NUMĖR 72
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 24 MARS 2003

"Amerikanët vijnë nga Marsi, ndërsa evropianët nga Venusi"

Amerikanët dhe evropianët nuk ndajnë më të njëjtin këndvështrim për botën.
Ky rezultat i një studimi botuar në mesin e vitit të kaluar, me autor Robert Kagan, i cili cilësohet si një nga yjet e çështjeve ndërkombëtare, duket se po merr formën më të qartë në krizën e Irakut. Kriza irakene ka nxjerrë një konflikt të ri, atë mes Shteteve të Bashkuara nga njëra anë dhe Evropës, të kryesuar nga Franca e Gjermania nga ana tjetër.

Të dyja grupvendet kanë shtete mbështetëse, megjithatë ato përbëjnë dy qendrat e debatit dhe kundërshtive.

Dy polet në krizën irakiene
Shtetet e Bashkuara kërkojnë një çarmatim të menjëhershëm të Irakut dhe nuk kanë fshehur dëshirën që ky proçes të realizohet përmes aksioneve ushtarake. Aksione të ngjashme me luftën e Kosovës apo të Afganistanit.

Franca dhe Gjermania nga ana tjetër kundërshtojnë këmbëngulshëm mundësinë ushtarake të çarmatojes së Irakut, duke ia lënë një detyrë të tillë inspektorëve të Kombeve të Bashkuara.

Turqia ishte shembulli tjetër që thelloi krizën. Ankaraja kërkoi nga NATO-ja, duke u thirrur në Kartën e Aleancës, që të merrte hapa konkretë që do t'i ndihmonin mbrojtjes turke në rast të një lufte në Irak.

Franca, Gjermania e Belgjika për javë të tëra bllokonin diskutimin për ndihmën në fjalë dhe më pas e kundërshtonin atë, me arsyen se lufta në Irak është e shmangshme. Aleanca Veri-Atlantike, e cila për mbi një gjysmë shekulli ka qenë garantuesja e sigurisë e vendeve evropiane-perëndimore, u shndërrua në një organizëm të pafuqishëm, të ngjashëm ndoshta me organizata të tilla si OSBE-ja, ku shiten fjalë shumë e punë me kursim.

Për krizën e NATO-s, jave me pas, u gjet një zgjidhje kompromisi, por kjo nuk ka zgjidhur problemin.
Zyrtarë të lartë brenda NATO-s, evropianë dhe amerikanë, bien dakort për faktin se kriza në rastin e Turqisë ka lënë pasoja të rënda. Ndër më të dukshmet thonë zyrtarët, që duan të mbeten anonim, është rritja e mosbesimit brenda vendeve anëtare, përpjekjet për të krijuar grupe aleatësh brenda Aleancës, grupime që ndoshta në një rast të ardhshëm do të mund të bllokonin çdo lloj vendimmarrje.

Ndërkaq analistë të pavaruar, në mesin e të cilëve dhe Robert Kagan, pohojnë se përparësitë plotësisht të ndryshme të amerikanëve dhe evropianëve në fushën e sigurisë, janë rreziku real për të ardhmen e NATO-s.
Ecuria e krizës irakene, qëndrimi i Francës dhe Gjermanisë në të ardhmen për krizën në fjalë do të jenë tregues dhe për të ardhmen e NATO-s.

Nëse qëndrimet lidhur me Irakun do të mbeten të ndara deri në fund, edhe pas një ndërhyrje ushtarake atje, atëherë rreziku i në shpërbërje të NATO-s apo një zhvlerësim maksimal i rolit të saj nuk është i largët.

KOSOVA - a do të jetë viktima e ndarjeve brenda NATO-s?
Prej qershorit të vitit 1999 përgjegjëse për sigurinë në Kosovë janë forcat e NATO-s në përbërje të të cilave ka trupa nga vende të ndryshme. Megjithatë janë pesë zona ku një nga vendet kryesore të Aleancës është përgjegjëse, të cilat bashkërendohen nga një komandë e përbashkët.

Thellimi i ndarjes mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, kriza e NATO-s, natyrisht do të pasqyrohet dhe në misionet paqeruajtëse, ku ai në Kosovë e Bosnjë janë më të rëndësishmet.

Shenja e parë u duk në Forcën Ndërkombëtare të Sigurisë që vepron në Afganistan. Ndonëse nuk është mision nën ombrellën e NATO-s, vendet e NATO-s mbajnë një rol të rëndësishëm. Kështu Gjermania dhe Hollanda, të cilat kanë drejtimin e rradhës të forcës në Kabul, pak ditë më parë deklaruan se do tërhiqnin trupat nga atje nëse ndjenjat anti perëndimore rriteshin si pasojë e një lufte në Irak.

Në rastin e Kosovës nuk bëhet fjalë për tërheqje trupash, por për një kakofoni në drejtimin e KFOR-it, apo thënë më mirë pjesëve të tij përbërëse.

Kështu, që trupat në çdonjërën nga pesë zonat e sigurisë në Kosovë, do të injorojnë urdhrat e komandës qëndrore dhe do të zbatojnë vetë ato të marra nga kryeqytet përkatëse. Kjo ndodhur në përmasa të vogla deri tani, por mund të kthehet në dukuri të rrezikshme me thellimin e ndarjes ndër atlantike.

Mjafton të kujtojmë këtu trupat franceze në veri, gjendjen e Mitrovicës dhe komunave të tjera të veriut të Kosovës.

Ndarjet brenda NATO-s mund ta vënë Kosovën në një pozitë të palakmushme, ku mund të vihet në pikëpyetje tërësia e saj territoriale.

Demokracitë perëndimore të ndara - bota në një rregull të mbrapshtë

Pavarësisht dallimeve Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe vende të tjera evropianoperëndimore, janë demokracitë më të përparuara në botë, ndonese jo te perkryera. Ato kanë të njëjtën përkushtim ndaj zgjedhjeve të lira, institucioneve, respektimit të shtetit ligjor. Njëherësh në kuadër të globalizimit ato ndajnë interesa themelore ekonomike.

Këto vende kanë të përbashkëta me njëra-tjetrën, parimet bazë, të cilat ende nuk janë në atë shkallë në vendet postkomuniste dhe janë në një gjendje të trishtueshme në Amerikën Latine apo Azinë qëndrore.

Natyrisht, që demokracitë perëndimore në rast të një ndarje mes tyre do të kërkojnë partnerë dhe aleatë gjetkë. Aleanca të këtij lloji me partnerë në mesin e vendeve jo demokratike do të kthejnë botën në një rend ku vlerat morale, të cilat filluan të shquheshin në politikat perëndimore, veçanërisht pas rënies së murit të Berlinit, do të humbin. Dhe sërish do të kemi ekuilibra force dhe kërcëllime dhëmbësh.

Megjithatë ka ende pak kohë deri në skenar të tillë. Deri atëhere mbetet të shpresojmë se thyerja e madhe mes vendeve me demokraci të përparuar nuk do të ndodhë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË