NUMĖR 75
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 12 SHTATOR 2003

Shqipja s'ka emër në Shkup

Marrëveshja e Ohërit bëri një hap para, por shqipja ende është larg statusit të gjuhës zyrtare në kuptimin e plotë të fjalës

Shkruan: Naser SELMANI


Gjuha shqipe që flitet në viset shqiptare në Maqedoni është në gjendje të mjerë. Kjo është pasojë e pozitës së saj në shoqëri. Shqipja ka qenë dhe vazhdon të jetë në pozitë inferiore ndaj gjuhës zyrtare maqedonase. Edhe pse me Marrëveshjen e Ohërit u bë një hap para, shqipja ende është larg asaj që thuhet gjuhë zyrtare në kuptimin e plotë të fjalës.

Ajo në mënyrë selektive përdoret në institucionet e shtetit. Norma kushtetuese është shumë e paqartë. Ajo një herë e shpallë gjuhën shqipe zyrtare, pastaj me nenet tjera e ç'zyrtarizon dhe e kufizon përdorimin e saj zyrtarë tejmase. Zyrtarisht shqipen mund ta flasin deputetët shqiptarë në kuvend, por jo edhe ministrat në qeveri dhe diplomatëtë në marrëdhëniet me jasht.

Në Parlament gjuha shqipe është zyrtare vetëm me fjalë, e jo edhe me shkrim. Deputetët mund ta flasin, por jo edhe ta shkrujnë zyrtarisht. Gjithë procedura e miratimit të ligjeve bëhet kryekëput në gjuhën zyrtare maqedonase. Kufizime të ngjashme për përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe ka në të gjitha nivelet e pushtetit qëndrorë.

Në mënyrë të palakmueshme gjuha shqipe përdoret edhe në nivelin e pushtetit lokal. Edhe atje është bërë një shkallëzim absurd i komunave. Përdorim më të gjërë zyrtarë të shqipes praktikohet në komunat ku shqiptarët janë shumicë, ndërsa atje ku shqiptarët përbëjnë 20 për qind të popullatës, përdorimi i shqipës është kufizuar brenda mureve të godinës së komunës. Shqipja nuk flitet fare në komunat ku shqiptarët përbëjnë më pak se 20 për qind të popullsisë.

Norma kushtetuese për përdorimin zyrtarë të shqipes ashtu konfuze nuk mund të zbatohet pa mos u miratuar ligji për përdorimin zyrtarë të shqipes, i cili do t'i jepte shtat përcaktimin kushtetues për përdorim zyrtarë të saj.

Ky obligim ishte paraparë në Marrëveshjen e Ohërit, por kaluan dy vite nga nënshkrimi i marrëveshjes, e ligji ende nuk është miratuar. Bile as që ka hyrë në procedurë parlamentare. Flitet se kjo do bëhet në vjeshtë, po kjo nuk do të thotë asgjë. Edhe më herët premtohej nga pushtetarët se ligji do miratohet në qershor, por kjo nuk ndodhi pa mos arsyetuar askush prolongimin.

Shqipja në kushtetutën e re të Maqedonisë është e depersonalizuar. Ajo thjeshtë s'ka emër. Emri zyrtarë i saj që sugjeron atë është "gjuhë tjetërfare prej maqedonishtes që e flasin mbi 20 për qind e popullësisë". Më pozitë absurde dhe përçmuese se kjo nuk mund të paramendohet.

Sipas të dhënave zyrtare nga buxheti shtetërorë për kulturën shqiptare në Maqedoni ndahen më pak se një për qind. Nga kjo pozitë gjuha shqipe në sistem prodhon jovlera. Shqipja as për së afërmi nuk respekton normën letrare të gjuhës standarde. Te ajo shfaqen dy dukuri negative. Ndikimi i gjuhëve sllave, konkretisht maqedonsishtes dhe të folmet dialektore.

Ndikimi i gjuhëve sllave është më i dëmshëm, sepse përveç leksikut ka filluar të depërtojë edhe në sintaksën e gjuhës. Shqipja ka filluar t'i përngjajë maqedonishtes, apo sikur krijohet një përzierje jo e natyrshme gjuhe që shfaqet si një shqipe e maqedonizuar. Shqipja e bartharduar flitet në media dhe sistemin e arsimit. Përkthyes jo të shkathtë në vend që të përshtatin bëjnë përkthime teksuale nga gjuha zyrtare maqedone në gjuhën shqipe. Kjo gjuhë pastaj përqafohet nga publiku i gjërë duke e pranuar si gjuhë standarde shqipe.

Për të parandaluar këtë dukuri negative që e tëhuajson gjuhën shqipe të unifikuar rolin kryesor duhet të marin institucionet e shtetit. Ata menjëherë duhet të angazhohen për krijimin e infrastrukturës kulturore për të degetoizuar hapësirën kulturore shqiptare. Duhet të hapin institucione kulturore, arsimore e shkencore, siç janë biblioteka, librari, shkolla, univeristete e institute dhe të punojnë për stërvitjen e kuadrove që do punonin në këto institucione.

Nëse politika krijon kushte për zhvillimin e gjuhës, brumin e saj duhet ta gatuajnë artistët. Atë e kultivojnë poetët, shkrimtarët, dramaturgët, gazetarët, aktorët, etj. Gjuha shqipe nuk mund të tingëllojë bukur e rrjedhshëm nëse njerëzit që e flasin nuk lexojnë sa duhet. Kjo në shesh nxjerrë edhe një dukuri tjetër se shqiptarët pak lexojnë, bile edhe në gjuhën e tyre e mos të flasim për literaturë në gjuhë tjera. Mungesë tradite leximi. Vetëm kjo nuk zgjidhet me dekret politik, duhet kohë dhe punë.

Shqiptarët e Maqedonisë e kanë të vështirë të flasin shqipen e njësuar për shkak të të folmeve dialektore. Pjesa dërmuese e tyre përdoren me dialektin gegë, ndërsa gjuha e njësuar mbështetet mbi dialektin toskë. Ata vështirë shqiptojnë Y-në, nuk kanë ndjenjë për theksimin e Ë-së në fund të fjalës, vazhdimisht diftongojnë zanoren I etj. Mirëpo këto defekte dialektore mund të tejkalohen me pak përkushtim ndaj gjuhës.

Përgjegjësi për ruajtjen e zhvilimin e shqipes kanë veçanërisht mësuesit dhe gazetarët. Të parët nëpër shkolla duke punuar më me zell dhe duke përdorur tekste shkollore që burojnë nga tradita shqiptare. Nxënësit njëherë duhet të përvetësojnë mirë gjuhën amtare e pastaj të vazhdojnë me mësimin e gjuhëve tjera, maqedonishtes dhe gjuhëve botërore.

Mediat publike shqipe në Maqedoni janë nën ndikim të fuqishëm të partive politike në pushtet. Disa prej mediave private përkrahin opozitën. Por gazetarët e të dy taboreve punojnë në kushte shumë të vështira ekonimike. Prandaj mungon profesionalizmi ndaj zanatit dhe kujdesi ndaj gjuhës që përdorin.

Në Shkup haset edhe një absurd kulturor. Këtu janë hapur dhjetra qendra kulturore. Hapën amerikanët, anglezët, francezët, gjermanët etj, ndërsa shteti shqiptar nuk e sheh të arsyeshme që të hap një qendër kulturore shqiptare, prej ku shqiptarët vendas do të mund të ndjekin risitë të kulturës shqiptare në përgjithësi.

Shqipja në Maqedoni përballet edhe me një absurd tjetër ideor. Porosinë që e bartë shqipja e karakterizon patetizmi folklorik dhe politizimi i skajshëm. Në shqip bëhet patriotizëm i rrejshëm dhe flitet për ide të mëdha, ndërsa askund nuk e gjenë hallin e njeriut të rëndomtë. Ekziston një shpërputhje midis fjalës së thënë dhe veprave. Fltet për ide të mëdha, ndërsa punët e shqiptarëve ngelin.

Unë jam njëherë shqiptar e pastaj gazetar. Kështu pa pikë turpi do të deklarojë një gazetarë shqiptarë në televizionin publik duke dashur të arsyetojë heshtjen e mediave ndaj dukurive negative të shoqërisë shqiptare.

Çfarë absurdi! Për të qenë gazetarë i mirë duhet të jesh shqiptarë i keq! A ka budallallëk më të madh dhe të gjithë të heshtin.

Në gjuhën e shqiptarëve të Maqedonisë mungon vetkritika. Të gjitha hallet që kanë lehtë i zgjidhin. Shpeje shpejt gjejnë fajtorin dhe puna ka mbaruar. Fajtori është gjithnjë dikush i huaj. Njëherë fajin e ka e tërë bota, përveç atyre vet.

Një herë na kanë faj fqinjët, pastaj fuqitë e mëdha. Në ndonjë rast tjetër pushteuesit e vjetër, turqit e nëse e do puna kthehemi edhe më herët në lashtësi duke kërkuar fajtor kujdestarë për budallallëqet tona.

Kjo verbësi shqiptare çuditërish i shkon për shtati pushtetit dhe bashkësisë maqedone. Ata në fakt as që mund të ndryshojnë diçka në mendësinë shqiptare sepse transformimi i shoqërisë shqiptare është punë e vetë shqiptarëve. Çdo përzierje e maqedonasev nga pjesa dërmuese e shqiptarëve do të përjetohej si ndërhyrje qëllimkeqe e bashkësisë më të madhe etnike.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË