NUMĖR 70
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 15 JANAR 2003

Viktima e dyfishtë, Tahir Zema

Shkruan: Shqiptar Oseku

Thonë se për të ndjerin duhet folur vetëm mirë. Në rastin e Tahir Zemës, kjo është një detyrë bukur e zorshme. Pas vrasjes së tij pasoi një ritual i neveritshëm, me të cilin s'kam arritur të mësohem ende, përkundër të gjitha evenimenteve të numërta prej luftës e këtej. Gjysmë të vërtetat u gërshetuan me rrena, për ta krijuar (edhe) një idhull të ri në mendjet e shqiptarëve.

Në këtë situatë, interesi i publikut kërkon më shumë të thuhet e vërteta, se sa të folet mirë për të ndjerin me çdo kusht. Kurse e vërteta, cilado që të jetë ajo, doemos që do të jetë e hidhur. Kjo pasi jeta dhe vdekja e Tahir Zemës ngërthejnë shumëçka që ne deri sot kemi refuzuar me ngulm t'i shohim, t'i dëgjojmë, e t'i folim.

Për ta inventuar listën e të dyshimtëve me motiv e mundësi, mjafton ta shohim një çikë jetëshkrimin e të ndjerit. Një jetëshkrim ky që s'ishte aspak monoton, e që ofron një bollëk të të dyshimtëve të mundshëm.

Tahir Zema u shkollua në akademinë ushtarake jugosllave, ku unë për ndonjë arsye s'do të kisha patur gjasa ta fus as këmbën, e shërbeu me vite si epror karriere në ushtrinë jugosllave. U dënua nga gjyqi ushtarak jugosllav për afera droge në ushtri por u lirua pas krejt pak kohe, për arsye që s'dihen. U martua dy herë me serbe. U transferua në Kosovë bashkë me familjen në një kohë kur ushtarakët tjerë shqiptarë transferoheshin jashtë prej Kosovës.

Këto të gjitha do t'i faleshin, ashtu siç i janë falur shumëkujt tjetër, po ta kishte treguar veten në luftë. Mirëpo ai zgjodhi jo të futet në shërbim të UÇK-së, po t'i prijë një fraksioni të krijuar prej Bujar Bukoshit në ekzil, gjë që de facto e përçante rezistencën. Dhe Tahir Zema priu fort mirë, deri në ditën e zorit. Asaj dite, për dallim prej tjerëve, ai vendos ta braktis fushën e nderit e te arratiset matanë kufirit, një turp ky madhor për këdo ushtarak karriere që ka dy gisht fytyrë.

Jo që kjo e pengoi të kthehet në Kosovë, përkundrazi. Pas luftës, Zema u brohorit si hero nga LDK-ja, e cila vuante e vazhdon të vuajë nga një mungesë kronike e epoletave luftarake në radhët e veta. Të shkuara të harruara ishin grindjet e Bukoshit me Rugovën, i shkuar i harruar dezertimi. Tahir Zema u ripagëzua brenda natës nga LDK-ja si Heroi Institucionalist, që e nisi (!) luftën në kalë të bardhë, po që u pre në shpinë nga "katundarët e Drenicës". Episodi i mbramë i tij para se të vritej ishte t'i del dëshmitar "katundarëve" që e nisën luftën, e që nga ndërkombëtarët u dënuan me dekada burg për "krime kundër shqiptarëve".

Tri motive të mundshme

Nëse e eliminojmë edhe në teori mundësinë që Tahir Zema të jetë vrarë me pahir, atëherë ekzistojnë vetëm tri motive tjera. E para, ai mund të jetë vrarë për motive politike. Në atë rast, është afër menç që dikujt mund t'i ketë plasur kur Tahir Zema u doli dëshmitar në gjyq ish krerëve të UÇK-së. Në këtë verzion, atentati kundër tij ngërthen, pra, në vetvete një deklaratë politike: "Deri këtu shkojnë gurët e megjës, asnjë hap matanë! Ata që u dalin në gjyq luftëtarëve tani e tutje, le ta masin bythën."

Nëse është ashtu, del se atentatorëve u është mbushur mendja se janë trashëgimtarë të UÇK-së. Ata besojnë fuqishëm se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e shenjtë çlirimtare, e se asnjeri - e aq më pak një Tahir Zemë - s'ka të drejtë morale t'i del dëshmitar luftëtarëve. Për ta, lufta s'ka marrur fund ende. Ata besojnë, sigurisht, se janë duke e mbrojtur nderin e UÇK-së dhe të kombit shqiptar nga njollosjet që ia bëjnë të huajt e "kolaboratorët" vendas, pa u kujtuar se mos po i bëjnë shërbim të keq mu idealeve të veta.

Por motivi mundet që është edhe krejt tjetër. Imazhi post mortem që po krijohet për të ndjerin lë mënjanë që ai kishte një shoqëri të nduarduart e me interese të ndryshme. Për shembull, është sekret publik se ai kishte shoqëri të vjetër edhe me disa nga narkotrafikantët më në zë shqiptarë.

Narkotrafiku si motiv s'para u pëlqen ta kujtojnë apologjetëve të Zemës, meqë ata ngulmojnë ta imagjinojnë të ndjerin në format të Skënderbeut. E as i pëlqen tamam revolucionarëve fanatikë, meqë edhe ata duan doemos t'i japin atentatit një karakter politik, në këtë rast karakter të protestit anti-LDK. Por e vërteta shpesh herë është politikisht jokorrekte deri në skaj. Trafiqet e paligjshme janë sot industria e vetme efikase në Kosovë, kurse për një kriminel ordiner s'ka më mirë se sa kur faji për krimin lypet tjetërku.

Motivi i tretë mund të jetë ai që si duket e kanë harruar të gjithë. Vrasja e Tahir Zemës mund të jetë kryer prej agjentëve serbë. Për këtë s'kam asnjë fakt, pos asaj se unë do ta kisha vrarë dora vet Tahir Zemën po të kisha qenë agjent serb. Merreni me mend ju lutem, se ç'rast i rrallë për t'i vrarë tri-katër miza me një të rënë: ta nxjerrësh inkompetent UNMIK-un menjëherë pas një gjykimi senzacional, t'i armiqësosh blloqet politike në Kosovë, t'i shfaqësh veteranët si shtresë kriminele e shoqërisë, e mundësisht edhe të parandalosh me kohë zbulime të ndjeshme.

Këso idiotësira ndodhin kur prioritetet e ligjit t'i pren i huaji. Nga 11 344 të vrarë e të zhdukur gjatë luftës, e 1.075 që mungojnë ende, UNMIK-u zgjedh apostafat ta hetojë rastin e katër (4) personave te vrarë prej ish UÇK-së. Ndërsa asnjë serbi të vetëm për be s'i është rrumbullakësuar ende procesi për njato 11 344 viktima që s'hanë më bukë ndër ne, UNMIK-u prioriton që për këta katër (4) vetë ta hedh një bombë në çatinë e Kosovës, duke e çuar vendin buzë luftës civile.

Se kush e pse e vrau Tahir Zemën, unë për vete s'kam shpresë ta mësoj së shpejti, e ndoshta s'do ta marr vesh kurrë. Por e di që për ta çuar të ndjerin në rendez-vous me vdekjen konspiroi bashkë me atentatorët edhe natyra e tij. E se ai gjer në vdekje mbeti viktimë e dyfishtë, shënjestër e preferuar e armiqve të tij personalë dhe therror i preferuar i njerëzve që i konsideronte miq.

Unë për vete shpresoj forcërisht që Tahir Zema s'do të bëhet sërish viktimë e dyfishtë edhe pas vdekjes. E, para së gjithash, shpresoj se vdekja e tij s'do të krijojë viktima të reja.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 1:55
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË