NUMĖR 75
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 12 SHTATOR 2003

Përballë faturave të pashlyera të qytetërimit

Shkruan: Yzedin HIMA

Shqipëria shtrihet në kërthizë të qytetërimit europian. Ka fqinjë Greqinë, ku gurët e rëndë të qytetërimit antik janë në themel të Europës së sotme, të qytetërimit modern europian dhe botëror. Ka fqinjë Italinë, përçuesen e qytetërimit antik grek dhe romak drejt kohrave e vendeve të tjera, Italinë e Rilindjes së njerëzimit. Edhe vetë shqiptarët i ngritën kasollet e tyre primitive nder shekuj mbi kolonada mermeri, mbi statuja e gërmadha të teatrit të antikitetit të tyre ilir. Atëherë lind pyetja, pse? Pse shqiptarët e vendosur në një truall ku ka lindur qytetërimi ose fqinjë me qytetërimet më të mëdha të botës, ndërkohë jetojnë standartet më të ulta të qytetërimit europian, periferinë e ftohtë të tij, krahasohen me standarte të përafërta me vendet aziatike dhe ato afrikane?

Ndoshta kjo pyetje kërkon vështrime të thella historike, sociale e demografike.

Por unë do të prek vetëm një nga shkaqet, në mos qëntë kryesori. Shqiptarët, për mendimin tim, nuk kanë qënë korrektë me historinë, pikërisht në shlyerjen e faturave të saj, kostos që kërkon qytetërimi në çdo kohë e periudhë. Dhe nuk është një faturë e vetme, e harruar diku në ndonjë kamare shekulli. Është një dëng i madh me fatura të pashlyera përgjatë viteve, dhjetëvjeçarëve, shekujve.

Europa u mahnit me qëndresën e princave shqiptarë kundër vërshimit osman. Në atë kohë të ndritur të Gjergj Kastriotit, shqiptarët paguan faturat për mbrojtjen e qytetërimit jo vetëm për vete, por edhe për Europën. Edhe Europa nuk e harron këtë fakt. Heroi ynë kombëtar, Skënderbeu, është edhe heroi i Europës, mbrojtës i qytetërimit të saj, apo heroi i krishtërimit, siç e quajnë disa studjues. Më pas nisi të formohej dëngu i madh i faturave të papaguara kundrejt qytetërimit europian nga ana e Shqipërisë dhe e shqiptarëve.

Gjatë pesë shekujve shqiptarët u bënë governatorë, sundues të popujve të Azisë dhe Afrikës, vezirë të Perandorisë Osmane, ndërkohë që vendin e tyre e harruan atje larg, në skaj të Perandorisë, as Europë, as Azi, të varfër e të shkretuar. Ndërkohë qytetërimi europian paguante rregullisht faturat me revolucione, ku protagonistët përfundonin me koka në gijotinë, me luftra të pandërprera për çlirim e bashkim kombëtar, me reforma të mëdha shoqërore, me përpjekje e punë titanike të mëndjes e fizikut, duke formuar shtetet kombëtare, duke hedhur bazat e kulturës kombëtare që shumë shpejt do të merrte dimesione europiane, duke ndërtuar rrugë, hekurudha, porte, fabrika e qytete të tërë. Kishin ardhur deri këtu nëpërmjet karvanit të gjatë të njerëzve të shquar të të gjitha fushave, përfaqësues të denjë të qytetërimit perëndimor, themelues të tij. Ky karvan, siç e thërret Viktor Hygoi tek poema me të njëjtën titull, nuk u ndërpre asnjëherë dhe kurdoherë i pagoi faturat historisë me çmime gjaku, përpjekjesh e privimesh.

Po çfarë bënin shqiptarët ndërkohë? Ata flinin në shumicën e rasteve mbi faturat e pashlyera gjatë shekujve. Ata përgjumeshin haremeve të Lindjes apo sarajeve lindore të Shqipërisë. Ata ruanin bagëtitë buzë kënetave të Adriatikut, ose grabisnin karvanët e të huajve në grykat e maleve. Po atëherë si erdhëm deri këtu si shqiptarë, ndonëse në një territor mjaft të tkurrur?

Falë karvanit të brishtë shqiptar, ashtit të pathyeshëm të racës. Ndonëse qytetërimi shqiptar u ndërpre me përdhunë, një rrjedhëz e tij vazhdoi të ftillohej jashtë vendit, në Perëndim, ose u struk thellë në manastiret e Veriut, i veshur me zhgun murgu. Nën zhgunin e një murgu si Pjetër Bogdani u strehua letërsia e madhe shqipe, qytetërimi shqiptar. Ky prift katolik është pjesë e rëndësishme e karvanit të brishtë shqiptar që përcolli qytetërimin shqiptar përmes shekujve. Ky karvan e solli pishtarin e qytetërimit shqiptar, që është thellësisht qytetërim europian, përmes shekujve gati-gati duke u shuar deri te Rilindja jonë e madhe. Ata paguan, pa dyshim, faturat e këtij qytetërimi.

Kalorësit e vetmuar të këtij karvani: Barleti, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Berati, Zarishi qenë ata që i paguan faturat e qytetërimit tek historia. Pjetër Budin e mbytën në Drin. Nazim Beratin e ndrynë në burgjet e Turqisë, ku edhe vdiq. Pa dyshim Rilindja qe shpëtim i Shqipërisë. Aty rrjedhëza e brishtë e qytetërimit shqiptar u shumëfishua nga mëndjet e ndritura : De Rada, Naimi etj.. Dhe vazhdoi përmes dekadave nga Konica, Fishta, Mjeda, Lasgushi, Migjeni, Kadareja. Karvani nuk u ndërpre, për fat të qytetërimit tonë. Ndonëse edhe në një krahinë të Beratit, kur po luftohej për shkronjat shqipe, kulturën shqiptare europiane, u ngriten turma kopukësh duke thirrur: “Nuk e duam gjuhën shqipe, nuk i duam gërmat e shqipes se ato janë gërmat e kaurit!”

Dhe të mendosh se të gjitha këto fraza thuheshin në gjuhën shqipe dhe ata që i artikulonin nuk dinin gjuhë tjetër veç shqipes.

Dëngu i faturave të pashlyera ndaj qytetërimit që i përkasim u rrit deri në marrëzi gjatë diktaturës komuniste, ku u ndërpre çfardo lloj qytetërimi dhe Shqipëria ra në një tirani që më së shumti i ngjante tiranive feudale. Krijimi i njeriut të ri sipas modelit kinez e shfytyroi përfundimisht njeriun shqiptar dhe për rrjedhim shoqërinë shqiptare. As që bëhej fjalë për ndonjë shlyerje të faturës. Ata që e provuan më 1946 e më pas, humbën edhe jetën edhe varret. Në vitin 1991 një gazetare e perëndimit qante me të madhe, ndërsa po largohej nga Shqipëria, pas disa javëve endjeje nëpër të. Qante dhe përsëriste: “Ju nuk e dini se sa të varfër jeni! Nuk e dini!”

Po më i frikshëm është, pa dyshim, mali i faturave të papaguara qytetërimit. Ne nuk i shihnim mirë këto fatura në vitin jo shumë të largët 1991. Ndërsa të huajt po. Ata i dallonin qartë kur shikonin vendin tonë të bunkerizuar, njeriun e ri monstër, helmimin ideologjik deri në asht, gropat e tmerrshme kulturore ku rriten gjëmba helmues të një kulture joeuropiane, psikologjinë e rajasë, zvetënimin deri në largim nga raca, instiktet kriminale të mbijetesës, moskuptimin e sjelljes dhe veprimit të qytetërimit perëndimor, humbja e çdo lloj humanizmi, keqkuptimi i humanizmit perëndimor, dëshirën për t’u pasuruar me çdo kusht e çmim brenda natës, urrejtja ndaj punës si tregues i qytetërimit europian, zhvlerësimi i jetës deri në marrëzi etj. etj.

“Duhen dekada që Shqipëria të hyjë në hullinë e vendeve të qytetëruara”, thoshin të huajt dhe ne thartoheshim në vitet 90. Ata e shikonin fare qartë malin e faturave të pashlyera nder shekuj. Ne nuk e dallonim hiç, nga dëshira për t’u kthyer aty, në qytetërimin shqiptar, domethënë në qytetërimin europian, nga ku na kishin ndarë përdhunisht. Po faturat duheshin shlyer deri në një.

Një fakt që bie lehtesisht në sy në Shqipëri është dallimi i thellë midis shtresave shoqërore, midis individësh të tërë, dallim ky që gati-gati shkon deri tek diferencat e qytetrimeve të ndryshme. Brenda një qyteti, një lagjeje apo edhe një pallati ndesh individë kaq të ndryshëm në mentalitet, psikologji, kulturë, sa që vëren se ata nuk i përkasin një qytetërimi, por qytetërimeve të ndryshëm. Kjo ka bërë që mjaft nga familjet shqiptare, individë, të rinj të largohen nga Shqipëria, ku janë ndjerë si në një vend të huaj pikërisht për shkak të dallimeve të thella. Në Perëndim janë ndjerë mirë, janë ndjerë si pjesë e atij qytetërimi. Nuk është thjesht paga e ulët, mungesa e ujit dhe e dritave, por më e rëndësishmja është të ndihesh i huaj në vendin tënd për shkak të rrënjosjes së një mentaliteti jo shqiptar tek turma të tëra, një mentaliteti aziatik që e bënë gati të pamundur bashkëjetesën. Edhe më i vështirë bëhët ky qëndrim kur qeverisja e vendit ndërtohet mbi bazën e këtyre standarteve dhe institucionet mbushen nga këta njerëz, siç janë mbushur rëndom institucionet aktualisht.

Po nga lind ky diferencim?

Për faktin se mjaft familje shqiptare kanë shlyer privatisht faturat e tyre të qytetërimit, nëpërmjet shkollimit, ruajtjes e kultivimit të traditave më të mira të qytetërimit shqiptar. Për faktin se mjaft shqiptarë kanë shlyer faturat nëpërmjet studimit, krijimit, ndjekjes së karvanit të pashkëputur asnjëherë të njerëzve të mëdhenj të këtij vendi.Një ndër ta qe edhe Faik Konica, që shkruante në kulm të dëshpërimit se në Shqipëri janë, as më shumë as më pak, po nja 50 shqiptarë me të cilët mund të merresh vesh e se shumica e tyre jetonte jashtë Shqipërisë. Të tjerët qënë turkoshakë që nuk kishin asgjë të përbashkët më shqipëtarët.

Në këto vite tranzicion kanë nisur shlyerjet e faturave. Ndonëse tepër ngadalë, ndonëse edhe duke shtuar edhe ndonjë faturë tjetër të papaguar, tinëzisht.

Faturat e energjisë elektrike të pashlyera që po na e nxijnë jetën janë fare qesharake përballë faturave të pashlyera të qytetërimit.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË