Shkolla
e parë ishte në Shkodër
Shkruan:·
Mehmet ELEZI
Shkollat
e para shqipe janë hapur në Shkodër e rrethinë
rreth 400 vjet më parë dhe shkolla e lartë të
paktën 134 vjet më parë. Shkodra ka pasur observatorin
e parë astronomik në Ballkan. Gjatë qindvjeçarëve
Shkodra ka qenë një metropol i qytetërimit shqiptar
e madje ballkanik.
Për
disa dhjetëvjeçarë shteti komunist e pati zyrtarizuar
një tezë të çuditshme, sipas së cilës
e para shkollë shqipe në trojet shqiptare është
hapur vetëm në vitin 1887 në Korçë. Në
kujtim të kësaj ngjarjeje 7 marsi qe shpallur si dita
kombëtare e mësuesit.
Shkolla
e Korçës bashkë me poezinë e Naim Frashërit
që i thotë “ta paçim për jetë hua”
ka atë rëndësi që ka, por të dhënat
historike janë të tjera, krejt të tjera.
Shkollat
shqipe në viset veriore të Atdheut kanë gjalluar
të paktën qysh prej katërqind vjetësh. At Donat
Kurti në një studim të botuar te Hylli i Dritës
më 1935 flet për të parën shkollë shqipe
në vitin 1638. Si të parat shkolla “për sa
dijm na” ai përmend “tri: shkolla e Pdhanës
(lexo: Pllanës), e Blinishtit e e Shkodrës”. Për
të parën thotë se është hapur më 1638.
Ndërsa studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edwin Jacques) në
librin e tij të njohur “Historia e popullit shqiptar
nga lashtësia deri në ditët e sotme” (The Albanians:
An Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present) i çon
shkollat e para shqipe pak më përpara në kohë,
në vitin 1632.
“Shkolla
e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në
Velë të Mirditës më 1632”, shkruan ai.
Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij “Një tjetër
shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin më
1632. Përveç shkrimit e leximit aty mësohej gramatika
shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit”.
Historiani E. Zhak shton se edhe të tjera u hapën “në
Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në
Troshan, më 1639, dhe në vetë qytetin e Shkodrës
më 1698”. Autori përmend disa prej mësuesve
që shërbyen në këto shkolla. Tërheqin vemendjen
mbiemrat e tyre: Shqiptari (Gjon), Shkodrani (Filip), dhe një
i tretë Dhërmiu (Dhimitër), që me sa duket është
prej një krahine jugore të vendit, prej Dhërmiut.
Më
pas u çelën shumë shkolla të tjera. Derisa
më 1878, pra një dhjetëvjeçar para “shkollës
së parë shqipe”(!) të propagandës së
diktaturës, në qytetet veriore shqiptare e deri në
Durrës, siç nënvizon studiuesi amerikan, “kishte
21 shkolla të tjera fillore shqipe, që zhvillonin veprimtarinë
e tyre”. Ai sqaron se secila prej këtyre shkollave kishte
rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të
Prizrenit, e cila kishte tetëdhjetë”.
Për
arsye të njohura historike këto shkolla fillimisht u hapën
në rrethinë: në Shkodër dhe në përgjithësi
në qytete pushtuesi kishte kontroll të fortë, të
përqëndruar, dhe kjo e vështirësonte deri në
pamundësi hapjen e një shkolle shqipe.
Shkollat
ishin fetare, katolike. Kjo përmasë ishte e kuptueshme
për kohën, nuk mund të ishte ndryshe. Katolicizmi
përfaqësonte fenë e parë të shqiptarëve.
Në ato kushte sidomos, kur nëpërmjet trysnive me
e ndërrue fenë pushtuesi synonte deri asimilimin, mund
të thuhet se katolicizmi ishte pjesë qenësore e identitetit
shqiptar. Katolicizmi përfaqësonte kulturën dhe qytetërimin
perëndimor. E. Zhak citon një klerik françeskan
shqiptar të quajtur Leonardo, i cili, lidhur me thelbin e këtyre
shkollave, pohon: “Ne jemi më shumë misionarë
të qytetërimit se sa të fesë”.
Në
këtë hulli është edhe Kuvendi i Arbërit,
i mbajtur më 14-15 janar 1703, të dielën e dytë
të Epifanisë, në Kishën e Shën Kollit në
Mërkinjë të Lezhës. Siç dihet ai u organizua
me nismën e nën kujdesin e drejtpërdrejtë të
një pape të madh, Klementi XI, Albani. Studiuesit kanë
vënë në dukje se nën veshjen fetare të
këtij kuvendi të organizuar prej një pape me gjak
shqiptar fshihej edhe synimi i madh me e mbajtë gjallë
shqiptarizmën, në kushtet e pushtimit osman.
Edhe
fakti që dokumentet e këtij Kuvendi historik u botuan
njëherësh në latinisht edhe në shqip, treqind
vjet më parë, dëshmon qartësisht këtë
synim, ashtu siç dëshmon se njerëzit që shkruanin
shqip nuk ishin të pakët, pra as shkollat ku ata kishin
mësuar e mësonin shqip. Sivjet ishte treqindvjetori i
Kuvendit të Arbërit dhe shteti në Tiranë bëri
gjumin e madh, bashkë me institucionet e veta akademike, përfshi
më të rëndësishmin institucion shkencor të
vendit, Akademinë e Shkencave të Republikës së
Shqipërisë. Vijimësi e të njëjtit qëndrim
shpërfillës që u mbajt edhe për Nënën
Terezë, në vitin e Lumnimit të saj. Po të mos
kish bërë zhurmë shtypi, edhe aq sa u bë me
këtë rast për Shenjëtoren e madhe, e që
ishte shumë shumë pak, edhe aq nuk do të ishte bërë.
Por
le të kthehemi prapë te shkollat. Asnjë botim zyrtar
nuk i përmend ato. Tekstet mësimore në shumë
vështrime vazhdojnë me tezat e vjetra. Ndodh për
mungesë përgjegjësie të institucioneve shtetërore,
për padije, për ateizëm, apo sepse janë gjurmët
e frymës kundërkombëtare të diktaturës,
e cila e vinte “inernacionalizmin” e ideologjinë
mbi interesat kombëtare? A të gjitha këto kanë
gisht së bashku në këtë mbasdore?
Përhapësimi
i një mashtrimi të tillë historik e ligësisht
të shëmtuar për qytetërimin e vendit tënd,
duke e çuar hapjen e të parës shkollë shqipe
gati treqind vjet më vonë se sa është e vërteta
e dokumentuar prej studiuesve, për më tepër në
mes të një Europe ku lulëzojnë universitete
mijëvjeçare, është me të vërtetë
diçka përbindshore. Eshtë një ndër shërbimet
më të këqia që i bëhet lenies (kombit)
shqiptare dhe padyshim një investim për llogari të
qarqeve parake etnonacionaliste ballkanike. Të gjithë
diktatorët e rroposin popullin e vet, por jo edhe qytetërimin
e trashëguar, kulturën e gjuhën e tij. Ajo që
ka ndodhur e pjesërisht po ndodh edhe sot Shqipëri, është
e pakundshoqe në llojin e vet.
Me
sa duket ishte quajtur politikisht më e dobishme që, për
inat të Shkodrës e të Veriut kundërkomunist,
për urrejtje ndaj katolicizmit e qytetërimin perëndimor,
le të fundohej edhe trashëgimia kulturore e qytetërimi
europian i kombit.
Me
fjalë të tjera, jo nusja që kruhej me mullixhinë,
por plaka shtrigë klithi: për inat të sime ré
tim bir e shtifsha në dhé!
Historiani amerikan Edvin Zhak në veprën e naltpërmendur
shton se më 1877 në qytetin e Shkodrës kishte edhe
një “qendër me ndikim për arsimin e lartë,
Kolegja e Shën Françesk Savierit, që pajiste me
arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë”.
Kjo
shkollë e lartë ishte edhe një qendër shkencore
për krejt Ballkanin, jo vetëm për Shqipërinë.
Sipas këtij autori, “një risi shkencore në
Kolegjin e Shën Savierit ishte Observatori Metereologjik, i
themeluar aty më 1888, si i pari observator astronomik në
Ballkan”. Ky observator, thekson Zhak, “i vazhdoi shërbimet
e tij të vlefshme deri më 1946, kur u konfiskua nga regjimi
komunist”.
Shkodra
kështu dëshmohet edhe një herë si një qendër
me peshë e qytetërimit perëndimor jo vetëm në
shkallë shqiptare, por edhe më gjërë, në
shkallë rajonale.
E
vërteta duhet më në fund të thuhet: datat e
themelimit të shkollës së parë të lartë
në Shqipëri nuk lidhen me institutet që i shpalli
me shumë zhurmë pushtetit komunist e që vazhdojnë
edhe sot me u njohë si data zyrtare të fillimit të
shkollës së lartë. Shkolla e parë e lartë
shqipe daton të paktën vitin 1877, kur dokumentohet Kolegji
i Shën Françesk Savierit, që pajiste me njohuri
tregtare e teknike 400 studentë. Dokumentohet kjo datë,
por nuk dihet: mund të ketë qenë hapur edhe më
parë.
Në
studimin që e përmenda më lart At Donat Kurti jep
edhe një të dhënë të mrekullueshme për
marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion
teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë
e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe
kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën.
Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill
mbas të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes
së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti,
njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur
në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dha vendit
të vet dhe botës prodhimin më të famshëm
të krijesës së tij: Biblën e shtypur në
shtypshkronjën e vet.
Tridhjetë
e tetë vjet për atë kohë janë si tridhjetë
e tetë ditë sot, ndoshta më pak. Ai përmend
edhe shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që
njihet më 1563, por nuk përjashtohet që edhe kjo
të jetë më e hershme.
Shtypshkronja,
siç dihet, vlerësohet si një prej shpikjeve më
të mëdha të gjithë kohëve. Studiues të
ndryshëm e vendosin Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje,
ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë
e njerëzimit. Madje amerikani Majkëll Hart (Michael H.
Hart), e rendit të tetin sipas këtij kriteri. Futja kaq
e vrullshme, e menjëhershme, e kësaj teknologjie dëshmon
se në Shkodër e rrethina lidhjet me Perëndimin ishin
të drejtpërdrejta; dëshmon se aty kishte një
jetë intelektuale të dendur, plot energji, aty shkruhej,
krijohej, botohej, përhapej kulturë.
Cilët
libra janë botuar në ato vite të mugëta? Mjerisht
gjatë zhvillimeve të mëvonshme dramatike në
trojet shqiptare ato janë zhdukur. Por gjithësesi mund
të shpresohet se diçka do të ketë mbetur e
herëdokur do të zbulohet. Arkivat e Vatikanit e ato të
Stambollit kanë ende shumë galeri të paprekura prej
nesh.
|