NUMĖR 77
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 24 DHJETOR 2003

Pas standardeve, prapë standardet

Shkruan:· Skerdi SIKA

Më duhet të pranoj sinqerisht që këtë kryelajmin e bujshëm të tetë standardeve, pardon: Tetë Standardeve, për Kosovën, s’e rrok dot kjo rradakja ime. Ndonëse kam qëndruar këtu shpesh e gjatë, e ndonëse e njoh tanimë këtë cep të atdheut, besoj, ca më mirë se sa trevën ku kam lindur.

Mundet që mua më janë ngatërruar kabllot. Fundja, më kanë thënë edhe më herët që jam leshko, por unë kam besuar gjithnjë që e kanë fjalën për flokët e mi; mundet që s’është ashtu. Ka mundësi, pra, që virusi Y2K ndofta i preu qarqet e mia qysh natën e Vitit të Ri 2000, meqë gjindja po më thonë se unë paskam keqkuptuar gjithçka që prej atëhere e deri sot.

Sepse, në atë botën time fantastike, unë tash e 4 vjet kam jetuar në iluzionin se Tetë Standardet shkruheshin me germë të vogël. Se ato, pra, ishin ato të vjetrat, të numëruara me nge, një nga një, që në vitin 2000, e të botuara në anglisht, frëngjisht, rusisht, kinezisht, shqip e serbisht, në të gjitha dokumentet parësore të UNMIK-ut për Kosovën. (Madje mua se si më bëhet që i kam parë diku të përkthyera edhe gjermanisht, greqisht, e maqedonisht!)

Mbase kjo s’do t’ishte problem, sikur të mos qe e frikshme. Merreni me mend, ju lutem, ju jetoni e punoni normalisht me vite të tëra, për të zbuluar befas pas 4-5 vjetësh që paskët qenë delirant tërë kohën! Brrrr…..

Dora në zemër, për të qenë krejt i sinqertë ndaj jush, unë druaj ende për shëndetin mendor. Timin së pari; por, në qofsha unë në rregull, ahere të ca tjerëve më të rëndësishëm se vogëlsia ime. -Se të dy palët s’mund ta kemi drejt, apo jo? Ose ishin të njohura këto standarde më herët, ose s’ishin, këtu tërci-mërci s’ka!

E keqja është që, sipas psikologëve, deliranti s’e realizon dot faktin që është në delir. Quamëni paranojak po deshët, fundja kjo bën pjesë në delir: po si të dalloj në jam zgjuar tani, apo në kam qenë i zgjuar më herët, e jam në makth tani? –Pssst shoku, meqë erdhëm te kjo pika: në qoftë se unë kam të drejtë, e tjerët jo: si bën njeriu për ta ruajtur shëndetin në një ambient komplet delirant?

Meqë për momentin ndodhem jashtë rrezeveprimit të psikiatrisë kosovare, mund ta hap zemrën pa drojë. Mua më duket që kjo puna e standardeve i gjason rrobave të reja të mbretit.

Duket sheshit që standardeve s’u është ndërruar asnjë germë qëkur u artikuluan së pari. Ndryshimi i vetëm është, që tani u caktua një afat (ano Domini 2005), krejtësisht jodetyrues për të gjitha palët, për të këqyrur se si e sa ka vajtur procesi.

Për mendjen time, ky s’është ndonjë kapitull i ri i sagës kosovare. S’është madje as pasus i ri. Mundësisht kryerresht; -por atëhere tregohem optimist i paparë, pothuajse si kryetari Rugova.

Ajo që është e re, është se bashkësia ndërkombëtare ka pranuar që është doktor tejet hutaq: pothuajse një gjysmë dekade, pra, ajo as paska pasur, as paska kërkuar të gjejë, veglat më themelore për ta këqyrur nëse pacienti i ndjek apo jo udhëzimet.

Një lëshim i tillë do ta rrëzonte në provim cilindo student të mjekësisë; por jo, a jo! doktorët e vetshpallur të Kosovës. Për ta ruajtur fytyrën, ata mbledhin kuvend, u mëshojnë daulleve, xurlave e borive, e nxjerrin me pompë – termometrin!

Në fakt, më fort se doktorin, ndërkombëtarët më kujtojnë shamanin e indianëve. E se kë më kujtojnë shqiptarët e fascinuar nga termomentri, për këtë më mirë të mos shprehem fare.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË