NUMĖR 77
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 24 DHJETOR 2003

Rrugë e gjatë gjer në Manastir

Shkruan:Saimir LOLJA | © Ereniku.net

Dorëshkrimi i Shkodranit (1210)

I gjetur në Vatikan, ai është botimi më i vjetër i njohur deri tani i gjuhës shqipe. I tëri është në pergamen dhe ka 208 faqe. I gjithë dorëshkrimi është i shkruar me shkronja latine dhe i tëri në gjuhën shqipe, në dialektin e veriut. Dorëshkrimi ndahet në tre kapituj, në faqet 1r-97r mbi teologjinë; faqet 98r-146r mbi filozofinë dhe faqet 147r-208r mbi historinë. Ndërsa në fund, autori ka firmosur vetë duke shkruar: Mee nihemmen zze dessirnnee e phorte t' Lummnummitt ZOT e mbaronjj n'Vitte MCCX dittn ee IX t' Mmarxxitee. THEODOR SSCODRAANNITTEE. Rëndësia e këtij libri (që nuk është abetare) është se tregon që ka patur shkrues, botues dhe lexues te shkolluar te Shqipes në vitin 1210.


Alfabetet shqiptare (1761-1844)

Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve njihet si Anonimi i Elbasanit (1761) është teksti më i hershëm Shqip i shkruar me një alfabet origjinal. Autor është Gregori i Durrësit, i njohur edhe si Gregori i Voskopojës, i cili qëndroi pesëmbëdhjetë vjet në Elbasan para hartimit të dorëshkrimit. Ai u përpoq të shkruante në një gjuhë të përbashkët që ta kuptojnë shqiptarët nga krahinat e ndryshme. Një gjë bie në sy në Dorëshkrimin Elbasanas: Ka shumë pak fjalë të huaja, vetëm tri fjalë latine dhe shtatë fjalë turke. 59 faqet e përkthimeve biblike në Dorëshkrimin Elbasanas përmbajnë 6113 fjalë të shkruara në një alfabet prej 40 gërmash: 35 gërma të zakonshme dhe 5 gërma të rralla. Shumica e gërmave të këtij alfabetit janë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve dhe të alfabeteve të popujve fqinjë.

Në kapakun e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve gjëndet një vizatim dhe afër dymbëdhjetë fjalë të shkruar me një alfabet i cili ndryshon krejtësisht nga alfabeti i dorëshkrimit; por i pa zbërthyer akoma.

Alfabeti i Todri Haxhifilipit (1730-1805) nga Elbasani, i cili është një sistem grafik i ndërlikuar prej 52 gërmash që u përdor në mënyrë sporadike në Elbasan nga fundi i shekullit XVIII.

Alfabeti i Kodeksit të Beratit (1764-1798), një dorëshkrim prej 154 faqesh. Në faqen 104 gjejmë dy radhë Shqip të shkruara me një alfabet origjinal prej 37 gërmash të ndikuara nga glagolishtja.

Nga Gjirokastra kemi një alfabet tjetër nga fundi i shekullit XVIII ose nga fillimi i shekullit XIX, i cili është një sistem grafik prej 22 gërmash, por pak i përhapur.

Një alfabet tjetër i shpikur në jugun e Shqipërisë është ai i Jani Vellarait (1771-1823). Ai ishte autori grek i shënimeve gramatikore greqisht-shqip të vitit 1801 për t'i mësuar shqip grekërve. Gjuhën shqipe e shkroi me një alfabet origjinal prej 30 gërmash në bazë të latinishtes dhe të greqishtes.

Alfabeti i Naum Veqilharxhit (1797-1846) nga Korça prej 33 gërmash të botuarai në abetare e tij Shqipe në vitin 1844. Jehona e këtij alfabeti, i cili i ngjan një lloj armenishtje kursive, ishte e pakët.

Kjo periudhë njëqindvjeçare 1750-1850 ishte një kohë shumëllojshmërie shkrimesh të habitshme në Shqipëri. Me të gjithë, gjuha shqipe u shkrua me DHJETË ALFABETE: shtatë alfabetet origjinale të lartëpërmendur si dhe përshtatjet pas vitit 1850 të alfabeteve latin, grek dhe arab. Është për t’u çuditur që kultura shqiptare arriti ta dallonte veten dhe të mbijetonte me një madhështi të tillë letrare. Egzistenca e tyre çjerr poshtërsinë me të cilën u ndesh delegacioni Shqiptar në Kongresin e Berlinit më 1878 ku iu tha në vend të JO-së për shtetin Shqiptar se: nuk mund të ketë komb pa gjuhë të shkruar. Ndërkohë që kishte jo një, por 10 alfabete që mund të përzgjidheshin e zbatoheshin.


Kongresi i Manastirit (14 Nëntor 1908)

Atdhetarët që përpiqeshin të bashkonin popullin kishin përpara një përçarje në popull që shkatohej nga: 1- politika ‘përça e sundo’ e qeverise osmane; 2- struktura shoqërore feudale-fisnore në Shqipëri; 3- drejtimet e huaja të grupeve të ndryshme fetare, të cilat përdornin turqishten, greqishten, italishten e gjermanishten në vend të Shqipes. Në ato kushte, shoqëria Bashkimi e Manastirit thirri më 14 Nëntor 1908 kongresin e parë të përgjithshëm për diskutimin dhe miratimin e nje alfabeti të njësuar.

Aty ishin të pranishëm 150 delegatë të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga bashkësitë shqiptare në Rumani, Turqi, Egjipt, Itali, Amerikë e gjetkë. Ata zgjodhën si kryetar Mithat Frasherin, të birin e të shquarit Abdyl që kishte kryesuar mbledhjen në Prizren. Përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike Gjergji Qiriazi u zgjodh nënkryetar, kurse prifti protestant nga Korça Grigor Cilka mori pjesë bashkë me të në Komisionin e Alfabetit të përbërë prej 11 vetësh.

Parashqevi Qiriazi, e Shkollës së Vajzave në Korçë, shërbeu si sekretare e komisionit. Ajo ishte e vetmja grua delegate në Manastir dhe e para grua në histori që mori pjesë në një forum gjithëshqiptar. Zonja Fineas Kenedi, një misionare amerikane në Korçë, e pranishme aty si vezhguese, shkruante për poetin Gjergj Fishta: ”Kumtesa më e mirë u mbajt nga një prift katolik nga Shkodra, fjalët e të cilit bënë që dëgjuesve t'u rridhnin lotë; një hoxhë u prek aq shumë, saqë rendi ta përqafonte para gjitë të pranishmeve.”

Kongresi nëntëditor vendosi me votë të plotë që shqiptarët të linin mënjanë alfabetin e Stambollit me dhjetë shenjat e tij të veçanta dhe ta shkruanin gjuhën e tyre vetëm me alfabetin latin. Alfabeti i hartuar në Manastir përmbante 36 shkronja e ndërthurje shkronjash latine. Duke qenë se para kësaj mbledhjeje gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke e sllave apo përshtatje të tyre, vendosmëria e këtyre delegatëve për t'i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi nje shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që shkaktoi kundërveprime të ashpra nga qeveria osmane, sllavët dhe kisha ortodokse e grekërve.

Një pjesëmarrës i shquar në Kongresin e Alfabetit ishte studiuesi, poeti dhe atdhetari nga Shkodra, Ndre Mjeda. Tetë nga trembëdhjetë propozimet e tij u miratuan nga Kongresi i Manastirit. Ndonëse jetoi në disa vende të huaja dhe mësoi të fliste 13 gjuhë, mbi gjuhën Shqipe ai nuk vinte gjë tjeter.

Ndër komb' tjera, ndër dhena tjera
ku e shkoj jetën tash sa mot,
veç per ty rreh zemra e mjera
e prej mallit derdhi lot.

Nji kto gjuhë, qi jam tue ndie
janë të bukra me temel;
por prep’ këjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave ju del.

Kongresi vendosi gjithashtu ngritjen e Shtypshkronjës Shqipe në Manastir nën drejtimin e Gjergj Qiriazit, e cila u bë shpejt e njohur anembanë vendit si shpërndarëse e librave dhe gazetave Shqipe. Por shpejt qeveria osmane i mbylli të gjitha shtypshkronjat shqipe.

Më 1911, Hoxhson, përfaqesuesi i Shoqërisë Biblike të Kostandinopojës, raportonte: Të gjitha shkollat shqipe janë mbyllur pa pikë mëshire, kurse përpjekjet ngulmuese për ndalimin e gjuhës dhe zhdukjen e letërsisë Shqipe nuk kanë rreshtur kurrë. Gjendja e rëndë politike mund të marrë flakë nga çasti në çast. Tashmë shqiptarizmi kishte shpërthyer dhe nuk do ndalej më!


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË