NUMĖR 75
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 12 SHTATOR 2003

Sa u kushton SHBA-ve aleanca me ish kundërshtarët?

Shkruan: Iliriana BAJO

250 milionë dollarë do t'i kushtojnë Shteteve të Bashkuara 9 mijë trupat polake, që do vendosen në Irak.

Kjo është mundësuar nga një marrëveshje dypalëshe mes Varshavës dhe Uashingtonit.

Polonia do të ketë nën kontroll një nga tre zonat e sigurisë që është ndarë Iraku dhe pikërisht pjesën veriore të vendit. Dy zonat e tjera zyrtarisht do jenë nën kontrollin amerikan dhe britanik. Në fakt aleanca amerikane me vendet e Evropës Lindore apo "Evropën e re", sic u cilësua nga shefi i Pentagonit Donald Rumsfeld, po i nxjerr shpejt në pah problemet.

Administrata Bush është në nxitim që të krijojë një forcë shumëkombëshe të sigurisë në Irak. Në fakt deri tani, sipas burimeve zyrtare amerikane, janë mbi 30 vende që kanë dërguar trupa ose janë të gatshme ta bëjnë një gjë të tillë. Por shumica e këtyre vendeve janë nga ish-Evropa Lindore, të cilat me gjithë përparimin e arritur nuk kanë arritur një zhvillim ekonomik dhe ushtarak, të tillë që të përballojnë financiarisht koston e operacioneve të tilla të kushtueshme.

Njëherësh me gjithë reformat e bëra në ushtri prej vendeve të ish bllokut komunist, që tani përbëjnë aleatët kryesorë të administratës Bush lidhur me cështjen e Irakut, ato janë ende para në fushën ushtarake, pasi buxheti i mbrojtjes që ato kanë përcaktuar gjatë 10 viteve të fundit ka qenë në varësi të reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Kjo do të thotë se buxheti i tyre ushtarak lë për të dëshiruar.

Ndërkaq vendet e Evropës perëndimore, me kapacitete ushtarake dhe financiare, kanë qenë ndër kundërshtaret kryesore të ndërhyrjes ushtarake në Irak.

Kështu Gjermania dhe Franca kanë përsëritur sërish dhe gjatë ditëve të fundit se do të kontribuojnë me trupa vetëm në një forcë të sigurisë që ka miratimin e Kombeve të Bashkuara.


Fatura e aleancave

Administrata Bush, sidomos pas rritjes së viktimave në mesin e trupave amerikane në Irak, ka njohur rënie të mbështetjes së publikut, ndonëse ende ka mbështetje të gjerë, pra mbi 50 për qind.

Duke qenë se po i afrohemi vitit 2004, që është viti i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, administrata amerikane kërkon t'i marrë kundërshtarëve politikë argumentat e mundshme. Qysh tani presidenti Bush e di se mosbërja e aleancave të gjera në luftën në Irak do të jetë një nga pikat e dobëta në fushatën e tij të ardhshme zgjedhore.

Kjo është arsyeja që administrata amerikane po kërkon krijimin e një force shumëkombëshe të sigurisë në Irak për të vërtetuar të kundërtën.

Kjo është arsyeja që qeveria e SHBA-ve po paguan vetëm për Poloninë një faturë as më pak dhe as më shumë, por cerek milioni dollarë.

Në kohën kur balanca ekonomike në Shtetet e Bashkuara po njeh shifrat më negative prej vitesh fatura të tilla vetëm sa e rëndojnë gjendjen e ekonomisë amerikane. Dhe ky rëndim në buxhet nuk ka thjesht pasoja të castit, por pasoja afatmesme, madje dhe afatgjata.

Tashmë ekspertët në Shtetet e Bashkuara po pyesin gjithmonë e më shpesh nëse ka vlerë fakti që të paguhet kaq shumë për aleancat me Evropën e re? A janë këto fatura që bëhen në emër të sigurisë dhe përfitimeve të Shteteve të Bashkuara apo të një administrate të caktuar?

Në fakt për administratën Bush pyetjet vetëm po shtohen, derisa duket se përgjigjet po bëhen gjithmonë e më urgjente.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË