NUMĖR 75
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 12 SHTATOR 2003

Panço Vilat shqiptarë e duan gruan te shtëpia

Shkruan: Ardiana SHALA

Thuhet se frymëzimi për ta shkruar Don Kishotin erdhi nga një ujk deti ulqinak, që e kish plagosur e zënë rob Servantesin fatkeq në një akt piraterie. Në vend që ta dorëzojë robin skamnor për paret e grumbulluara prej farefisit të këtij, ulqinaku i krisur e 10-fishoi kërkesën e vet. I gjori Servantes mbeti rob kot me vjet të tëra, e u lirua në fund për disa qindarka, të paguara sa për t'ia ruajtur namin e keq ulqinakut kokëbosh.

Pse? Paj, meqë spanjolli i qenkesh dukur burrë i mirë, deh!

Ec e merre vesh!

S'e di për ju, po mua më ka hyrë në kokë që s'ka mistreca më të mëdhenj se sa shqiptarët. U ka ardhur burrave të botës vera kah dera, qëkur ia piu sorra mendjen Perëndimit e hyri llugave të Ballkanit, e s'përtojnë tash t'ia nisin nga një luftë përvjet. Në vaftë mbarë, mirë. Në vaftë mbrapsht, ndërhyn gjyqtari e na shpëton prej nokautit. Zgjat Zot këso moti - po ku ka parë i gjori shqiptar më mirë se kështu?

Përgjegja është: ka parë, por ka harruar, mendjeshkreti. Prej kohës së Teutës e këndej, shqiptarët janë kryemjeshtër në artin e vështirë të humbjes non-stop. Madje edhe atëhere kur humbja është teoretikisht e pamundshme. Gjatë 500 vjet sundimi të Perandorisë Osmane, zeje kombëtare e evgjitëve ishte kallaisja, e grekëve tambura, e serbëve pjekja e ujzës së kumbullave, kurse e shqiptarëve lufta. Tehu shqiptar prente mizorisht kudo që e vringëllonte Porta e Lartë, prej Afganistanit e Jemenit, e deri në Spanjë. E shqiptarëve, që i kishin dhënë perandorisë 40 kryeministra, 100 ministra, e dreqi e di sa ushtarakë, ç'u mbeti te dera kur u rrënua gjysmëhëna? -Varëza e maces!

Jam thellësisht e bindur se Panço Vilat shqiptarë s'ma varin hejben mua fare. Ata kanë punë më të mëdhaja. Si p.sh. krijimin e Shqipërisë së Maaadhe (shih shpjegimin te Historia e Popullit Shqiptar, kapitullin për piratët e Teutës...).

Po sikur të më pyesnin, helbete se ç'mendoka pra vogëlsia ime për ta, paj do t'u thoja nja dy fjalë. E para, se s'bëhet pulari revolucionar brenda natës. As krimineli, as narkomani. Çe Gevara i krisur qe vërtet, po natyral e jo nën ndikim të kokainit.
E dyta, aspirantëve tanë revolucionarë do t'u thoja që të mos folin jerm, e para së gjithash të mos i bëjnë punët jerm. T'ia nisim me këtë të dytën. Revolucioni nuk kurorëzohet nëpër katunde malore, po në qytete. Kur ngret kryet në katunde malore, rezultati është ai që e shemb katundin tënd, ndërkohë që kundërshtarit ia merr fytyrën (në rastin absolutisht më të mirë) a të keqen (procedura standarde). Në rastin tonë, me kundërshtarët tanë të pafytyrë që prej fillimit, bëjeni hesapin vet. S'jam kundër mazohizmit në shtrat, të pajtohemi. Por në "pulitikë", mazohizmi e ka çmimin fort të shtrenjtë.

Te lëkurëkuqtë e Amerikës, kushtrim lëshonte sekush kryepar që kish folur rishtazi me Manitun. Pastaj oburra fisi i tij, ndërsa tjerët rruanin koqet. Rezultati mozomëkeq, sikur e dimë të gjithë. E Konica ynë, që i pifsha ujë për shëndet, shkruan se shqiptarët s'e kanë traditë të ngresin krye për kombin. Një katund, a më shumë katunde, mund të bëjnë kryengritje pse ia preu kush rrugën nuses a mortit, pse u kanë shtuar tatimet, a pse u kanë ndalur kullotat. Po e ngacmuan me burg bajraktarin, edhe ajo kualifikon. Po për kombin? -Jo or!

Pa më thoni pak, ku qenkan dallimet sot, 100 e ca vjet më vonë...!?

Meqë ia nisëm: edhe të folmen, trimat tanë do të bënin mirë ta linin për atëhere kur t'u del gjumi. Sillu-mbështillu, jo po "aleatët tanë perëndimorë". E çfarë aleatësh, o jahu, kur s'ta futin as për gjynah? Dhe si guxon ta quash dikë mik, pash emrin e Zotit, kur të kap in flagranti tek ia therr ogiçin!? NATO-ja e SHBA-të bëjnë be e rrufe në IRJM-në ("Maqedoninë", deh!), po kjo s'i tremb trimat tanë inteligjentë ta sfidojnë komplet krejt strategjinë perëndimore në regjion, le të dalë ku të dalë... Kësaj i thonë ta blofosh në poker sherifin, kur ai ka 4 ase, një mbret, e dy revole në brez, e ti ke zero me xhufka!

Më së fundi, kadetëve të revolucionit do t'u thosha ta këqyrin pak në fjalor fjalën "revolucion". Në atë të kuqin të madhin, revolucion dtth "përmbysje me dhunë e një rendi shoqëror, politik e ekonomik, që i ka kaluar koha". Pak a shumë ashtu qëndron edhe në fjalorët e popujve më të mençur se ne, e reja e përmbys të vjetrën me dhunë etj etj.

Le të më korrigjojnë ata që dinë më mirë, po mua s'më duket se këta trimat tanë janë spikatur për ndofarë ideshë, pikë. Se sa për ide të reja, as mos t'i lodhim.

Bashkim kombëtar? Hm, le të shohim. Sami Frashëri, vitet 1800. Xhenazja në Turqi, ku mbahet si patriot turk. Meqë e shkroi enciklopedinë e parë turke, pra. S'e ke dëgjuar? Normale, meqë një enciklopedi na mungon ende neve shqiptarëve. Kupton...?

Pa të shohim ca më tej. Ideja e Sami Beyt (që ky e kish vjedhur prej Idesë së Madhe të grekëve, të cilën këta e kishin vjedhur prej Rizgjimit të italianëve, të cilët e kishin vjedhur prej Bizmarkut, të cilit ia shpifën pas vdekjes) u vodh pastaj prej Konicës. S'prish punë, të gjithë vjedhin ngapak. Konica i gjorë ra copë ta përpunonte një definicion të identitetit shqiptar. Ç'të bën shqiptar, gjuha, gjaku, tradita...? Konstatojmë: Konica vdiq i dëshpëruar.

Ideja mbijetoi, vajti rrotull si fantazmë, e u kthye sërish te gjermanët. Modernizimi i fundit i njohur i tërë idesë u bë nga një xhuxh austriak me mustak në vitet 1930: "Ein Volk, ein Stat, ein Führer".

Kupton...?

Jo që s'ka njeriu se ç'të modernizojë te nacionalizmi shqiptar, përkundrazi. Një intelektual me vetrespekt as që do t'u kish hyrë telasheve të revolucionit pa e shtruar, ta zëmë, kërkesën fundamentaliste që edhe femra shqiptare të trajtohjet si njeri. Pra, krejt njësoj si mashkulli, në çdo aspekt.

Por jo te ne, a jo! Panço Vilat tanë kanë qejf ta lënë gruan te shtëpia kur të shkojnë në luftë, e ta gjejnë po aty kur të kthehen prej saj.

Unë për vete, si feministe që jam, jam thellësisht e bindur që kjo shterpësi e nacionalizmit shqiptar (të më ndjejë termi nacionalizëm që po e përlyj këtu) varet nga fakti se ai përdhunohet prej - burrave shqiptarë. Të cilët, sikur që dihet, s'kanë zbuluar gjë të re, e as që kanë ndjerë nevojë të zbulojnë, që prej kohës së gurit.

Burrat tanë janë fort mirë atje ku janë, të strukur në kasollet mendore të shek. XIX. Kur u merr mendja disi turbull se do t'u vejë kungulli mbi ujë, ata rrahin daullet e luftës. Të shtumën e rasteve e bëjnë helaq, po nganjëherë, si në Kosovë më 1998, u ven puna mbarë, përkundër prirjeve të tyre për ta bërë punën mut si rëndom. E pastaj, për ta maskuar befasinë që patën sukses, si dhe faktin që bënë luftë nga zori, oburra ta ngjallim Sami Beyn.

Eh ai rahmetliu, sigurisht rrotullohet në varr si propeler. Të kishte gojë, Sami Bey, kushedi se ç'na kish sharë turqisht!

Një gjë jam e sigurtë. Sikur ta kishin në dorë femrat fatin e kombit, pale se ku do të ishin shqiptarEt tani. Sigurisht shqipja do të ishte gjuhë zyrtare në Amerikë. E cila s'do të quhej Amerikë, po Shqipëria e Tejdetit.

Mjerisht, fati i kombit shqiptar është dënuar në histori të dhunohet analisht prej burrave. Teutja e gjora bjen copë t’u bëjë ilirëve mbretëri. E ata oburra nëpër lundra, mule ta djegna atë anijen e bukur atjena. Si pasojë, invadon Roma me Casus Belli piraterinë ilire. E kështu me radhë, gjer në ditët e sotme…

Një nacionalizëm femëror do të ishte së paku ca më origjinal. Ja p.sh. një kontribut spontan, prej meje si femër. Në daçi merreni seriozisht, në daçi merrni aspirinë. Nëse do ta kërkojmë një "Shqipëri të Maaadhe", pa ta puqim atëhere kufirin me Kroacinë, ta çajmë bllokadën ortodokse. Pse, Mali i Zi edhe ashtu shqiptarë të asimiluar janë, pa shikoni ca ato lahutat e tyre! Dhe, meqë i hymë këtij hesapi, a s'është në interesin strategjik të kombit shqiptar që t'i zotërojmë të dy brigjet e Adriatikut? -Qysh tash po e dëgjoj në horizont marshimin e mijëra çizmeve në UÇA, Ushtria Çlirimtare e Arbëreshëve...

Hë, si ju duket, trima?

Kësaj i thonë origjinalitet, e pakta. Mbretërinë, mbretërinë për diçka të re, he dreqi e marrtë!


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË