NUMĖR 74
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 25 QERSHOR 2003

Ahmeti del, Boshkovski hyn në listën e zezë të amerikanëve

Shkruan: Naser SELMANI

Presidenti amerikan Xhorxh Bush me dekret hoqi nga lista e zezë ish ushëheqësin e UÇK-së Ali Ahmeti, ndërsa në listën e re krah për krah me Millosheviqin dhe Bin Ladenin e vuri Lube Boshkovskin, ish ministër maqedon i policisë

Me dekret te kryetarit amerikan Xhorxh Bush Ali Ahmeti, ish udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, tani lider i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, pjesëmarrëse në qeverinë aktuale maqedone, më nuk është në listën e zeze të kryterait amerikan Xhorxh Bush. Kjo masë ndëshkuese kundër Ali Ahmetit kishte hyrë në fuqi gjatë luftës së vitit 2001 në Maqedoni. Këto sanksione i ndalonin hyrjen e Ametit në shtetin amerikan si person që rezikon paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Ahmeti tashti për SHBA-të më nuk është njeri i rrezikshëm, por një politikan i moderuar, i cili duke zbatuar Marrëveshjen e Ohërit lufton për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Maqedoni dhe kërkon pajtim ndëretnik midis maqedonasve dhe shqiptarëve, si mundësi e vetme për integrimin e vendit në strukturat evro-atlantike. Për këtë angazhim Ahmeti gëzon mbështetje të fuqishme amerikane.

Heqja e pritur e Ahmetit nga lista e zezë amerikane nuk është ndonjë sezacion sikur vendin e tij në listën e Bushit të mos ta zinte ish ministri kontraverz maqedon i punëve të brendshme Lube Boshkovski.

Vetëm para dy vitesh situata kishte qenë krejtë ndryshe. Ali Ahmeti ishte njeriu problematik, i cili prej Shipkovice, një fshat malor mbi Tetovë, udhëhiqte nje grup guerilësh shqiptarë, që përpiqej që me forcën e armëve të përmirësonte statusin juridik të shqiptarëve në Maqedoni. Atëherë Ahmeti dhe shokët e tij nga qendrat kryesore botërore quhej terrorist, krimnel dhe vrasës, ndërsa Lube Boshkovski, ishte ministër i respekuar i policisë maqedone.

Ndoshta ndërimi i vendeve të Ahmetit dhe Boshkovskit paraqet kthesë të politikës amerikane ndaj konfliktit të armatosur të vitit 2001. Me gjasë amerikanët pas dy vitesh edhe publikish legjitimojnë luftën e shqiptarëve të Maqedonisë, në krye të së cilës qëndroi Ahmeti. Ndërsa ndëshkojnë përpjekjen e institucioneve maqedone, që identifikohej me Boshkovskin, për të ruajtur stus-kuon për statusin e shqiptarëve në Maqedoni.

Lufta në Maqedoni shumë qartë tregoi se institucionet e Maqedonisë mbrojnë interesat e ngushta të bashkësisë maqedone, e jo edhe të qyetarëve të tjerë. Kjo gjë ka qenë e papranueshme për amerikanët.

Është interesante të theksohet se Boshkovski ka prejardhje prej fshatit Çellopek, që gjendet në afërsi të Tetovës. Familja e tij në të kaluarën e afërt nuk e kishte pasur rasporte të këqija me shqiptarët. Bile shqiptarët e Çellopekut që njohin familjen e Boshkovskit, thonë se bëhet fjalë për një familje të varfër e të urtë bujqish, që asnjëherë nuk ishte ngacmuar me shqiptarët. Ata në fillim të luftës ishin befasuar se si ishte e mundur që prej kësaj familje të dalë një antishqiptarë i egërsuar si Boshkovski.

Dilema kryesore nuk është pse doli Ahmeti, por pse Boshkovski hyri në listën e personave të rrezikshëm për Shtetet e Bashkuara. Vendimtare që Boshkovski të meritojë këtë status prej amerikanëve duhe të kërkohet te roli i tij gjate luftes ne Maqedoni, në periudhën e pasluftës dhe tani kur partija e tij VMRO-DPMNE, me provinienc probullgare e nacionaliste, përpiqet të reformohet në një parti të djathtë të moderuar e me imazh evropian, që do të funkciononte si kundërpesh ndaj koalicionit qeveritarë.

Skandalin më të madh Boshkovski e bëri gjatë luftës në Maqedoni, duke vrarë dhjetë civilë shqiptarë të Lubotenit të Shkupit, për të cilin gjë amerikanët nuk mund ta falin. Vrasja e dhjetë fshatarëve ishte bërë në rrethana misterioze, përkundër pohimeve të Boshkovskit, i cili pretendonte se kishte vrarë terrorist. Fshatarët e Lubotenit akuzonin policinë maqedone se kishte ekzekutuar familjarët e tyre me duar të lidhura, me qëllim që të hakmerret për vrasjen e gjashte ushtarëve maqedon, kur një automjet i blinduar ushtarak kishte rënë në një fushë të minuar disa kilometra përmbi Luboten. Ky rast ende mund të trajohet si mister sepse as obdukcioni i viktimave si duket nuk do ta zgjidhë dilemën, ishin vrarë lubotenasit në luftime nga distanca, apo ishin ekzekutuar nga afërsia. Për këtë rast interesohet edhe Tribunali i Hagës, i cili dyshon se në Luboten mund të jenë kryer krime lufte.

Në fazën e dytë të pasluftës Boshkovski bëri edhe një veprim shumë të dyshimtë. Policia e tij në afërsi të Shkupit kishte vrarë shtatë shtetas të huaj. Boshkovski gjashtë pakistanezët dhe një shtetas të Indisë të vrarë i shpalli terorist që kishin lidhje me rrjetin terorist të Al-Kaedas dhe "teroristët shqiptarë". Boshkovski atëherë pohonte se bëhet fjalë për terrorist islamist që kishin planifukuar sulme ndaj përfaqësive diplomatike amerikane dhe evropiane në Shkup.
Ekzistojnë dyshime të bazuara se aziatikët e ekzekutuar nuk kishin lidhje me terrorizëm, por bëhej fjalë për punëtorë sezonal, që ia kishin mësyer Perendimit për një kafshatë buke. Boshkovski si duket i ekzekutojë këta hallexhinjë menjëherë pas sulmeve të Qendrës Tregtare Botërore në Nju Jork, që t'u vardiset amerikanëve duke trumbetuar se Maqedonia luftonte terroroizmin ndërkombëtare, i cili kishte lidhje me ekstremistët shqiptarë që po e destabilizojnë Maqedoninë.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2002 Boshkovski i kishte shërbyer ish kryeministrit Georgievski si figurë e nacionalizmit ekstrem maqedon kundër shqiptarëve dhe perendimorëve, në përpjekje për të përfituar elektoratin maqedon. Loja e Georgievskit dështoi sepse maqedonët nuk i besuan nacionalizmit të Boshkovskit. Georgievski pas zgjedhjeve u distancua nga Boshkovski dhe e largoi nga kryesia e ngushtë e partisë. Kjo dëshmoi se Boshkovski kishte shërbyer vetëm si mjet manipulimi për nevoja ditore në duart e ish kryeministrit Georgievski.
Vënia e Boshkovskit në listën e zezë amerikane mund të komentohet edhe si përpjekje e amerikanëve për t'i ndihmuar liderit të ri të partisë VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, ekonomist i ri me pak pervoje por qe u tregua mjafte pragmatik gjate mandatit dyvjeçarë te menaxhimit te finansave te shtetit maqedon, për të ndërtuar një parti demokratike dhe properendimore. Boshkovski në listën e zezë të Bushit mund të jetë edhe një kërcënim i hapur i amerikanëve ndaj të gjitha rrymave nacionaliste brenda VMRO-DPMNE-së që kanë për qëllim ta pamundsojnë Gruevskin që ti arrijë këto objektiva, për të cilat ka mbështetjen e parezervë nga jashtë. Njësojë si Boshkovski mund të mbarojë edhe ish kryeministri Georgievski, i cili u pajtua të heq dorë nga kreu i VMRO-DPMNE-së, por që do të përpiqet nga prapaskena ta kontrollojë partinë dhe liderin e ri.
Më lehtë është të sqarohet heqja e Ali Ahmetit nga lista e zezë. Ai gjatë luftës në Maqedoni kishte dëshmuar se është njeri i fjalës. Me përpikmëri kishte respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura me faktorin ndërkombëtarë gjatë konfliktit, përkundër provokimeve të vazhdueshme nga pala maqedone. Për këtë gjë Ahmeti kishte fituar simpatinë e ndërkombëtarëve, të cilët pastaj e kishin inkurajuar që të formojë edhe parti politike, me të cilën bindshshëm i fitoi zgjedhjet parlamentare para një viti.

Ahmeti kishte pranuar sugjerimet e ndërkombëtarëve dhe nuk kishte rënë pre e provokimeve të ish koalicionit qeveritarë VMRO-DPMNE e PDSH për të tensionuar situatën para zgedhjeve parlamentare. Ahmeti anuloi tubimin pëmbyllës të partisë së tij në Shkup për t'i ikur ndeshjes me simpatizantët e VMRO-DPMNE-së, që ishin kërcënuar se nëse Ahmeti vinte në Shkup, do ta vrisnin. PDSH menjëherë akuzoi Ahmetin për qyqarllëk, që dëshmojë se partia e Xhaferit këtë skenarë e kishte planifikuar në bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në me qëllim që Ahmetin para shqiptarëve ta paraqes si frikacak. Kjo nuk pati sukses, sepse rezultati i zgjedhjeve dëshmoi të këndërtën, Ahmeti i fitoi zgjedhjet.

Heqja e Ahmetit nga lista e zezë mund të vlerësohet edhe si shpërblim ndaj politikës së bojkotit të PDSH-së. Krerët e kësaj partie, Xhaferi dhe Thaçi para disa muajsh kanë shpallur moratorium të aktivitetit politik, me arsyetim se koalicioni qeveritarë nuk e zbaton Marrëveshjen e Ohërit duke tensionuar kështu marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Të huajtë përpiqen të dëshmojnë se paqja dhe stabiliteti në Maqedoni mund të sigurohen edhe pa PDSH-në, e cila nuk ka forcë për të radikalizuar situatën.

Amerikanët duke hequr Ahmetin nga lista e zezë përkrahin politikën e tij për mosndryshimin e kufinjëve të Maqedonisë, përkundër angazhimit të PDSH-së, e cila hapur kërkon formimin e shteteve etnike në Ballkan. Xhaferi kërkoi formimin e një shteti të vetëm shqiptar, brenda të cilit do të përfshihen edhe territoret e shqiptarëve të Maqedonisë, duke mos saktësuar se cilat territore të Maqedonisë do t'i bashkangjiteshin shtetit të bashkuar shqiptar.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:24
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË