NUMĖR 73
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 08 MAJ 2003

Britania e Madhe, shtylla e fortë e rendit të ri

Shkruan Iliriana BAJO

Ndërsa fundi i luftës në Irak erdhi shumë më shpejt se trembeshin një pjesë apo shpresonin disa të tjerë, kjo megjithatë nuk ka zgjidhur kundërshtitë që u thelluan mes dy anëve të Atlantikut dhe brenda vetë NATO-s.

Rindërtimi i Irakut, roli i OKB-së në këtë proces, sedra e lënduar e të dyja palëve - fituesve të luftës dhe humbësve të saj, në këtë rast humbësit janë kundërshtarët e frontit të parë të ndërhyrjes ushtarake, vazhdojnë t'i ndajnë vendet që për gjysmë shekulli i kanë takuar të njëjtit kamp.

Ndërsa duket më e lehtë të përjashtosh Francën e Gjermaninë nga rindërtimi i Irakut, del se do të jetë më e vështirë mospërfshirja e Bashkimit Evropian në rast të diskutimit të statusit përfundimtar të Kosovës, apo në përpjekjet për krijimin e një shoqërie ë në Maqedoni, që i përket të gjitha grupeve etnike njësoj.

Përkatësia gjeografike e Kosovës dhe Maqedonisë në Evropën Juglindore, forca paqeruajtëse në Maqedoni që tashmë drejtohet nga Brukseli zyrtar, përfshirja e Evropës në planin ushtarak, politik e ekonomik në Evropë, e shndërron Bashkimin Evropian një lojtar të padiskutueshëm në vendosjen e të ardhmes së Kosovës.

Nga ky këndvështrim tepër pragmatik del se Kosova vendoset në një pozitë të pafavorshme nga ndarjet ndëratlantike.

James Rubin, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, kur diplomacia amerikane drejtohej nga zonja Albright, theksonte në një intervistë të para disa kohëve se "është e vështirë të besohet që palët që po paraqiten kaq të ndara për momentin të vijnë me një qëndrim të përbashkët kur bëhet fjalë për statusin e Kosovës".

Në fakt është e qartë tashmë se Shtetet e Bashkuara janë faktori ndërkombëtar më i gatshëm krahasuar me të tjerët, përfshirë dhe Bashkimin Evropian, t'i japë Kosovës maksimumin e kërkuar prej kosovarëve.

Natyrisht pasi këta të fundit të kenë bërë pjesën më të madhe të punës, që lidhet me ndërtimin e një shoqërie që funksion.

Londra - apo faktori ndryshe

Wesley Clark, gjenerali amerikan që drejtoi luftën e Kosovës, në librin e tij, në mesin e dëshmive të shumta sjell dhe takimet e tij me kryeministrin britanik Tony Blair. Ndërmjet të tjerash gjenerali Clark flet dhe për gatishmërinë e Britanisë për të kontribuuar me trupa tokësore në luftën e Kosovës, nëse fushata ajrore rezultonte e pamjaftueshme.

Një dëshmi që tregon qartë pozicionin e kryeministrit Blair dhe mendësisë politike që ai përfaqëson.

Lufta më e fundit në Irak, në fakt qe një luftë e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. Vendet e tjera të koalicionit të vullnetit, si Bullgaria, Hungaria apo Shqipëria, marrin rëndësi vetëm në planin e simbolikës politike.

Britania u pozicionua qartas si mbështetësi kryesor i Uashingtonit edhe kur administrata e atjeshme nuk përputhet plotësisht më konceptin politik të kryeministrit britanik.

Por Blair dhe diplomacia britanike u përpoqën deri në fund të luanin rolin e ndërmjetësit mes dy anëve të ndara të Atlantikut. Në këtë kuadër ishte dhe propozimi britaniko -francez, disa javë më parë, në kulmin e ndarjeve, i cili parashihte marrjen e drejtimit të misionit paqeruajtës në Bosnjë - Hercegovinë në vitin 2004. Madje Straw dhe De Villepin, krerët e diplomacisë britanike e franceze para mediave e paraqitën këtë projekt si dëshmi se bashkëpunimi vazhdon.

Në Evropë, pavarësisht të gjithave, ekziston bindja se administrata Bush shkoi disa herë para Kombeve të Bashkuara, për të fituar bashkëpunimin e tyre në cështjen e Irakut, dhe kjo në njeë shkallë të madhe falë Tony Blair.

Madje në një anketë të zhvilluar ditë më parë në Shtetet e Bashkuara, udhëheqësi me popullaritet më të madh rezultoi Tony Blair me afro 70 për qind. Dhe me gati 20 për qind më pak, pas Blair-it, amerikanët vendosnin presidentin e tyre, Bush.

Në fakt Blair, më shumë se vetë pacifistët, ka dalë si personalitet moral në politikën ndërkombëtare.

Këto zhvillime i kanë dhënë Londrës një tjetër peshë në përllogaritjet dhe garën ndërkombëtare. Peshë politike dhe morale, që pak e kanë për momentin në planin ndërkombëtar.

Duke shtuar këtu dhe përfshirjen e Britanisë dhe vetë Blair-it në konfliktin e Kosovës del se tek Britania mund të gjendet një nga zgjidhjet për statusin e ardhshëm të Kosovës.

Të dyja anët e ndara të Atlantikut, të cilat nuk kanë ngurruar këto kohë të kujtojnë në rrethana e për qëllime të ndryshme se në Kosovë shkuan dhe punuan bashkë, duket se mund t'i lidhë Londra, kur të flitet për Kosovën.

Diplomacia e munguar kosovare, në fakt duhet të fillojë ta projektojë Londrën si urën që do zbusë ndarjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, kur statusi i Kosovës të nisë të ulet mbi tryezat e diplomacisë ndërkombëtare.

Fakti që Blair është ende në zyrë, e duke shpresuar se do të mund të vazhdojë atje dhe pas këtij fundit të suksesshëm të luftës në Irak, duhet t'i fokusojë përpjekjet për shndërrimin e Britanisë në një mbështetëse të pavarësisë së Kosovës, apo në mbështetëse të një Maqedonie ku të gjithë do jenë qytetarë të barabartë.

Natyrisht hap i parë është ndikimi mbi qarqet akademike britanike, dhe paralelisht me të intensifikimi i kontakteve me diplomacinë britanike.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:52
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË