NUMĖR 77
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 24 DHJETOR 2003

Ollbrajt, diplomatja e moralshme
« Zonja Sekretare – Kujtime »,
kujtimet e Madlen Ollbrajtit

Shkruan: Iliriana BAJO

"Më në fund, në 9 qershor forcat jugosllave filluan të tërhiqen nga Kosova. Një ditë më pas sulmet ajrore të NATO-s u pezulluan zyrtarisht dhe Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën për Kosovën.

…Ndonëse kishte ende shumë punë për t'u bërë në rrafshin diplomatik, e ndjeva se për herë të parë pas kaq muajsh mund të merrja frymë normalisht. Pavarësisht gjithë dyshuesve Aleanca kishte qëndruar e bashkuar dhe përmes gërshetimit të diplomacisë me forcën kishim fituar. Qe një moment marramendës.

…Gjatë takimit të ministrave të jashtëm të G8, Joshka Fisher tha "nëse ishte lufta e Madlenës, atëherë është dhe fitorja e Madlenës". Iu përgjigja se fitorja ishte e NATO-s, por megjithatë doja të dija si ndiheshin ata që natyrisht me keqdashje e kishin quajtuar si lufta ime.

…Presidenti Klinton më telefonoi dhe fjalët e para që më tha ishin: "Tashmë je një vajzë e lumtur. Padyshim ai ishte i lumtur gjithashtu."

Autorja e këtyre rradhëve është Madlen Ollbrajt, Sekretarja amerikane e Shtetit, që drejtoi karvanin diplomatik që çoi në ndërhyrjen ushtarake kundër forcave të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1999.

Veçanërisht që nga 16 janari i vitit 1999, dita kur mediat botërore transmetuan lajmin dhe pamje nga masakra e Reçakut, deri në 9 qershor të po atij viti, Ollbrajt ishte ngado, Berlin, Londër, Moskë, Paris, Romë, biseda të përditshme, madje tepër të gjata e shpeshherë në grup me homologët evropianë, takime në Kongres, në Kombet e Bashkuara. Qëllimi ishte një: T'i jepej shqiptarëve në Kosovë mundësia që të jenë të lirë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe atë të fëmijëve të tyre.

Ollbrajt, duke qenë se në vitet '90 ka pasur ndër postet kyçe për diplomacinë amerikane, ambasadore e SHBA-ve në OKB dhe Sekretare Shteti, është një nga dëshmitaret dhe aktoret kryesore të zhvillimeve në Ballkan.

Dëshmia e saj, sjellë përmes librit, "Zonja Sekretare - Kujtime", është dhe dokument i rëndësishëm për historinë e re të shqiptarëve dhe atë të Kosovës.

Kur Ollbrajt shkruan

Askush nuk ka të drejtë t'ja u heq shqiptarëve të drejtën për referendum dhe pavarësi. Kështu u shpreh Madlen Ollbrajt, derisa Lamberto Dini po shfrytëzonte një moment gjatë bisedimeve në Rambujé, për të ushtruar presion ndaj Thaçit, UÇK-së dhe aspiratës së shqiptarëve për pavarësi.

Në fakt qartë dhe disa herë në librin e saj, ish-Sekretarja e Shtetit, sqaron se pavarësia e Kosovës nuk bie në kundështim as me parimet e filozofisë politike, as me interesat e Shteteve të Bashkuara. Qëndrimi që Uashingtoni zyrtar morri lidhur me statusin e Kosovës, pa këmbengulur që t'i jepet pavarësia, ishte thjesht qëndrim kompromisi, derisa një gjë e tillë haste në kundërshtimin e Rusisë dhe disa qarqeve evropiane.

Duke kaluar nëpër faqet e librit, ku flitet për krizën në Kosovë, ia vlen të përmendet roli që sipas zonjës Ollbrajt, ka luajtur ministri i jashtëm gjerman Joshka Fisher. Në një numër rastesh do të ishte Fisher, që do artikulonte qëndrimet më vështira për publikun, duke ia lehtësuar punën amerikanëve. Një ë nga shembujt që Ollbrajt sjell në libër është dhe deklarata e Fisher si përgjigjje ndaj Vatikanit, që kishte kërkuar ndërprerjen e bombardimeve me rastin e Pashkëve.

Një pamje interesante, që ofron Ollbrajt nga prapaskenat e diplomacisë gjatë luftës në Kosovë, është dhe roli i Rusisë. Moska zyrtare ka mbrojtur hapur Beogradin, natyrisht duke u justifikuar më së shpeshti në emër të vllazërimit ortodoks serb. Ajo që Ollbrajt sjell përmes një morrie detajesh është një lloj pragmatizmi që kishte nisur disi në politikën ruse, duke llogaritur si parëesore interesat ruse dhe rëndësinë e pazëvendësueshme të mardhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara.

Italia, në mesin e fuqive evropiane, sipas librit në fjalë, ka qenë më problematike në rolin e saj, duke paraqitur një rrezik të përhershëm për unitetin e Aleancës Veriatlantike. Parisi nga ana tjetër ishtë më i përmbajtur në qëndrimet e veta, por jo gjithmonë i qartë.

Udhëheqësit e Kosovës në sytë e Ollbrajt

Thaçi, Rugova, Surroi, Demaçi janë personazhet që iu kushtohet më shumë vend në librin e Ollbrajtit, kryesisht gjatë takimit në Rambujé.

Në kujtimet e Ollbrajtit, Surroi është botuesi i respektuar, pragmatik dhe konstruktiv në momentin vendimtar për bisedimet në Rambujé, duke shpëtuar delegacionin e Kosovës.

Rugova është njeriu që nuk merr asnjë vendim, që nuk thotë asgjë, duke deklaruar se "ky është stili im". Ollbrajt nuk harron të nënvizojë dhuratat tradicionale të kryetarit të Kosovës, gurët. Madje në një rast, gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë, Presidentit Klinton i kishte dhuruar një gur të rëndë 5 paund…

Thaçi është i ri, plotësisht i papërvojë, por një student me potencial të shkëlqyer për t'u bërë drejtues, shkruan Ollbrajt. Portreti i Thaçit në libër vizatohet nga momentet e këmbenguljes për të mos nënshkruar pa përfshirjen e së drejtës për referendum, deri tek momentet e syve të mbushura me lot, duke iu druajtur rrezikut për jetën e tij nëse e firmoste.

Nuk ka asnjë befasi në mënyrën si Ollbrajt përshkruan komunikimin e saj me Demaçin gjatë bisedimeve në Rambujé. Demaçi dhe në bisedën telefonike qe jepet në libër mbante qëndrimin e njohur kundër marrëveshjes. Njëherësh Sekretarja e Shtetit nuk harron të sjellë fjalët e Demaçit se për lirinë e Kosovës ia vlejnë sakrificat, qoftë edhe nëse duhet të vriten 30 mijë njerëz.

Duke përshkruar ngjarjet që i paraprinë sulmeve ajrore, duke folur për UÇK-në, Ollbrajt kujton se në sajë të paraqitjes së tyre, çështja e Kosovës, morri një tjetër peshë dhe iu kushtua më shumë vëmendje.

Megjithatë Ollbrajt sjell në faqet e librit dhe shembujt kur civilët ishin lënë në mëshirë të forcave serbe. Megjithatë Kosova ishte mundësia e artë për diplomaten e moralshme, se bota kishte ndryshuar dhe gjenocidi nuk mund të përsëritej sërish në Evropë.

"Mynihu kurrë më" është shprehja që flet në vetvete për moralin e diplomates, që kishte kaluar në shtegun e refugjatit…

Epilog

Kujtimet e Sekretares Amerikane të Shtetit janë të dobishme për t'u lexuar jo thjesht për dëshmitë rreth Kosovës, por për të parë rrugën e gjatë të njeriut drejt lirisë vetjake dhe përpjekjeve për të ndihmuar për një botë më të mirë, më të lirë.

Konflikti izraelito-palestinez, Koreja e Veriut, Iraku, Irani janë të tjera pika të nxehta të globit, që Ollbrajt sjell në kujtimet e veta.

Dhe natyrisht jeta e Ollbrajtit është një model, veçanërisht për miliona gra e vajza se si ndërtohet liria dhe se në jetë mund të arrish çfarë dëshiron, mjafton të guxosh e të punosh – me theks në këtë të dytën! « Kujtimet... » e Madlen Ollbrajtit duhen lexuar, pasi është nga ato libra, që të nxisin për të jetuar ndershëm dhe intensivisht.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË