NUMĖR 72
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 24 MARS 2003

Kronikë e arrestimeve të paralajmëruara

"Pas çdo ngjarje në Kosovë, më ishte bërë zakon të pyesja se si do të reagonte ky apo ai krah politik. Pas arrestimeve të djeshme më duhet të them se po pyes cili do të jetë ragimi im, për më tepër se flitet për arrestime të tjera." Këto fjalë m'i thoshte një nga gazetaret me përvojë dhe e dalluar për baraspeshë në Kosovë, pas ngritjes së aktakuzës dhe dërgimit në Gjykatën e Hagës të katër ish luftëtarëve të UÇK-së, mes të cilëve dhe Fatmir Limaj, një nga politikanët më aktivë në Kosovën e pasluftës dhe deputet në Parlamentin e Kosovës.
Ndërsa tek flisja me të njohurit dhe miqtë në Kosovë menjëherë pas arrestimeve ndihej një lloj mpirje e përgjithshme.
Kishte prej tyre që ndiheshin të tradhëtuar nga bashkësia ndërkombëtare, të tjerë mendonin se Bllaca, të cilën e kishin përjetuar gati 4 vjet më parë ishte vetëm një histori pa interes, vuajtjet e asaj kohe, thjesht dukeshin se ishin hedhur në kosh të plehrave.
Në fakt ndonëse të gjitha këto janë reagime emocionale, duket se gjithë ky proces do të jetë i shoqëruar nga ngarkesa emocionale. Kësaj për fat të keq nuk i shpëtuan as politikanët. Madje, qe pikërisht ngarkesa emocionale që u përdor nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, që të qetësonin gjendjen.
Vlerësimi që ata i bënë veprimit të Fatmir Limajt dukej se synonte më së tepërmi në qetësimin e sedrës së vrarë dhe revoltës potenciale.
Në fakt rasti Limaj dhe i tre luftëtarëve të tjerë të ish Ushtrisë Clirimtare të Kosovës për pjesën tjetër, domethënë bashkësinë ndërkombëtare është thjesht pjesë e përditshmërisë politike.

Të paralajmëruara - Fare mirë mund të cilësohen si të tilla arrestimet në fjalë. Menjëherë pas luftës, në qershor 1999, me vendosjen e administratës së Kombeve të Bashkuara, në rrethe të caktuara në Kosovë, nisi të flitej për faktin se Gjykata e Hagës do të hetonte dhe disa ngjarje, autorë të së cilës qenë shqiptarët.
Këto informacione kanë qarkulluar në mënyrë të herëpashershme gjatë këtyre katër viteve. Ka qenë një sekret publik.
Megjithatë politikanët dhe më pas institucionet e Kosovës, të dala nga zgjedhjet, asnjëherë nuk trajtuan as me seriozitet dhe as me profesionalizëm, informacionet që jo thjesht qarkullonin në rrethet vendimmarrëse pranë tyre, por as kanë reaguar dhe kur një mundësi e tillë iu është thënë nga diplomatë e zyrtarë perëndimorë.
Fakti nëse u dorëzua apo u arrestua Fatmir Limaj nuk duhet të ishte vënë në qendër të diskutimit, duke marrë trajtën e problemit kryesor. Kjo vetëm rithekson se sa të papërgatitur i ka gjetur institucionet e Kosovës dhe strukturën politike ky hap.
Në fakt dërgimi në Hagë i Fatmir Limajt dhe tre të tjerëve ka nisur kohë më parë. Ka nisur atëherë kur vetëm pak kohë pas përfundimit të luftës propaganda kundër atyre që luftuan ishte në pikun e vet, atëherë kur statusi i shoqatave të dala nga lufta, si ajo e dëshmorëve apo invalidëve të luftës nuk u qartësua apo institucionalizua asnjëherë. Dërgimi në Hagë i katër luftëtarëve të UÇK-së ka nisur kur partitë politike nisën të përvetësonin luftën si të tyren, por pa u përpjekur t'i krijonin asaj mbrojtjen e duhur institucionale e ligjore. E kjo u duk qartë dhe në deklaratat e zbehta, madje disa prej të cilave dhe mjerane të përfaqësueve të një grupi të caktuar politik në Kosovë.
Natyrisht ardhja deri në arrestimet e fundit është pasojë dhe e faktorëve të tjerë, mes të cilëve Serbia është njëri prej tyre.
Pas rënies së Millosheviqit, në vjeshtën e vitit 2000, garnityra e re politike e ardhur në pushtet në Serbi, në mesin e kaosit dhe problemeve që përballej, si gjithmonë gjeti energji dhe burime për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës. Ky bashkëpunim nënkuptonte përgatitjen e dosjeve dhe dërgimin e informacioneve mbi politikanët e Kosovës, natyrisht atyre që kishin ardhur në skenën politike nga lufta.
Veçanërisht pas dorëzimit spektakolar të Sllobodan Millosheviqit, kryeministri aktual serb, Zoran Xhinxhiq, e ka përdorur këtë rast për t'i kërkuar kryeprokurores Del Ponte, dërgimin në Hagë dhe të shqiptarëve të Kosovës, të cilët sipas tij kanë kryer krime lufte dhe të tjera që gjykohen nga gjykata në fjalë.
Sipas Xhinxhiqit, i cili ka luajtur kartën e politikanit më bashkëpunues e më të hapur në Serbinë e pas Millosheviqit, vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohej bashkëpunimi i mëtejshëm i Beogradit me Hagën dhe Gjykata, sipas tij, të jepte shembuj paanësie.
Megjithëse bashkësia ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ka qenë e familjarizuar me lojën e Beogradit, megjithatë nuk i ka thënë jo, përkundrazi, informacioneve të shkuara nga Beogradi drejt Hagës për drejtuesit e UÇK-së.
Natyrisht ato nuk kanë qenë baza e vetme e ardhjes deri tek aktakuzat për katër të dërguarit në Hagë.

Segmente të bashkësisë ndërkombëtare të përfshira në ngritjen e aktakuzave të fundit.

Koncepti bashkësi ndërkombëtare është tepër i gjerë dhe në vetvete ngërthen një morri aktorësh e institucionesh, shpeshherë me interesa të ndryshme e jo rrallë dhe të kundërta.
Ndërsa çështja e statusit të Kosovës duket se po rikthehet në tryezën e diskutimit në forma të ndryshme, bashkësia ndërkombëtare, apo thënë më mirë, lojtarët ndërkombëtarë që do të jenë të përfshirë në diskutimet e ardhshme mbi statusin, janë në rrugë e sipër të përgatitjes. Natyrisht me shpejtësi të ndryshme dhe jo të gjithë kanë të njëjtin qëndrim.
Pikërisht segmente të bashkësisë ndërkombëtare besojnë se Kosova duhet të mbetet në një mënyrë ose në një tjetër e lidhur me Beogradin. Kjo është e vështirë të arrihet pas luftës së vitit 1999 dhe pas afro katër vitesh të administrimit ndërkombëtar. Një nga mënyrat për t'i detyruar shqiptarët për të pranuar ekzistencën nën një ombrellë të përbashkët me Beogradin, është dërgimi në Hagë i disa prej shqiptarëve, të përfshirë aktivisht në luftë.
Në këtë mënyrë krijohet ajo ndjesia e barazpeshës së fajit. Pra të dyja palët kanë bërë krime, por ato i përkasin së kaluarës, ndërsa tani është koha e integrimeve dhe bashkjetesës.
Ndërkaq ai grup që i takon më radikalëve në bashkësinë ndërkombëatre dhe që beson se do të ketë ndryshime kufijsh e rishkrim hartash në Ballkan, ka gjetur rrugët dhe mundësitë që në tryezën e nesërme të bisedimeve shqiptarët dhe serbët të ekuilibrojnë dy anët e peshores.
Burime të besueshme brenda Hagës tregojnë se ka dosje në përgatitje e sipër apo të përfunduara dhe për shqiptarë të tjerë të Kosovës, bërja publike apo jo e të cilave mbetet të vendoset siç duket nga politika dhe nga skenarët e mundshëm të statusit të ardhshëm të Kosovës.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË