NUMĖR 75
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 12 SHTATOR 2003

Pse na duhet irredentizmi militant?

Shkruan: Ilir VROJTO

Kohëve të fundit, në opinionin shqiptar këtej e andej kufirit po dëgjohen shumë zëra të lartë tek bërtasin kundër irridentizmit militant. Mynxat hedhen në radhë të parë kundër AKSH-së, formacionit që e ka vazhduar luftën e armatosur çlirimtare gjithandej nëpër trojet e pushtuara.

Oponenca kundër irridencës përmban elemente të ndryshme. Kurrizin e saj e përbën specia e politikanëve, si në shtetin shqiptar, ashtu edhe në protektorat. Dora në zemër, ca prej tyre thonë se do ta pëlqenin unjësimin kombëtar, sikur ai t'u ofrohej në talure argjendi. Po meqë liria s'porositet në kafene e bashkësia ndërkombëtare s'është kamariere, politikanët tanë, si të ligjë që janë, parapëlqejnë t'i përndjekin bashkëkombasit që thirrin për drejtësi.

S'duhet harruar se politikanët tanë janë produkti meskin i 100 e ca vjetëve të gjenocidit të fqinjve mbi ne: "politikan shqiptar" është më tepër diagnozë se sa zeje. Të jesh politikan karriere ndër shqiptarët sot dtth që qysh në krye të punës të heqësh dorë prej bashkimit e forcimit të kombit tënd! -Në psikiatri, kur njeriun e dirigjojnë dy zëra kaq të kundërt, rëndom
e fiton diagnozën skizofren.

Edhe grupimet tjera mund t'i identifikosh mjaft lehtë. Kundërshtarë të idesë irridentiste janë edhe mafiet, një grusht fakultetlinjsh meskinë të trembur prej konkurrencës, fanatikë fetarë që të gjitha kalkulimet i bëjnë me numratoren e religjionit, si dhe shkarti që mbanë letërnjoftim dialektor në vend të atij kombëtar.

E përbashkët për të gjitha këto grupe është se ato, si thotë populli, janë pajtuar me turpin, e s'këqyrin tjetër pos ta maksimojnë fitimin e vet në kuadër të "faktit të kryer", kurdifikimit të shqiptarëve. Nën hijen e bjeshkëve të nëmura të Status Quo-së, eksponentët e këtyre grupimeve kanë ndërtuar subkultura inferiore politike, intelektuale, artistike e ekonomike, ku kapardisen si gjela mbi grumbuj plehrash. Rrjedhimisht, i përbashkët për ta është, pra, edhe fakti se kanë gjithçka për të humbur nga unjësimi kombëtar.

Kundër tyre pozicionohet me instinkt shumica e shqiptarëve. Kjo shumicë nuk i honeps dot argumentet mendjedobëta të liderëve të ditës. Ajo, nisur nga arsyeja e shëndoshë, mund ta marrë me mend që një Shqipëri e plotë shkon në interes të saj. Ekonomia, por edhe kultura, arti, si dhe të gjitha shprehjet tjera të progresit qytetërues, s'do mend se do të kenë dobi nga unjësimi kombëtar. Kjo vlente si kohën e Lidhjes së Prizrenit, ashtu edhe sot. Sikur të ishe ti Bill Gejtsi, ku i kishe investuar milionat tua, në një treg me 2-3 mil, apo me 8-10 mil konsumues? -Përgjegja, që s'është fare hipotetike, erdhi këtyre ditëve nga një tjetër milioner amerikan, nga mbreti i cigareve Filip Morrisi, që kumtoi se do të investojë miliarda dollarë - në Serbinë e Madhe!

Në anën tjetër, po kjo arsye e shëndoshë e bën shumicën të ngurrojë para pasojave të mundshme të irridencës militante. Të gjithë ne - të çmendurit përjashtim - i druajmë përsëritjes së gabimeve të Luftës Çlirimtare në Kosovë. Askush s'do t'i fut brirët atje prej ku s'i nxjerr dot më. Radhën e kaluar na shpëtoi Amerika në momentin e fundit, rezonon shumica. Nëse e armiqësojmë Amerikën, kush do të na ndihmojë po na vajtën punët mbrapsht?

Kjo është një pyetje fundamentale, të cilën irridentisti i urtë nuk guxon as ta shpërfill, as ta demonizojë. Në fakt, në këtë kapërcell kohor ku ndodhemi tani, mu përgjegja në këtë pyetje ofron "Raison d'Etre", arsyen e ekzistencës, të tërë ideologjisë irridentiste.

Si i përgjegjemi, atëhere, ne irredentistët kësaj droje të ligjshme?

Si pikë e parë, le të përsëritim, duhet e pranuar si të tillë, pra si të ligjshme. Po, ka të drejtë të druajë një popull që rishtazi e shtynë gjer buzë apokalipsit: dhjetëramijëra të vrarë, mbi 1 mil ikanakë. Dhe po, është e vërtetë: pa ndihmën amerikane, ne do ta kishim humbur luftën. Njësoj si do të kishin humbur pa Amerikën edhe anglezët e francezët para 50 vjetësh. Kjo s'i zvogëlon vlerat e Luftës Çlirimtare, përkundrazi. Nëse francezët e çmokan hero një De Gol, që endej me xhip prej anglezëve andej-këndej nëpër shkretëtirat afrikane, si të mos jetë hero një Adem Jashari që, krye në vete e pa asnjë garancë prej dikujt, ngriti një rezistencë e hapi luftë mu në mes të armikut?

Kur kemi thënë këtë, le ta themi edhe tjetrën. Ne s'na ndihmoi bota pse dështuam në luftë, po nisëm luftën pse dështoi bota. Sikur bota ta kish mbajtur besën e vet "Kurrë më!", që e dha fill pas LDB, atëhere as Kroacia, as Bosnja, e as Kosova s'do të kishin ndodhur fare. Amerika, thjesht, nuk ndërhyu për hir të syve tonë të zi, as pse e kish pëlqyer aksh politikan a aksh komandant, po pse nacionalizmi serb ndryshe do t'ia nxinte krejt fytyrën Perëndimit.

Njëherit, kjo ofron përgjegje edhe në pyetjen fundamentale, se athua kush do të ndihmojë po vajtën punët mbrapsht: ne duhet të këqyrim që punët të mos vejnë mbrapsht, po mbarë! Martesa s'bëhet duke menduar shkurorëzimin, as bashkohet kombi duke i druajtur humbjes. Rrjedhimisht, ne s'duhet të këqyrim se si do të na ndihmojnë aleatët kur të humbim, por si do të na ndihmojnë për të ngadhnjyer; ndryshe, ne do të mbarojmë mu në atë zezonë që duam ta shmangim.

Fundja, sot për sot, ne as që kemi se ç'të humbim. Pse jetokan mirë shqiptarët pa rrymë, pa ujësjellës, pa shkollë, pa punë, tani që qenkan të ndarë? Veç vdekja si komb më keq do të ishte; e për sa kohë që Perëndimi ka interes të mbajë prezencë trupore në Siujdhesën Ilirike, çfarosje e dëbime masive më s'do të ketë. Ne, thjesht, sot për sot s'kemi se ç'të humbim, po kemi shumëçka - në mos gjithçka! - për të fituar!

Problemi është, që kjo intermeco e favorshme s'do të zgjasë gjer në infinit. Shqiptarët do të ishin popull idiot po t'i fusnin krejt vezët në shportën e një mysafiri. Në rastin më të mirë, Perëndimi do të qëndrojë në Siujdhesën Ilirike derisa ta ndërtojë një arqitekturë ca më stabile të paqes (veni re që themi "stabile", e jo "të drejtë"). Në rastin më të keq, ai do të largohet pa u lodhur fort se çka lë pas, si ka bërë shpesh anembanë rruzullit: një krizë në Irak, në Izrael, a në Qipro, kërcënon ta kthejë Serbinë katullaq në Kosovë. Qoftë në rastin e parë, qoftë në atë të dytin, patjetër që Perëndimi një ditë prej dite do të ikë prej këtu. E atëhere, ç'do të bëjnë shqiptarët?

Për shqiptarët, ky Moment 22 ta kujton dilemën e bjeshkatarit që ka rrëshqitur në greminë. I kapur për një degë që sa vje e këputet ai ngurron, në do të rrezikojë për t’u hedhur matanë, apo ta shijojë jetën edhe pak, gjersa t'i këputet dega krejt?

Irredentisti e ka përgjegjen flakë: shqiptarët duhet të rrezikojnë! Për ne shqiptarët, kjo situatë e re në Siujdhesën Ilirike është gjas historik. Ne s'duhet ta lozim palaçon, po ta shfrytëzojmë maksimalisht! këtë dritare të rastit që na është hapur, sa s'është mbyllur sërish pa kthim.

Në këtë mes, irredentizmi militant loz rol parësor. Ai është përshpejtuesi i përsosur i proceseve: i trimëron shqiptarët në kërkesat e veta të ligjshme, ndërsa i thërret njëherit edhe arsyes së aleatëve tanë. Në një botë më të përsosur, doemos që irredentizmi militant do të shfrytëzohej edhe prej politikës zyrtare, si argument që kërkesat irredentiste duhet marrur me seriozitet. S'do mend që irredentizmi militant, njësoj si të gjitha fenomenet vizionare të kohës, do të mallkohet prej shumë titullarëve vendas e të huaj; por ai do ta gëzojë mirënjohjen e amshueshme të pasardhësve tanë.

Ekzistojnë vetëm dy kufij, të cilëve irredenca militante s'bën t'u afrohet as për së largu. Ajo s'guxon kurrë të ngre dorë mbi perëndimorët, në radhë të parë mbi amerikanët, gjermanët, e turqit. Si dhe, ajo s'guxon assesi të fërkohet me rrymime islamiste e/a majtiste. Pos kësaj, kufiri i vetëm është ajo që duan e janë të gatshëm ta bëjnë vetë militantët. Apo, si thonë miqtë amerikanë: "The sky is the limit”.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË