NUMĖR 75
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 12 SHTATOR 2003

Ballafaqimi me Shqipërinë e Madhe

Shkruan: Hysamedin FERAJ

© Rimëkëmbja Kombëtare

Ky shkrim zë fill në përpjekjet e mëparshme pët t'u mbushur mendjen politikanëve dhe inteletualëve shqiptarë të mos i shmangen idesë së Shqipërisë së Madhe në ballafaqim me botën, por t'a mbrojnë atë në kuptimin e bashkimit në një shtet të territoreve me shumicë popullsinë shqiptare dhe në qëndrimin e mbajtur dhe argumentimin e zhvilluar nga z. Abdi Baleta në Teheran ku ballafaqoi si duhet në debatin për Shqipërinë e Madhe (shih: A.Baleta, "Dy ditë Kosovare në Teheran botuar në "Bota Sot", dhe "Rimëkëmbja")

Deri tani shqiptarët përgjithësisht kanë refuzuar emërtimin Shqipëri e Madhe, kanë refuzuar të pranojnë se ka ndonjë kuptim, kanë refuzuar të pranojnë se është kërkesë politike e shqiptarëve, kanë refuzuar të kuptojnë se ai është një koncept që shpreh një qëndrim politik dhe kanë refuzuar të ballafaqohen me këtë qëndrim politik.

Këto qëndrime megjithëkëtë nuk kanë ndikuar që nga faktori ndërkombëtar të mos përdoret nocioni Shqipëri e Madhe dhe të mos kundërshtohen të gjitha kërkesat politike të shqiptarëve që nga pavarësia e Kosovës deri tek statusi shtetformues i shqiptarëve në Maqedoni dhe madje edhe hapja e Universitetit në Tetovë e njohja e pakicës shqiptare në Greqi me arsyetimin se përbëjnë hapa drejt Shqipërisë së Madhe. Cila palë ka të drejtë: Shqiptarët që ngulin këmbë se nuk duan Shqipëri të Madhe dhe se këta hapa nuk çojnë drejt saj, apo politikanët e huaj që ngulin këmbë se këta hapa çojnë drejt Shqipërisë së Madhe?

Përgjigjjia varet nga kuptimi që i jepet nocionit "Shqipëri e Madhe ".

Këtu nuk mund të shterrohen të gjitha kuptimet e mundëshme sepse varen nga konteksti, përdoruesi i nocionit etj., por disa prej kuptimeve më të mundëshme mund të parashikohen dhe shqyrtohen. Sidoqoftë, pavarësisht nga konteksti dhe përdoruesi qëndrimi i shqiptarëve mund të fillojë pikërisht duke i kërkuar përdoruesit të thotë kuptimin në të cilin e përdor dhe pastaj të provohet se ai përdorim ose është absurd, sepse nuk mund të përdoret në mënyrë koherente për analiza politike ose është thjesht nocion i shkurtër i një politike të përpunuar gjërësisht kundër shqiptarëve, kryesisht nga pozita të nacionalizmit serb grek. Në të dy rastet shqiptarët nuk dalin të fituar duke u betuar se nuk dëshirojnë "Shqipërinë e Madhe". Në të dy rastet shqiptarët dalin të fituar po të mos mohojnë "Shqipërinë e Madhe" por të mbrojnë politikën e bashkimit të territoreve që banohen në shumicë nga shqiptarët në një shtet të përbashkët.

Kuptimi më i zakonshëm i cilësorit "i (e) madh" për një shtet është shtrirja ose kërkesa për t'u shtrirë përtej territoreve që banohen në shumicë nga kombi i shtetit në fjalë. Prandaj kush shpreh pikëpamjen se shqiptarët kërkojnë të krijojnë "Shqipërinë e Madhe" i duhet kërkuar se ku e bazon këtë konstatim, në çfarë treguesish politikë?

Ai që shprehet se shqiptarët kërkojnë krijimin e Shqipërisë së Madhe në këtë kuptim duhet të sjellë si tregues ekzistencën e një programi që përpunon strategjinë e shtrirjes së shtetit shqiptar përtej territoreve të banuara në shumicë nga shqiptarët, ose të tregojë se kaq e aq parti politike kanë në programet e veta synimin për të shtrirë shtetin shqiptar përtej territoreve të banuara në shumicë nga shqiptarët, ose se një program i tillë është program qeveritar, i përfshirë në ndonjë akt juridik si kushtetuta etj., etj. Pa ofruar të dhëna që mbështeten në tregues (indikatorë) të tillë del se përdoruesi ngre hipoteza të pabazuara dhe kështu skualifikohet nga diskutimi serioz. Ndoshta më tej një pjesë e dëgjuesve të debatit nxjerrin përfundimin edhe se përdoruesi po përpiqet t'i manipulojë dhe t'i shtyjë për t'i vendosur në shërbim të një politike që mund të jetë e tyre.

Momenti i dytë i këtij përdorimi të nocionit "Shqipëri e Madhe" i ndihmon shqiptarët për t'iu kundërvënë ekzistencës së sotme të Serbisë, Maqedonisë, Greqisë etj. Në qoftë se cilësori "i madh" do të thotë shtet që shtrihet përtej kufijve të banuar në shumicë nga popullsia e atij shteti, atëherë përdorimi konsekuent i konceptit tregon se tanimë kemi Serbi të Madhe, Maqedoni të Madhe, Greqi të Madhe, Rusi të Madhe.

Të gjitha këto shtete ose njësi që pretendojnë se janë shtete shtrihen në territore në të cilat as rusët, as maqedonasit, as grekët, as serbët nuk përbëjnë shumicë. Edhe në qoftë se shqiptarët synojnë të shtrihen tej territoreve të banuara në shumicë nga shqiptarët tani për tani kjo është një mundësi, ndërsa shtrirja e tillë e Rusisë, Serbisë, Greqisë, Maqedonisë etj., është realitet, është aktualitet. Prandaj përdoruesi i termit "Shqipëri e Madhe" duhet të japë shpjegime pse është vetëm kundër krijimit të "Shqipërisë së Madhe” dhe jo kundër Serbisë së Madhe, Rusisë së Madhe, Greqisë së Madhe, Maqedonisë së Madhe et.? Duhet të jap shpjegim edhe pse e shqetëson më shumë diçka që eziston si mundësi (Shqipëria e Madhe) dhe jo diçka që ekziston si relalitet politk (Serbia e Madhe, Greqia e Madhe etj.)?

Edhe në këtë rast një pjesë e dëgjuesve të debatit shohin se përdoruesi i nocionit "Shqipëri e Madhe" është i njëanshëm, se nuk mund ta përdorë në mënyrë koherente nocionin e thënë vetë etj. Në fund edhe në qoftë se shqiptari që kërkon këto shpjegime dhe bën këto konstatime nuk fiton simpatinë e auditorit në drejtim të politikës, së paku tregon se nuk është budalla dhe se di të bëjë analizë konceptesh e në këtë rrafsh teorik-mendor fiton simpatinë e qenieve që mendojnë dhe ruajnë dinjitetin e vet.

Kuptimi tjetër më i mundshëm është përdorimi i cilësorit "i madh" për të treguar shtrirjen e një shteti në territoret e banuara me shumicë nga popullsia e tij, në rastin e "Shqipërisë së Madhe" shtrirjen e shtetit shqiptar në territoret që banohen më shumicë nga popullsi shqiptare. Në qoftë se përdoruesi i termit "Shqipëri e Madhe" e përdor termin në këtë kuptim, atëherë përdorimi që të jetë me kuptim, racional, i paanshëm etj, do të duhej të shtrihej mbi të gjitha rastet e njëjta. Atëherë shumica e shteteve të botës do të duhej të quheshin të mëdha, të thuhej : Kina e Madhe, Gjermania e Madhe, Franca e Madhe, Italia e Madhe etj, etj. Sepse të gjitha këto shtete shtrihen mbi të gjitha territoret që popullohen me shumicë përkatësisht nga kinezët, gjermanët, francezët, italianët etj. Përdoruesi i termit "Shqipëri e Madhe" në këtë kuptim duhet pyetur pse nuk flet kështu, pse nuk e përdor cilësorin "i Madh" edhe për të gjitha shtetet që shtrihen në territoret e banuara në shumicë nga popullsia e vet, pra pse nuk e përdor termin edhe për Francën, Gjermaninë, Italinë, Kinën etj, por vetëm për shqiptarët?!

Momenti tjetër i rëndësishëm i këtij përcaktimi që duhet vënë në dukje është se përdorimi i cilësorit "i madh" për të treguar shtrirjen e një shteti në territoret e banuara me shumicë nga popullsia e tij del se procesi i krijimit të "Shteteve të Mëdha" ndodh jo vetëm si proces i bashkimit por edhe si proces i ndarjeve. Kështu mbas ndarjes shtete të tilla si Çekia, Sllovakia, Ukraina, Kroacia, Letonia etj, shtrihen në territoret e banuara me shumicë nga popullsi çeke, sllovake, ukrainase, kroate, letone dhe për rrjedhojë duheshin quajtur Çekia e Madhe, Sllovakia e Madhe, Ukraina e Madhe, Kroacia e Madhe, Letonia e Madhe etj. Përdoruesi i konceptit "Shqipëri e Madhe" në këtë kuptim si shtrirje e shtetit në territoret e banuara me shumicë nga popullsia e tij duhet pyetur dhe i duhet kërkuar të japë shpjegim pse nuk e përdor këtë cilësim edhe për këto shtete por vetëm për Shqipërinë?

Kuptimi i tretë i mundshëm i cilësorit "i madh" është përdorimi për të treguar prirjen drejt ndryshimit të kufijve midis shteteve dhe pavarësisht nga popullsia shumicë bashkimin e pjesëve të territoreve që më parë i kanë takuar një shteti me një shtet tjetër. Në këtë kuptim cilësori "i madh" prapë nuk mbetet për t'u përdorur vetëm në rastin e shqiptarëve, të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por edhe në raste të tjera, madje në raste kur jo vetëm pjesë por i gjithë territori i një shteti tjetër është bashkuar me një shtet tjetër si Gjermania e Madhe, Jemeni i Madh, Kina e Madhe pas bashkimit të saj me Hong-Kongun, apo kur ajo kërkon bashkimin e Tajvanit, Koreja e Madhe, Vietnami i Madh. Në qoftë se thuhet se këto kanë qenë shtete më vete e sovrane dhe prandaj kanë vendosur me cilësinë e sovranit të bashkohen, ndërsa Kosova nuk ka vullnet sovran sepse nuk është shtet, atëherë del se problemi zgjidhet lehtë pasi është politik dhe jo juridik, as formal logjik: Mjafton që Kosovës t'i njihet pavarësia dhe sipas këtij kuptimi i njihet e drejta e bashkimit. Njohja e pavarësisë së një vendi është çështje vullneti politik dhe më pas çështje ligjore. Në qoftë se pavarësia nuk i njihet nga frika se ajo bashkohet me Shqipërinë kjo do të thotë se pengesë është mungesa e vullnetit politik për t'u lejuar shqiptarëve këtë bashkim dhe nuk është çështje termi si termi "i madh" etj, kur ky bashkim bëhet ndërmjet dy shteteve sovrane.

Në fund duket qartë se çështja e Kosovës dhe e territoreve të tjera shqiptare është zero sum game (lojë me shumë zero) ku vetëm njëra palë fiton. Kosova ose do t'i mbetet Serbisë dhe Jugosllavisë dhe atëherë kemi Serbi të Madhe ose i bashkohet Shqipërisë dhe atëherë kemi Shqipëri të Madhe. Këtu mbetet për të zgjedhur vetëm kush është me Serbinë e Madhe dhe kush është me Shqipërinë e Madhe. Ai që del kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është për Serbinë e Madhe dhe ai që pranon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë është për Shqipërinë e Madhe. Prandaj Shqiptarët duhet në çdo rast t'i kërkojnë atij (asaj) që i kundërvihet Shqipërisë së Madhe të japë shpjegime pse është për Serbinë e Madhe?

Si rezultat mund të thuhet se në cilindo prej kuptimeve që përdoret cilësori "i madh" për një shtet ai nuk është i vlefshëm si term në qoftë se përdoret vetëm për rastin e shqiptarëve dhe për asnjë rast tjetër të ngjashëm me të në thelb. Përdorimi i tillë i termit është logjikisht i papranueshëm sepse e bën diskutimin pa kuptim.

Në qoftë se termi " i madh" fillon e përdoret për të treguar diçka si ato që u thanë më lart atëherë do të krijohej një gjuhë politike e pazakonshme sipas së cilës shumica e shteteve ekzistuese do të duhej të cilësosheshin të mëdha: Kina e Madhe, Rusia e Madhe, Franca e Madhe, Greqia e Madhe, Italia e Madhe, Gjermania e Madhe etj. Në qoftë se termi përdoret vetëm për rastin shqiptar atëherë duhet treguar se çfarë ka të pazakonshme tek shqiptarët të cilëve për shkak të kësaj të veçante që nuk e paska asnjë komb tjetër u mohohet ajo çka u lejohet dhe u njihet si e drejtë legjitime të gjithë kombeve të tjerë.

Në qoftë se termi përkufizohet në mënyrë të përgjithëshme dhe zbatohet vetëm në rastin shqiptar atëherë del se nuk kemi të bëjmë me një term që përdoret për analiza dhe për të kthjelluar ndonjë politikë shqiptare, domethënë koherente, konsistente etj., por për të shprehur qëndrimin e veçantë politik të përdoruesit të këtij termi ndaj shqiptarëve për t'u mohuar atyre atë që u njeh të gjithë kombeve të tjerë. Ai që përmend Shqipërinë e Madhe për t'iu kundërvënë bashkimit të shqiptarëve e territoreve të tyre në një shtet thjesht mbron idenë e Serbisë së Madhe e të Greqisë së Madhe në Ballkan dhe nuk i kundërvihet idesë së shtetit të madh në përgjithësi, ashtu në vetvete. Në fund të fundit cilësori " i madh" nuk përdoret në vetvete gjithnjë dhe për çdo rast me ngjyrim negativ, sepse ekziston një Britani e Madhe dhe askujt deri tani nuk i ka shkuar në mend ta zhbëjë si shtet me argumentin se është i papranueshëm një shtet me cilësorin " i madh".

Nga të gjitha këto dhe shumë të tjera që mund të thuhen më tej del se shqiptarët nuk kanë përse të tremben kur u përmendet Shqipëria e Madhe dhe nuk duhet të mohojnë se kërkojnë pikërisht krijimin e Shqipërisë së Madhe që përfshin të gjitha territoret e e banuara në shumicë nga shqiptarët dhe që kanë vijimësi territoriale, sepse është ky qëndrim që i vë në pozitën e fitimtarit të debatit e të argumentit dhe jo trembja, fshehja, ikja nga kjo ide.

Në qoftë se cilësori " i madh" ka një kuptim, pra kuptimin e bashkimit të territoreve ta banuara në shumicë në një shtet të përbashkët, ose kuptimin e bashkimit të dy shteteve sovranë me të njëjtën popullsi atëherë të drejtë kanë politikanët dhe analistët e huaj që ngulin këmbë se pavarësia e Kosovës, statusi shteformues i shqiptarëve në Maqedoni etj., janë hapa drejt Shqipërisë së Madhe dhe nuk kanë të drejtë shqiptarët që i kërkojë këta hapa dhe mohojnë se synojnë të shkojnë drejt Shqipërisë së Madhe. Me këtë mohin nuk ia hedhin dot askujt, vetëm tregojnë paaftësi për të mbrojtur strategjinë dhe politikën e vet.

Shqiptarët fitojnë në qoftë se shpallin se synojnë bashkimin e territoreve me shumicë popullsie shqiptare në një shtet dhe në qoftë se kjo është Shqipëria e Madhe, atëherë synimi i tyre është krijimi i Shqipërisë së Madhe. Ndërsa kundërshtarët t'i pyesin pse janë kundër kësaj Shqipërie të Madhe dhe pro Serbisë së Madhe, Greqisë së Madhe, Britanisë së Madhe, Kinës së Madhe, Gjermanisë së Madhe, Francës së Madhe, Rusisë së Madhe etj.? Sot për sot askush nuk mund të jetë kundër shteteve të mëdha në këtë kuptim.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË