NUMĖR 70
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 15 JANAR 2003

Ka dhunë e dhunë

" Shkruan: Ardiana Shala

Është mirë që fenomeni i dhunës në shoqërinë shqiptare ka tërhequr vëmendje të re këtyre ditëve. Por brengos që preokupimi me dhunën vazhdon të jetë ciklop me një sy. Indinjatë, gjykime e protesta, nga niveli presidencial e deri te rrugaçët, vazhdon të zgjojë dhuna kundër burrave. Gratë vriten, dhunohen, gjymtohen, rrihen e poshtërohen përditë, por mbeten edhe më tej - me përjashtime të rralla - krejtësisht gjakhumbëse. Qiellin e shoqërisë shqiptare e ka terratisur një mesnatë e thellë patriarkale, që i mbulon trashësisht si institucionet, ashtu edhe mediat.

Shifrat policore nga Kosova flasin një gjuhë që nuk do komente. Krimi i raportuar në Kosovë është në zvogëlim e sipër tash dy vjet. Vrasjet dhe tentimet për vrasje më 2002 u zvogëluan me 69 përqind, rrëmbimet me 31 përqind, sulmet fizike me 30 përqind, kalljet e shtëpive me 37 përqind, plaçkitjet me 29 përqind.

Dhunimet dhe tenimet për dhënime janë të vetmet kategori të raportuara të krimit në Kosovë që nuk u zvogëluan gjatë vjeshtës e dimrit 2002. Madje jo vetëm aq. Por ato u shtuan, me 19 përqind.

Dhuna kundër femrës ka karakteristika jashtëzakonisht tragjike. Ajo nuk ushtrohet nga të huaj, po më së shpeshti (85 % - 90 % të rasteve) nga anëtarë të familjes e të farefisit, ose nga të njohur tjerë. Si pasojë, femra nuk mund të llogarit në simpati të pakushtëzuar më vonë, meqë krimineli ndodhet në afërsinë e saj imediate.

Çdo të dytën ditë në Kosovë raportohet në polici një dhunim a një tentim dhunimi. Kurse raste të dhunës familjare raportohen përditë. Për vetëm tre muajt e fundit të 2002-tës, KMDLNJ-ja ka regjistruar 150 raste të rënda. "Besojmë se raportohet veç 1/4, a ndoshta edhe 1/5, e rasteve", komenton një inspektor i policisë së UNMIK-ut.

Le ta theksojmë këtu fjalën "raportohet", meqë në shoqërinë patriarkale shqiptare dhuna kundër femrës shpesh herë nuk raportohet fare. E si të jetë ndryshe, kur mjedisi (lexo unë e ti) e damkos më shumë viktimën se sa kriminelin.

Në rastin më të keq, krimineli e kryen një dënim minimal në burg dhe vazhdon ta jetojë jetën e vet. Ai gjen vend të punës, krijon (mjerisht) familje, dhe e edukon brezin e ri të kriminelëve. Kurse viktima trajtohet qoftëlarg si ta kish kancerin, të gjithë folin për të prapa shpine e i druajnë infektimit. Ajo s'ka ku të kurohet prej traumës, andaj s'mund të mbarojë shkollë e s'mund të punojë normalisht. E sa për martesë as mos të flasim fare: e cili burrë "i ndershëm" do të martohej me një "të tillë"?

Ky qëndrim, e pasiviteti i shoqërisë kundrejt dhunës kundër gruas (as në Shqipëri, e as në Kosovë madje as që ekziston ndonjë institucion që do të merrej enkas me këtë punë), zbulon se shoqëria u përket ekskluzivisht burrave shqiptarë. Gruaja as për së gjalli, e as për së vdekuri, nuk është njësoj e vlershme sa burri i saj. Kur vritet përdhunshëm një burrë, ai do të përcillet në varr me kurora nderi nga plot burra tjerë, i përmendur në media e i numëruar në statistikë. Ndërsa kur vritet një grua, zakonisht nga burri i vet, atëhere ajo do të shkojë si qeni në rrush, pa funeral, pa gazetarë, e shpesh herë pa figuruar as si shifër në statistikë.

Ca më e keqe është gjendja për gratë e trafikuara prej mafies shqiptare. Apo më mirë të themi për vajzat, meqë burimet policore e të grupeve joqeveritare rrëfejnë se shumica dërmuese e viktimave janë të moshës 13 - 19 vjeç. Atyre u vjedhen pasaportat, e futen në punë nëpër bordele ilegale ku detyrohen të pranojnë një burrë për çdo orë, 10 orë në ditë, 7 ditë në javë. Policia shqiptare si dhe ajo e UNMIK-ut në Kosovë ka arritur t'i shpëtojë disa prej këtyre vajzave, ca shqiptare e shumica joshqiptare, e ka zbuluar detaje makabre. Rrëmbimet, rrahjet brutale, vrasjet, shitblerjet e njerëzve si të ishin kafshë, janë të përditshme në jetën (nëse mund ta quajmë ashtu) e tyre.

Mendoni për këtë, burra, herën tjetër kur gjykoni dhunën. E ju gra, pyeteni veten pse vetëm dhuna ndaj burrave gjykohet kaq zhurmshëm prej presidentëve, kryeministrave, politikanëve e gazetarëve. Dhe kur t'ju apelojnë burrat sërish ndonjëherë tjetër që ta dëshmoni patriotizmin tuaj si grua shqiptare, kthejuni si unë. Përshëndetni me gishtin e mesëm.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:07
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË