NUMĖR 72
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 24 MARS 2003

Një moral tjetër për mijëvjeçarin e ri


Tirania

Dikur, krejt kaherë, nëpër qelitë e burgjeve serbe, në një vetmi të plotë, ku njeriu më shumë se askund tjetër ka kohë ta tjerrë mendimin, konkludoja se në një botë bipolare lufta kundër tiranisë është një çështje vetëm e idealistëve që vendosin të sakrifikohen për të çliruar vendin. Vetëdija se ky është një proces i gjatë që përpin disa gjenerata më bënte ta prek trishtimin me dorë, por pa vënë kurrë në pyetje domosdonë për t'iu kundërvënë tiranisë pavarësisht nga burgimi, torturat dhe poshtrimet e papërshkrueshme.
Më vonë në ekzil, në kontakt me intelektuatë të arratisur të shumë vendeve të botës, mësova për praktika të ndryshme të tiranive dhe të tiranëve të të gjitha meridianeve dhe racave. U binda se idealistët ishin në dezavantazh absolut. Në metropolin e të arratisurve, në Gjenevë, kam takuar kamboxhianë, kurdë, koreanë, vietnamezë, kubanë, kinez, marokenë, libianë, iranianë e natyrisht dhe irakienë. Krahas atyre që i kam përjetuar vetë, rrëfimet e tyre plot llahtar edhe sot më lënë pagjumë.
Në këto kontakte u binda se përkundër faktit se tiranët u takonin kombeve, racave dhe vendeve të ndryshëm ata ishin shumë të ngjashëm në mizoritë e tyre. Por gjithsesi ironia më e madhe ishte kur ata 'legjitimonin' tiraninë, duke organizuar zgjedhje, siç është rasti i fundit me Sadamin, kur 100% të irakienëve votuan për të! Një popull i tërë bëhet teatër kukullash. Pas farsave të tilla kam pasur rastin të shoh të arratisur politikë që binin në një depresion deri vetëvrasës.
Por rënia e Murit të Berlinit, ky grusht i fortë kundër tiranisë, sigurisht më i forti deri atëherë, shumëve ua ngjalli shpresat.
Krijimi i Gjyqit të Hagës dhe nxjerrja para tij për krimet që ka bërë e një tirani siç është Millosheviçi është një grusht tjetër substancial që i jipet tiranisë, sepse tash lufta kundër saj nuk po mbetet më vetëm çështje e idealistëve të vendeve ku sundon tirania, por po merr formën dhe përmasat e një procesi botëror. Duke ravijëzuar kështu domosdonë e një morali të ri për milineumin që nisëm.
Kjo është fitorja më e madhe e Demokracisë mbi Tiraninë.

Përkufizimi i gabuar

Në këtë rrafsh politika perëndimore kundër Sadamit është e flashkët dhe e mbështjellur me terminologji aspak adekuate. Sepse thelbi i konfliktit duhet të nxjerret në pah krejt lakuriq, pa e mbuluar as me naftë, as me religjion e as me çarmatim, por parasegjithash me domosdonë e rrëzimit të një Tirani, i cili tash një çerek shekulli po ngulfat jetën e 25 milion njerëzve dhe po destabilizon njërin prej rajoneve politikisht më tektonike në botë, Lindjen e Mesme.
Sadami ka marrë pushtetin në Irak më 1979. Pas një viti , konkretisht më 19 shtator 1980, ai ka filluar luftën kundër Iranit, njërën prej luftërave më të përgjakshme, ku kanë lënë jetën mbi një milion e dyqindmijë njerëz, veç tjerash, kjo luftë ka kushtuar1000 miliardë dollarë.
Taman kur përfundoi lufta me Iranin, Sadami sulmoi dhe pushtoi Kuvajtin. Kështu ai provokoi intervenimin e Perëndimit përmes Furtunës se Shkretëtirës dhe pasojat e saj: shkatërrimin e ekonomisë së vendit, sanksionet dërrmuese, dhe varfërimin e plotë të popullsisë.
Mirëpo ky intervenim mbeti një punë përgjysmë, sepse Tirani nuk u rrëzua. Një rezultat konkret i këtij intervenimi ishte se tash 8 vjet një pjesë e Kurdistanit, atëherë nën Irak, tash po merret frymë lirisht. Mbi 3 milionë e gjysmë kurdë për herë të parë në historinë e tyre, pas shumë përpjekjesh, por kësaj radhe falë intervenimit të Perëndimit, kanë hapur shlirshëm mbi 2500 shkolla dhe kanë ngritur Universitetin në gjuhën amtare; Kanë arritur të kenë parlament, të ndërtojnë institucione; të vetëqeverisen me shumë sukses.
Një territor ku nuk është e pranishme tirania, po jeton normalisht dhe po ndërton një të ardhme tjetër, ndërsa Iraku po kredhet në mjerim e skamje, dhe kjo për qejfin e mustaqeve të Sadamit.
Alternativa është e qartë: Sadamin nuk mund të hiqet normalisht nga pushteti. Kjo duhet bërë me forcë, në radhë të parë për të mirën e Irakut, por edhe të rajonit. Do të thuani pse dhe unë mund t'ju numëroj njëqind sepse, por sepseja kryesore është se nëse Sadamit i hiqen të gjitha armët, do t'i mjaftojnë kallashët e gardës së tij që të mbahet në pushtet..., pastaj tiranët, edhe këta të kohës tonë, po trashëgohen. Ta zëmë çfarë dallimi ka Kim Xhong Ili nga babi i tij monstrum, Kim il Sun? Asnjë. Edhe Sadami i ka të bijtë e vet, ashtu si edhe Asadi që i kishte dhe që e zëvendësuan.

Mu për këtë intervenimi ushtarak në Irak është i pashmangshëm. Ky është një oblgimi që Perëndimi ka sot ndaj këtij vendi me një civilizim të lashtë e me mundësi të mëdha.
çlirimi i Irakut dhe menagjimi normal në periudhën e postsadamit do të bënte nga Iraku një Gjermani në Lindjen e Mesme, ku do të vihej një baraspeshë strategjike dhe do të krijoheshin kushtet për rirregullimin e krejt këtij rajoni me shumë probleme e me jo pak tiranë, të cilët duhet të mësojnë se çka i pret nëse nuk ndjekin rrugën e reformave thelbësore.

Mu për këtë përkufizimi i luftës duhet jetë jo luftë kundër Irakut, por luftë për Irakun e kundër Sadamit, luftë e Demokracisë kundër Tiranisë.

çarjet e Perëndimit

Mungesa e një përkufizimi të drejtë të kësaj lufte ka shkaktuar çarje te fuqitë perëndimore dhe terren për manifestime masive, nga të cilat përfiton vetëm një person. Ai e ka emrin Sadam.
Kjo ka ndodhur edhe për faktin se administrata amerikane ka vërtetuar katërcipërisht thënien e Kisinxherit se demokratët në Amerikë duan t'i imponojnë në botë vlerat e vendit të tyre, ndërkaq republikanër forcën e tij. Mungesa qoftë edhe e një intelektualizmi të përciptë për çështjen e Irakut në Washington ka bërë që të mungojë plotësisht debati sidomos në qarqet intelektuale evropiane.
E debati i gjerë për këso çështjesh është i domosdoshëm, sepse përmes tij do të kristalizohej edhe morali për mijëvjeçarin e ri. Për arsyen e thjeshtë se Globi ynë duhet të rregullohet, e njëra prej pikave të tij më të nxhehta është Lindja e Mesme. Aty duhet të punohet për vendosjen e një rendi të ri, i cili nuk mund të paramendohet pa heqjen e Sadamit. Efekti i heqjes së tij do të jetë shumëfish pozitiv, sepse do të çonte drejt zgjidhjes së çështjes së kurdëve, drejt zgjidhjes së çështjes palestineze por edhe do të hapte udhën për një reformim të gjithanshëm politik e besa edhe religjioz. Sepse kështu do të humbnin pozicionet e tyre dominuese faraonë të ndryshëm që kanë shkuar shumë larg në çoroditjen e tyre pushtetore.

Në fillim ishte fjala, por pas saj edhe xhandari

Shteti ka filluar të funksionojë në momentin kur xhandari është parë në rrugë dhe ka rrezikuar drejtpërdrejt lirinë e kusarit, lirinë e vrasësit, liritë e keqbërësve të ndryshëm.
Forca ushtarake e Perëndimit sot është disi në këtë pozicion. A duam ta rregullojmë këtë globin tonë, të madh e të vogël njëherësh? A duam ta zhdukim skamjen, urinë, sëmundjet korrëse? A mund të ecim përpara pa pasur një rend që respektohet me vullnet ose detyrim?
Sigurisht se jo.
A mund të mendojmë të përballemi si glob me të panjohurat e pashmangshme të gjithësisë pa rregulluar problemet më themelore këtu, në Tokë?
Sigurisht se jo.
Heqja e Sadamit është një hap drejt kësaj.
Fillimi i këtij mileniumi duhet të thotë edhe çrrënjosje e tiranisë dhe e tiranëve në Tokë. Le të fillohet me Sadamin, e pastaj me të tjerët. As Kim Gjon Il hamami nuk duhet ta ketë të gjatë.
Kjo duhet të jetë logjika e mijëvjeçarit të ri dhe thelbi i moralit që duhet të bëhet dominues.

Mendojeni një të burgosur që kalbet me dekada në burgjet e Sadamit, apo të sadamëve të ndryshëm, vetëm pse ka qenë kundër tiranisë apo vetëm pse ka ëndërruar lirinë, se çka pret ai prej neve që jemi të lirë!
E si ai ka shumë, me mijëra, por dhe miliona të tjerë që, ani se jashtë burgut, jetojnë gjithë jetën e tyre në ankth.
Jetën që jetohet vetëm njëherë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË