NUMĖR 77
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 24 DHJETOR 2003

Ku është elita?

Shkruan: Xhafer SHATRI

Një ditë e përcillja përmes televizorit një mbledhje të Kuvendit të Kosovës. Aprovohej një ligj. Një nga ata 6000 që ia kërkon Bashkimi Evropian çdo vendi para se të integrohet në të.
A propos, për dy vjet Kuvendi ynë ka aprovuar 27 ligje, kështu që sipas këtij ritmi Kosovës do t’i duhen edhe 400 vjet për të përmbushur njërin prej standardeve para se ta marrë biletën për Bruksel.
Nejse. Atë ditë në mbledhjen e Kuvendit u aprovua një ligj, por doli mandej se nuk ishte aprovuar, sepse amandamenti nuk kishte marrë pëlqimin e numrit të nevojshëm të deputetëve të pranishëm. Mandej doli se megjithatë ishte aprovuar! Pra u votua tri herë për të njëjtën gjë: Po! Jo! Po!
Më në fund e kërkoi fjalën Oliver Ivanoviç, nëse nuk gaboj mjek me profesion. Doli e tha se rregullorja e Kuvendit thotë kështu, kështu, kështu... Duke i njoftuar deputetët tanë se rregullorja ishte shkelur radhazi. Deputeti i Povratak-ut, ishte krejt i qetë dhe shpotiste vetëm me sy e me nje buzëqeshje të hollë ajkën e politikës shqiptare në Kosovë. Ajo, ajka, heshtëte. Mbledhjen e drejtonte një profesor i Fakultetit Juridik, përndryshe 100% ‘shqiptar etnik’.

Prita se në mbrëmje në ndonjërin prej 3 kanaleve televizive ‘nacionale’ do të organizohet ndonjë debat për këtë faj që quhet turpërim publik i vendit. Asnjë fjalë, asnjë debat, asnjë koment.
Të nesërmen i shfletova gazetat. Asnjë fjalë! Skandali bëhet krejt i padurueshëm kur ai nuk tërheq vëmendjen as të atyre që krijojnë opinionin e që quhen gazetarë, opinionistë, analistë apo i tërë soji i kalemxhinjve që në Kosovë paguhen rrast për të kryer punën e tyre.
E keqja më e madhe është kur opinioni mësohet t’i marrë edhe skandalet e tilla si gjëra krejt normale. Sikur puna e njeriut që nuk gërzhitet fare pse është bërë gazi i botës.

Në këtë rast njeriut nuk mund të mos i dal nga mesi i barkut pyetja plot vnerë: ku është elita?

Nuk ka nevojë të jesh apo të kesh qenë nxënës i shkëlqyeshëm i historisë për të kuptuar një defekt të madh te ne, shqiptarëve. Mungesën tragjike të elitës dhe të mendjes së shëndoshë në kthesat vendimtare të historisë së kombit.
Po ndalem në 15 vjetët e fundit:
Më 1997 terrori serb në Kosovë kishte marrë përmasa llahtarisëse. Në atë kohë pjesa dërrmuese e elitës sillej me një komoditet që do të mund t’i lejonte vetës për këtë çështje vetëm elita e Zvicrës apo e ndonjë vendi të ngjashëm. Në Prishtinë dëgjoheshin qartë krismat e armëve që merrnin jetëra shqiptarësh për çdo ditë, ndërsa në ‘kryeqytet’ i madh e i vogël silleshin sikur kjo të ndodhte jo në Drenicë, por në Timorin Lindor. Vëzhguesit kanë konstatuar se kurrë në atë shehër nuk është përpi akullorja me aq tërpi.
Ndërkaq, në Shqipëri edhe pse shihej se lufta kishte përfshirë Kosovën, në vend të një dialogu normal pushtet-opozitë për gjendjen alarmuese në vend dhe në Kosovë, me një vullnet diabolik në mes dy poleve u acarua gjendja deri në përdjegien e krejt vendit. Njerëzit me mend në krye e harruan Kosovën dhe të zezat që bënte Serbia para tmerrit që po shkërmoqte Shqipërinë.
Më 1998, lufta kishte përfshirë krejt Kosovën. Ndërkaq paria e saj ishte përçarë e bërë paçavër. Puna shkoi aq larg sa që u organizuan edhe zgjedhje parlamentare e presidenciale! Një karaxhozllëk i pashëmbullt. Më vonë, gjatë gjithë verës, diplomatët amerikanë u përpoqën t’i bëjnë bashkë krentë e shqiptarëve të Kosovës. Kot. Mjafton të lexosh librin tronditës të Medlin Olbrajt për të kuptuar se si derëzinjtë tanë ia bënin varrin vendit!
Erdhi Ramboullet. Ishin amerikanët ata që i detyruan shqiptarët të ulen bashkë në një tavolinë dhe ta formojnë një delagacion, që më mirë të quhej mori brirësh në një thes, dhe të nxjerrin prej tyre një nënshkrim aq të domosdoshëm për ta bombarduar Serbinë.
Me çykë të zorit u nënshkrua Marrëveshja. Dhe orë e çast pritej bombardimi i Serbisë nga Nato, siç priteshin edhe pasojat që do t’i merrte me mend edhe një fëmijë dhjetë vjeç. Ndërkaq paria e Kosovës e bërë pikë e pesë u kthye pa u marr vesh as se si do ta shpëtojë bthn e vet e lëre më Kosovën.
Mjafton të analizojmë sjelljen e dy personaliteteve kryesore të vendit në orën më të ligë të Kosovës:
Ibrahim Rugova shkoi në gojë të ujkut dhe ia mundësoi Millosheviçit të luajë me të si maca me miun, dhe jo vetëm kaq por përmes tij ta poshtrojë keq e faqe krejt botës një komb të tërë.
Ndërsa Hashim Thaçi, ai që nga 150 mijë fjalë që i ka gjuha shqipe nuk kishte gjetur fjalë tjetër për pseudonimin e tij pos emrit gjarpën, në orën më të zezë të Kosovës, kur para hordhive serbe po boshatisej krejt vendi, përmes televizionit iu drejtua kombit me fjalët që do të mund t’i shqiptonte vetëm Bali Katravella: „Ku janë intelektualët e Keoseovës qi janë fut en birë t’minit dhe nuk pe udhëheqin peop’llin!“
Kur i tha këto fjalë, personi me pseudonimin Gjarpën, ishte përligjur edhe brenda por edhe jashtë si prijës i padiskutueshëm i shqiptarëve të Kosovës!

Krejt bota ishte ngritur kundër Serbisë, ndërkaq paria e Kosovës nuk ishte e zonja ta formojë një ekip të përbashkët për t’u imponuar vendi ynë si palë në konflikt, dhe për t’u bërë kështu pjesëmarrës i vendimeve që merreshin në emër të Kosovës dhe efekti i të cilave do ta përcjellte vendin dhe kombin tonë gjatë gjithë shekullit që po vinte.

Pas luftës, kryetari ynë i vetëshkarkuar ishte i fundit që u kthy në Kosovën e lirë. Në kohën kur në vendin tonë kishin ardhur njerëz nga krejt bota, Ibrahim Rugova vazhdonte të mrizojë në Itali. Ndërsa ’homologu’ i tij, Hashim Thaçi me sojin dhe sorollopin e vet zhdepeshin së shkrryeri lirinë e brishtë të Kosovës, duke lejuar dhe duke marrë pjesë në kriminalizimin e pafalshëm të luftës së shenjtë që kishin bërë për këtë ditë disa dhjetëra breza atdhetarësh.

Shqiptarët që harrojnë këto fakte nuk meritojnë të jetojnë pa zgjedhën dhe pa kërbaçin serb.

Pas luftës, për administratën ndërkombëtare problemi më i madh ishte se si t’i ulë në një tavolinë krentë e çakërdisur të Kosovës dhe të fillojë me ta ndërtimin e një administrate vetëqeverisëse. Këtë e arritën vetëm pas një viti e gjysmë. U aprovua Korniza Kushtetuese, marrëveshja Hakerup - Qoviç, u nxorën sa e sa rregullore, u morën sa e sa vendime jetike për vendin dhe paria e Kosovës reagonte dhe vazhdon të reagojë edhe tash vetëm ’pasi ka ikur treni...’ Si për inat: reagimi vjen vetëm pasi të jetë kryer puna.

Asnjëherë deri më tash opinioni ynë nuk ka parë një dokument për të qenë në të cilin paria ose institucionet e Kosovës të kenë shprehur pikëpamjet e tyre me shkrim dhe poashtu me shkrim t’u jenë drejtuar shteteve apo institucioneve ndërkombëtare vendimmarëse. Dihet se shteti parasegjithash është perandori e letrave. 100% e punëve të shtetit janë punë me letra. Në Kosovë nuk ka letra. Në vend të tyre me botën, me shtetet vendimmarrëse paria jonë komunikon përmes gazetarëve! Para gazetarëve kërkohet pavarësia, para gazetarëve falënderohen dhe përshëndeten të plotfuqishmit e globit, përmes gazetarëve shprehet pakënaqësia për sjelljet gjithnjë e më arbitrare të administratorëve ndërkombëtarë, para gazetarëve protestohet për qenien nën pushtimin e mëtejmë serb të 15% të territorit të Kosovës, përmes gazetarëve krerët e institucoioneve komunikojnë me njëri-tjetrin...

Në Shqipëri përmes gazetarëve e jo para prokurorive zyrtarët më të lartë të vendit ia qesin njëri tjetrit të palarat në shesh duke treguar se në maje të piramidës së shtetit ndodhen padrinot, baronët e drogës, trafikantët me qenie njerëzore, shtisit e vrasjeve...

Shtrohet prapë pyetja ku është elita? A kanë shqiptarët elitë dhe a mund të jetë elitë ajo që para këtyre fakteve, që nuk janë veçse maja e Aisbergut, hesht sikur t’ia kishin këputur gjuhën me brisk?

A mund të jenë elitë njerëzit që kanë dalë nga sqetullat e shtetit dhe administratës serbe, e të cilët sot kanë zënë pozita kyçe në Kosovë, dhe, jam krejt i sigurt, me pëlqimin e tyre për çdo ditë po zhvlerësohen dokumentet e Kosovës; pasaporti, letërnjoftimi, të gjitha llojet e çertifikatave dhe po zëvendësohen me dokumente përkatëse serbe, të cilat qytetarit të Kosovës i kushtojnë një dreq e gjysë?

A mund të quhen elitë ata që Vjenën, rastin që iu dha Kosovës të kërkojë ndërkombëtarisht e para krejt botës llogari, e kthyen në vend, ku Kosova duhej të jipte llogari?

A mund të jenë elitë ata që dikur kanë lënë krejt rininë e tyre nëpër burgjet serbe dhe sot nuk u bie ndërmend të aprovojnë në Kuvendin e Kosovës një rezolutë për Ukshin Hotin? Një rezolutë bile me dy rreshta për njeriun dhe intelektualin e burgosur që e masakruan serbët me duar lidhë dhe sot nuk dihet as ku e ka vorrin?
Ky është shëmbulli më flagrant i mjerimit të disidencës shqiptare... Duke parë këtë mjerim të shkëlqejë me kaq zijim në Kuvendin e Kosovës, njeriu e kupton pse vende si Polonia, Çekia etj., shkuan aq larg. Shkuan sepse disidenca e tyre kishte personalitete të shkëlqyera njerëzore e intelektuale si Geremeku, Haveli etj., të cilëve kurrë nuk ua turbulloi mendjen pushteti.

A e dinë se çka është fjala elitë ata që sot zënë vende kyçe në qeverinë e Kosovës, por që nuk u bie ndërmend t’i ndajnë një pension nderi Adem Demaçit, i cili një jetë të tërë e ka çuar në rrtsms për këtë vend? A i shtrojnë ata zotërinj ndonjëherë vetes pyetjen, para ose pas allishervisheve me tenderet, se me çka jeton Adem Demaçi, me çka jeton Xajë Nura, çka po ndodhë me jetimët e Ukshin Hotit?

Ku është elita e Shqipërisë, e cila nëse nuk ka guxim të përmend emrat, të paktën të përmend numrin e ministrave dhe të funksionarëve të lartë të shtetit që marrin për çdo muaj hisen e tyre nga parat që fitojnë çikat e mjera të Shqipnisë, në trupin e njomë të të cilave shfryn blt krejt fundërrina e Evropës?

Ku është elita? A mund të thuhet se ne shqiptarët kemi elitë? Dhe nëse vërtetë kemi elitë, atëherë çka po bën ajo?


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË