NUMĖR 70
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 15 JANAR 2003

Dhuna ndërshqiptare në IRJM produkt partiak

Shkruan: Naser Selmani

Pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë në Maqedoni u krijuan kushte për pavarësimin e vendit dhe vendosjen e një rendi të ri demokratik. Raportet e reja politike jo vetëm në territoret ish jugosllave, por edhe në mbarë rajonin ballkanik dhe në shtetet e ish bllokut socialist, u hapën shtigje të reja shqiptarëve që të organizohen politikisht për të artikuluar dhe mbrojtur interesat e tyre.

Deri atëherë shqiptarët ishin të përjashtuar tërësisht nga institucionet shtetërore maqedonase. Diskriminimi etnik kishte marrë përmasa çfarë rrallë ku mund të evidentoheshin në ndonjë hapësirë tjetër të ish Jugosllavisë. Thënë shkurt, shqiptarëve u ishin mohuar të gjitha të drejtat njerëzore e etnike dhe ata praktikisht fillonin prej zeros.

Të përballur me një situatë mjaftë të pafavorshme, shqiptarët e Maqedonisë ndër të parët shfrytëzuan rastin për të pasur parti të veten politike. Partia për prosperitet demokratik, e formuar nga një grup entuziastësh shqiptarë, ishte partia e dytë politike që u regjistrua në gjyqet maqedonase. Ajo në fillet e saja e deri në vitin 1993 më tepër i ngjante një lëvizjeje popullore, se sa një partie mirë të profiluar politike me një koncept dhe ideologji të caktuar. Anëtarë të PPD-së thuaja se ishin të gjithë shqiptarët, dhe kështu vazhdoi deri në vitin 1993 kur ndodhi përçarja e madhe. Përçarrja midis shqiptarëve shënon edhe zanafillën e dhunës politike. Nga PPD-ja u profiluan dy parti, PPD-ja e vjetër në krye me Abdurahman Halitin dhe rryma radikale në krye me Arben Xhaferin, që veten e quajtën PPDSH. Rivaliteti i pakompromis midis këtyre dy subjekteve vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Dhuna politike te shqiptarët e Maqedonisë dallon nga trojet tjetra shqiptare, siç janë Shqipëria dhe Kosova, si për nga intenziteti ashtu edhe për nga mënyra se si është shfaqur.

Për fat të mirë, te shqiptarët e Maqedonisë ka më pak dhunë politike sepse deri tani nuk ka pasur asnjë vrasje të ndonjë figure politike me ndikim, edhe pse pas luftës ishte sulmuar selia alternative e PDSH-së në Tetovë, por kaloi pa pasoja në njerëz. Ndoshta kjo është kështu sepse partitë shqiptare nuk kanë pushtet të plotë, por janë pjesëmarrëes në qeverisje me maqedonët. Vrasje të personaliteteve politike, siç ishte rasti i vrasjes së Azem Hajdarit në Shqipëri dhe një seri vrasjeve në Kosovës nuk kishte. Por kjo nuk do të thotë se dhunë nuk ka dhe nuk ka pasur midis shqiptarëve të Maqedonisë. Në një periudhë dhuna politike ndërshqiptare është ushtruar përmes policisë maqedonase, ndërsa në fazën e fundit e kanë ushtruar vetë shqiptarët kundër shqiptarëve.

Dhunë politike ndërshqiptare për herë të parë ka ushtruar PPD-ja gjatë qeverisjes së saj gjashtëvjeçare prej 1993 e deri në vitin 1998. Inicijatorë i dhunës ishte PPD, që përmes instrumentit, policisë maqedonase ushtronte presion kundër rivalit të saj PDSH-së. Dhuna manifestohej kryesisht gjatë zgjedhjeve përmes kërcënimeve, rrahjeve dhe burgosjeve politike me qëllim që të ndikohet në rezutatin e zgjedhjeve.
Ndërsa dhunë politike që e kanë ushtruar drejpërdrejt shqiptarët kundër shqiptarëve, që për pasojë ka pasur edhe të vrarë, ka bërë drejtpërdrejt PDSH kundër PPD-së gjatë qeverisjes së saj prej vitit 1998 e deri në vitin 2002.

Viktima e parë politike ra gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2000. Në një përleshje ende të pasqaruar midis aktivistëve të PPD-së dhe PDD-së në fshatin Kondovë të Shkupit vritet Fatmir Jakupi, aktivist i PPD-së. Askush para drejtësisë nuk është përgjigjur për këtë vrasje. Në vend të kësaj për rastin ka pasur një proces gjyqësorë, në të cilin disa persona janë akuzuar për prishjen e rendit.

PPD akuzonte se vrasësit e Fatmirit ishin grupe kriminelësh të paguar nga PDSH. Ata kanë pasur për detyrë që me dhunë të falsifikojnë rezultatin e votimit. Njerëzit që janë përpjekur t'i pengojnë në arritjen e qëllimit të tyre janë sulmuar me armë zjarri. Nga të shtënat vritet Fatmir Jakupi dhe plagosen dy të tjerë.

Vrasje politike pas mbarimit të luftës në Maqedoni ka pasur midis frakcioneve të UÇK-së. Në një përleshje të armatosur që kishte ndodhur në Reçicë të Vogël pranë selisë së Ali Ahmetit midis pjesëtarëve të UÇK-së dhe AKSH-së u vranë katër pesona. Motivet e kësaj përleshje mbeten të pasqaruara edhe sot e kësaj dite.

Mirëpo, edhe lufta që u zhvillua në Maqedoni gjatë vitit 2001 në fillet e saj u manifestua si ndeshje ndërshqiptare, ndërsa më vonë mori karakterin e një kryengritje shqiptare kundër pushtetit maqedon. Pushka ishte drejtuar kundër qeverisë maqedone, në të cilën participonte edhe PDSH. Për evitimin e një lufte vllavrasëse midis ushtarëve të UÇK-së dhe anëtarëve të PDSH-së meritë kanë të dy palët. Arben Xhaferi shumë shpejt kuptojë se nëse lufta nuk mund të ndalej, ajo mund të përdorej për përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Maqedoni. Ai jo vetëm që e përkrahu luftën por opinionit të brendshëm dhe të jashtëm sqaronte motivet e konfliktit.

Sipas disa vlerësimeve edhe përçarja në PPD në vitin 1993 ishte rezultat i dhunës politike midis shqiptarëve edhe pse ajo nuk mbarojë me vrasje klasike. Mirëpo kishte eliminime politike. Do të ishte tepër naive të besohet se aktorë të kësaj loje ishte vetëm faktori maqedonas. Për të realizuar skenarin sigurisht se kanë qenë të ndihmuar nga një strukturë politike shqiptare. Flitet se e invlvuar ka qenë edhe Shqipëria. Në mënyrë misterioze nga skena politike u larguan disa figura kyçe politike të politikës shqiptare. Nevzat Halili u shkarkua nga posti i kryetarit të PPD-së ndërsa sekretari i përgjithshëm Mithat Emini dhe disa funksionarë tjerë partiakë mbaruan në burg.

Ngjashëm ndodhi edhe me ngjarrjet e Gostivarit. Shqipëtarët ndesheshin midis tyre, erdhi Cërvenkovski iu dha dajak shqiparëve që përkrahën partinë opozitare dhe burgosi kryetarin e Tetovës dhe Gosivarit, Alajdin Demirin dhe Rufi Osmanin. Eliminimi i Demirit dhe Osmanit u bë ngjashëm si me eliminimin e Nevzat Halilit dhe Mithat Eminit.

Përkundër poshtërimit kolektivë të shqiptarëve në ngarrjet e Gostivarit, opinioni shqiptarë edhe sot e kësaj dite nuk mund ta përbijë vendimin e atëhershëm të PPD-së që të mbetet në qeverinë e Cërvenkovskit.

Dhuna ndërshqiptare në Maqedoni është rezultat i koncepteve të gabuara politike që përfaqësojnë partitë politike. Në esencë partitë shqiptare nuk janë të profiluara ideologjikisht dhe nuk kanë bekgraund demokratik. Ata nuk kanë sens për interesin e përgjithëm dhe se partitë duhet të jenë një instrument për t'i shërbyer këtij interesi, e jo të jetë e kundërta. Partitë shqiptare në pushtet dhe krerët e tyre ende vuajnë nga mania që nëse njëherë vijnë në pushtetë bëjnë çmos që aty të mbeten tërë jetën. Kjo dëshirë e sëmurë i nxitë klasat politike që ta luftojë opozitën në vend që të vehen raporte bashkëpunimi për interesa strategjike.

PPD humbi pushtetin në vitin 1998 përkundër se nuk la gjë pa bërë kundër PDSH-së. Njësoj ndodhi edhe me PDSH-në. Ajo kur erdhi në pushtet me çdo kusht deshi ta çfarosë PPD-në si opozitë. Rezultat i këtij uzurpimi të hapësirës politike me dhunë e solli luftën dhe UÇK-në në skenë. PDSH humbi zgjedhjet dhe pushtetin. Prandaj lufta për ta shkatëruar opozitën është e pakuptimtë dhe është rruga më e shkurt për të humbur pushtetin.

Prandaj BDI si parti shqiptare në pushtet duhet të nxjerrë mësime dhe të mos trajtojë opozitën si armik por si partner që ka të njejtin qëllim, ndërsa dallohen sa i përket vetëm rrugës që çojnë drejt realizimit të tij. Ndërsa opozita shqiptare, PDSH e Xhaferit duhet të ndjek koncept modern të opozitës konstruktive. Kjo do të thotë se nuk duhet të ngurojë të përktah BDI-në për projekte që janë në interes të tëprgjithshëm të shqiptarëve, ndërsa të kritokojë kur ndodh e kundërta. Jo opozitë që bënë shumë zhurmë e pak arrinë efekte. Duhet të zgjedhë momentin kur të kritikojë, kur vërtetë ka argumente të fuqishme që flasin për dobësitë e pushtetit, e jo të kapet për imtësira dhe çështje të parëndësishme për marketing të ulët politik. Këto gjëra të vogla nuk e forcojnë rejtingun e opozitës, pëkundrazi.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:13
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË