NUMĖR 75
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 12 SHTATOR 2003

Kryengritja shqiptare, pasojë e diskriminimit

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Krismat jehuan, e krismat pushuan (për momentin) sërish në Siujdhesën Ilirike. Duhet pranuar që kriza e fundit në IRJM (Ish republiken jugosllave të Maqedonisë) pjesërisht u shkaktua nga prania e ca fetishistëve të kallashit në të dy palët. Por kjo nuk është tërë e vërteta. Arsyeja madhore pas krizës është në fakt diskriminimi strukturor, ndaj të cilit ende janë të eksponuar shqiptarët në IRJM. Ky është një kontekst i cili ka rënë ca në prapavijë pas 11 Shtatorit, por i cili paska, pra, ende mjaft potencial destruktiv sa për ta hedhur në erë stabilitetin e këtij regjioni instabil.

Mjafton me një lexim të shkurtë të mediave sllave në IRJM për të kuptuar se për çka bëhet fjalë. Ekziston një listë e shkurtë te www.onlinenewspapers.com, kliko te Macedonia për pak albanofobi të vjetër në paketim të ri. Sllavët, që ende dominojnë shtetin, na vështrojnë ende ne shqiptarëve si trup i huaj në ndërtesën "e tyre" shtetërore, si kancer, si tha një akademik sllav jo fort moti – e na trajtojnë konform kësaj.

Jo që s'është bërë asgjë qëkur u firmos Ujdia e Ohrit në gusht 2001, përkundrazi. Policia në IRJM ka rekrutuar ca më tepër shqiptarë, e as sigurimi i shtetit as gjyqi s'të ndjek po e ngrite flamurin kombëtar. Shqipja është bërë gjuhë e dytë zyrtare në komunat me banorësi shqiptare, e është propozuar që shqipja të folet edhe në parlament. Pasaportat lëshohen në të dy gjuhët, një triumf i vërtetë. Madje ka edhe plane konkrete për ta zyrtarizuar Universitetin e Tetovës. Një ndërrim konkret që është lehtë ta shohësh me sy lakuriq është p.sh. që të gjitha tabelat e trafikut në komunat dygjuhësore janë shkruar, shumë rrallë, në të dy gjuhët.

Mirëpo, njësoj të pashme janë edhe prania brutale policore në vendbanimet shqiptare si dhe metodat e vrazhda të sigurimit të shtetit. Policët shqiptarë, si thamë, janë ca më shumë, por janë ende pakicë e me grada të ulëta. Procedura rekrutuese për polic është sajuar ashtu që më shumë t'i tremb se sa t'i josh aspirantët shqiptarë. Sigurimi i shtetit në IRJM, një ndër institucionet më albanofobike në Evropën Juglindore, është gati bukvalisht pa asnjë kuadër shqiptar, njësoj sikur efektivi i eprorëve të ushtrisë. Gjyqësia poashtu: në kryeqytetin Shkup, i treti përnga numri i shqiptarëve në Ballkan pas Tiranës e Prishtinës, ekziston vetëm një e punësuar shqiptare në prokurori, pastruesja: njësoj si para kryengritjes më 2001. Ndonëse shteti zyrtarisht është ndarë prej kishës ortodokse, njeriu sheh si ndërtohen kisha në trojet e shtetit e me paret e shtetit gjithandej, edhe në vendbanime me shumicë shqiptare. Për shqiptarët myslimanë, të cilëve shteti s'u ka dhënë kurrë as një qindarkë për një xhami, kjo është një flakareshë e valë. E fakti që shteti s'ka ndarë fonde për ta ndërtuar asnjë shkollë të re shqipe që prej viteve 1970, në një vend ku shtimi i shqiptarëve e ka tejkaluar atë të sllavëve gjatë tërë këtyre 20 vjetëve të fundit, si të kuptohet prej shqiptarëve?

Më poshtë në shoqëri, diskriminimi duket haptazi. Si shqiptar në IRJM sot është më lehtë të gjesh punë nëse prezenton diplomë nga shkollat e natës në Perëndim, se sa nga universitetet në Tetovë, në Prishtinë, a në Tiranë (ky shembull NUK është vetëm hipotetik!). Nëse zgjedh të bëhesh ndërmarrës, atëhere mund të llogarisësh në taksa më të rënda e në zhvatje, po jo në kredite prej bankave në pronësi sllave (të vetmet që fitojnë licencë të punës). Gruaja e vëllait tim, e lindur dhe e rritur në Stokholm të Suedisë, më tregoi javën që shkoi pas një vizite dyjavore në Shkup, se si i qënkesh kthyer goca e të motrës duke qarë prej kopshtit për ta pyetur të ëmën nëse ishin vërtet "shiftarë të ndyrë"; yllkës i paskësh thënë ashtu edukatorja kur kish derdhur ca qumësht në përdhesë.

Këto probleme i mundojnë shtetasit shqiptarë në IRJM. Por atje gjysma e shqiptarëve as që numërohen si shtetas, pasi s'kanë mundur të dëshmojnë se kanë jetuar atje pandërprerë që prej 15 (!) vjetësh - pra që nga koha kur IRJM-ja as që ekzistonte si shtet.

Ta zëmë që ti në vitet 1980, si banor shqiptar në Republikën Socialiste të Maqedonisë, kërkove e gjete vend për studime pranë universitetit të vetëm shqip në Jugosllavi, atij në Prishtinë. Apo se gjete punë stinore në bujqësinë kosovare, apo se t'u lëshua një lejeqëndrim 1-vjeçar si punëtor krahu në Zvicër. Papritur shpërthen lufta civile - dhe befas ty s'të pranojnë më si shtetas në vendin ku je lindur, e ku e ke shtëpinë! Më e tmerrshmja është, se ky rregull aplikohet në praktikë vetëm për shqiptarët e minoritetet tjera gjuhësore e fetare. Duke dashur ta ndërrojnë realitetin demografik të shtetit, autoritetet u ofrojnë rregullisht shtetësi sllavëve ortodoksë, pa marrë parasysh se sa kanë banuar - nëse kanë banuar fare - brenda shtetit. Fëmijë mërgimtarësh sllavë ortodoksë, që s'e kanë shkelur kurrë këmbën në IRJM, fitojnë p.sh. rregullisht pasaporta si shtetas pa asnjë pengesë. Një ish shtetas në IRJM që është shqiptar dhe banon jashtë më tregoi në qershor për një eksperiment të vetin: meqë ia kishin mohuar pasaportën para verimeve, ai e kish thirrur sërish ambasadën e IRJM-së me të njëjtat të dhëna, por kësaj here u prezentua si fëmijë i mërgimtarëve sllavë ortodoksë, i lindur e i rritur jashtë. Atij i premtuan pasaportë brenda muajit, nëse mund prezentonte dokumenta. Unë e kam dëgjuar me veshët e mi tërë bisedën makabre telefonike të incizuar në kasetë, e mund t'ju premtoj që ato shprehje që i lëshonte personeli i ambasadës për shqiptarët do t'u kishin dhënë burg për nxitje të urrejtjes etnike kudo në Evropë, pos mundësisht në Serbi, në Greqi dhe, natyrisht, në vet IRJM-në.

Tërë këto, pra, vërehen lehtë; por edhe më të ndjeshme janë ato që nuk vërehen gjëkundi: investimet ekonomike në zonat shqiptare. Investimet e shtetit vejnë gati qindpërqind në zonat sllave. Ndihmat bujqësore u ndahen bujqve sllavë; subvencionet industriale uzinave në pronësi sllave; investimet rrugore bëhet në trevat lindore. Në kryeqytetin e Shkupit të vje turp kur shikon se si shteti ka ndërtuar ekskluzivisht në pjesën sllave - as një llambë rrugore s'është vënë në Qytetin e Vjetër, të banuar historikisht prej shqiptarëve, që prej viteve 1970.

Një shkas tjetër i krizës është, natyrisht, edhe fakti se Perëndimi s'po nxiton që t'i ndreq këto defekte, të trashëguara nga epoka e Titos. Perëndimi ka prezencë të fortë fizike në IRJM që prej luftimeve etnike më 2001, po i ka dhënë barot më tepër për t'i arsyetuar zhagitjet sllave, se sa për t'i shpejtuar reformat. Gjatë këtyre dy vjetëve, misionet perëndimore në IRJM p.sh. e kanë nxjerrë fyshekun sa herë që u ka ardhur në shënjestër sigurimi i shtetit: duke i brutalizuar shqiptarët në gjah pas armëve ilegale (veni re: jo sllavët, ndonëse ata s'i kanë kthyer ende mëse gjysmë milioni kallashë të ndarë prej shtetit më 2001, sipas shënimeve të vet sigurimit të shtetit); duke keqtrajtuar, rrahur, arrestuar paligjshëm, e besa edhe duke vrarë shqiptarë, etj etj.

Kritika s'vjen prej shqiptarëve: si më properëndimorët në regjion që janë, ata mbajnë gojën. Por kritikojnë organizatat ndërkombëtare për të drejta të njeriut, të cilat kërkojnë kontroll të forcuar civil mbi sigurimin e shtetit. Mjerisht, në IRJM s'frymon kush në zyrat e shtetit pa urdhëruar Perëndimi, gjersa ky, si duket, ka vendosur ta bëjë n'asgjë diskriminimin e vazhduar të shqiptarëve.

Në dritën e këtyre fakteve, është lehtë të kuptosh se nga buron tërë ai vrer i shqiptarëve në IRJM. Këtu s'bëhet fjalë për një organizatë fanatike që do ta ndërrojë kufirin, as bëhet fjalë për një rebel që ka vendosur ta loz Xheronimon gjer në fundin e hidhur. Dhe, dora në zemër, s'bëhet fjala as vetëm për sigurimin e shtetit. Po për një diskriminim strukturor e sistematik, që zë tharmin e dëshpërimit e të urrejtjes kundër një shteti të tëhuajsuar, që s'është as mbrojtës as gjyqtar i paanshëm por armik: një kërcënim jetik, që mbase është kufizuar ca përmes një kryengritjeje, po që ende të rri në pusi e të vërsulet sapo t'i jepet rasti.

Këto janë përvojat e shqiptarëve në IRJM edhe sot e kësaj dite, 4 vjet pasi u mbushën mendjen t'i ulin armët me premtime të një jete më të mirë. E këto përvoja duhet zëvendësuar urgjentisht me tjera, ndryshe gjakderdhjet do të pasojnë prapë. Në vazhdim, pas çdo incidenti bëhet gjithnjë e më vështirë të argumentosh p.sh. me AKSH-në. Nëse një shtet s'të pranon assesi si shtetas të barabartë, ç'të drejtë paska atëhere të ta kërkojë bindjen!? A s'është vërtet e drejtë, madje detyrim, që ta luftosh një shtet të tillë?

Një pakicë e shqiptarëve ngurron ende ta nxjerrë këtë përfundim. Një shumicë, mjerisht, atë tashmë e ka nxjerrur, por ngurron të veprojë konform tij. Shqipëria e vobegët dhe Kosova me lakun serb ende rreth qafës doemoes që ndikojnë në këtë ngurrim. Por kjo s'është zgjidhje fatlume në afat të gjatë.

Mbase nuk shpërtheu as kësaj radhe, e mbase nuk shpërthen as në verën e ardhshme. Por nëse reformat në IRJM ngecin edhe më tej, atëhere një kryengritje e re do të jetë bukë e gatuar. E kur të vijë ajo ditë, unë për vete do ta fajësoj më shumë bashkësinë ndërkombëtare, e në radhë të parë evropianët, se sa fetishistët e armëve ndër shqiptarët e sllavët.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË