NUMĖR 74
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
EDITORIAL VITI V - 25 QERSHOR 2003

Patriotizmi i barbarit

Shkruan: Xhafer SHATRI

Ekzekutimi barbar

Në natën mes 3 e 4 qershorit të këtij viti, në Kastriot janë mbytur mizorisht në shtëpinë e vet tre serbë, pjesëtarë të familjes Stoliç; çifti i moshuar Sllobodan (80 vjeç) e Radmila (78 vjeçe) dhe djali i tyre 53 vjeçar, Ljubinko.

Siç është konstatuar më vonë, gjatë obduksionit, gjakësorët i kishin torturuar barbarisht viktimat deri në vdekje e pastaj i kishin vënë zjarri shtëpisë së tyre. Sipas mjekëve ligjor, janë konstatuar goditje, sipas të gjitha gjasëve me shufër metalike, thyerje gjymtyrësh dhe lëndime vdekjeprurëse në kokë. Fqinjtë serbë u kanë deklaruar mediave se viktimave u ishin nxjerrë edhe sytë.

Pas vrasjes së kositësve serbë në Gaçkën e Vjetër e hedhjes në ajër të autobusit të Nish-expres në Mërdarë, ky është krimi më i rëndë që ka ndodhur në Kosovën e pasluftës, ku viktima ishin pjesëtarët e bashkësisë serbe.

Ky krim i llahtarshëm, sipas një praktike tashmë të njohur, është kryer në prag të ngjarjeve që do të ndikojnë në statusin e ardhshëm të Kosovës: atë ditë vinte në Kosovë shefi evropian për punë të jashtme e siguri, Javier Solana. Ai vinte për të përgatitur pjesëmarrjen e Kosovës në mbledhjen e ardhshme të Selanikut, për të cilën thuhej se do të jetë vendimtare për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vlen të përmendet se ky krim i shëmtuar u krye në prag të 4 vjetorit të çlirimit të Kosovës, e të mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit lidhur me gjendjen në Kosovë.

Provimi që nuk e dha Kuvendi i Kosovës

Ditën e krimit Kuvendi i Kosovës mbajti një nga mbledhjet e tij të përmallshme. Të gjithë ata njerëz që mendojnë dhe përpiqen që Kosova të jetë një shtet i lirë, i pavarur e demokratik, atë ditë kanë pritur që kryetari i Kuvendit që në krye të hapjes së mbledhjes do të kërkojë që me një minut heshtje të nderohet kujtimi i tre qytetarëve të Kosovës që kriminelët i kishin ekzektuar barbarisht në shtëpinë tyre.

Jo vetëm kaq, por kanë pritur që të aprovohet dhe një rezolutë përmes së cilës, në emër të popullit të Kosovës, dënohej ashpër ky krim dhe institucioneve ndërkombëtare u përcillej një mesazh i fuqishëm se institucionet e Kosovës, jo vetëm dënojnë krimin, por edhe kërkojnë me të drejtë marrjen e kompetencave për të mbrojtur qytetarët e vet.

Asgjë nga krejt kjo. Madje siç e tha Dragisha Kërstoviç, kryetar i grupit parlamentar serb "kolegët tanë shqiptarë nuk na kanë shprehur as ngushëllime!" Me një fjalë, jo vetëm u bë një shkelje e pafalshme e traditës së mirë shqiptare për të respektuar dhimbjen e tjetrit kushdo qoftë ai, por u shpërfaq njëfarë lojë e flliqtë, një hipokrizi politike që Ballkanin kaherë e ka bërë të njohur e të neveritshëm në krejt botën.

Natyrish, në mungesë të një veprimi të përgjegjshëm të krerëve të Kosovës, pasoi dalja nga Kuvendi e koalicionit "Kthimi", të cilit, në fakt nuk i mbeti rrugë tjetër. Dhe pasoi presioni i ndërkombëtarëve mbi krerët e Kosovës që të shfaqin shqetësimin e tyre bile sa për sy e faqe!

Nuk dështuan vetëm institucionet kryesore të vendit, por dështoi edhe shoqëria civile, dështuan mediat, dështuan edhe intelektualët... Sepse me datën 4 qershor është pritur një manifestim i madhe e i heshtur në qendër të Prishtinës, përmss të cilit do të shqiptohej Jo-ja e vendosur e Kosovës ndaj krimit dhe Po-ja e fuqishme e saj për tolerancë e shtet ligjor, pa të cilët nuk mund të ketë as pavarësi e as demokraci.

Si mund të shpjegohet kjo indolencë

Fakti se Kuvendi atë ditë është sjellë sikur ta kishte për qëllim që botës t'ia dërgoj një mesazh të kobshëm nga Kosova: "neve nuk na ndjen fare për vrasje të tilla, ne për qytetarët e Kosovës kemi kute të ndryshëm!".

A është fjala për arrogancë, për papërgjegjësi apo ndoshta edhe për diçka tjetër akoma më të rëndë koha do ta tregoj një ditë.

Sidoqoftë nga këndvështrimi aktual ky qëndrim i elitës së Kosovës nuk mund të arsyetohet me ato që kanë ndodhur në Kosovë, me ato që nuk mund të harrohen kurrë. Por më tepër me faktin se elita jonë pushtetore:

- është e papërgjegjshme për detyrimet që ka;
- në vend se për të ardhmen e vendit, më tepër mendon për ata votues që rrenën dhe manipulimin e konsiderojnë për patriotizëm të kulluar;
- nuk ka guximin qytetar të këmbëngulë në krijimin e një morali të ri që të zezës t'i thuhet e zezë e të bardhës e bardhë;
- në substancë është produkt i një mjedisi ku hipokrizia dhe mungesa totale e kurrizit ishin dhe vazhdojnë të mbeten lëndët dhe orientimet kryesore në shkollimin dhe praktikën e tyre politike.

Me një fjalë, elita politike e Kosovës la një rast të jashtzakonshëm për veprime e qëndrime largapamëse politike. Njerëzit kanë pritur se Rugova dhe Rexhepi do të kërkojnë takim urgjent me Steinerin e Fabio Minin, ku do të kërkonin llogari deri në dorëheqje për mungesë të masave të sigurisë do të kërkonin kompetencat që u takojnë organeve të vetëqeverisjes së përkohshme për marrjen në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës. Me një fjalë, në mos më shumë, do t'ua merrnin argumentet të gjithë atyre, që janë aq të shumtë, e që do të abuzonin me krimin në Kastriot.

Cuditërisht as mediat nuk bënë zhurmën që është pritur. Ndonjë artikull kritik me tepër se me shqetësim ishte i pëmbushur me frikën se çka do të thonë huliganët politikë, çka do të thonë ata që gjithë jetën e tjerrin mendimin para gotës së çajit rus. Mediat e përgjegjshme nuk merren me ekulibrime në mes të keqes dhe të mirës.

Po kështu dështoi edhe shoqëria civile. Eshtë pritur që KMLDNJ, kurrizi i shoqërisë civile në Kosovë, të jetë më i zëshëm, e madje edhe të organizojë manifestime kundër vrasësve dhe shtisëve.

Kush e kreu krimin në Kastriot?

Kjo është pyetje në të cilën duhet të përgjigjet policia, por, në mungesë të organeve të përgjegjshme, ne, gazetarët e kemi për detyrë të përpiqemi të japim ndonjë përgjigje.

A mund ta ketaë kryer këtë vrasje ndonjë grup politik e i armatosur shqiptar?

Nuk ma merr mendja. Sepse Stoliçët ishin qytetar të rëndomtë dhe pa asnjë ndikim në jetën politike. E kaluara e tyre nuk flet të kenë qenë të implikuar shumë në lëvizjet e zeza politike serbe në dy dhjetëvjeçarët e fundit.

Fundja në favor të Jo-së flet edhe mënyra e ekzekutimit: militantët politikë sado fanatikë e të mbushur me urrejtje qofshin, edhe pse ndoshta do t'i vrisnin, megjithatë nuk do t'i masakronin viktimat... Me një fjalë politikisht ky akt kriminal do të kthehej kundër synimeve të tyre.

Pastaj, çka është themelore, vrasjet me motive politike deklarohen si të tilla nga grupimi që kryen krimin.

A mund t'i ketë vrarë dikush Stoliçët për t'ua marrë pasurinë e patundshme?

Nuk e besoj, sepse në këtë rast ata do të zbuloheshin fare lehtë!

A mund ta kenë kryer krimin hajdutët shqiptarë?

Nuk ma merr mendja, sepse Stoliçët si shumica e serbëve në Kosovën e pasluftës janë të varfër. Për shkak të atyre që kanë ndodhur në Kosovë, ata nuk kanë pasur të holla të gatshme. Në rastin konkret viktimat ishin njerëz të vjetër, të dy pleqtë në perëndim të jetës së tyre, të cilët më së shumti kanë mundur të kenë në shtëpi 70 euro, nga pensioni i tyre modest. Stoliçët ishin të fundit në Kosovë, të cilëve do t'ua mësyenin plaçkitësit.

Kush tjetër mund ta ketë kryer këtë vrasje?

Mendja e shëndoshë, e cila kurrë nuk guxon të heqë dorë nga dyshimi, thotë se këtë krim monstruoz mund ta kenë kryer persona të paguar rrast. Madje shtisit duhet të kenë shkoqitur mirë edhe mënyrën se si dhe kohën se kur duhej kryer krimi. Ekzekutorët në këtë rast mund të jenë të çdo race ose etnie. Pra mund të jenë dhe shqiptarë.

Ose ndonjë celulë paramilitare serbe: Në Kosovë ekzistojnë dhe funksionojnë pandeprerë struktura të shërbimeve serbe. Me ndryshimet e fundit në Beograd këto struktura janë izoluar e vënë në dyshim dhe kanë vendosur të marrin vetë punët në dorë. Meqë është fjala për struktura që nuk kanë se çka të humbin, ato konsiderojnë se me veprime të tilla do të kontribuojnë që ngjarjet në Kosovë të marrin kahjen që dëshirojnë ato.

Cka flet në favor të këtij versioni?

Momenti kur u krye dhe mënyra se si u krye krimi. Vrasja në Kastriot u bë, siç u tha në fillim, para vendimeve të rëndësishme politike që do të ndikonin në statusin e ardhshëm të Kosovës.

Viktimat janë torturuar dhe vrasësit janë përkujdesur që vënia e zjarrit shtëpisë të jetë vetëm gjoja një tentim por kurrsesi edhe qëllim zhdukja e gjurmëve.

Policia dhe gjyqi duhet ta thonë fjalën e vet. Por këto të fundit, megjithatë mbetën pistat kryesore që do të duhej ndjekur, Sepse këso krimesh do të shpeshtohen në të ardhmen. Dhe kjo në funksion të luftës politike, por edhe tjetër, për statusin e ardhshëm të Kosovës.

Kriminelët janë vazhdimisht një hap përpara. Dhe në rastin tone, këtyre veç indolencës së ndërkombëtarëve u ndihmon edhe paria e Kosovës, e cila, siç u pa në këtë rast, me patriotizmin e saj të dyshimtë nuk ka kurajë për të qenë e prerë dhe unike në përcaktimin e saj ndaj të keqes.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:23
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË