NUMĖR 75
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 12 SHTATOR 2003

Urë mes kulturash

Ferdinand Laholli boton dygjuhësh: „Antologji e poezisë moderne shqipe / Antologie der modernen albanischen Lyrik”

Raimund CREMERS

© „Schaumburg-Lippische Landes Zeitung“

Autori shqiptar me banim në Bykeburg sapo ka botuar shqip-gjermanisht “Antologji e poezisë moderne shqipe / Anthologie der modernen albanischen Lyrik”. Hartimi i kësaj vepre ka kërkuar leximin e vëmendshëm të qindra vëllimeve poetike, për të kryer përzgjedhjen, pastaj përkthimin, e më pas përfshirjen e tyre në dorëshkrimin dygjuhësh. Poezi nga 93 autorë përfshihen në këtë botim. „Është një orvatje për të përforcuar lidhjet shpirtërore mes dy kulturave tona, asaj shqipe dhe asaj gjermane“ – thotë Laholli në bisedë me gazetën tonë. Nga vepra e botuar kuptohet se nuk është thjesht fjala për krijimtarinë letrare të mbrujtur brenda kufinjve të Shqipërisë së sotme politike, por edhe për atë krijimtari poetike të të ikurve prej saj, si shkak i përndjekjes politike, sikurse është rasti me familjen Laholli, e cila ka përjetuar shtypjen për dekada të tëra, gjersa më 1990 guxon emigrimin drejt Gjermanisë. Por në këtë vepër janë përfshirë edhe krijime të mjaft emigrantëve, larguar mes të tjerash edhe si pasojë e keqësimit ekonimik të atjeshëm. Çdokush që merr në dorë këtë botim antologjik do të ndeshë aq dendur edhe krijime nga autorët shqiptarë me banim në vendet e ish-Jugosllavisë. „Pa praninë e tyre, kjo vepër s’kish për të qenë asnjëherë e plotë, kish për të qenë ngaherë e hiçtë“ – shpreh bindjen e vet Ferdinand Laholli.

Sipas vlerësimit të tij, poezia brenda kufinjve të Shqipërisë politike e njohu lulëzimin e saj vetëm pas rrëzimit të rregjimit komunist. E sikurse edhe citohet në libër, „vetëm pas vitit 1990, kur populli u zgjua dhe rrëzoi diktaturën enveriste, vetëm atëhere fjala gjeti vetveten, pra u lirua nga vargonjtë partiakë! Ky është edhe një nga shkaqet që pas atij viti lexuesi shqipfolës përjeton një vërshim të paparë vëllimesh me emra autorësh të njohur e të panjohur, ku fjala e lirë poetike aftësohet në mbartje mendimesh e ndjenjash të thella e të vërteta, aftësohet jo vetëm në mbartjen e fatit të mirë, por edhe fatkeqësisë e dhimbjes gjer më dje paradoksisht të ndaluara. Duke braktisur gjithnjë e më theksuar retorikën deklamonjëse ajo është bërë gjithsesi më e sinqertë e më vitale, ka fituar më tepër hapësirë dhe ngjyrë ekspresive, duke forcuar kështu tek vetja elementet e artit.“

Referuar botimive të tij dygjuhëshe, edhe dygjuhësia e kësaj vepre ka mes të tjerash funksionin respektues e nderues të gjuhës së autorëve, por ndërkohë kemi të bëjmë edhe me një ballafaqim të punës së lodhshme përkthyese. Lidhur me planet e tij krijuese, Ferdinand Laholli na flet për një ëndërr të madhe: botimin dygjuhësh të antologjisë së poezisë gjermane, me të cilën tashmë edhe ka filluar punë.

„Antologji e poezisë moderne shqipe / Anthologie der modernen albanischen Lyrik“, e cila u botua në një tirazh startues prej 1000 ekzemplarësh nga DORUNTINA në Holzminden mund të porositet direkt në adresën e botuesit:

Doruntina
Postfach 1632
37596 Holzminden / Germany
Tel. & Fax: 05531 120679
E-mail: revista-doruntina@t-online.de

Për bykeburgasit ky botim gjendet në librarinë qëndrore „Schek“.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË