NUMĖR 73
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 08 MAJ 2003

Suedezi që do ta trashëgojë Shtajnerin

Shkruan Shqiptar OSEKU

Ndërkohë që shefi i UNMIK-ut Mikel Shtajner është zënë gje në fyt me idenë e vet për transfer të pushteteve, bashkësia ndërkombëtare ka zënë të mendojë se ç’do të ndodh pas tij. Revista PASQYRA është në gjendje të konfirmojë qysh sot që Suedia tashmë e ka kandiduar zyrtarisht ambasadorin e vet pranë OKB-së, z. Pier Shori si kandidat të parë për trashëgimtar të Shtajnerit.

Kandidatura e z. Shori, 65 vjeç, na është konfirmuar zyrtarisht nga ai dora vet. Ajo është konfirmuar botërisht edhe nga zyrtarë të lartë të Departamentt të Jashtëm në Stokholm.

Hapi i ardhshëm është që Bashkimi Evropian të rreshtohet pas kandidaturës suedeze. Sipas burimeve të konfirmuara të revistës PASQYRA pranë Departamentit të Jashtëm në Stokholm dhe pranë dërgatës suedeze në Bruksel, përfaqësuesit suedezë në BE e kanë startar tanimë këtë procedurë.

Kandidati i vetëm

Përfaqësuesi i Veçantë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, si quhet titulli në të vërtetë, njëmend emërohet prej Kofi Ananit, por një rekomandim i qartë nga ana e BE-së peshon rëndë. Sipas burimeve tona, për postin e Shtajnerit s’ka kandiduar ndonjë evropian tjetër.

Posti i shefit të UNMIK-ut do të shpallet zyrtarisht vakant kur t’i ketë mbaruar afati Mikel Shtajnerit. Ai u zgjodh në këtë detyrë me afat njëvjeçar më 2001, por afati iu zgjat para disa muajsh. Mirëpo burime të mirinformuara i kanë thënë revistës PASQYRA se ka mundësi që Shtajneri ta lë postin e vet në fillim a në mes të kësaj vere.

”-Kjo detyrë është sigurisht tejet e vështirë, por jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë shkurt z. Shori. Përndryshe, ai s’ka pranuar të japë intervista më të gjata për media pa u u pranuar kandidatura e tij edhe zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, z. Kofi Anan.

Jean Pierre Olov Schori, siç është emri i plotë i diplomatit suedez, lindi më 1938 në qytezën suedeze të Norrshëpingut, nga e ama suedeze e i jati zviceran. Ai diplomoi më 1992 pranë Universitetit të Lundit si Master of Arts në gjuhësi e në politologji.

Karrierë politike

Z. Shori përshkruhet nga të gjithë që e njohin si tip diplomati. Gojtar i mbaruar, z. Schori është folës i përsosur i suedishtes, anglishtes, frëngjishtes, spanjishtes e gjermanishtes. Kur më binte ta takoja më shpesh, gjatë viteve 1980 e 1990, z. Shori të linte mbresën e njeriut të kultivuar e sharmant, ndonëse me vështrimin paksa njëkahësh të një majtisti evropian.

Përkundër dhuntive të veta, z. Shori s’ka shërbyer së tepërmi nëpër poste ministrore, e asnjëherë si ministër i jashtëm. Karriera e tij është më tepër partiake. Ajo ka vajtur përmes Partisë Socialdemokratike Punëtore Suedeze, e cila, me pak përjashtime, e ka mbajtur pushtetin në Suedi qysh prej vitit 1917.

Z. Shori nisi si Sekretar Ndërkombëtar i socialdemokratëve suedezë, qysh më 1965. Mes viteve 1973 e 1976, ai ishte këshilltar në politikë të jashtme pranë kabinetit të kryeministrit Olof Palme.

Gjatë viteve 1980 e 1990, z. Shori shërbeu si sekretar shteti, por edhe si ministër për zhvillim e bashkëpunim ndërkombëtar, me espertizë ish BRSS-në e Evropën Lindore. Në fundin e viteve 1990 ai ishte edhe ministër për migracion e azil. Më 1999-2000, z. Shori ishte anëtar i Parlamentit Evropian, ku u zgjedh zëdhënës i grupit parlamentar socialist.

Posti i ambasadorit të Suedisë pranë OKB-së z. Shori iu afrua si ngushëllim më 2000, kur një skandal në media u vuri kryqin planeve që atij t’i jepej më në fund posti i ministrit të jashtëm. Gazetat suedeze zbuluan asokohe se z. Shori kish bërë ”udhëtime zyrtare” për dhjetëramijëra dollarë bashkë me bashkëshorten, fakturimi i të cilave ishte plot ”paqartësi”.

Posti i shefit të misionit të OKB-së në Kosovë për z. Shori vjen në fund të karrierës aktive, në moshën 65 vjeç kur tjerët në Suedi dalin në pension. Por ata që e njohin atë mund të dëshmojnë se z. Shori, që e mban brezin e zi në xhudo, ka kondicion të shkëlqyer.

Gjë që do t’i duhet përnjëmend, më thotë mendja, nëse e fiton postin që e ka kërkuar. Edhe sikur gjithçka tjetër të ishte OK, mjafton ta kujtosh ankorimin e fuqishëm eurosocialist të tij, për të kuptuar se në mjedisin konzervator të Kosovës, ku fjala ”majtist” gati është bërë sharje e ndyrë, zt. Shori xhudoja do t’i hyjë në punë bukur shpesh.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:49
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË