Rugova
po ndërton komb, e jo shtet
Shkruan:
Hysamedin Feraj
(c) " Rimëkëmbja Kombëtare "
Këtu
do të shqyrtohet shkurt një marrdhënie e çuditshme
ndërmjet idesë së pavarësisë së Kosovës
dhe bashkimit kombëtar shqiptar. Në fund do të tërhiqet
vëmendja drejt një fushate të pritshme që do
ta zhvillojnë vetë një pjesë e shqiptarëve
për të realizuar programet nacional-shoviniste serbe e
greke sipas të cilave shqiptarët nuk janë fare komb
por "kombe' të ndryshme që duhen mbajtë të
coptuar e nën kontrollin e kombeve të mirëfillta
serbe e greke. Në krye të kësaj fushate po konkuron
për t'u vënë Ibrahim Rugova si "terminator"
(përmbarues).
Si
meritë e veçantë e Rugovës shpesh paraqitet
"pavarësia" e tij nga udhëheqja e Shqipërisë.
Kjo, megjithkëtë, është thikë me dy presa:
ka anën e vet të mirë dhe anën e vet të
keqe. Ana e keqe është vënë shumë në
dukje nga rivalët e tij "thaçistë". Ana
e mirë është vënë shumë në dukje
nga mbështetësit e tij "rugovistë". Këtu
do të kujtohet vetëm shkurt ana e mirë, ndërsa
theksi do të vihet në anën e keqe sepse tani bëhet
e rëndësishme kjo anë: çka ka qenë e
mirë dje mund të bëhet e keqe sot, ose çka
ka pasë peshë të vogël dje mund të marr
peshë të madhe sot.
Dihet
se Shqipëria, fatkeqësisht, nuk ka pasë në krye
politikan të aftë as për të ndjerë mirë
për Shqipërinë, as për të menduar dhe as
për të vepruar mirë për Shqipërinë
e shqiptarët. Kur Berisha i kërkoi Rugovës më
1996 të rreshtohet në demostrata krahas Drashkoviçit
kundër Millosheviçit sepse i kishte vjedhë votat
opozitës së atëherëshme serbe "Zajedno",
Rugova bëri mirë që nuk dëgjoi. Berisha bënte
sikur nuk e dinte se Kosova kishte shpallë pavarësinë
dhe nuk kishte punë me zgjedhjet në Serbi që ishin
institucion dhe çështje e mbrendëshme e Serbisë.
Kur më 1998 Nano i kërkoi, ashtu si Berisha, të heqë
dorë nga insitucionet paralele dhe të kthehet në
institucinet serbe, Rugova bëri mirë që nuk e dëgjoi.
Por
Rugova bëhet njëlloj si Berisha, Nano dhe barazohet me
ta, e ndoshta bëhet më i dëmshëm kur barazon
Shqipërinë me Serbinë. Ky barazim bëhet shpesh
nga Rugova i cili e ka bërë zakon të shprehet: "Kosova
e hapur njëlloj si ndaj Shqipërisë edhe ndaj Serbisë",
"Kosova e pavarur nga Serbia dhe Shqipëria", "Kosova
të ketë simbolikën (flamurin, himnin, stemën
etj.) e veçantë nga Shqipëria" etj. Pse këto
ide, ndjenja dhe veprimtari janë edhe të gabuara, edhe
të dëmshme për shqiptarët?
Barazimi
i Shqipërisë me Serbinë, edhe sikur të mos kishim
asnjë ndjenjë, të ishim njerëz pa ndjenja e
pa moral apo robot, është mendërisht i gabuar, shumë
i gabuar. Le të analizojmë disa aspekte: Së pari,
"rugovistët" mund të thonë se këto
shprehje ai i përdorë për taktikë, për
t'i mbushë mendjen botës se nuk kërkohet "Shqipëria
e Madhe" apo "Kosova e Madhe", por në të
vërtetë ai e do edhe Shqipërinë, edhe bashkimin
kombëtar. Bota kërkon sot nga udhëheqësit shqiptar
(të Shqipërisë e të Kosovës) të garantojnë
se nuk kërkojnë bashkimin. Mirëpo, bashkimi është
fazë e mëvonshme, mbasi të arrihet pavarësia
etj., etj.
a)
Qoftë edhe si taktikë ka një kontradiktë logjike,
është, siç u tha, mendërisht e gabuar. Në
qoftë se Rugova "taktizon" kur e barazon Shqipërinë
me Serbinë, atëherë edhe Berisha e Nano "taktizojnë"
kur "e barazojnë" Kosovën me Serbinë por
në të vërtetë e duan bashkimin kombëtar.
Pra, në qoftë se të dy palët taktizojnë,
dhe taktizojnë siç u kërkohet, në të
njëjtin drejtim, atëherë nuk kuptohet se pse Rugova
nuk shkon mirë me udhëheqësit e Shqipërisë
dhe pse duhet lavdëruar për "pavarësinë"
nga udhëheqësit e saj.
b)
Rugovës i lejohet "të taktizojë" siç
ia kërkon bota, ndërsa udhëheqësve të Shqipërisë
nuk u lejohet. Teorikisht edhe kjo mund të jetë, por atëherë
duhet treguar se Shqipëria është në gjendje
të përballet me presionin botëror, ndërsa Kosova
nuk është në gjendje, prandaj Shqipërisë
nuk i lejohet të taktizoj ndërsa Kosovës i lejohet.
Mirëpo nga të dhënat e njohura deri tani del se Shqipëria
nuk është shumë më e fuqishme se Kosova në
arenën botërore sa të mos ketë nevojë të
"taktizojë".
c) "Rugovistët" thonë se Rugova "taktizon"
ndërsa udhëheqësit e Shqipërsië janë
me ndjenja, me të vërtetë kundër bashkimit kombëtar.
Në fakt këta të fundit kurrë nuk kanë arritë
deri në këtë gradë që ka arritë Rugova
sa të barazojnë Kosovën me Serbinë, siç
e barazon Rugova Shqipërinë me Serbinë, kurr nuk
janë shprehë se Serbia dhe Kosova janë njëlloj
për ta, se kërkojnë marrdhënie të njëllojta
etj. Prandaj, një mundësi tjetër, po kaq e bazuar
është edhe që Rugova është me ndjenja,
me të vërtetë kundër bashkimit kombëtar
ndërsa udhëheqësit e Shqipërisë vetëm
"taktizojnë" por në të vërtetë
e duan bashkimin kombëtar. Mundësia për t'i vërtetuar
apo hedhë poshtë këto dy pohime është e
njëllojtë, prandaj askush nuk mund të thotë
se di diçka të sigurtë për to (për ndjenjat).
d)
Nga ato që të gjithë mund të shohin, të
kontrollojnë e të vërtetojnë janë qëndrimet
e njëllojta, praktikat e njëllojta, veprimtaritë
dhe sjelljet reale. Nga njohja e këtyre mund të thuhet
vetëm se, ose të dy palët taktizojnë dhe atëherë
nuk ka kuptim pse Rugova ka bërë mirë që është
"prishë" me udhëheqjen e Shqipërisë,
ose të dy palët janë kundër bashkimit kombëtar
dhe atëherë përsëri nuk ka kuptim pse janë
"prishë". Nga pikëpamja kombëtare në
të dy rastet Rugova del njëlloj si udhëheqësit
e Shqipërisë dhe nuk ka asnjë gjë për t'u
lavdëruar pse është "prishë" me ta.
e)
Apo ndoshta nuk është prishë fare me ta? Apo ndoshta
është Rugova pikërisht bashkëpunuesi më
i ngushtë në Kosovë me Berishën, Nanon e të
tjerët kundër bashkimit kombëtar, siç e dëshiron
Serbia e Greqia, dhe për ta mbuluar këtë bashkëpunim
bëjnë sikur nuk shkojnë mirë, ndërkohë
që merren vesh për mrekulli? A mos ndoshta është
taktizim "prishja" dhe strategjik bashkëpunimi kundër
bashkimit kombëtar? Edhe për këtë s'mund të
thuhet gjë me siguri, ndonëse objektivisht, në realitet
del se është kështu: ata po veprojnë bashkërisht
kundër bashkimit kombëtar, jo vetëm të tanishëm,
por edhe në të ardhmen. E, çka e shqetëson
Serbinë e Greqinë është pikërisht e ardhmja.
Tani për tani serbët e grekët mund të pajtohen
se Serbia e ka humbë Kosovën. Puna është vetëm
që Kosova dhe Shqipëria të mos bashkohen asnjëherë
në të ardhmen.
Pra,
përmbledhtas mund të thuhet se, në qoftë se
Rugova, Berisha, Nano etj., taktizojnë kur dalin kundër
bashkimit kombëtar, atëherë nuk ka kuptim "prishja"
e Rugovës me udhëheqësit e Shqipërisë dhe
as meritë se është "i pavarur" prej tyre
kur vepron njëlloj bashkë me ta. Në qoftë se
e kanë seriozisht qëndrimin kundër bashkimit kombëtar,
atëherë, prapë "prishja" nuk ka kuptim
sepse të dy palët janë të pajtuar të veprojnë
kundër këtij bashkimi dhe, prapë Rugova nuk ka ndonjë
meritë se ëshë "i pavarur" nga udhëhqeja
e Shqipërisë sepse vepron njëlloj e bashkë me
ta kundër bashkimit. Që njëra palë taktizon,
ndërsa tjetra e ka seriozisht është një mendim
që askush nuk mund ta vëretoj e të jetë i sigurtë
sa kohë që të dy palët veprojnë, sillen
e flasin njëlloj. Mendimi i pambështetur në asgjë
të sigurtë i takon fushës së iracionales dhe
nuk përbën bazë për diskutim logjik, racional.
Së
dyti, barazimi nga Rugova i Shqipërisë me Serbinë
është i gabuar edhe faktikisht. Serbia ka kryer krime
dhe i ka shfarosë shqiptarët e Kosovës për shekuj
me radhë. Pa shkuar shumë herët në shekuj, vetëm
në fund të shekullit XIX Serbia ka dëbuar e ka shfarosë
me thika e plumba, në dimrin që ka ngrirë mijëra
shqiptar nga rrethi i Nishit gati gjithë popullsinë shqiptare
që edhe sot janë "muhaxhirë" në vendin
e vet në Kosovë.
Serbia
u ka ndaluar gjuhën shqipe, simbolikën shqiptare, i ka
dhunuar e torturuar për të ndërruar besimin fetar,
i ka përzënë për Turqi, i ka varrosë shqiptarët
e Kosovës të gjallë në varre masive. Këso
lloj krimesh ndaj Kosovës, sa del nga dokumentet që njihen
deri sot, nuk ka kryer asnjëherë Shqipëria. Por Rugova
e barazon Shqipërinë me Serbinë, vendos simetri,
kërkon të ketë marrdhënie të njëllojta,
të jetë njëlloj e hapur etj. Kjo siç shihet
është gabim sepse nuk mbështetet në dokumente,
nuk ka fakte se Shqipëria dhe Serbia kanë qenë njëlloj
ndaj Kosovës, prandaj kur Kosova të fitoj pavarësinë
t'i trajtoj njëlloj si Shqipërinë, si Serbinë.
Së
treti, në qoftë se Rugova e ka fjalën për barazim
të Shqipërisë me Serbinë në shekuj atëherë
barazimi nuk ka kuptim sepse për vitet e shekujt para shpalljes
së pavarësisë nuk ka kuptim termi Shqipëri sipas
kufijve që ka sot, atëherë Kosova është
vetë Shqipëri. Në qoftë se e ka fjalën
për periudhën mbas shpalljes së pavarësisë,
atëherë prap nuk mund të provohet se shteti i quajtur
Shqipëri ka kryer të njëjtat krime që ka kryer
Serbia ndaj Kosovës. Shteti i quajtur Shqipëri mund të
mos e ketë ndihmuar sa duhet Kosovën në luftën
kundër Serbisë, ndonjëherë mund t'i ketë
sjellë edhe dëme me politikën e vet, por kurrë
nuk barazohet me Serbinë në krimet që ka kryer Serbia
ndaj Kosovës. Shqipëria ndoshta nuk e ka ndihmuar shumë
Kosovën por së paku jo rrallë ia ka lehtësuar
dhimbjet e ia ka fashuar disa plagë. Kur iknin të tmerruar
e të frikësuar nga ushtritë serbe shqiptarët
e Kosovës jo rrallë dhe masivisht kanë gjetë
strehim në Shqipëri si në "kohën e Zogut",
si në "kohën e Majkos", gjatë gjithë
shekullit. Ndoshta nuk ka ofruar luks, por varfërinë e
vet e ka nda me buajri me shqiptarët e Kosovës që
nuk dinin ku të fusin kokën nga frika prej ushtarëve
serbë. Por Rugova thotë se Shqipëria dhe Serbia duhen
trajtuar njëlloj, se Kosova e pavarur do t'i trajtoj njëlloj
si Serbinë, si Shqipërinë.
Ky
barazim është i gabuar si mendim edhe po të mos shqyrtohet
fare me ndjenja p.sh. me ndjenja dashurie për kombin, apo me
vlerësim moral si një barazim imoral. Thjeshtë nuk
qëndron si mendim. Për ta barazuar Shqipërinë
me Serbinë Rugovës do t'i duhen shumë dokumente,
fakte e të dhëna që të provojnë se Shqipëria
ka shfarosë qindra mijë shqiptar, i ka pastruar etnikisht
territoret shqiptare si Serbia sanxhakun e Nishit, se shqiptarët
e Kosovës kanë ikë masivisht nga frika e ushtarëve
të Shqipërisë dhe kanë gjetë strehim buajr
në Serbi etj., etj. Nuk është çudi që
Rugova të nxisë historianët "rugovistë"
ose këta ta bëjnë vetë një fushatë
për të "vërtetuar" se Shqipëria e
mjerë dhe e cunguar ka kryer të njëjtat krime ndaj
Kosovës si edhe Serbia. Në logjikën e deritashme
të "rugovistëve" çka thotë Rugova
është e pagabueshme, prandaj nuk duhet lënë
pa dëshmuar se edhe barazimi i Shqipërisë me Kosovën
kur e bën Rugova është i drejtë, i vërtetë
dhe i saktë, përndryshe udhëheqësi lihet në
baltë. Sidoqoftë në shkallën e tanishme të
dijeve Rugova e ka gabim kur e barazon Shqipërinë me Serbinë.
Pra, edhe Rugova gabon, e gabon randë: bën faj (dhe krim
ndaj të vërtetës, moralit, ndjenjave dhe interesit
të shqiptarëve, por këto njëherë do të
lihen mënjanë).
Së
katërti, duke e barazuar Shqipërinë me Serbinë,
Rugova bën edhe një gabim tjetër: barazimin e Shqipërisë
me udhëheqësit e saj politik. Ndoshta Rugova "lavdërohet"
jo pse është "pavarësuar" nga Shqipëria,
por nga udhëheqësit e Shqipërisë. Ky është
një interpretim, por nuk del dhe nuk është kuptimi
i politikës së tij të shprehur në moton "Kosova
njëlloj e hapur si ndaj Shqipërisë edhe ndaj Serbisë",
"Kosova njëlloj e pavarur si nga Serbia edhe nga Shqipëria".
Rugova kur flet vetë barazon Shqipërinë me Serbinë
dhe jo udhëheqjet e dy vendeve. Se e ka fjalën për
udhëheqjen e Shqipërisë është vetëm
interpretim i fanatikëve rugovistë. Megjithatë në
të dy kuptimet barazimi është i gabuar.
a)
As në nivel udhëheqjesh, udhëheqësit e Shqipërisë
dhe udhëheqsit e Serbisë nuk kanë qenë njëlloj
kriminal ndaj Kosovës. As Nano, as Berisha as ndonjë tjetër
nga Shqipëria nuk ka dërguar tanket, qentë, paramilitarët
për të vrarë, shqyer, përdhunuar gratë,
fëmijët e pleqtë e Kosovës, por këtë
e ka bërë udhëheqja e Serbisë, inteligjenca
e Serbisë, shoqëria civile e politike serbe, dhe do ta
bëj prapë mbas pak vitesh në qoftë se ndiqet
politika e Rugovës e barazimit të Shqipërisë
me Serbinë.
b)
b) Në qoftë se kur thotë Shqipëri ka parasysh
udhëheqjen politike, atëherë prap bën gabim
që i barazon termat, bën po atë gabim që bënin
enveristët kur barazonin Shqipërinë me Enverin. Por
Shqipëria nuk është identike me udhëheqsit e
saj dhe barazimi i Shqipërisë me ta është gabim
i rëndë mendor që është vërtetuar
disa herë.
Së
pesti, Rugova lavdërohet se "është pavarësuar"
nga udhëheqësit e Shqipërisë kurse në fakt
bën të njëjtin gabim që kanë bërë
tradicionalisht udhëheqësit e Shqipërisë. Kjo
do të thotë se Rugova nuk është "pavarësuar"
po ka mbetë skllav i skemës mendore tipike të udhëheqësve
të Shqipërisë në 90 vjetët e fundit. Që
nga shpallja e pavarësisë e deri sot udhëheqësit
e Shqipërisë, në mënyrë tipike, kanë
besuar se mbrenda kufijvë që ju vunë Shqipëria
do të mundej të zhvillohet ekonomikisht e të ndërtonte
rend politik stabil, se do të forcohej e atëherë
do të bashkohej me Kosovën. Po bëhen 100 vjet me
këtë ide, janë provuar lloj-lloj sistemesh politike
e ekonomike dhe Shqipëria e coptuar nuk ka mundur as të
zhvillohet ekonomikisht dhe as të stabilizohet politikisht.
Kur tani në Shqipëri këtë gjë e kanë
kuptuar gati të gjithë, në Kosovë del Rugova
dhe mbron të njëjtin mendim të vjetruar e të
përgënjeshtruar të udhëheqejs së Shqipërisë,
sipas të cilit, Kosova e pavarur, mbrenda atyre kufijve të
cunguar do të jetë në gjendje të forcohet ekonomkisht
e të ndërtoj një rend stabil politik.
Kosova
dhe Shqipëria janë pjesë të një të
tëre dhe nuk mund të zhvillohen të pavarura nga njëra-tjetra.
Shqipëria është në varësi të Kosovës
dhe këtë tani po e kuptojnë gati të gjithë
në Shqipëri. Ideja se një Shqipëri e fortë
dhe e begatë do të ishte tërheqëse për
Kosovën i ka shtyrë shume shtete të fuqishme të
ndjekin politika e të veprojnë për ta mbajtë
të dobët e jostabile dhe ia kanë arritë. Edhe
Kosova është në varësi të Shqipërisë,
dhe këtë gjë që e dinin (por edhe e tepronin
në Kosovë) tani duan ta shpërfillin duke i përgaditë
vetes një të ardhme si të Shqipërisë gjatë
shekullit të kaluar. Në Shqipëri që në
fillim ka qenë zhvilluar një ide e saktë e tipit:
"Pa Kosovë e Çamëri, nuk ka Shqipëri!".
Një kohë të gjatë është dashur të
zhvillohet një luftë e vështirë dhe e rëndë
mendore për të heqë iluzionin se Shqipëria mund
të zhvillohet pa pjesët që iu shkëputën.
Tani po aq e saktë dhe, edhe më e saktë është
se: "Pa Shqipëri e Çamëri, nuk ka Kosovë!".
Besimi
se Kosova mund të zhvillohet e të stabilizohet "e
pavarur" nga Shqipëria është një iluzion
edhe më i rrezikshëm se i udhëheqësve të
Shqipërisë se Shqipëria mund të zhvillohet "e
pavarur" nga Kosova. Por këtij problemi nuk dua t'i shkoj
më tej këtu dhe nuk është mirë të
bëhet objekt i shumë debateve. Tani duhet argumentuar
se Kosova e pavarur është e mundur (por të vetëdijshëm
se ëshë vetëm fazë kalimtare drejt bashkimit).
Çka duhet uruar është që "pavarësia"
e Kosovës nga Shqipëria të mos zgjasë sa "pavarësia"
e Shqipërisë nga Kosova, dhe Kosova të mos i përsërisë
rrëmujat dhe problemet që i kanë ardhë Shqipërisë
nga kjo "pavarësi". Sidoqoftë disa në Kosovë,
duke përfshi edhe idetë e Rugovës, të kujtojnë
ato rryma serbofile e grekofile shqiptare, ato rryma e grupe joshqiptare
që e shikonin me gëzim coptimin e Kosovës nga Shqipëria
si çlirim prej Kosovës dhe "malokëve".
Në këtë kuptim Rugova nuk është "pavarësuar"
nga Shqipëria, por vetëm ka mbetë një kopje
e pjesës më të gabuar dhe më të neveritëshme
të mendimit politik të Shqipërisë.
Së
gjashti, Rugova vendoset në pozicion të kundërt me
mendimin e rilindësve shqiptar dhe në krah të atyre
që tradicionalisht njihen si serbofile e grekofil, si bashkëpuntorë
të vetëdijshëm a të pavetëidjshëm
të kryerësve të krimeve ndaj shqiptarëve. Edhe
në kuptimin më të pafajshëm pavarësia e
Kosovës krijon një gjendje të ngjashme me periudhën
e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, gjendjen e ekzistencës
së disa vilajeteve shqiptare. Por ndryshe nga rilindësit
që shpallën programin e bashkimit të vilajeteve shqiptare
në një njesi të bashkuar politike-kombëtare
përballë rrezikut sllavo-grek, Rugova kërkon mbajtjen
e vilajeteve të ndara dhe trajtimin e një vilajeti shqiptar
(Shqipërisë) njëlloj si rreziku sllav e grek. Nuk
është puna tek ironizmi ndaj tij, sikur ëndërroka
të quhet Ibrahim Pashë Rugova, vali i Kosovës me
qendër në Prishtinë etj. Problemi është
se nuk mund të merret lehtë si lajthitje mbasi ky lloj
të menduari njihet. Të heqësh sotë dorë
nga ideja e bashkimit të "vilajeteve" kur nuk është
heqë dorë në kohë shumë më të
vështira, ndërmjet dy luftrave botërore, në
kohën e ndarjes së botës në blloqe e të
perdes së hekurt, të heqësh dorë tani që
premisat për bashkim janë më të mirat, do të
thotë se pikërisht ky është shqetësimi.
Tani shqetësimi nuk vjen nga pamundësia, por nga mundësitë
që janë krijuar për bashkim dhe prandaj duhen gjetë
mënyra për ta ndaluar. Ky është program i vjetër
dhe jo ambicie të Rugovës për titullin Ibrahim Pashë
Rugova, ndonëse ambiciet e individit dhe roli i tyre në
ngjarjet politike nuk është pa rëndësi.
Si
përfundim mund të thuhet se e shqyrtuar vetëm mendërisht,
logjikisht, pa ndjenja dhe gjykim moral barazimi nga Rugova i Shqipërisë
me Serbinë dhe ideja për ta pavarësuar Kosovën
nga Shqipëria e për të pasë marrdhënie
të njëllojta si me Serbinë edhe me Shqipërinë
është e gabuar, e pabazuar.
E
shikuar nga këndvështrimi moral dhe ndjenjësor ky
barazim dhe kjo politikë është thellësisht imorale
dhe armiqësore ndaj shqiptarëve si komb. Por kjo nuk do
të shqyrtohet hollësisht këtu.
Është
imorale në pikëpamje intelektuale, sepse të shpifësh,
të barazosh dy gjëra që nuk janë të barabarta,
që madje ndryshojnë rrënjësisht, në pikëpmaje
të etikës intelektuale është thëllësish
imorale, është fyerje e arsyes, e ratios. Është
imorale në pikëpamje njerëzore barazimi i viktimës
me kriminelin sepse Shqipëria jo rrallë ka qenë edhe
vetë viktimë e krimeve serbe ndërsa Rugova e barazon
Shqipërinë me Serbinë, viktimën me kriminelin.
Është imorale në pikëpamje politike sepse barazon
mikun me armikun, sepse mban të njëjtin qëndrim si
ndaj vëllait që ndoshta nuk ka qenë aq i mirë
por nuk ka kryer krime me armikun që e ka shfarosë. Është
imorale politikisht sepse, siç thoshte Karl Shmit (Carl Schmit),
edhe në qoftë se në jetën private ka ndonjë
vlerë porosia "duaje armikun tënd" në politikë
porosia "duaje armikun tënd" nuk vlenë. Është
imorale sepse gjatë gjitëh shekullit Shqipëria ka
strehuar shqiptarët e Kosovës të ndjekur nga serbët
dhe ka nda me ta kafashatën e vet të varfër, ndërsa
tani Rugova e barazon me Serbinë duke treguar mosmirënjohjen
e vetë. E mosmirënjohja është ves i ulët
moralisht.
Pikëpamjet e Rugovës qofshin edhe për taktikë
janë të rrezikshme sepse janë në vijën
e nacionalizmave serbë e grekë dhe sepse janë ide
gjenerike, ide lindëse, që lindin një program të
tërë antishqiptar. Pikëpamjet e Rugovës përmbajnë
një program të tërë, karaktersitik për
lëvizjet e fuqishme për krijimin e një kombi që
përfshijnë nga lufta, ideologjitë, riinterpretimi
i historisë, letërsia e veçantë, krijimi i
miteve e deri tek heraldika, muzika etj. Sepse programi i Rugovës
parashikon krijimin e një kombi të ri, e kombit kosovar.
Sipas Rugovës shqiptarët duhet të harrojnë se
janë shqiptar dhe të bëhen kosovarë. Por për
këtë tani është shumë vonë.
Kombi
shqiptar është formuar mbi bazën e kritereve etnike-kulturore,
ose sipas modelit "gjerman" dhe jo mbi bazën e shtetësisë,
ose modelit "francez". Prandaj për shqiptarët
ka qenë i vetëkuptueshëm dallimi ndërmjet kombit
e shtetësisë. Prandaj shqiptarët edhe pse kanë
jetuar në shtete të ndryshme (romak, bizantin, osman,
sllav, grekë) nuk e kanë identifikuar veten sipas shtetësisë.
Prandaj shqiptarët në ish-Jugosllavi nuk e kanë identifikuar
veten me Jugosllavinë, nuk e kanë parë veten si jugosllavë
por si shqiptarë.
Programi
i Rugovës e godet kombin në themelin e vet, në llojin
e identitetit, dhe jo në çështje anësore.
Ai është program i tipit "francez", jugosllav
dhe serbo-grek. Ndoshta sepse Rugova ka njëfarë shkollimi
në Francë, ndoshta sepse është ndikuar nga jugosllavizmi,
ndoshta sepse nuk di çka bën. Por të gjitha këto
janë pa rëndësi. E rëndësishme është
përmbajtja e programit.
Së
pari, programi i Rugovës për kombin kosovar është
i të njëjtit tip me programin komunist të jugosllavizmit.
Jugosllavizmi ka qenë një përpjekje për të
barazuar kombin me shtetësinë. Në regjistrimin e
popullsisë në ish-Jugosllavi në rubrikën e kombësisë
mund të bëhej regjistrimi "jugosllav", sipas
shtetësisë. Numëri i jugosllavëve ka qenë
gjithnjë shumë i vogël në të gjitha kombet
e ish-Jugosllavisë, por programi ka ekzistuar. Tani në
emër të shtetësisë së Kosovës, Rugova
kërkon të ndërrohet simbolika kombëtare si flamuri,
hymni etj. Rugova, sipas modelit "francez" dhe jugosllav
komunist kërkon epërsinë e shtetësisë ndaj
kombit, heqjen dorë nga simbolika kombëtare për hirë
të simbolikës shtetërore.
Edhe
në qoftë se ky është një "taktizim"
për të plotësuar disa kushte që Kosova të
njihet në arenën ndërkombëtare si shtet më
vete e për këtë i duhen simbole dalluese nga Shqipëria
kjo duhet të bëhet shumë e qartë prej tij sepse
përpjekjet për të përdorë kriteret ideologjike
dhe shtetërore për përkufizimin e shqiptarëve
dhe kosovarëve si dy kombe të ndryshme janë nxitë
nga dikush edhe në Shqipëri.
Që
më 1992 duke u nisë nga kriteri i shtetësisë,
Spartak Ngjela, tani njeriu i parapëlqyer i Berishës (edhe
ky i specializuar në Francë) shprehej se shqiptarët
dhe kosovarët janë dy kombe të ndryshme si austriakët
dhe gjermanët. Fatos Lubonja, njeriu i parapëlqyer i Veton
Surroit, i përmbahet kriterit ideologjik-shtetëror kur
ngulë këmbë se shqiptarët dhe kosovarët
përbëjnë dy kombe të ndryshme sepse kanë
jetuar në shtete dhe ideologji të ndryshme, sepse kosovarët
e duan Enver Hoxhën, ndërsa shqiptarët e urrejnë
etj. Mendimi i Lubonjës është në vijën
e Leninit që i dallonte kombet sipas regjimit dhe ideologjisë
në kombin socialist dhe kapitalist. Kjo përpjekje ka qenë
bërë veçanërisht në ish-Gjermaninë
Lindore për t'i paraqitë si dy kombe të ndryshme
gjermanët socialistë nga gjermanët kapitalistë
sipas shtetësisë dhe ideologjisë së ndryshme,
përpjekje që nuk ka pasë sukses as atje. Edhe grekët
nuk pranojnë të ketë kombësi tjetër asnjë
person që ka shtetësi greke ose fe ortodokse.
Atë
që nuk e arriti jugosllavizmi do ta përfundojë Rugova:
ndërrimin e kuptimit të vetes nga shqiptarët si komb,
ndërrimi i kriterit mbi të cilin e kuptojnë identitetin
e vet: nga etnik-kulturor në kriterin shtetëror. Ka shumë
mundësi që programi i Rugovës të dështoi
siç ka dështuar jugosllavizmi, kombi socialist etj.,
por dhimbje e plagë shkakton, sidomos kombit plot vuajtje të
tjera, kombit shqiptar. Tani është shumë vonë
që shqiptarët të identifikojnë veten mbi bazën
shtetërore e jo shpirtërore, të zevendësojnë
kuptimin e vets si komb mbi bazën etnike me kuptimin mbi bazën
e shtetësisë sipas tipit "francez", "leniniste"
("lubonjist"), "jugosllavist" etj.
Së
dyti, programi i Rugovës është në vijim të
programit serb për "deshqiptarizimin e Kosovës"
ose "dealbanizacija Kosove". Një prej shqetësimeve
më të mëdha të nacional-shovinizmit serb gjatë
viteve '80 ka qenë mbrojtja e Kosovës nga ndikimi i Shqipërisë.
Sipas serbëve Kosova po ndikohej nga Shqipëria çka
shfaqej në tekstet shkollore e deri tek simbolika e njëjtë.
Nën programin e dealbanizmit të Kosovës u kërkua
ndryshimi i pamjes së flamurit, stemave etj., etj. Ndaj këti
programi nacionalshovinist serb ka pasë një qëndresë,
derdhje gjaku e dhënie jetësh nga shqiptarët, një
përbashkim me njëri-tjetrin dhe një veprimtari madhështore
për ruajtjen e simbolikës kombëtare. Tani programin
e nacionalshovinizmit serb kërkon ta çoj në fund
Rugova: ta pastroj Kosovën nga ndikimet e Shqipërisë,
nga simbolika e njëjtë kombëtare etj.
Së
treti, simbolika "e Shqipërisë", flamuri, hymni,
etj., nuk janë simbole shtetërore por janë simbole
kombëtare, që u takojnë gjithë shqiptarëve
si komb dhe jo vetëm Shqipërisë si shtet. Ato janë
bërë simbole shteti sepse u krijua një cop shtet
shiqptar dhe synohej forcimi i simbolikës kombëtare. Por
ato janë simbole të Kosovës po aq sa të Shqipërisë.
Lufta për mbrojtjen e falmurit, gjuhës, himnit etj., etj.,
nuk ëshë zhvilluar më shumë në Shqipëri
se në Kosovë. Ato më lehtë ndërrohen (modifikohen)
në Shqipëri me një vendim të Kuvendit dhe ka
më pak pasoja negative se në Kosovë.
Së
katërti, programi i Rugovës përputhet me synimet
afatgjata të nacionalshovinizmit grek e serb për të
argumentuar dhe për të realizuar se nuk ka komb shqiptar,
se shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë
janë dy kombe të ndryshme. Shqiptarët kanë argumentuar
se janë një komb, se kanë prejardhje e, rrejdhimisht,
gjuhë, histori, traditë, simbole etj., etj., të përbashkëta.
Tani atë që nuk e kanë arritë nacionalizmi grek
e serb sepse është bërë qëndresë,
synojnë ta arrijnë përmes Rugovës që do
të veçoj simbolikën e ndoshta edhe historinë,
traditën etj., të Kosovës nga Shqipëria.
Shkurt në programin e Rugovës nuk ka asgjë të
re veç ideve të nxjerra nga programet dhe praktikat
e nacionalshovinizmave grekë e serbë: të barazimit
të kombit me shtetin dhe të coptimit të kombit shqiptar
në "kombe" të ndryshme.
Edhe
njëherë duhet theksuar se, edhe nëse është
"taktizim" (për ta gënjyer botën, sikur
bota të ishte teveqele) shfaqjet e tij mbartin një rrezik
të madh sa as vetë programet nacionalshoviniste greke
e serbe nuk kanë mundur të shkaktojnë. Ndaj këtyre
përpjekjeve serbe e greke shqiptarët kanë qenë
syçelë dhe kanë bërë qëndresë.
Ndërsa kur realizohen nga Rugova njerëzit mund të
gënjehen dhe kur ta kuptojnë do të jetë vonë,
jo se do shndërrohen në komb tjetër, por se do të
mbeten në mes të rrugës, pa identitet të fortë,
pa bazë zhvillimi. Edhe në qoftë se Rugova nuk e
dëshiron seriozisht dhe sinqerisht fushatën e paracaktuar
vetëm të shkaktoj vuajtje por jo të ketë sukses
për krijimin e dy kombeve të ndryshme, taktikën e
tij do ta përdorin të tjerë shqiptarë që
janë me vullnet të plotë në shërbim të
armiqëve të shqiptarëve. Edhe në qoftë
se Rugova si person "taktizon" elektorati dhe simpatizantët
e tij mund ta marrin seriozisht dhe të fillojnë punën
për të argumentuar secili në fushën e vet se
janë komb i ndryshëm nga kombi shqiptar, me histori, heraldikë,
simbolikë, gjuhë etj., të ndryshme. Edhe në
qoftë se Rugova "taktizon" personalisht këtë
mund ta marrin seriozisht kundërshtarët e tij real, serbofilët
e grekofilët e paguar e të papaguar shqiptar.
Thamë
se ai është një program gjenerik që përfshinë
shumë mundësi për veprimtari antishqiptare. Kur thamë
se përfshinë deri heraldikën kjo do të thotë
se p.sh. në emër të studimit të stemave për
stemën e Kosovës do të argumentohet historia e ndryshme
e Kosovës nga historia e Shqipërisë.
Të
tjerë për të provuar të drejtën e Kosovës
për shtetësi do të argumentojnë se Kosova ka
histori të ndryshme nga historia e Shqipërisë. Të
tjerë, siç propagandon Kastriot Myftaraj në Tiranë,
do të thonë se Kosova dhe Shqipëria kanë dy
gjuhë të ndryshme dhe se gegët duhet të fillojnë
luftën për t'u çliruar nga sundimi gjuhësor
i toskëve etj., etj. Nuk ka gjë se këto nuk qëndrojnë
si argumente. Zhurma do të jetë aq e madhe sa krijohen
përshtypjet, paragjykimet dhe frustracionet jokritike iracionale
masive. Kontrollojeni shtypin, median përgjithësisht dhe
do të shihni se si atë çka nuk e arritën për
shekuj nacionalizmat serb e grekë po përpiqen ta arrijnë
përmes shqiptarëve. Çështjes së bashkimit
kombëtar të shqiptarëve, çështjes shqiptare
do t'i jepet një zgjidhje: nuk ka një komb shqiptar. Këtë
e thoshte Spartak Ngjela dhjetë vjet më parë: çështja
shqiptare është e zgjidhur. Shqiptarët dhe kosovarët
janë dy kombe të ndryshme. Këtë përpiqet
sot të realizojë Rugova: të krijojë dy kombe
të ndryshme.
Siç
shihet, qoftë edhe si "zbulim" Rugovës nuk i
takon ndonjë meritë për këto ide, sepse nuk
janë të reja, sepse janë shumë të vjetra
dhe Rugova vetëm sa i është bashkëngjitë
një rryme që vepron me kohë në radhët e
shqiptarëve për t'i copëzuar shpirtërisht mbasi
i kanë copëzuar territorialisht.
Së
pesti, programi i Rugovës është në përputhje
me programin nacionalshovinist grek e serb që mbas coptimit
territorial të realizohej coptimi shpirtëror i kombit
shqiptar. Në të vërtetë Lubonja këtë
e paraqet si gjendje të arritur, por dallimet që përmend
ai janë shumë sipërfaqësore për të
provuar se janë krijuar dykombe të ndryshme. Ndërsa
idetë e Rugovës prekin krakakteristika themelore dhe mbi
programin e tij mund të preket edhe vetë gjuha, historia
e tredita si elemnte kyç të vetëpërkufizimit
të identitetit. Ata që i coptuan territoret dhe kombin
shqiptar kanë shpresuar se nga jeta në shtete të
ndryshme do të largohen shpirtërisht. Kështu ajo
që mund të quhej çështje shqiptare do të
zgjidhej për disa dekada. Mirëpo deri tani kjo strategji
nuk ka ecur. Dhe siç vë në dukje Baleta, ndoshta
për ironi të historisë, bota që i kishte coptuar
u detyrua të ndërhynte ushtarakisht në mbrojtje të
asaj pjese të shqiptarëve që kishte parashikuar të
asimilohen shpejt nga shteti serb, në mbrojtje të shqiptarëve
të Kosovës. E, siç hamendëson më një
ironi të shkëlqyer Baleta, ndoshta ndërhynë
ushtarakisht kundër serbëve edhe si ndëshkim pse
për një shekull nuk arritën t'i asimilojnë shqiptarët
e t'iu ndërrojnë ndjenjën e identitit kombëtar.
Por atë që nuk u bë për një shekull synon
ta realizoj në të mirë të serbëve për
pak vite vetë Rugova: ndërrimin e identietit shqiptar
dhe shkëputjen shpirtërore të shqiptarëve të
Kosovës nga pjesët e tjera të kombit.
Pra,
në shumë drejtime Rugova del si "terminator",
përmbarues i politikave serbo-greke e ndërkombëtare
kundër shqiptarëve që kanë mbetë në
mes, pa u realizuar. Këtu hyn zbatimi deri në fund i ndërrimit
të kriterit të identitetit kombëtar nga etnik në
shtetëror (jugosllavizmi). Dhënia fund e çështjes
shqiptare mbas coptimit territorial duke krijuar dy kombe të
ndryshme dhe kështu nuk ka më problem shqiptar. Coptimi
e ndarja territoriale le etjen dhe dëshirën për bashkim,
ndërsa ndarja shpirtërore i jep fund përgjithnjë.
Dhe,
me njëfarë "gjakftohëtësie" cinike
ndaj vetes mund të themi se, sikur të ishte e mundur ndoshta
s'do të kishte asgjë tragjike veç detyrimit moral
ndaj të parëve tanë që kanë vuajtur të
na lënë një identitet. Por krijimi i një kombi
të ri kosovar në vend të kombit shqiptar në
Kosovë tanimë është i pamundur dhe vetëm
shkakton vuajtje tragjike të mëdha, ndoshta edhe më
të mëdha se ato që na kanë rënë në
kokë për shekuj. Sepse në vend se t'i bashkojmë
forcat për të mbrojtë veten, ende e vëmë
veten në dyshim jemi apo nuk jemi shqiptar. Mbas shekujsh që
vijnë që nga fillimi i botës Rugova u thotë
shqiptarëve: harroni që jeni shqiptarë. Tani e tutje
jeni kosovarë. Edhe me kaq nacionbalshovinizmi grek e serb
e ka realizuar në personin dhe me personin Ibrahim Rugova një
pjesë të rëndësishme të programeve të
veta antishqiptare.
Në
vend se të merremi me programe si të zhvillohen, të
përparojnë, të përmirësojmë jetën
tonë na kthejnë në çështje që as
do të duhej të diskutoheshin: jemi apo nuk jemi komb,
jemi apo nuk jemi një komb etj. Dhe thonë pastaj se Serbia
ka marrë fund, kur ajo na sundon po aq mirë përmes
personave dhe rrymave tona shqiptare. |