NUMĖR 72
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
DOSSIER VITI V - 24 MARS 2003

Si do ta zgjidhnin çështjen e Kosovës e Metohisë radikalër serbë?

Kumtesë e Drejtoratit Qendror Atdhetar të Partisë Radikale Serbe


Në Kosovë e Metohi, para njëmijë vjetësh u vunë themelet e shtetësisë, vetëdijes kombëtare dhe kulturës serbe. Prej atëherë e deri në ditët tona, në Kosovë e Metohi nuk ka ekzistuar asnjë shtet tjetër i ligjshëm, pos atij serb. Prej atyre popujve, të cilët, gjatë historisë të disa mijëravjeçarëve, kanë levizur dhe kanë jetuar në ato hapësira, rrënjët e popullit serb janë të ngulitura më thellë. Pa Kosovë e Metohi nuk ka as shtet serb. Për këtë gjë ruajtja e Kosovës e Metohisë, si pjesë përbërëse dhe integrale e Serbisë, për nga rendësia, është e barabartë me vetë ekzistencën e kombit serb në tërësi. Shpërngulja dhe largimi nga vatrat shekullore janë bërë pjesë e fatit të popullit serb në Kosovë e Metohi. Robëria nën turqit, krimet e shqiptarëve të ardhur e të islamizuar, kanë krijuar kushte në të cilat jetesa nuk ishte e mundur. Ikja sa më larg per t'ì shpëtuar fëmijët, ikja pa marrë parasysh dhe pa shikuar pas, duke i lënë shtëpitë dhe pasuritë, varret e të parëve, për të kërkuar shpëtim në Serbi nuk po ndalet.

Shpërngulja u ndal mes dy luftërave botërore dhe kolonizimi me vullnetarët serbë, në veçanti me luftëtarë në një masë e përmirësoi strukturën etnike në Kosovë e Metohi. Por, fatkeqësisht, vetëm deri në Luftën e Dytë Botërore, kur pushteti pushtues fashist filloi, e regjimi komunist e vazhdoi më vonë, shpërnguljen e tyre nga Kosova e Metohia dhe vendosjen në pasuritë e tyre të të mërguarve të shumtë nga Shqipëria.

Në vitin 1944 - 45, pushteti komunist ua ndaloi kthimin në vatrat e tyre serbëve të përzënë, dhe ndërkaq e pranoi si akt të kryer ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë, që ishte shkaktuar nga ardhja e të mërguarve shqiptarë. Njëkohësisht, shqiptarët u shpërblyen me konstituimin e autonomisë së Kosovës e Metohisë, e cila shërbeu si pikënisje për politikën e tyre secesioniste. Pasojat e një politike të tillë antiserbe ishin të pamënjanueshme, sepse një numër i madh serbësh u shpërngul nga Kosova e Metohia. Dhunuesit shqiptarë uzurpuan qindra e mijëra hektarë tokë shtetërore, shoqërore e private serbe, ndërsa manastiret, kishat, varrezat dhe shenjtëri të tjera serbe iu nënshtruan rrënimit e shkatërrimit sistematik.

Regjimi komunist në Serbi, duke dëshiruar ta ruante pushtetin, sinjalizonte në fund të viteve '80 se do të ndiqte një politikë të drejtë kombëtare dhe se çështja serbe në Kosovë e Metohi do të fillonte të zgjidhej seriozisht. Serbët u mashtruan nga ndryshimi i Kushtetutës së Serbisë, me anën e të cilës pushteti kushtetues u kthye nën kompetencat e Kuvendit të Republikës së Serbisë. Serbia në dukje të parë u bë e njësuar. Njëkohësisht kryetari i Serbisë premtoi se shumë serbëve do t'u mundësohej kthimi në Kosovë e Metohi.

Ai ishte një rast historik dhe një detyrim, të cilin pushteti i tashëm i Serbisë nuk e ka plotësuar. Regjimi i Beogradit ka zbatuar politikën e vet në Kosovë e Metohi i udhëhequr nga motive politike të ngushta partiake, pa i marrë parasysh interesat e popullit serb. Ai ka lejuar, në heshtje dhe në marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare e nën trysninë e saj, që lëvizja separatiste shqiptare të forcohet dhe, faktikisht, të formojë parashtetin e vet, të ashtuquajtur Republika e Kosovës dhe ta ndërkombëtarizojë çështjen e Kosovës e Metohisë. Me zgjidhjen e krizës në ish-Jugosllavi, bëhet e qartë se çështja serbe duhet të zgjidhet përfundimisht dhe kjo me bashkimin e të gjitha tokave serbe në një njësi të vetme shtetërore.

Duke mos harruar gjendjen në Kosovë e Metohi, e cila po keqësohet me shpejtësi, si dhe duke pasur parasysh përvojën e tradhëtisë, që pushteti në Serbi po bën ndaj bashkombësve tanë në Republikën Serbe dhe në Republikën e Krainës Serbe, çka mund të ndodhë edhe me serbët në Kosovë e Metohi; të shqetësuar nga deklaratat e emisarëve të huaj, të cilët theksojnë se çështja e Kosovës e Metohisë, e rajonit të Rashkës dhe Vojvodinës duhet të zgjidhet në kuadrin e zgjidhjes së krizës së ish-Jugosllavisë; të vetëdijshëm se vetëdija kombëtare dhe ardhmëria e sigurtë e popullit serb nuk mund të merren me mend pa Kosovën e Metohinë, si pjesë e patjetërsueshme e shetit serb, dhe të bindur se kryetari i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, ka përgatitur tradhëtinë ndaj tokës së shenjtë serbe dhe dorëzimin e saj në duart e secesionistëve shqiptarë, theksojmë qëndrimet e polikës kombëtare në Kosovë e Metohi dhe masat për vënien e tyre në jetë, si vijon:

l. Për shuarjen e kryengritjes seperatiste shqiptare në Kosovë e Metohi, me të gjitha mjetet, dhe për pengimin e recidivave të saj, ne zotohemi për marrjen dhe zbatimin e masave pasuese:

a) Rregullimi i Shtetit

Në kuadrin e ristrukturimit të domosdoshëm shtetëror e juridik, me të cilin do të nënkuptohej heqja e federatës ekzistuese dhe e formave të autonomisë territoriale, mbasi ato janë provuar si dështime për popullin serb, si zgjidhje më e mirë na duket krijimi i një shteti të njësuar serb, në përbërjen e të cilit do të hynin Republika e Krainës Serbe, Republika Serbe, Republika e Serbisë dhe Republlika e Malit të Zi.

Shteti serb do të kishte një kryetar, një parlament e një qeveri dhe lidhja mes qeverisë dhe administratës lokale do të bëhet përmes kryesive të qarqeve. Serbia do të duhej të përkufizohej si shtet kombëtar e demokratik i popullit serb dhe i qytetarëve e grupeve etnike, të cilëve do t'u siguroheshin të gjitha të drejtat vetjake, qytetare e njerëzore.

Heqja e autonomisë ekzistuese të Kosovës e Metohisë, me të cilën është krijuar një asimetri e kobshme në Serbi, ndërkaq që shqiptarëve u është dhënë shkas për të kërkuar shkëputjen, dhe kthimi i Kosovës e Metohisë në përbërjen e shtetit të njësuar serb, paraqesin elementin qenësor për realizimin e çështjes kombëtare serbe.

Populli serb, i cili ndodhet para një lufte të vështirë për bashkimin e të gjitha tokave serbe, para së gjithash, duhet t'i sigurojë e t'i ruajë territoret që gjenden në kufinjtë e Serbisë. Inkuadrimi i plotë i Kosovës e Metohisë në shtetin e njësuar serb është thjesht një çështje e brendshme, e cila duhet të zgjidhet pa kurrfarë perzierje nga jashtë, pra as nga e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare. Rregullimi i statusit të Kosovës e Metohisë, si pjesë integrale e shtetit serb, si edhe rregullimi i të gjitha çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me konsolidimin e një shteti demokratik modern, mund të bëhet vetëm përmes miratimit të një Kushtetute të re. Kjo Kushtetutë do të miratohej nga një asamble kushtetuese e zgjedhur, përmes zgjedhjeve të përgjithëshme të drejtperdrejta në tërë vendin. Politika kombëtare ndaj Kosovës e Metohisë nuk mund të zbatohet pa u shqyrtuar me themel në organizmat parlamentare dhe pa mendimin e përfaqësuesve të ligjshëm të popullit serb të Kosovës e Metohisë.

Duke pasur parasysh se në Serbi jeton një numër relativisht i madh i anëtarëve të pakicave, atyre, në harmoni me standardet ndërkombëtare do t'u siguroheshin të gjitha të drejtat vetjake e kolektive, që do të thotë, e drejta për përdorimin e gjuhës së vet në jurisprudencë, e drejta për arsimin fillor në gjuhën e vet amtare, për shprehjen e ndjenjave fetare, marrjen me veprimtari kulturore e të ngjashme, ndërkaq, në bashkëlidhje me ushtrimin e këtyre të drejtave do të jetë, para së gjithash, detyrimi i anëtarëve të pakicave për sjellje të ndershme ndaj shtetit, qytetarë të të cilit janë.

b) Rishikimi i librave të amzës dhe i të drejtës së shtetësisë, në bazë të rezultateve të regjistrimit të popullsise të vitit 1991

Eshtë e domosdoshme që Kuvendi federal të miratojë sa më parë lligjin mbi shtetësinë. Ai do të ndihmonte që të përcaktohet me saktësi numri i të mërguarve shqiptarë dhe i pasardhësve të tyre, të cilët, në periudhën 1941-1987, në mënyrë të paligjshme e pa kurrfarë mbështetjeje ligjore, kanë përfituar prona e pasuri të tjera të patundshme, për të cilat nuk do të kishin të drejtë askund tjetër në botë. Jugosllavia ka sot rreth 400 mijë të huaj të tillë, të cilëve, në bazë të një ligji të këtillë, mund t'ua refuzojë mikpritjen në vendin tonë. Në të njëjtën menyrë duhet të veprohet edhe me të gjithë qytetarët e republikave të shkëputura, me përjashtim të atyre që janë të përkatësisë kombëtare serbe, si edhe me anëtarët e pakicave të tjera kombëtare, të cilët nuk e pranojnë shtetësinë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Në vend të tyre, ne do të mund të pranonim 400 mijë të ikur nga ish-republikat e Jugosllavisë e kjo do të ishtë një akt plotësisht legal e i ligjshëm i pushtetit në këtë shtet. Për eliminimin e të mërguarve, duhet të zbatohen standarde të dyfishta: për ata që njihen si ekstremistë duhet paraparë përzënia e menjëherëshme, ndërkaq, të tjerëve duhet t'u vihet si kusht zotërimi i të gjitha dokumenteve, madje edhe për nëvojat më të zakonshme, për sigurimin e të cilave, si parakusht do të ishte dëshmia e shtetësisë, të cilën ata nuk e kanë si edhe pasja e listës së atdheut. Lista e atdheut do të zbatohej për të gjithë shtetasit e Serbisë, si mjet i detyrueshëm, me të cilën do të vërtetohej se kanë shtetësinë e Republikes së Serbisë. Në kopertinë, lista e atdheut do të kishte stemën e Serbisë: shqiponjën e bardhë dykrenëshe të Nemanjiçëve, mburojën me kryq dhe katër S-të (Samo sloga srbina spasava që do të thotë vetëm uniteti serbët i shpëton, shënikm i përkthyesit).

Mospasja e listës së atdheut do të përbënte një bazë për përzënien e atyre që nuk e kanë statusin e shtetasit të Serbisë. Duhet penguar me të gjitha mënyrat kthimi i shqiptarëve të punësuar në botën e jashtme, e posaçërisht kthimi i atyre, që në periudhën 1990/93 kanë shkuar në mënyrë masive jashtë (vlerësohet se kanë shkuar 300 mijë vetë nga popullsia më aktive). Të pengohet punësimi i kuadrove të profileve të ndryshme, në mënyrë që ata të shkojnë jashtë shtetit. Shqiptarët, nga ai aspekt, janë të lëvizshëm, qoftë për shkak se i kanë bazat e tyre në shumë shtete tek mërgata e tyre dhe tek punëtorët, qoftë për shkak të mendësisë së tyre. Kështu, para se gjithash, ndikohet në pjesën më të shkolluar të popullsisë së tyre dhe për rrjedhojë ata bëhen më të përshtatshëm për t'iu nënshtruar ndikimeve intensive dhe manipulimeve, sepse pa "indet lidhëse" ata do të kenë më pak mundësi për t'u organizuar.

c) Rishikimi i marrëdhënieve pronësore

Në kuadrin e rishikimit të marrëdhënieve pronësore duhet të miratohet një ligj i veçantë për kthimin e tokave dhe të të mirave të tjera serbëve dhe kishës ortodokse serbe në Kosovë e Metohi. Kisha dikur ka pasur prona të mëdha dhe te popullsia lokale në to, ku ka zhvilluar një sistem specifik të marrëdhënieve ekonomike të mëditjeve dhe të dhurimit. Me pronat tokësore të rritura në mënyrë të dukshme, manastiret në Kosovë do të mundnin t'i plotësonin në mënyrë optimale misionet e tyre fetare, kulturore e kombëtare, dhe do të ishin në gjendje të ushtronin funksionin e tubimit të njerëzve dhe të pengimit të shpërnguljes së tyre. Gjatë ngjarjeve të shkuara, në gjysmën e dytë të shekullit XX, vetëm klerikët serbë nuk u shpërngulën, prandaj ata e meritojnë kthimin e pronave të mëdha kishtare, jo vetëm nga e drejta e trashigimisë, por edhe për patriotizmin e tyre.

Të gjitha pronat serbe që janë shitur apo që u takojnë në ndonjë mënyrë tjetër shqiptarëve, shtëpitë dhe apartamentet, sidomos ato të periudhës 1966/1987, (gjatë kohës së pushtetit ballisto-komunist në Kosovë), si edhe ato që fashistët i përvetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, duhet t'u kthehen pronarëve të mëparshëm ose pasardhësve të tyre. Kjo kthesë qenësore mund të realizohet fare lehtë, sepse shqiptarët në ato prona kryesisht nuk kanë ngritur shtëpi të reja, por përkundrazi i kanë rrëzuar edhe ato që gjendeshin aty, me qëllim që popullsia e shpërngulur serbe të mos ketë ku të kthehet, si edhe nga droja se ndërrimi i dhunshem i pronësisë nuk mund të jetë afatgjatë.

Kombinatet dhe kooperativat bujqësore të periudhës socialiste ishin themeluar kryesisht në pronat dhe fshatrat serbe, prandaj shtrohet nevoja e ngutshme për privatizimin dhe kthimin e tyre pronarëve të mëparshëm, me kusht që ata të kthehen në pronat e veta. Në të kundërtën, toka duhet t'u ofrohet pronarëve të rinj. Ka mjaft tokë me prejardhje shtetërore, e cila mund t'u ndahet apo t'u shitet serbëve që nuk janë nga Kosova e Metohia. Kjo tokë, për shkak të përdorimit të dobët në sektorin shoqëror, duhet t'u ndahet personave privatë. Veç kësaj, toka përkatëse e kooperativave është e përshtatshme për vendosjen e një numri të madh kolonësh, të cilët do të jetonin së bashku dhe do të ishin të aftë për kryerjen e funksioneve jetësore ekonomike, shoqërore, mbrojtëse, etj. Toka të tilla shtrihen në tërë Kosovën. Në to, mund të formohen përqëndrime të rëndësishme dhe vendbanime serbe, të cilat do të formonin një rrjet vendbanimesh të afta për të komunikuar e bashkëpunuar mes tyre. Vetëm në zonën kufitare, nga Deçani deri në Prizren e Suharekë, mund të ndërtohen vendbanime, që do të lidheshin në mënyrë zinxhirore, të cilat përveç ndikimit për shpërnguljen e disa vendbanimeve shqiptare, do të formonin nje digë të fortë mbrojtëse kundrejt Shqipërisë.

d) Nryshimi i strukturës etnike të popullsisë

Kolonizimi i Kosovës duhet të vazhdohet me vendosmëri e në mënyrë të organizuar. Propaganda politike duhet t'i trajtojë kolonët si serbë që vendosen në tokën serbe dhe që është krejtësisht e njëjtë se në cilën pjesë të tokës serbe ata jetojnë. Serbëve të ndjekur, krahas tokës, sipas mundësisë, t'u jepen edhe makineri, qoftë kjo edhe me kredi afatgjata, në mënyrë që të mund ta punojnë tokën e marrë dhe që të lidhen përgjithmonë me rajonin përkatës.

Shumica e kroatëve të Janjevës dhe të Letnicës, të udhëhequr nga jehona e luftës, janë shpërngulur në Kroaci, pa pasur kurrfarë trysnie. Pasuria e tyre tani po shkatërrohet ose po plaçkitet prej shqiptarëve të viseve fqinje. Në shtëpitë dhe tokat e tyre duhet të vijnë serbët e përzënë nga Kroacia.

Krahas kthimit të tokës së tjetërsuar në mënyrë të paligjshme, të të mirave të plaçkitura dhe të territoreve të pushtuara, duhet të sanohen të gjitha pasojat e Ligjit mbi ndalimin e kthimit të serbëve në Kosovë e Metohi. Ligji mbi ndalimin e shitjes së pasurisë së patundshme duhet të respektohet rigorozisht dhe të mos lejohet loja me të. Në këtë kuptim, ka rëndësi të madhe Ministria e Finacave e tashme e Republikës së Serbisë, e cila më së shumti e ka thyer ligjin, në mënyrë që këtu e tutje të mos e bëjë këtë.

Duhet të pengohet çdo zgjerim etnik i shqiptarëve në llogari të tokës serbe, private apo shoqërore. Të gjithë shqiptarët, për të cilët vërtetohet në bazë të të dhënave të regjistrimit të banorëve, se nuk janë shtetas tanët, duhet të pushohen nga puna. T'u jepen pasaportat atyre shqiptarëve që dëshirojnë të shpërngulen.

T'u hiqet shtetësia serbe dhe t'u ndalohet kthimi të gjithë shqiptarëve shtetas të Jugosllavisë, të cilët banojnë jashtë shtetit dhe që atje veprojnë nga pozita separatiste.

Nisur nga pamja e tashme e renditjes etnike të popullsisë (disa enklava fshatare serbe me mbi 700 vendbanime të pastra shqiptare, përqindja minimale e banorëve serbë (deri l0%) në qytete, ku praktikisht ata janë të shkrirë mes shqiptarëve) mendojmë se kolonizimi duhet të bëhet në mënyrë të organizuar edhe nëpërmjet vendbanimeve të reja (fshatra, koloni, qyteza, lagje të reja të qyteteve të tashme) të tipit të mbyllur (për nga organizimi e jetës së brendshme - furnizimi, mbrojtja primare mjekësore, argëtimi, përmbajtjet themelore kulturore , etj.).

Kështu popullsitë ndahen etnikisht dhe efekti është kryekëput në faktin se popullsia serbe e paktë në numër në qytete, në lagje të përziera, fillon doemos të zhvendoset për në enklavat e reja, gjë që jo vetëm duhet të lehtësohet, por edhe duhet të nxitet. Për t'i mbrojtur enklavat serbe, 5 - 10 % e popullsisë së vendosur në to duhet të jetë pupullsi shqiptare (Të zgjidhen familjet më me ndikim dhe më të njohura, si dhe individë të shquar).

Me ndërtimin e autostradave (me traka të ndara me qëllim deri në 1 km, për shkak të konfiguracionit të terrenit të rripit të gjërë të rrugëve) dhe të objekteve të tjera, si kazerma, poligonë, magazina, etj., në mjediset fshatare shqiptare me dëndësinë më të madhe, krahas tyre të jepen troje dhe hapësira për kolonitë e të ardhurve, në mënyrë që të imtësohet hapësira etnike shqiptare, me çka ata do të humbin "thellësinë" e territorit, që është element i rëndësishëm i ndjenjës së tyre të sigurisë.
Qëllim i gjithë kësaj është krijimi i vetëvetishëm "i lekurës etnike të leopardit", me çka, më vonë, me shtrirjen e enklavave serbe, ato shqiptare do të zvogëloheshin dhe do të zhdukeshin. Një sistem i tillë i pushtimit të territoreve është më i efektshëm se vazhdimi i kolonizimit me rrathë koncentrike ose i hedhjes së njënganjëshme në mjediset kompakte shqiptare, sepse ky i fundit nuk e prek çështjen vëllimore të pronësisë, me çka vetë procesi do të ishte afatgjatë, ndërsa i pari u jep siguri psikologjike shumë më të madhe kolonëve, sepse ata nuk do të kenë ndjenjën e braktisjes për t'u marrë me vetvetën dhe të vetmisë. Enklavat serbe mbështeten më shumë në furnizimin shtetëror (krahas një numri të vogël të firmave private serbe), deri sa ato shqiptare janë përjashtimisht sipas linjës private. (Kjo rregullohet thjesht me dhënien e lejeve për hapjen e tyre).

Me ndryshimin e kushteve të tregtisë, përmes firmave private, mund të shkaktohen mungesa artificiale mallrash, që nuk do të gjenden as në ato shtetërore, me çka do të krijohet ndjenja e pasigurisë dhe e gjendjes se rëndë. Furnizimi me rrymë elektrike (ndërprerjet e shpeshta të saj me qëllim, si edhe sabotimet e vërteta në ato pjesë të rrjetit që furnizon enklavat shqiptare), në veçanti, uji, që është problem akut në Kosmet, përfitimi racional i të cilit do të ishte i përshtatshëm për ta bërë jetën të padurueshme. Qëllimi i gjithë kësaj është që të bëhet ndarja (veçimi i plotë) e popullsisë, jo vetëm për nga aspekti i territorit, por për të bërë izolimin e plotë të shqiptarëve...
...
Parakusht themelor për një veprim të efektshëm në fushën e rrjedhave të kapitalit është mundësa ose pengimi i plotë i korrupsionit, si në Kosmet, edhe në Serbi, sepse shqiptarët janë mjeshtër të vërtetë për të bishtëruar dhe për të korruptuar.

Duhet ndjekur me ashpërsi qarkullimi i madh i kapitalit përmes kanaleve ilegale, duke e orientuar atë në kanalet bankare. Ndërhyrjet e shpeshta të policisë financiare, verifikimi i transportit rrugor, përcjellja e çdo paraqitjeje të madhe (të mallrave-shën. i përkth.) në treg dhe hulumtimi i prejardhjes së tyre. Vështirësimi i procedurës doganore, duke e harmonizuar me gjendjen në terren, ndërlikimi i dokumentacionit përcjellës nga bota e jashtme, hulumtimi i burimeve të financimit të organizatave politike, etj.
Kështu pra, duhet vështirësuar funksionimi i sektorit privat të shqiptarëve me anë të veprimeve administrative të tepruara dhe të kontrollit të përhershëm të tregtisë, me çka do të arrihej të vihej njëfarë kontrolli mbi financimin e partive të tyre politike.

Duhen vështirësuar kontaktet me firmat dhe ndërmarrjet private në Serbi, për të mos lejuar që kapitali shqiptar të krijojë monopol dhe të ndikojë në proceset ekonomike në Serbi. Me anën e dispozitave përkatëse dhe të politikës tatimore, të mbikqyret sfera e ndërtimeve pa leje, prej nga mund të fitohen mjete të mëdha financiare për investime në programin e kolonizimit, krijimit të vendbanimeve të posaçme.

Shkaktimi dhe zbulimi i aferave të ndryshme, në saje të të cilave do të ndiqeshin firmat e mëdha private dhe pronarët e tyre. Kujdes i veçantë i duhet kushtuar trafikut me drogë, duke i përfituar rastet e zbuluara për të dënuar një rreth të gjerë njerëzish me dënime të ashpra. Rastet e zbuluara të përfitohen për komprometimin e individëve të shquar, e para së gjithash, ato do të jenë një bazë e mirë për qëndrim rigoroz ndaj stërshitësve, në veçanti shvercerëve të duhanit. Kjo gjë mund të sjellë tendosje shoqërore me përmasa të mëdha, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre tani jeton nga 'shverci' dhe stërshitja. Për këtë arsye është e pashmangshme rritja e kriminalitetit.
...

Ndërkaq, mendojmë se me një polici të fortë dhe, para se gjithash, të efektshme, atakimet e tilla mund të amortizohen dhe të orientohen në botën e jashtme. Krejt kjo duhet të kurdiset në mënyrë të tillë që kapitali i madh shqiptar të orientohet drejt Maqedonisë dhe Shqipërisë. Dhënia e lejeve të caktuara, dokumenteve nga organet shtetërore (me përjashtim të pasaportave) duhet të ndërlikohet deri në maksimum, ndërkaq dënimet për mungesën e tyre duhet të jenë të ashpra. Shqiptarët kanë averzion të posaçëm ndaj sjelljeve të këtilla, sepse rrjedhin nga një mjedis ku drejtpërsedrejti zotëron e drejta zakonore. Në veçanti ata nuk e durojnë ndërhyrjen administrative në atë që ata e konsiderojnë si çështje të vetën intime. Madje, duhet kërkuar edhe "leje për lopën".
Duhet ndikuar që shkuarja e shqiptarëve jashtë të bëhet rutinore, ndërkaq kthimi të vështirësohet me procedurë të ndërlikuar në kufi.
Për banorët në enklava procedura të bëhët e njëllojtë me atë të reparteve të shkëputura të enklavave (serbe) e reduktuar, ndërsa për ato (shqiptare) komplete, ndërsa në shërbimin i njësuar (MPP-Ministria e punëve të brenshme) trajtimi të bëhet i ndryshëm.
Infiltrimi brenda organizatave shqiptare doemos do të shkaktojë pakënaqësi ndër shqiptarët, gjë që është parakusht për ta rritur gatishmërinë e tyre per t'u angazhuar në organizata të ndryshme, prej atyre jozyrtare e deri në ato terroriste. Për këtë arsye, është e udhës që të infiltrohen individë nga Sigurimi i Shtetit, të cilët, në momente të përshtatshme do të inicionin formimin e organizatave të tilla, në mënyrë që pastaj të ndikohet në veprimtarinë e tyre, në mos edhe në udhëheqjen e tyre.
Me këso komplotesh madje mund të shkohet edhe në kryerjen e aksioneve, me çka kontribuohet në arritjen e satisfaksionit kolektiv të masave shqiptare, por edhe rënies së tendosjeve, ndërsa shtetit kjo do t'i shërbejë si shkas për veprime shumë më të ashpra ndaj të gjitha organizatave të tjera, e kjo sjell deri tek tendosja ndërnacionale dhe thellimi mëtejmë i jetës paralele.

Në këtë kuptim, është i nevojshëm ekzistimi i shumë grupeve të tilla, ndonjë prej të cilave policia dhe sigurimi Shtetit, kohë pas kohe, do ta shkatërronin, deri sa ato të konsolidohen sërish, të tjerat e vazhdojnë punën dhe kjo i kontribuon krijimit të mendësisë se këto veprimtari janë në funksion të çlirimit.

Me akte ligjore të bëhet orientimi i partive politike shqiptare. Krahas kësaj, të përfitohet gjathashtu nga aferat e shkaktuara komprometuese për qëllime propagandistike, si ndaj popullsisë shqiptare (diskreditimi i liderëve të partive të tilla, sipas pikëpamjeve ku mendësia shqiptare është më e ndjeshme), si edhe ndaj opinionit ndërkombëtar.
Eliminimi i individëve të shquar (atyre aktivë, por edhe potencialë) të cilët luajnë ose mund të luajnë rol vendimtar në jetën politike, me afera të fryra publike dhe me "fatkeqësi të rastit", si (fatkeqësi trafiku, vrasje nga xhelozia, infektime të ndividëve me virusin e SID-ës, gjatë qendrimit në botën e jashtme, të tillëve për të cilët dihet se kanë prirje për ekskursione dashurie, infektime që 'zbulohen' gjatë kontrollit në kufi, pas të cilit zbatohet vënia në karantinë.
Me përpunim të përshtatshëm mjeksor, mund të krijohet një atmosferë e tillë, e cila do të nxitë hulumtimin medikal të popullsisë shqiptare, në mënyrë që të konstatohet artificialisht se ekziston një përqindje e madhe e të sëmurëve nga sida, prej nga rrjedh nevoja e izolimit të një numri sa më të madh njerëzish; në mënyrë që të krijohet përshtypja në opinion për shqiptarët si komb infektues.

e. Veprimtaria informativo-propagandistike

Duhen krijuar programe të posaçme televizive e radiofonike në gjuhën shqipe, përmbajtja e të cilave do të orientohej ndaj rrënimit të mendësisë së tyre patriarkalo-fisnore, me anën e paraqitjes së përmbajtjeve më dekadente nga Perëndimi, ndaj të cilave shfaqin prirje popujt primitivë. Enklavat serbe do të mbroheshin nga programet e tilla, para se gjithash me pengesa gjuhësore (radioja), si edhe me anën e aplikimit të televizionit kabllor, në vendbanimet e reja dhe në ndërtesa. Ndaj botës, është e domosdoshme të formohet një mekanizëm i fuqishëm propagandistik, në përputhje me përvojat e njohura. Të parashikohen madje edhe botime të fshehta të nëndheshme, me përmbajtje që do të përhapnin për ta ide fatale e mistike dhe gjoja kritike per "regjimin serb".

Shqiptarëve duhet t'u hiqen menjëherë të gjitha ndihmat shoqërore, që nxisin lindshmërinë e lartë. Lindshmëria e lartë tek pakica e besimit mysliman, veçmas në mjediset, që i kanë uzurpuar shqiptarët, ka shkaktuar një dendësi të madhe të popullsisë në Kosovë e Metohi. Në këto kushte, është krijuar një tepricë demografike, prandaj është e domosdoshme shpërngu1ja spontane e shqiptarëve, e cila po rrjedh edhe pa kurrfarë presioni të organeve shtetërore serbe. Në anën tjetër, plleshmëria e popullsisë shqiptare bëhet edhe me një qëllim tjetër: të jetë presion për të nxitur shpërnguljen e serbëve të fundit që kanë mbetur në Kosovë.

Element i qenësishem i programit serb është lindja e fëmijës së tretë dhe të katërt. Serbia ka mundësi hapësinore dhe ekonomike për të mbajtur disa dhjetra milionë banorë, prandaj lindshmëria e shtuar është e arsyeshme, nga çdo pikëpamje. Për t'u rritur lindshmëria e popullsisë serbe në tërësi, gjë që do të ndikonte pozitivsht edhe në gjendjen në Kosovë e Metohi, duhet të merren masa konkrete stimuluese, por edhe kufizuese. Duhet siguruar që gratë serbe me tre, katër dhe me shumë fëmijë të dalin më herët në pension. T'i marrin shtesat për fëmijët pavarësisht nga të ardhurat familjare. Planifikimi dhe zgjerimi i familjes duhet të jetë detyrë përparësore e individit, familjes dhe shoqërisë në tërësi. Familjeve me shumë fëmijë, t'u jepen kredi të mira për shtëpi dhe lokale, t'u sigurohen banesa, t'u mundësohet punësimi dhe t'u ofrohen lehtësi të tjera për mbajtjen e fëmijëve. Të gjitha shkollat dhe akademitë ushtarake e policore, të gjitha entet ushtarake, që nuk janë të lidhura drejtperdrejt me komandimin në disa fusha ushtarake, si edhe një varg institucionesh të tjera shtetërore, si bie fjala, ministri të tëra, duhet të transferohen në rajonin e Kosovës e Metohisë, në mënyrë që të krijohen kushtet për vendosjen e dhjetra mijëra oficerëve, policëve, nëpunësve e antarëve të familjeve të tyre, dhe të infrastrukturës së plotë. Të gjithë serbëve, që dëshirojnë të jetojnë në atë rajon, duhet t'u sigurohet falas tokë bujqësore në pronësi të përhershme, si dhe troje për ngritjen e shtëpive familiare dhe të ndërmarrjeve ekonomike. Të gjithë atyre, që transferojnë atje perfaqësitë tregtare dhe ndërmarrjet prodhuese, në të cilat punësojnë së paku 10 vetë, do t'u ofrojmë një prej lehtësive kyçe: lirimin nga pagesa e tatimit, më së pakut për dhjetë vjet. (Ose, pse Kosova e Metohia të mos jenë zona jashtëdoganore?)
Oficerëve të pensionuar, nënoficerëve, policëve dhe nëpunësve shtetërorë, si zgjidhje e përhershme e çështjes së tyre të banimit, t'u ofrohen banesa maksimalisht komfore në territorin e Kosovës e Metohisë. Të sigurohet rripi kufitar në gjerësi prej 50 km (minimumi) përgjatë kufirit me Shqipërinë. Të mos lejohet cënimi i kufirit nga hapësira e Shqipërisë së tashme, ndërsa marrëdhëniet me të do të zhvillohen në harmoni me interesat e të dy palëve.

Hapësira kufitare me Shqipërisë do të mund popullohej vetëm me serbë, ndërsa toka tjetër do të ishte në pronësi të ushtrisë së Jugosllavisë.

2) Shkollimi

Në shkollat shtetërore në Kosovë e Metohi, sistemi shkollor duhet të mbështetet në përmbajtjet dhe përparësitë e kulturës dhe artit serb, evropian dhe botëror dhe duhet të zhvillohet në gjuhën serbe. Perspektiva e hapur e jetës dhe e zhvillimit të lirë në Serbi është mjaft tërheqëse që këtë sistem ta pranojnë edhe anëtarët e pakicave kombëtare. Shkollat në gjuhët e bashkësive minoritare duhen trajtuar si private, dhe, gjatë punësimit duhet kërkuar verifikimi sipas programeve e planeve zyrtare. Në këtë mënyrë do të bëhej seleksionimi normal dhe përshtatja ndaj të gjitha vlerave dhe strukturës së shoqërisë serbe. Mësimi në Universitetin e Prishtinës, pas thyerjes së parashtetit shqiptar, ka perjetuar kthesë rrënjësore dhe është në rrugë e sipër për të arritur rezultate kapitale, dhe me këtë ta përcaktojë qartë fatin e Kosovës e Metohisë dhe të shtetit serb në tërësi. Ky nivel i arritur duhet stabilizuar edhe më tej, duke i vazhduar projektet dhe programet e reja. Kushtet e studimit në gjuhën serbe në Universitetin e Prishtinës duhen bërë më të përshtatshme se kudo tjetër në Serbi.

Duhet mbajtur dhe thelluar edhe më tej sistemi i tanishëm paralel e ilegal i shkollimit të shqiptarëve, sepse në këtë mënyrë, në të ardhmen, me diploma jolegale, atyre u mbyllen mundësitë për gjetjen e vendeve adekuate të punës. Veç kësaj, vazhdimi i mëtejmë i shkollimit paralel dhe ilegal i shqiptarëve ka edhe një rëndësi tjetër: bie shkalla mesatare e shkollimit dhe zvogëlohet aftësia e tyre kolektive e me këtë edhe mundësia për t'u përdor kundër Serbisë nga faktori ndërkombëtar.

Të gjitha këto veprimtari duhet të bashkërendohen në mënyrë të tillë që ta nxisin sa më shumë derdhjen e popullsisë shqiptare në botën e jashtme, në Maqedoni dhe në Shqipëri. Duhet të përdoren mënyra të nduarnduarta të trysnisë, të krijimit të ndjenjës së pasigurisë për të nxitur shpërngulje sa më të madhe të shqiptarëve.

3) Ushtria

Për të zgjidhur problemin e Kosovës e Metohisë është e nevojshme që ushtria e Jugosllavisë të shndërrohet në ushtri serbe. Përfaqësuesit e popujve që janë shkëputur nga Jugosllavia duhet të largohen menjëherë nga ushtria. Së pari, ata që gjenden në vendet komanduese, me përjashtim të atyre që gjatë kësaj lufte kanë treguar se janë luftëtarë trima për mbrotjen e lirisë së popullit serb. Një ushtri e tillë do të ishtë shumë më e njësuar dhe më e aftë për t'i zgjidhur çështjet e ndërlikuara të përgatitjes ushtarake të operacioneve të luftës, dhe pos kësaj do të kushtonte më lirë.

Ligji mbi ushtrinë jugosllave duhet rregulluar në atë mënyrë që secili shtetas i Jugosllavisë të ketë detyrimin që të kontribuojë në mbrojtjen e Jugosllavisë, por edhe anëtarët e pakicave duhet ta kryejnë këtë detyrim, me para ose me punë. Këto çështje do të duhej të përpunoheshin hollësisht me ligj. Rreth objekteve ekzistuese ushtarake dhe bazave të rëndësishme duhet të vendoset popullsi serbe, ndërsa u duhet ndaluar ndërtimi i shtëpive popullsive joserbe.

Gjendja e tashme perkitazi më këtë çështje është katastrofike dhe shtrohet nevoja e marrjes së masave të ngutshme për ta ndryshuar gjendjen. Disa objekte të rëndësishme ushtarake duhet të dislokohen në enklavat serbe, por njëkohësisht duhet të ruhet kontrolli i plotë mbi tërë territorin e Kosovës e Metohisë, që mund të realizohet nëpërmjet lëvizjeve të rregullta, ushtrimeve ushtarake dhe veprimtarive të ngjajshme.

Është e domosdoshme që të formohen njësitë e çetnikëve profesionistë në kuadër të ushtrisë dhe vendosja e këtyre njësive në afërsi të bazave dhe të vendeve kyçe strategjike në rajonin e Kosovës e Metohisë.

4. Policia

Policia, si organ i rëndësishëm i pushtetit, është përgjegjëse për qëndrimin e Kosovës e Metohisë në pronësi të përhershme të shtetit serb.

Ndërkaq, ajo duhet të jetë e ushtruar shumë më mirë dhe të jetë më profesioniste se sa kjo e tashmja. Policët duhet të rekrutohen nga radhët e njerëzve të rinj të shkolluar dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kalojnë nëpër kurset e rregullta të arsimimit plotësues dhe të specializimit, gjë për të cilën akademia policore duhet ta luaj rolin kryesor. Forcat policore në Kosove e Metohi do të kenë detyrë të veçantë ta mbrojnë popullsinë serbe, që është rrezikuar në ato hapësira.

5) Punët botore

Itinerari i tërheqjes së ushtrisë serbe më 1915 ka përcaktuar shtegun e autostradës së ardhëshme Nish-Prishtinë-Pejë-Podgoricë-Tivar, e cila do ta lidhë Serbinë me Malin e Zi dhe me detin Adriatik, përmes Kosovës e Metohisë, në mënyrë solide, duke i lidhur përgjithnjë edhe fatet e tyre e këtyre territoreve.

Realizimit të këtij projekti duhet qasur menjëherë sidomos në ndërtimtari. Fundja, edhe në kohë bllokade e krize ekonomike, është e mundur që të bëhet një përparim relativisht i shpejtë, në këtë fushë, gjë që për çështjën e Kosovës do të ishtë i një rëndësie epokale.

6) Mbrojtja

Gjendja në Kosovë e Metohi është e tillë që mund të pritet rrjedhë e padëshirueshme e ngjarjeve, veçanërisht nëse faktorët e jashtëm përcatohen për një politikë proshqiptarëve. Për këtë arsye, duhet t'i kushtohet kujdesi i duhur aksioneve të parandalimit me kohë. Para se gjithash mbledhjes së të gjitha llojeve të armëve dhe neutralizimit të formacioneve paraushtarake, parapolicore e terroriste. Nëse na imponohet lufta për mbrojtjen e Kosovës e Metohisë, ajo duhet të zhvillohet me të gjitha mjetet.
Bisedimet dhe marrëveshjet me perfaqësuesit e shqiptarëve të mos fillohen, para miratimit të ligjit mbi shtetësinë dhe konstatimit të numrit të atyre që e njohin dhe e pranojnë Serbinë si shtet si të vetin.

Ndaj atyre shqiptarëve që përcaktohen për të qenë shtetas të Serbisë, përkatësisht të Jugosllavisë, duhet të sillemi me tolerancë dhe t'i trajtojmë drejt, por, inkorporimi i tyre në organet shoqërore, politike dhe shtetërore, duhet bërë sipas masës së integrimit dhe të identifikimit të tyre të vërtetë me shtetin serb dhe me ligjet e tij.

Beograd, më 14 tetor 1995


Kryetari i Drejtoratit Qëndror Atdhetar të Partisë Radikale Serbe
Dr. Vojsllav Sheshel

Zëvendëskryetari i Partisë Radikale Serbe
Tomisllav Nikoliç

Nënkryetari i DQA-së
Dr. Nikola Poplashen

Nënkryetari i DQA-së
Maja Gojkoviç

Nënkryetari i DQA-së
Ranko Dujiç

Nënkryetari i DQA-së
Açim Vishnjiç

Sekretari i përgjithshëm i PRS
Aleksandër Vuçiç


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:18
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË