirin Persik.

Vendet e ashtëquajtura të grupit të paqes, të cilat kundërshtuan luftën, të drejtuara nga Franca, Gjermania dhe Rusia, po këmbëngulin për një rol qëndror të Kombeve të Bashkuara.

Sipas tyre OKB-ja duhet të jetë organizmi drejtues në procesin e ngritjes së institucioneve në Irakun e pas Sadamit dhe mbi të gjitha OKB-ja duhet të udhëheqë rindërtimin e Irakut, i cili ndryshe përkthehet në miliarda dollarë kontrata në muaj.

Në një rast të tillë edhe burimet naftëmbajtëse të Irakut do të kontrollohen nga Kombet e Bashkuara.

Përballë vendeve të ashtëquajtura të grupit të paqes qëndrojnë Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni në asnjë mënyrë nuk ka pranuar të bëjë kompromise me faktin se do të jenë vendet e koalicionit të vullnetit, të cilat morrën pjesë në luftë, ato që do drejtojnë rindërtimin e Irakut.

Pavarësisht zhurmës së bërë, veçanërisht nga Moska dhe disa kryeqytete arabe, Uashingtoni vetëm sa ka filluar procesin e rindërtimit.

Kështu një kompani amerikane ka marrë ndërtimin e portit të Umr Kasrit, në jug të Irakut, ndërkohë që një tjetër kompani amerikane ka marrë përsipër shuarjen e zjarreve në puset irakene të naftës. Këto janë projektet më të mëdha për momentin.

Gjatë javës së fundit Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, e njohur me shkurtesën USAID, ka shpërndarë ftesat në kryeqytetet që mbështetën luftën. Ftesat i drejtohen komuniteteteve të biznesit në këto vende, në mënyrë që të sjellin ofertat e tyre për rindërtimin e Irakut. Madje një ftesë e tillë i ka ardhur edhe Shqipërisë, megjithë kufizimet e biznesit vendas.

Përveç faktit se ndihen të nderuar, biznesmenët shqiptarë, kanë filluar të planifikojnë udhëtimet e tyre drejt Turqisë e madje dhe drejt Irakut.

Për të ilustruar faktin se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të planifikojnë ndërtimin e Irakut, pa u shqetësuar për Kombet e Bashkuara dhe zhurmën e "vendeve të grupit të paqes" flet dhe incidenti mes presidentit të Republikës së Cekisë dhe ambasadorit amerikan në Pragë, për të cilin informojnë mediat çeke.

Ish presidenti çek, Vasllav Havel, e rreshtoi Republikën Ceke në mesin e vendeve të koalicionit, përmes një letre që u botua në Wall Street Journal, e cila u nënshkrua nga tetë kryetarë shtetesh apo qeverish, përpara se të fillonte lufta në Irak. Haveli e bëri këtë hap në ditët e fundit të presidencës së tij.

Pasardhësi i tij Vasllav Klaus, duke ndjekur një tjetër kurs, ka kërkuar nga ambasadori amerikan në Pragë që Uashingtoni të mos përfshinte Republikën Ceke në mesin e vendeve që mbështesnin luftën.

Dhe ndërsa lufta në Irak përfundoi, Republikës Ceke, nuk i erdhi asnjë ftesë për të marrë pjesë në rindërtimin e Irakut. Kështu kompanitë çeke u përjashtuan automatikisht nga ky proçes, ndonëse ato kanë pasur marrdhënie tregtare me Bagdatin për vite, madje dhe gjatë 10 viteve të fundit brenda kufijve të lejuar nga Kombet e Bashkuara.

Pra brenda administratës amerikane nuk ka asnjë dyshim se do të jenë vendet e koalicionit të drejtuara prej tyre, që do ndërtojnë Irakun.

Zbutja e dallimeve mes vendeve të koalicionit dhe kundërshtarëve të luftës

Çështjen e rindërtimit të Irakut administrata amerikane e ka vënë përballë vendeve që kundërshtuan luftë si një mundësi që ato të deklarojnë pendesën e tyre për qëndrimin e mbajtur.

Rusia dhe Franca kanë pasur interesa të drejtpërdrejta ekonomike në Irak, pasi kompanitë e tyre kanë qenë të përfshira në industrinë e naftës atje.

Rusia duket se është vendi ndaj të cilit Bagdati ka më shumë borxhe. Nënsekretari amerikan i mbrojtjes Paul Wolfovitz ka ftuar këto vende, që nëse duan të marrin pjesë në rindërtimin e Irakut duhet t'i falen borxhet Bagdatit.

Moska duke ditur se borxhet ndaj saj shkojnë në miliarda dollarë, po tregon shenja hezitimi.
Ndërkaq Franca po tregon shenja se do përmirësimin e mardhënieve me Uashingtonin dhe një mundësi sado të vogël për biznesin francez që të përfshihet në Irakun e pas luftës.

Telefonata e ditëve më parë e presidentit Chirac për homologun e tij Bush është dëshmi e kësaj. Chirac, pasi shprehu kënaqësinë e tij për rrëzimin e regjimit të Sadam Huseinit, i ka deklaruar Bushit se Franca do të ketë "një qasje pragmatike" në zhvillimet e pas luftës dhe rindërtimin e Irakut. Ndonëse askush nuk mundi të shpjegojë konkretisht cfarë do të thotë "qasje pragmatike", kjo dëshmon përpjekjen e Parisit për pajtimin me Uashingtonin.

Nga ana tjetër nën ndikimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit britanik, Tony Blair, administrata amerikane ka deklaruar se në Irakun e pas luftës OKB-ja ka një "rol jetik" për të luajtur.

Megjithatë është bërë e qartë se "rol jetik" do të thotë drejtimi i projekteve të kthimit të refugjatëve dhe personave të zhvendosur, shpërndarja e ndihmave humanitare dhe si maksimum, një rol këshillues për administratën e ardhshme irakene.

Kush do kontrollojë naftën e Irakut?

Presidenti amerikan George Bush ka kërkuar nga Kombet e Bashkuara heqjen e sanksioneve ndaj Irakut.

Vendet e "grupit të paqes", veçanërisht Rusia dhe Franca, të cilat janë me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, duket se kanë gjetur një tjetër pikë për të kundërshtuar Shtetet e Bashkuara në përpjekje për të gjetur një kthinë nga ku mund të fusin këmbët në rindërtimin e Irakut.

Moska pas kërkesës së Uashingtonit, ka deklaruar se heqja e sanksioneve do bëhet vetëm pasi të vërtetohet se Iraku nuk ka armë të shkatërrimit në masë. Moska ka kujtuar se kjo ka qenë arsyeja e vendosjes së sanksioneve ndaj Irakut.
Mosheqja e sanksioneve do të thotë se Iraku është i kufizuar në eksportin e naftës dhe se të ardhurat e eksportit të lejuar do përdoren ekskluzivisht për projekte humanitare. Në të vërtetë heqja e sanksioneve lidhet drejtpërdrejtë me pyetjen se kush do kontrollojë burimet e naftës në Irak.

Dhe derisa në kulisat e pallatit të qelqit në Nju Jork vazhdojnë debatet mbi kontrollin e naftës, Moska duket se po përpiqet të bëjë përpjekjet e fundit për të mos dalë plotësisht jashtë loje në Irak.

Megjithatë nëse vendet e ashtëquajtura të grupit të paqes do përpiqen të sjellin sërish probleme për nismat amerikane atëherë duke u nisur nga vendosmëria e administratës në Uashington, kjo do sjellë vetëm thellimin e përçarjes ndëratlantike dhe një përjashtim të plotë të Kombeve të Bashkuara nga Iraku i pas luftës.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:53
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË