NUMĖR 74
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 25 QERSHOR 2003

Dyshtetësia, privilegj a lojë?

Shkruan: Skerdi SIKA

Një lëndë, që ishte e paparamendueshme para vetëm një viti, është përplasur sot me forcë e ka ngritur shumë pluhur në tryezën e punës së qeverisë greke. Athina zyrtare ka marrur përsipër të shqyrtojë nëse do t'u ofrojë mërgimtarëve shqiptarë atje dyshtetësi.

Merreni me mend, ju lutem. Rreth 300 000 shqiptarë, sa thuhet se kanë mërguar në Greqi (ndonëse numrin e saktë s'e di askush, e më së paku autoritetet e shtetit shqiptar) kanë një shans - të hollë vërtet, por megjithatë - që të fitojnë shtetësinë greke pa u detyruar së pari të heqin dorë prej asaj shqiptare.

Nëse, përsëris: nëse!- kjo lëndë kalon në parlamentin grek, atëhere sekush do të mund të konstatojë lirisht se marrëdhëniet mes Shqipërisë e Greqisë paskan hyrë vërtet në një epokë të re.

Të shkuara të harruara acarimet e pasluftës, të shkuara të harruara manipulimet me 60 000 minoritarët greqishtfolës të Shqipërisë. Nëse kujtojmë edhe gatishmërinë e papritur që po signalon Athina për ta trajtuar çështjen e pronave çame, me fjalët e ambasadorit grek në Tiranë, "si lëndë juridike e jo çështje politike", atëhere mesazhi i kombinuar del: "Lamtumirë Ballkan, mirësevjen Evropë!"

E megjithatë, në anijen e politikës shqiptare, thirrjet joshëse të sirenave greke janë pritur me një gjakftohtësi dyshuese. Mëdyshja ndaj blatimeve të papandehura që i shpërndan Athina zyrtare këtyre ditëve mbase buron nga ngurrimi i moçëm i shqiptarëve kundrejt fqinjve të tyre mendjemëdhenj, të zgjuar e ngatërrestarë ("Ruaju, bir, dhuratës së danajve!"). Por, skepticizmi ushqehet edhe nga fakti se shqiptarët s'po e kuptojnë dot motivin e dashamirësisë së papritur të grekëve.

Doemos që ajo nuk varet -ruana Zot!- prej trysnive të Tiranës. Qeveritë shqiptare, si qeveria Nano, ashtu edhe të gjitha qeveritë tjera prej asaj të Durrësit 1912 e këndej, çamët i kanë zënë në gojë vetëm shkarazi, "meqë ra fjala", ose shumë-shumë në një gjest patetik të vetmbrojtjes së imagjinuar kur Athina ngre ngatërresa për minoritarët. Kurse sa për dyshtetësinë, qeveritarët shqiptarë s'e kanë zënë në gojë as privatisht, meqë o s'e kanë njohur, o s'e kanë besuar të jetë mundësi.

Le që edhe po të kish shpurdhur, shteti i dobët shqiptar prapë shalqi do të qethte. I shkëputur prej Evropës, me epitetin "shtet i dështuar" në supe që i rëndon sa kryqi i Krishtit, e me financat gati krejt në duart e grekëve, Tirana zyrtare prej grekëve mund të kërkojë sa të dojë (nganjëherë), por do të kënaqet me atë që i jepet.

Trysnira në favor të shqiptarëve s'bëjnë as partnerët ndërkombëtare të Athinës. Në BE Greqia e ka në dorë kryesinë e radhës, kurse në NATO të gjithë ndjehen të lumtur kur harrojnë se Greqia ekziston.

Dora në zemër, kërkesa për dyshtetësi është ngritur për shqyrtim aty-këtu, si mundësi teorike, nga p.sh. grupet për mbrojtjen e mërgimtarëve, Komiteti i Helsinkit etj. Fundja, Greqia në letër është një shtet qytetar, e s'do të mund t'i refuzonte gjer në amshim kërkesat për shtetësi greke. Nëse do ta quash veten anëtare në botën e qytetëruar, apo -si në rastin grek- nëse do t'i kritikosh fqinjët si barbarë të paqytetëruar, atëhere doemos që do ta plotësosh së pari vet një minimum qytetarie.

Por ky kthjellim nuk na shpien deri në fund. Sa për fillim, kjo nuk na e ftillon kthesën greke për sa i përket lëndës çame. Ajo deri dje ishte patate aq e nxehtë sa s'e prekje as me pirun. Befas, pothuajse brenda natës, ajo u kthye në "lëndë juridike" të vakët, pothuajse jointeresante për "dy fqinj të ngushtë" si Shqipëria e Greqia: si, e pse?!

Kuptohet që, në mungesë të ftillimeve më të mira, në sipërfaqe pluskojnë teoritë e konspiracionit. Më sakt, janë të numërt ata që e lidhin ndërrimin e kursit në Athinë me ngatërresat që i nxori kryetari shqiptar Alfred Mojsiu për bazën detare të Bisht-Pallës.
Rindërtimi i Bisht-Pallës ishte kontraktuar qëmoti mes shtetit shqiptar e atij grek, po kryetari shqiptar dekretoi në maj-qershor ndalimin e punës.

Motivet qenë thjesht politike. Zt Mojsiu u shërbye me Bisht-Pallën për të protestuar kundër qëndrimit josolidar të Greqisë rreth Irakut, ku Shqipëria kontribon me trupa të zgjedhura (dakord, edhe lufta e Kosovës mund të ketë lozur rol), e njëherit për t'i dërguar një signal të fortë besnikërie Uashingtonit; nëse edhe Turqisë do t'i pëlqente ky dekret, aq më mirë!

Dekreti presidencial i zt. Mojsiu u rrëzua në parlament nga majoriteti socialist i kryeministrit zt. Nano. Kjo pritej, e ndoshta edhe duhej patjetër, meqë pezullimi i një kontrate ndërkombëtare do t'i kushtonte multum Tiranës së varfër. Në fakt, ciniku do të dyshonte që mu kjo edhe ishte ideja e kryetarit shqiptar...

Nëse është njëmend kështu apo jo, kjo le të mbetet pa u thënë. Fundja, e vërteta do të del në shesh kur të vje ora për ta zgjidhur lëndën e dyshtetësisë, gjegjësisht të pronave çame. Nëse vendimet merren pa vonesë e pa vegëza, e zbatohet pa pengesa prej byrokracisë greke (e cila është shumë më afër politikës se në vendet tjera evropiane) atëhere kjo do t'u vinte kapak floriri një shekulli grindjesh e mosbesimi mes dy fqinjve më të lashtë të Ballkanit.

Njeriu s'bën kurrë të thotë kurrë, meqë mrekullitë ende ndodhin: pesimisti le ta çojë mendjen një çikë te Kosova. E drejta, në Ballkanin që njoh unë, jo realisti, po as optimisti s'do të vinte bast për dy mrekulli brenda një qindvjetëshi. Mirëpo, ky nënqiell ka ndërruar shumë këtyre vjetëve. E se sa ka ndërruar tamam - këtë do ta marrim vesh së shpejti. Kur të merren dy vendime të rëndësishme në Athinë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:23
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË