NUMĖR 75
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
EDITORIAL VITI V - 12 SHTATOR 2003

Koha (e vështirë) e idealistëve

Shkruan: Xhafer SHATRI

1.

Çështja shqiptare po hyn edhe në shekullin XXI si një problem i mprehtë që ka për të shkaktuar edhe më tej kriza serioze në gjithë rajonin. Mosfunksionimi i vazhdueshëm i Shqipërisë si shtet, statuskuoja në Kosovë (që po i shkon për shtati parazitëve ndërkombëtarë të instaluar aty, elitës politike të vendit që po dëshmon se di vetëm ta shkrryejë atë grimë pushtet që ka dhe shtetit të shkërmoqur serb që ka nevojë ta marrë vetën para se të merret seriozisht me Kosovën), pastaj përthellimi i krizës në Maqedoni, militarizimi serb i Luginës së Preshevës, hapja e vetëvetishme e çështjes çame do të jenë faktorë me efekt tektonik për Siujdhesën Ilirike.

Shtrohet pyetja kush do të jenë bartësit themelorë të lëvizjes që do ta thepojë gjendjen e që do ta shkundë shoqërinë shqiptare?

2

Që në krye duhet pranuar se përshtresëzimi është tepër i vështirë për shkak të asimetrisë në të cilën funksionon shoqëria shqiptare sot, për shkak se sistemi tradicional i vlerava te ne është dëmtuar rëndshëm dhe nuk shihen askund shënjat se po vendoset një sistem i ri vlerash.

Në këtë luhajë barra kryesore bie mbi individin i cili mund të jetë i të gjithë mjediseve tanë: urban, rural, pjesëtar i inteligjencies së re gjithsesi i pakorruptuar, student, punëtorë arsimi, pjesëtar i institucioneve ekzistuese, i papunë...

Ky fakt ka anën e vetë pozitive, sepse pakënaqësisë i jep dimension të përgjithshëm, por ka edhe anën negative, sepse armata e idealistëve do të humbë shumë kohë derisa ta formësojë elitën e vet. Në fakt ky është njëri prej problemeve kryesore me të cilin Lëvizja shqiptare përballet të paktën tash e dy shekuj: mungesa e përbashkimit të ideologëve dhe të organizatorëve. Problemi do të jetë edhe më i madh për shkak se idealistët janë të detyruar të veprojnë në rrethana të ndryshme dhe fronte krejt të veçanta.

3

Për këtë shkak para tyre shtrohet si çështje themelore:

- si mund të shpëtohet ai skelet shteti nga liderë mafioz që e manipulojnë jo vetëm votën, por e bëjnë rrotë opinionin, institucionet, krejt vendin? Si mund të ngadhnjehet mbi ta që janë aq shumë si në pushtet si në opozitë, që kanë pushtet real në dorë, që kanë para dhe struktura të efektshme mbrojtëse brenda dhe jashtë?

- si të veprohet në Kosovë përballë një administrate ndërkombëtare e cila po dëshmon se nuk ka asgjë të përbashkët me protektoratin, përballë parisë, institucioneve dhe bartësve të funksioneve kryesore që po tregohen karrikaturisht të papërgjegjshëm?

- si të lëvizet gjendja në Maqedoni, kur elita politike nuk është unike në faktin se a mund të mbijetojë ky vend dhe nëse mbijeton cili do të jetë këtu interesi i shqiptarëve dhe çmimi i sakrificave të tyre për këtë shtetjapî?

- si do të sillen shqiptarët në Luginën e Preshevës përballë përforcimit të jashtëzakonshëm të xhandarmërisë, ushtrisë, shërbimeve sekrete dhe administratës serbe atje?

- si do të shtrohet çështje çame sot duke pasur parasysh shtetin e fortë grek, në njërën anë dhe shtetin e shkërmoqur shqiptar, në anën tjetër?


4

Përballë këtij realiteti të skicuar në suazat e një artikulli, idealistët do të detyrohen të veprojnë ndaras jo vetëm si struktura, por edhe si koncepte e si forma:

Në Shqipëri ekziston rreziku evident që idealistë të ndryshëm, të lodhur nga arroganca dhe poshtrimet e përditshme të elitës me Shqipërinë dhe me shqiptarët, të organizohen në grupe të izoluara të atshëm edhe për veprime konkrete kundër padrinove që po ngulfatin vendin...

Eshtë vështirë të thuhet se cili do të jetë efekti i veprimeve të tilla, por në vend të kësaj do të ishte shumë më e efeketshme një lëvizje e inteligjencies së re që do të sfidonte legalisht elitën e ndryshkur, apo thënë më mirë mafinë që po ha pamëshirë ardhmërinë e Shqipërisë, dinjitetin dhe shpresat e shqiptarëve.

Në Kosovë shpatat do të përthehen te Mitrovica. Idealistët shqiptarë sot, edhe pse janë keqpërdor para luftës, gjatë luftës dhe pas saj, ata janë një kontingjent i madh që nuk do të lejojë kurrë copëtimin e Kosovës. Më sa shihet krerë të ndryshëm të ngarkuar me dosje për jo pak prapësi, tash janë kthyer në pula dhe janë shtruar edhe në bisedime sekrete me Beogradin, jo për të mirën e Kosovës, por thjeshtë për të shpëtuar lëkurën e tyre të qelbur.

Vëzhgues të paanshëm kanë mundur të konstatojnë saktësisht se caqe të idealistëve shqiptarë nuk do të jenë qytetarët serbë, që memzi po mbijetojnë dhe që nuk kanë asnjë përgjegjësi për gjendjen, por strukturat e shtetit serb që po veprojnë hapur në Kosovë me dijen dhe me lejen e ndërkombëtarëve.

Pritet që idealistët shqiptarë të merren seriozisht edhe me strukturat e shërbimeve serbe të përbëra prej shqiptarëve që po veprojnë hapur në Kosovë. Deri më tash vetëm dy eksponentë të agjenturës serbe janë likuiduar në Kosovë: Selim Brosha dhe Ibush Kllokoçi. Dhe këta nuk janë vrarë për shërbimet që i kanë bërë Serbisë, por për të mos i zbuluar argatët e tyre që kanë penetruar thellë në hierarkinë politike etj., të Kosovës.

Nga njohës të rrethanave pritet veprimi i strukturave serioze e moderne. Krejt e kundërta e sharlatanizmit dhe primitivizmit që ka dominuar formacionet e armatosura shqiptare deri me sot në këto hapësira.

Në Maqedoni, mjerisht, vetëm Zoti mund ta ndalë luftën. Elita politike që gjatë luftës dëshmoj maturi e unitet, nuk u tregua unike edhe në trysninë e domosdoshme për të jetësuar idealet e luftës, të parafuara në një masë në Marrëveshjen e Ohrit. Këtyre u shkoi për shtati edhe diplomacia ndërkombëtare, e cila u tregua krejt e papërgjegjshme dhe nuk bëri asnjë trysni të efektshme mbi palën maqedonase që të ndryshojë praktikat dhe mentalitetin, kaherë të përdalë, diskriminues.

Shpërthimi i luftës do të çojë deri te ndarja definitive e Maqedonisë me reperkursione të mëdha në gjithë rajonin.

Në Luginën e Preshevës do të rritet trysnia serbe dhe do të shkaktojë edhe veprime individuale hakmarrëse ndaj strukturave të shtetit serb. Kjo do ta ashpërsoj edhe më tepër gjendjen në rajon dhe do ta shtyejë Serbinë, edhe ashtu definitivisht të vendosur, për ndryshime kufijsh që do t'i ndanin njëherë e përgjithmonë serbët prej shqiptarëve. Elita serbe është shprehur hapur se Serbia nuk duhet të lejojë kurrë prezencën e shqiptarëve në parlament dhe në institucionet bazë të shtetit.

Për çështjen çame, tash është krejt e sigurt se më shumë punë mund të bëjnë dy avokatë të aftë dhe një fushatë e koordinuar në media për mbrojtjen e të drejtave të njeriut se sa ndonjë veprim ekstrem.

5.

Vitet që vijnë do të jenë edhe vitet e ne, gazetarëve. Sistemi ekzistues, kokëpërmbysur i vlerave, po reflektohet dhe do të reflektohet edhe këtu. Raporti i forcave edhe këtu është shumë i disfavorshëm për idealistët. Këta janë krejt krahthatë përballë gejshemediave.

Pavarësisht nga moti i ashpër politik veprimet e idealistëve do të jenë të efektshme;

- nëse arrijnë të mos lejojnë futjen mes tyre të agjentëve partiakë e klanorë, që me sakrtificat e të tjerëve duan të lajnë surratin e tyre të përbaltur dhe punët e tyre të pista;

- nëse arrijnë të vënë një mur të pakapërcyeshëm në mes tyre dhe përfaqësuesve të krimit të organizuar, që përpiqen t’i shfrytëzojnë këto raste për të mbuluar krimet e tyre;

- nëse dijnë të bëhen partnerë serioz të Fuqive dhe të aleancës perëndimore;

- nëse dijnë të punojnë sidomos me mediat e huaja me ndikim.

Një proverb afrikan thotë: Elefantin e rrëzojnë luanët, por e hanë hijenat. Shtrohet pyetja a do të lejojnë edhe kësaj radhe idealistët shqiptarë që frytin e sakrificave të tyre ta përlajnë matrapazët, mafiozët dhe renegatët?


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË