NUMĖR 75
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 12 SHTATOR 2003

Gjuha shqipe, sa e dlirë, sa e vdirë

Shkruan: Skerdi SIKA

Një miku im linguist anglez, nostalgjik i perandorisë, më rrëfeu qëparë një mahi për gjuhën angleze e BE-në. Komisioni Evropian paskësh vendosur ta bëjë anglishten gjuhë zyrtare në BE, e jo gjermanishten. Në procesin negociator, qeveria e Lartmadhërisë paskësh pranuar se edhe anglishtja do të modernizohet gjatë një plani 5 vjeçar, për ta arritur standardin e "euroanglishtes".

Së pari, germa "S" do ta zëvendësojë "C" e butë të anglishtes, pra do të shkruhet "sivil" e jo "civil". Pastaj germa "C" e fortë do të ndërrohet me "k", "Klear" e jo "Clear". Vitin e dytë, entiziazmi do të rritet me ndërrimin e germës "ph" me "f", hap ky që do ta bëjë fjalën "photograph" 20 % më efektive. Vitin e tretë, do të hiqen dubbletat e anglishtes, për të shkruar "Al" e jo "All", si dhe "E"-të e heshtura. Gjatë vitit të katërt, populli do të jetë receptiv për ndërrim të germës "Th" me "Z" dhe të asaj "W" me "V". Në fund, do të heqet edhe diftongu i kotë "Ou".

After zis fifz yer, England vil hav a reli sensibl riten styl. Zer vil be no mor trubl or difikultis and evrivun vil find it ezi to understand ech ozer. Ze drem vil finali kum tru! And zen world!

Mahia zbulon mëdyshjet e britanikëve kundrejt një Evrope gjithnjë e më pak anglosaksone. Por ajo zbulon edhe një fakt tjetër subtil. Në atë që e quajmë "qytetërim perëndimor", gjuha është motori më i fortë integrues i shtetit.

Lakoret e tolerancës perëndimore kanë vajtur vërtet poshtë e lartë si kolovajzë gjatë dy shekujsh, shpesh me pasoja katastrofike. Por ky qytetërim ka arritur megjithatë gjer atje sa t'i integrojë lirinë e besimeve, ngjyrat e ndryshme të lëkurës, etj. Britaniku, gjermani a francezi modern sot mund të jetë mysliman, i zi, e prapë shtetas fuqiplotë.

Andaj, shtetit nacional, që është konzervator përnga natyra, i duhen vegla të reja për ta frenuar incercionin politik. E vegla legjitime sot kanë mbetur vetëm gjuha, si dhe njëfarë tradite e përbashkët, e vërtetë a e imagjinuar.

Jo rastësisht, mu këtu dy pika janë edhe në fundamentin e një projektligji të ri britanik, që kërkon prej azilantëve të mësojnë gjuhën dhe traditën e vendit, para se t'u ofrohet nënshtetësia.

Në Francë gjendja është ca më ekstreme. Në Kej dë Orsej, ku vlon ende vreri prej humbjes së kolonive, është ngritur një komision, që i shqep me gjoba prej presidentit e deri te adolescentët, nëse përdorin - ruana Zot! - fjalë anglisht në vend të frëngjishtes. Margaritari i fundit i këtij komisioni, nga korriku i sivjetëm, është ta shpall të paligjshme fjalën "e-mail". Në vend të saj, tani e tutje do të thuhet "courriele", nga "courriere elektronique".

Trende të tilla vërehen kudo. Në demokracinë më të fortë, në SHBA, një nga çështjet në zgjedhjet presidenciale (që s'u vu re fare në Siujdhesën Ilirike) ishte ajo se a do të lejohet dygjuhësia në shtetet federale të Jugut, ku ka shumicë spanjishtfolëse. Kurse në Rusi, qeveria po dërgon ekspertë në Francë për "ta studiuar" politikën gjuhësore franceze.

Edhe në nënqiellin tonë, trendi i kultivimit të gjuhës është i dukshëm. Serbët nuk thonë më "avion" po "zrakoplov", jo "komandir" po "çelnik", pikë fund. Kurse kroatët ambiciozë, s'e di fort mirë a kanë zënë të thonë apo ende jo "okolotrbusni pantolodrzac" (pantollonmbajtës rrethbarkor) për rryp brezi, e "zrakomlat" ("rrahës i ajrit") për helikopter, po sigurisht që janë në rrugë të mirë.

Me sa shoh unë, i vetmi komb që s'ia var hejben fare gjuhës së vet në këtë shekull janë shqiptarët. Këtu madje mungon edhe vet ideja e mbrojtjes së gjuhës: shqipja, kjo është bira e fundit e kavallit për të gjithë.

E pra, puna s'është se gjuhës s'i duhet zhvillimi. Në këto kohëra ekspanzive, kur jeta e përditshme është invaduar nga terme të reja në të gjitha lëmitë e jetës, e mira e punës do të ishte që ta kishim kuadro institucionale për zhvillimin e gjuhës, si një lloj mamishë.

Por jo! Qeveritarët tanë, qofshin ata në Tiranë a në Prishtinë, s'e kanë këtë problem, madje përkundrazi. Në ambientin rreckaman të politikës shqiptare, ti korr pikë të vlershme nëse di ta zëvendësosh një fjalë shqipe me një të huaj, në vend se anasjelltas. Merreni, ta zëmë, prijësin e socialistëve shqiptarë, z. Fatos Nano. Ai është atlet i pakapërcyeshëm në këtë lëmi. Sikur zëvendësimi i fjalëve shqipe me aso të huaja të ishte degë olimpike, ai do t'i kish korrur sigurisht të gjitha medaljet e arta. Aq më e pazakontë të shfaqet kjo veti e tij, kur ke parasysh se kolegët e tij vuajnë të gjithë bukur fort prej kompleksit të inferioritetit gjuhësor: duket sikur Nanos, për ndonjë arsye, i vje fort më keq se të gjithë tjerëve që ia ka zënë rrota bishtin ta quajnë shqiptar.

Apo merreni, ju lutem, shqipen e retarduar të presidentit kosovar, z. Ibrahim Rugova. Nëse kështu flet e shkruan një albanolog kosovar, madje i shkolluar për gjuhësi në Sorbonë, ç'të presim prej katundarit të shkretë!? Pale kur flet edhe frëngjisht: për momentin, z. Rugova do të bënte më së miri ta evitojë Francën për disa kohë...

E kështu me radhë: albanologjia zyrtare rekomandon të themi Britania e Madhe, por Bjellorusi; gazetarët shkruajnë emrat e huaj në transkriptime imagjinative (pres me padurim një artikull për Mao Ce Tungun, për të parë premierën e hieroglifeve kineze në shtypin shqiptar); hiqen mbaresat e shkurtesave, etj etj. Pale që shqipes i mungon gati krejtësisht puna institucionale në livrimin e terminologjive të reja, nga shkenca, teknika, psikologjia, mjekësia: nëse francezët thokan ”courriele”, pse s’themi ne p.sh. postel, ma dërgo një postel!?

Problemi kryesor është, natyrisht, që s'ka asnjë institucion me fuqi e pakta ta rekomandojë, lëre më ta sforcojë, zhvillimin bashkëkohor të shqipes. Si ide, dobia e një institucioni të tillë është plasuar aty-këtu nga disa akademikë, së fundi nga një autor me ndikim te "Koha Ditore" në Prishtinë. Në Prishtinë, ku ekziston diskrepancë e madhe mes akademikëve e popullit të thjeshtë, madje është krijuar "Shoqata për Mbrojtjen e Gjuhës"; mjerisht, në mungesë të mbështetjes institucionale, ajo ende s'ka arritur të dalë prej suazave të një klubi të mbyllur të diskutimeve.

Puna është se problemi shqisohet si i tillë prej entuziastëve, e jo prej politikës: politikanët shqiptarë o janë tepër analfabetë, e tepër inferiorë, për ta ballafaquar problemin përnjëmend. E si gjithnjë kur një problem trajtohe prej entuziastëve, që nganjëherë kanë më tepër zell se talent, shfaqen variante të që të lënë pa mend. Në Shkodër e në Prishtinë, entuziastë të gegërishtes nxjerrin gazeta ku gjuha bëhet lesh arapi. Në Himare, shoqata të lokalpatriotëve nxjerrin gazeta në toskërisht e greqisht; madje shpesh është vështirë të kuptosh se ku mbaron njëra, e ku fillon tjetra. E kështu me radhë: shqipja ime, e mirë, e dlirë, sa ven e bëhet më e vdirë: në vend të zgjidhjes së problemeve të gjuhës, hapen rrugët që të bëhet kurdifikimi i saj.

Më ndjeni pesimizmin, po gjasat që të ndodh diçka pozitive në këtë front janë minimale. Do të ndodh sigurisht me terminologjinë e re si me fjalorin e kuzhinës e të farefisit: komplet i huaj, sikur shqiptarët s'kanë ngrënë e s'kanë ndjerë dashuri familjare para se të vinte turku. Kur atvëllait i themi "amixha" e amëvëllait "dajo", kush dreqi të lodhet si i themi avionit?

Druaj që politika shqiptare do të ngriten prej gjumit vetëm kur të kuptojë se iu dashkan dy-tri gjuhë për t'u shitur rrenat zgjedhësve. Por atëhere rëndom është tepër, tepër vonë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË