NUMĖR 75
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 12 SHTATOR 2003

Zoran Xhinxhiç - njeriu që lidhi pakt me djallin

(c) Le Figaro

Në rrugën e Shilerit në Beograd ndjehet një atmosferë e çuditshme. Rruga Shilerova, gjendet në rrethina të Beogradit, në një lagjje ku klani i Zemunit është popullor. Lagjja është e mbushur kryesisht me banesa për punëtorët, të ndërtuara në vitet '70 dhe me shitore të vogla ushqimesh, të cilat shesin në trotuare pijet.

Përballë vizitorëve të huaj, shitësit dhe banorët e lagjjes, siç ndodh rëndom në lagjjet popullore të Serbisë, janë të sjellshëm dhe mikpritës, megjithë të nxehtin e padurueshëm të kësaj vere.

Por kur i pyet rreth atyre që vizitonin shtëpinë numër 38 në rrugën Silerova, ata tërhiqen menjëherë dhe të japin të njëjtën përgjigjje: "Më vjen keq, por nuk mund t'ju ndihmoj, pasi nuk i shihnim kurrë vzitorët. Ata vinin kryesisht me vetura të mëdha me xhama të errëta dhe futeshin menjëherë në parkingun e poshtëm të shtëpisë."

Ky reagim i qytetarëve të rëndomtë serbë të lagjjes periferike të Beogradit, lidhet me skandalin që ka prekur dhe është në qendër të interesit të gjithë klasës politike serbe: Kush nga politikanët në pushtet ka frekuentuar Dushan Spasojeviçin?

Ish futbollisti në fund të viteve '90 u bë shef i një klani mafioz, dhe u pasurua nga trafiku i drogës. Spasojeviç për të dëshmuar "të arriturat" e tij ndërtoi në lagjjen e fëmijërisë një vilë jashtëzakonisht të madhe, me pishinë dhe një kompleks tregtar pranë. Përpara një komisioni parlamentaar Ceda Jovanoviç, ish udhhëheqës i lëvizjes anti-Millosheviç, dhe sot zëvendëskryeministër, ka pranuar se ka takuar së paku një herë Spasojeviçin, por që kjo "ishte në interes të shtetit", ka thënë Jovanoviç, pa bërë saktësime të mëtejshme.

Në fakt sot nuk do të flitej për Spasojeviçin, nëse ai do të kishte qëndruar thjesht shefi i klanit "Zemun". Problemi qëndron në atë se ai shkoi shumë më larg. Për autoritet serbe ai ka qenë një ndër dy organizatorët kryesorë të vrasjes së kryeministrit Zoran Xhinxhiç, 12 marsin e kaluar.

Komploti u dirigjua nga ai dhe Millorad Ulemek, i njohur me emrin Lukovic apo Legija. Ky emër i fundit lidhet me atë se ka qenë pjesëmarrës në Legjionin e të huajve të ushtrisë franceze në rininë e tij. Legija ka qenë dhe shef i njësisë së operacioneve speciale të shërbimit sekret serb, të njohur ndryshe si "Beretat e Kuqe".

Ndryshe nga ç'shpresonin komplotuesit qeveria nuk ndenji mënjëanë pas vrasjes së Xhinxhiçit. Në vend u vendos gjendja e jashtëzakonshme dhe u bënë mbi 4000 arrestime në mesin e njerëzve të përfshirë në krimin e organizuar dhe rrethet paraushtarake aktive në luftërat e Bosnjës dhe Kroacisë.

Vila e Spasojeviçit me numër 38 në rrugën Silerova u rrafshua me tokën nga buldozerët me urdhër të qeverisë. Vetë Spasojeviç u vra nga policia në 29 mars, në një fshat të izoluar, jo larg Beogradit, ku ai dhe një bashkëpunëtor i tij fshiheshin.

Sipas versionit zyrtar të policisë, të dy u vranë derisa kishin bërë rezistencë ndaj policisë, kur kjo e fundit kishte vajtur për t'i arrestuar.

Por askush në Serbi nuk beson në këtë version. Njerëzit mendojnë se të dy mafiozët u vranë, që të mund të mos flisnin përpara drejtësisë, pasi ata dinin shumë për kompromiset e njerëzve të Partisë Demokratike në pushtet dhe zyrtarëve të lartë të policisë.

Duke folur mbi baza thjesht ligjore vrasja e tyre është humbje e madhe, pasi ata ishin të informuar për Legijën, shefin e komplotit, i cili sot nuk gjendet,dhe me siguri besohet të jetë jashtë vendit.

Mundëm të takonim vjerrën e Spasojeviçit, një nëpunëse zyre, që jetonte në një apartament rreth një kilometër larg vilës numër 38 në rrugën Silerova, e cila rreth vrasjes së tij thotë se "deri në momentin që ai pati fatin e keq të lidhej me politikën, nuk ka pasur gjasa t'i ndodhte gjë".

Për popullin e rëndomtë në Serbi, krimi i organizuar dhe politika janë dy gjëra që bëjnë një të tërë.

Regjimi autoritar i Millosheviçit në vitet 1990 - 2000, nën mbulesën e nacionalizmit, në mënyrë të konsiderueshme ka ushqyer krimin e organizuar dhe njëherësh i ka përdorur rrethet e krimit të organizuar për të kryer punët e veta.

Krime kryesore të luftës të kryera në Kroaci dhe Bosnjë janë bërë nga bandat paraushtarake, anëtarët e të cilëve kishin dosje të tëra me vepra kriminale.

Një pjesë e mirë e shefave të ketyre grupeve u pasuruan nga shkelja e embargos dhe kontrabanda ne Serbi. Shembulli më tipik ishte Arkani, që përfundoi i vrarë në hotelin Interkontinental në Beograd, pa dyshim sipas urdhërave të të birit të Millosheviçit, që e kishte filluar biznesin nga Arkani.

Një ndër kundërshtarët kryesorë politikë gjatë viteve të Millosheviçit, Zoran Xhinxhiç, i diplomuar shkëqyeshëm në filozofi në një universitet gjerman, dhe që kishte arritur shumë i ri në moshë në krye të Partisë Demokratike (formacioni më i vjetër politik në Serbi), personalisht nuk ishte i tërhqur nga rrethet e krimit të organizuar. Por ai u vra pasi kishte bërë pakt me djallin. Dhe ja historia e paktit, që nis diku në fillim të verës së vitit 2000.

Në atë kohë një shans historik paraqitej për opozitën serbe. Rreth një vit pasi Serbia kishte humbur Kosovën dhe Millosheviçit i ishin ngritur aktakuzat nga Gjykata e Hagës, Millosheviçi vendosi mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, ku ai do të kandidohej vetë.

Nën presionin e amerikanëve, partitë e opozitës demokratike serbe, të cilat ishin plotësisht të përçara, arritën të dilnin me një kandidat të përbashkët në këto zgjedhje presidenciale, Vojisllav Koshtunicën, një nacionlist të moderuar.

Organizator i pakonkurrencë, Xhinxhiçi u bë drejtuesi i fushatës dhe platformës së opozitës serbe të bashkuar, e cila kishte mbështetje financiare, të pa bërë publike, nga qeveria amerikane.

Pragmatik siç ishte, Xhinxhiçi e kuptoi se Millosheviçi edhe pse i mundur nuk do ta lëshonte pushtetin. Ndaj për ta rrëzuar diktatorin opozita duhej të dëshmonte forcën. Dhe për t'ja arritur kësaj ai ishte i gatshëm të bënte aleancë me këdo.

Dëshmitari në martesën e tij, Dragoljub Markoviç, biznesmen, i cili e kishte vënë pasurinë me tregtinë e mallrave ushqimore, e vë Xhinxhiçin në kontakt me Lubisha Buhën, i njohur me emrin Kume, shef i klanit Surçin, i cili ishte i vendosur në rrethinat e Beogradit pranë aeroportit. Pasi kishte vënë pasuri me shitjen e veturave të vjedhura, Kume u bë një nga baronët e drogës. Gjatë verës së vitit 2000 Kume kishte disa cilësi tepër të domosdoshme: ai zotëronte armë dhe njerëz në sasitë e duhura, por mbi të gjitha lidhje të shkëlqyera me policinë sekrete dhe veçanërisht me Legijën, ish njeri i Arkanit, tashmë shef i "Beretave të Kuqe". Spasojeviçi i rrugës Silerova, ishte një nga më të afërtit në biznesin e Kumes.

Ecja mbarë e bizneseve të ketij të fundit varej drejtpërsëdrejti nga lidhjet me politikën dhe Kume e kuptoi menjëherë se Millosheviçit i kishte ardhur fundi, ndërsa Xhinxhiçi paraqiste të ardhmen.

Xhinxhiçi gjithashtu e dinte se për të mbrojtur pushtetin e tij Millosheviçi përdorte "Beretat e Kuqe", ndërsa Xhinxhiçi duhej t'i afrohej "Beretave" për të mënjanuar një gjakderdhje masive. Në shkëmbim të kësaj Xhinxhiç premtoi se pushteti i ardhshëm asnjëherë nuk do të ngrinte aktakuza apo do të hetonte krimet e së kaluarës të kryera nga "Beretat e Kuqe" në Kroaci, Bosnjë apo vrasjet politike brenda Serbisë.

Në 24 shtator Koshtunica fiton 51 për qind të votave, në turin e parë të zgjedhjeve, por komisioni zgjedhor nën urdhërat e Millosheviçit nuk pranon rezultatet. Serbët fillojnë të dalin nëpër rrugë duke thirrur "Gotov je" - "Mbaroi".
Prova e forcës u vendos nga opozita që të bëhej më 5 tetor, ku do organizohej një manifestim i madh nga drejtuesit e opozitës, përpara parlamentit të vendit.
Mëngjesin e asaj dite njerëzit nga gjithë Serbia nisën të vinin në Beograd. Në mënyrë sekrete në orën 6 të pasdites, të po asaj dite, Xhinxhiçi dhe Legija takohen.

Në orën tre pasdite, përpara parlamentit ishin mbledhur mbi gjysmë milion protestuesish. Policia përdori fillimisht gaz lotsjellës, por në orën 16 demonstruesit ishin në Parlament.

"Beretat e Kuqe" që nuk ishin larg nga vendi i ngjarjes thjesht injoruan urdhërat e Millosheviçit. Legija u shndërrua në ikonë të revolucionit, ai ishte njeriu që nuk lejoi gjakderdhjen. Të nesërmen Milloshevçi pret Koshtunicën dhe pranon humbjen e zgjedhjeve përpara kamerave të televizionit.

Tre muaj më pas opozita demokratike fiton zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe Xhinxhiçi bëhet kryeministër i Serbisë, post i cili kishte realisht pushtetin.
Ndërsa Legija u shndërrua në shërbëtorin më të mirë të qeverisë së re. Ishte ai që në prill të 2001 realizoi aksionin kundër vilës së fortifikuar të Millosheviçit për të arrestuar ish presidentin. Xhinxhiçi kishte siguruar Legijën se Millosheviç do të gjykohej në Serbi.

Tre muaj më vonë Millosheviçi u dërgua në Hagë, vendim që Xhinxhiç e morri nën presionin e amerikanëve, derisa Koshtunica ishte në vizitë jashtë vendit.

Në këtë kohë mes Xhinxhiçit pragmatik dhe Koshtunicës kushtetues, dallimet u bënë shumë të mëdha dhe ata thjesht nuk merreshin vesh.

Dërgimi i Millosheviqit në Hagë ishte vetëm një dru në pyll. Ish regjimi serb mbështetej në katër shtylla, pollicinë, ushtrinë, oligarkinë financiare të pasuruar në bazë të operacioneve të paligjshme të bëra nën ombrellën e shtetit dhe shërbimin sekret. Por asnjë nga këta sektorë nuk pësoi ndryshime apo nuk u pastrua pas revolucionit të 5 tetorit.

Hirearkitë e këtyre shtyllave bënë kompromis dhe aleancë me qeverinë e re, ushtarakët u rreshtuan pas Koshtunicës, derisa të tjerët qëndruan me Xhinxhiçin. Por njëherësh ata nuk ishin të gatshëm të pranonin rregullat e një shteti ligjor.

Njëherësh këto grupe dinin të luanin dhe të shfrytëzonin fare mirë rivalitetet ekzistuese brenda pushtetit dhe pikërisht mes presidentit, qe e quante vendin ende Republika Federale e Jugosllavisë dhe kryeministrit të Serbisë.

Dhe pikërisht në këtë kohë Kume u ftua nga njerëzit e Xhinxhiçit që të legalizonte bizneset e tij. Kume filloi të ishte aktiv në punët publike, përmes një kompanie të quajtur Difens Road. Qeveria njëherësh i besoi një morri kontratash, siç ishte ajo për rrugën Beograd - Nish. Në atë kohë mediat në Beograd kanë shkruar se dhënja e këtyre kontratave nuk ishte bërë në mënyrë transparente.

Në gusht të vitit 2001, Momir Gavrilloviç, ish oficer i shërbimeve sekrete, shkonte në pallatin presidencial për t'u takuar me tre këshillatarë të ngushtë të Koshtunicës. Ka prova që dëshmojnë se ai do të ofronte takimet e Xhinxhiçit me njerëzit e klanit Surçin. Gavrilloviç është vrarë po atë natë, në rrethana misterioze.

Në nëntor të vitit 2001 "Beretat e Kuqe" të komanduara nga Legija, organizuan një protestë. Të armatosur me xhipat e tyre kamuflazh, ata bllokuan për disa orë një pjesë të rrugës në periferi të Beogradit. Përmes këtij demonstrimi force, njësia e operacioneve speciale synonte të tregonte pakënaqësinë e saj ndaj qeverisë. Me urdhër të ministrit të brendshëm, por pa i ditur motivet, "Beretat e Kuqe" kishin arrestuar dy vëllezër të cilësuar si "shumë të rrezikshëm". Ata ishin dy serbë të Bosnjës, të akuzuar për krime lufte nga Gjykata e Hagës. Beretat këtë nuk mund t'ia falnin sërish qeverisë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË