NUMĖR 77
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
EDITORIAL VITI V - 24 DHJETOR 2003

Gëzuar kremtat, shqiptarë!

Shkruan:· Shqiptar OSEKU

Ky numër i revistës PASQYRA vie në një kohë kremtash fetare e kombëtare. Përvjetori i Kongresit të Manastirit, Kremta e Madhe myslimane, Dita e Flamurit, Krishtlindja, Viti i Ri, të gjitha kanë ardhur të ngjeshura trus, e në shpejtësi drite njëra-pas tjetrës. Mua për vete më duket shenj i mirë kjo që sivjet, Kremta e Madhe dhe Krishtlindja e kanë shtënë në mes Ditën e Flamurit, si dy prindër të dashur, që e fusin në mes fëmijën e hasretit. –Mbetet të shoh se ç’do ndodhë në këtë lëm dy viteve të ardhshme, për të parë nëse do bëhem përfundimisht fetar, apo niçean.

Meqë numrat e fundit jemi detyruar t’i nxjerrin në ritmin modest 1h/muaj, ahere në këtë numër do të gjeni tema që i rrahin ngapak shumë prej tyre. Meqë ky ritëm ka mundësi të permanentohet për ca kohë, kam kërkuar prej bashkëpunëtorëve artikuj më karakter ca më të mprehtë debatues, që të kenë afat ca më të gjatë. Unë për vete jam i kënaqur, e shpresoj dhe besoj të mos ju zhgënjejnë as juve.

Ky numër tematikisht anon nga çështjet e (ri)hapura të flamurit kombëtar. Është mëkat që ky lëm debati nuk është lëvruar më zellshëm prej intelektualëve e publicistëve tanë. Ndoshta do të ishte mirë që edhe ne ta shpikim një herë një qëndrim origjinal për një temë të nxehtë, para se të na servojnë para hundësh tjerët.

Për sa u përket autoriteteve e subjeve politike, mendoj që ato kanë me se të merren, para se të hapin debate herake rreth flamurit. E para, po të duan, ato mund të gjejnë ca cikërrima tjera me të cilat mund të merren një çik. E dyta, pse autoritetet e urta politike, temat e tilla së pari i lëshojnë në debat publik, e vetëm pastaj, kur të jenë shoshitur protë & contrat gjithanshëm, marrin një qëndrim të vetin thjesht politik. Por autoritetet e urta, a: e ndër shqiptarët, ato s’është lehtë t’i gjesh…

Këtu do të gjeni edhe artikuj tjerë, për politikën, gjuhësinë (për nder të Kongresit të Manastirit) etj. Një recenzion tejet interesant na e dërgon bashkëpunëtorja e rregullt Iliriana Bajo, për memoaret e Madlen Ollbrajtit; aty ka njëmend se ç’të lexohet për sa u përket shqiptarëve. E Ardiana Shala s’i zhgënjen as kësaj radhe, as miqtë e, besoj, as armiqtë e vet…

Në fund, vetëm edhe dy fjalë. Në këtë botë të papërsosur, stina e kremtave nganjëherë, në vend që të përhap gëzim, përhap stres, nervozë e kriza. E kam me të jetuar, jo me të dëgjuar. Unë miqtë i këshilloj gjithnjë që, në situata të tilla, të mundohen të kujtojnë sukseset, ato që i kanë bërë mirë, në punë, në lëmin privat, etj. Të zgjuarit e dinë që njerëzit i përsërisin gabimet; të mençurit e dinë, që mund të përsëritet edhe receta e suksesit. Hindutë e kanë një fjalë të veten për këtë koncept, e quajnë Kharma.

E dyta, miqtë i këshilloj të kujtojnë ata që kanë nevojë për ndihmë. Një fjalë e ngrohtë ta ngroh shpirtin; shto ca lekë, ngrohet edhe barku. Në kapitalizmin e shpellave që ekziston ndër shqiptarët sot, ka plot që kanë nevojë për ndihmën tuaj. Kësaj radhe s’do të apeloj për revistën PASQYRA, po për më të vobegëtit në radhët tona; për ata te të cilët po na përsëriten skenat migjeniane. Në Kosovë janë familjet e të rënëve, të viktimave, të të zhdukurve. Gjithandej në viset shqiptare, janë ata për të cilët kjo botë, duket, s’ka asnjë avenir përmirësimi.

Njeriu s’mund të ndryshojë vet tërë botën. Por mund ta ndryshojë një gjysmë dite, për një tjetër njeri. Mbase për një fëmijë, a për një plak. Aq më tepër në kohëra kremtash: Gëzimi i ndarë, dyfish gëzim; pikëllimi i ndarë, gjysmë pikëllim.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË