NUMĖR 72
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 24 MARS 2003

Syjimi i Serbisë me heronjtë e vet


Shkruan: Bardh DEMA

Ka të paktën 20 vjet që dihet publikisht dhe pranohet zyrtarisht se aksionet më delikate e më të besueshme për mbrojtjen e interesave të shtetit serb u janë besuar personazheve më të errta të botës serbe të krimit.

Në vitet tetëdhjetë shumë kundërshtarë të regjimit sidomos në mërgim janë vrarë në atentate spektakolare apo edhe janë kidnapuar me pjesëmarrjen aktive të kriminelëve serbë, të cilët më parë ishin dënuar dhe mbajtur nëpër burgje për dhunime, plaçkitje, vrasje etj. Kriminelë që nuk kishin lënë të zezë pa bërë jo vetëm në ish-Yu por edhe nëpër Evropë si Arkani, Zemunci, Beli, Ashanini, Legija e shumë të tjerë, u kthyen në yje të policisë, ushtrisë dhe të politikës serbe.

Me shpërthimin e luftës në ish-Yu, shefat e nëntokës serbe e komandantët e eskadroneve të fshehta të UDB-së u bënë saora komandantë të njësive ushtarake me të cilat udhëhiqte publikisht shtatmadhoria e ushtrisë federale. Kudo që kanë shkuar këto njësi, në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë, në Kosovë, në Luginën e Preshevës etj., kanë lënë nam të zi për krimet e përgjakshme që kanë kryer.

Prej personazheve të botës së krimit depërtimin më të thellë në strukturat e shtetit serb krahas Arkanit e ka bërë edhe Milorad Ulemek, i njohur me nofkën Legija, i cili aktualisht po akuzohet nga qeveria serbe si organizator i atentatit mbi kryeministrin, Zoran Gjingjiç.

Togeri i legjionit të të huajve

Milorad Ulemeku, u lind më 1965 në Beograd. Në fillimvitet tetëdhjetë kishte nofkën Cema dhe njihej si shef i një bande të rinjsh. Pasi plaçkiti një shitore të njohur të sportit në Beograd dhe rrahu keqas rojtarin e saj, Ulemek u arratis në Francë. Atje mbyti një person dhe për t'u ikur dënimit u lajmërua në legjionin e të huajve, ku qëndroi rreth 7 vjet.
Me shpërthimin e luftës u kthye në Serbi dhe u angazhua në njësitë që komandonte Arkani, e që njiheshin si Srpska dobrovoljaçka garda (Garda vullnetare serbe). Aso kohe të gjithë liderët serbë të opozitës si Drashkoviqi, Shesheli etj, kishin në front njësitë e veta paraushtarake, të cilat armatoseshin nga komanda federale dhe komandoheshin drejtpërdrejt nga oficerët e ushtrisë ose UDB-së. Shumica prej këtyre 'vullnetarëve' vinin në bazat stërvitore drejt e nga burgu, ku vuanin dënimet për krime të rënda.
Me kohën, dora e djathtë e Millosheviçit, shefi i shërbimeve sekrete serbe, Jovica Stanishiç vendosi ta formojë elitën e njësive speciale të policisë serbe që njiheshin si "beretat e kuqe". Këto njësi kishin për detyrë të kryejnë punët më të pista të luftës: eliminimet, masakrat, përdhunimet, plaçkitjet etj. Me këto njësi udhëheqite drejtpërdrejt Franki Simatoviq, "Frenki" funksionar i lartë i shërbimit serb të sigurimit. Njëri prej ndihmësve të Frenkit ishte Milorad Ulemek, i cili në luftë mori nofkën "Legija".
'Beretat e kuqe' kishin mbledhur kriminelët më të dëshmuar në luftë në të gjitha njësitë policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Kudo që kanë shkuar "beretat e kuqe" kanë bërë masakra rrënqethëse mbi popullsinë civile dhe kanë shkaktuar ekzod masiv të popullsisë.
Pas Deytonit, Stanishiç vendosi ta formojë publikisht krahun ushtarak të Sigurimit të Shtetit që njihej si JSO, njësitë për operacione speciale, e të cilat në rast nevoje do të mund të mateshin edhe me ushtrinë serbe. Këto njësi kanë qenë ndër të parat që janë angazhuar në luftimet në Kosovë, me ç'rast kanë kryer shumë krime mbi popullsinë civile. Ato, veç të tjerash, kanë kryer masakrën e Likoshanit e Qirezit, kanë masakruar familjen Jashari në Prekaz etj.
Franki Simatoviq, ka punuar edhe në shërbimin ushtarak të zbulimit. Burime të informuara në Beograd pohojnë se ai në fundvitet nëntëdhjetë në kuadër të këtij shërbimi ka punuar në Kosovë, duke udhëhequr një njësi speciale të vëzhgimit në një operacion special të koduar "Sheshiriçi".
Në tetor të vitit 1998, Millosheviçi shkarkoi nga detyra njerëzit e tij më të besueshëm Stanishiçin e më të edhe Frenki Simatoviçin.
Në krye të njësive për operacione speciale Frenkin e zëvendësoi Milorad Ulemek, Legija, i cili kishte arritur gradën e kolonelit dhe kishte stolisur gjoksin me dekoratat më të larta.

Sipas burimeve serbe, Legija ka qenë ndër njerëzit më të besueshëm të Millosheviçit. Atë ndryshe e kanë quajtur edhe pretoriani i Sllobos.
Legija dhe JSO-të nuk janë përdor vetëm kundër popujve joserbë. Këto njësi, konkretisht Legija, kanë marrë pjesë edhe në likuidimin e personaliteteve serbe, siç është atentati në magjistralën e Ibrit, kur në përpjekje për të likuiduar Vuk Drashkoviçin në një incident të inskenuar u mbytën 4 bashkëpunëtorë të ngushtë të tij.
Pastaj kidnapimi dhe ekzekutimi i ish-presidentit serb, Ivan Stamboliç, aksion i kryer më 25 maj 2000, dhe shumë vrasje të tjera në qërimin e hesapeve mes klaneve mafioze e politike në Serbi.

Në anën e demokratëve?

Më 5 tetor 2000, pas disfatës elektorale të Millosheviçit e sidomos për shkak të këmbënguljes së këtij për të lëshuar pushtetin, shpërthyen trazira të mëdha në Beograd. Atë ditë pritej intervenimi i njësive speciale të policisë që komandoheshin nga Legija. Por këtë e ka takuar Zoran Gjingjiç, i cili më vonë ka pohuar publikisht se Legija me atë rast ia ka dhënë fjalën se njësitë që komandoheshin prej tij nuk do të intervenonin kundër opozitës. Kryeministri i ndjerë serb ka pranuar gjithashtu publikisht se edhe ky ia ka dhënë besën Legisë. Për çfarë bese është fjala nuk dihet, por sigurisht për të mos e dërguar në Hagë legjionarin serb.
Mirëpo Legija, dhe shokët e tij, të mësuar të bëjnë çka të duan dhe të mos i japin llogari askujt, shpejt ranë në kurthin e pasioneve të tyre: më 2001 Legija shkaktoi një skandal në një diskotekë në Kullë, afër bazës së njësive speciale. Ai dogji me rafale diskotekën që kushtonte rreth një milion euro.
Disa muaj më vonë në Beograd, në një bar, duke festuar ditëlindjen e vejushës së Arkanit, Legija shtini me armë dhe ra në konflikt me policinë, duke u thënë: "Unë jam Legija, unë jam Zoti!" E arrestuan dhe pastaj e pushuan nga puna.
Prej atëherë Legija u vu hapur në krye të klanit të Zemunit, një krah i fuqishëm i mafias serbe, i cili, sipas ministrit serb të policisë, trafikon për çdo muaj rreth 100 (njëqind) kilogramë drogë! Eshtë vendi të përmendet këtu se shërbimet serbe të zbulimit një pjesë të mirë të veprimtarisë së tyre e kanë finansuar përmes trafikimit të narkotikëve. Pas rrëzimit të Millosheviçit qeveritarët e rinj kanë pohuar para gazetarëve se në sefat e UDB-së kishin gjetur 600 kilogramë heroinë të pastër të përgatitur, pra të dromëcuar për t'u shpërndarë.
Krah i djathtë e Legisë në veprimtarinë mafioze edhe tash së fundit vazhdonte të jetë Dushan Spasojeviç i njohur me nofkën "Shiptar". Nuk dihet nëse ka marrë këtë nofkë pse është me origjinë nga Medvegjja apo ndoshta pse ka kryer krime kundër shqiptarëve. Sidoqoftë, Spasojeviç dhe banda e tij, krahas atentateve, është marrë edhe me kidnapimin e serbëve të pasur, për t'i detyruar familjet e tyre të paguajn miliona euro, për të shpëtuar kokën e pengut. Kidnapimet në Serbi, këto dhjetë vitet e fundit janë kthyer në industri të levërdishme për mafian serbe.

Prishja e paktit

Duke forcuar pozitat pushtetore, Gjingjiç filloi edhe pastrimin e shërbimeve të zbulimit, duke emëruar në krye të shërbimeve kuadro të rinj si dhe duke formuar e institucionin e prokurorit special me autorizime të plotfuqishme për luftë kundër krimit të organizuar. Kjo e shqetësoi mafian serbe, sepse shihej se bashkëjetimit të saj me pushtetin në emër të patriotizmit po i afrohej fundi. Lufta kishte marrë fund e edhe konfliktet në Luginën e Preshevës, ku Legija dhe shokët e tij, sipas zëvendëskryeministrit serb Koraç, kishin luajtur rol të rëndësishëm, tashmë kishin përfunduar.
Veç kësaj edhe Haga u rrinte heronjve serbë si shpatë e Damokleut mbi qafë, sepse Carla del Ponte në të gjitha takimet zyrtare kërkonte me inssistim edhe kokën e tetovuar të Ulemekut.
Me krijimin e bashkësisë shtetërore të Serbisë e Malit të Zi, pritej të bëheshin ndryshime të mëdha edhe në kreun e ushtrisë, në kreun i cili po vazhdon ta strehojë gjeneralin famëkeq, Mladiç dhe të kërkuar të tjerë nga Tribunali i Hagës. Me formimin e këshillit të ministrave të Serbisë dhe Malit të Zi do të rrëzohej edhe bastioni tjetër i fuqishëm i Millosheviçit, ushtria.
Këto rrethana çuan deri te vrasja e kryeministrit serb, Zoran Gjingjiç. Prandaj është vështirë të dihet se cilat struktura a vranë kryeministrin: Legija e Spasojeviçi, strukturat e paprekura të Milosheviçit, Stanishiçit etj., apo shërbimet sekrete ushtarake. Apo ndoshta të gjitha bashkë.
Këto rrethana gjithashtu detyruan autoritetet serbe, që pas atentatit të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në vend, sepse duhet besuar se formacionet e ushtrisë, policisë dhe mafias jo vetëm mund të bëjnë rrezistencë, por edhe mund të përpiqen ta marrin pushtetin.

"Arkani", "Legija", "shiptari", "budalla", "mashtruesi", "miu" etj., janë emra që kanë dominuar në Serbi të paktën tash e 15 vjet. Ata në Beograd, Nish, Pozharevc, kudo nëpër Serbi, janë ngritur në heronj të gjallë të kombit serb. Për ta janë kënduar këngë, janë shkruar mijëra artikuj e dhjetëra libra, janë incizuar dhe filma e emisione televizive. Dhe të paktë kanë qenë ata që kanë guxuar apo që kanë dashur të vënë në dyshim këtë fakt.

Vetëm tash, me vrasjen e Gjingjiçit, Serbia do të detyrohet të përballet sy me sy me heronjtë e saj kriminelë që kanë bërë masakra të papërshkrueshme kudo nëpër ish-Yu, e që kanë vrarë edhe jo pak serbë.
Syjimi është i pashmangshëm, por athua a do të mund t'i çelë sytë Serbia, sepse, fundja, syjimi nuk mund të bëhet me sy mëshelë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË