NUMĖR 74
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 25 QERSHOR 2003

Feminizmi dhe kujdestaret e matriksit

Shkruan: Ardiana SHALA

Mbijetuesit hebrenj të LDB e kanë përherë vështirë t'u rrëfejnë tjerëve përvojat e veta, qoftë edhe pasardhësve. Para së gjithash, e kanë të vështirë të përgjegjen në një pyetje fundamentale, se pse vajtën si cjapi te kasapi ata miliona hebrenj që u grumbulluan e u likuiduan nëpër ndejat e përqendrimin gjithandej në Rajhun e Tretë. Gjatë 6-7 vjetëve të çfarimit (gjenocidit) industrial në Aushvic, në Treblinka, në Matauzen e gjithandej në Rajhun e Tretë, ka pak shembuj të njerëzve që guxuan ta mendojnë, e aq më pak ta provojnë, arratinë a - ruana Zot! - revoltin.

Ekziston një arsye pse përgjegja është tejet e vështirë: meqë e vërteta është tepër e dhembshme. Është e dhembshme ta pasqyrosh realisht një botë, ku mënyra e vetme e mbijetimit për viktimën është adaptimi absolut ndaj kriminelit, madje deri në nivel të bashkëfajësisë. Në shumicën e ndejave të përqendrimit, mijëra, nganjëherë dhjetëramijëra viktima, ruheshin nga ca togje të SS-ëve. Rojen efektive nuk e bënin gjermanët, po kujtestarët, njerëz të zgjedhur nga radhët e viktimave, të cilët me fanatizmin dhe brutalitetin e vet të dëshmuar kundër bashkëkombasve të vet e fitonin edhe një ditë, edhe një javë, a edhe një muaj të çmuar jete.

Kujdestarët ishin ata që i nxirnin jashtë viktimat e sapoardhura prej vagonëve të trenit. Ata u prinin viktimave të stepura në rreshta drejt kamareve të zhveshjes, drejt kamareve të qethjes, drejt kamareve të përzgjedhjes. Pleqtë, fëmijët, gratë që nuk çmoheshin si të përshtatshëm për të shërbyer si fuqi punëtore, drejtoheshin prej kujdestarëve drejt kamareve të gazit. Në mbarim të procesit, ishin kujdestarët ata që u shkulnin kufomave dhëmbët e arit. Është vështirë ta imagjinosh një ndejë të përqendrimit pa kujdestarët-viktima; është fakt që ndeja të tilla s'ka pasur.

Kur e lexoj tërë atë postë elektronike që më ka arritur pas shkrimeve të mia të para këtu te revista PASQYRA kundër diskriminimit të femrës, më krijohet një ndjenjë e fortë e dezhavusë. Jo meshkuj, po femra: vajza, gra, nëna, motra, bashkëshorte, të cilat, ngecur plotësisht në mohim, më qortojnë të irrituara pse s'e paskam dhënë një pamje reale të botës së tyre.

Më thonë: jo po burri im s'më ka rrahur kurrë. Jo po as im at s'më ka rrahur kurrë. Jo po nëna ime s'bënte dallim mes meje e vëllait. Jo po unë kam studiuar. Jo po unë mbaj fund të shkurtë. Jo po unë e zgjedha vet burrin tim. Jo po unë punoj...

Më sëmbon zemra, por duhet thënë: shumica e qortonjëseve të mia janë nga Shqipëria. Disa prej tyre presupozojnë se unë qenkam kosovare, e më sulen direkt: ndoshta këto që ke shkruar vlejnë në Kosovë, por jo, jo, jo në Shqipëri.

Se si më bëhen këto qortonjëse të miat, si ata kujdestarët e ndejave në muajt e parë pas çlirimit. Ngecur në mohim. Derisa psikologët u zbuluan drojën, dhembjen e fajin e strukur thellë, në palët më të errëta të vetes. Derisa kuptuan, më në fund, se edhe ata kishin qenë thjesht: viktima. Madje viktima të dyfishta.

Qortonjëset e mia janë kujdestare të zellshme të normave e vlerave patriarkale të shoqërisë. Në fakt, patriarkati, kjo ndejë përqendrimi për njeriun e lirë të gjinisë femërore, s'mund të imagjinohet dot pa edukatoret-kujdestare, që e rritin brezin e ri të viktimave. Pa lexoni një çikë arsyetimet e tyre: pra, nëse femra s'është rrahur, ka studiuar, e mban fund të shkurtë, dhe zgjedh burrin e vet, ajo qenka e lirë!

Mos more!? Pa t'i shoshitim ca këto argumente një nga një. E vetmja femër shqiptare që (rëndom) nuk është rrahur është "Goca e Babit" - femra që i ka adoptuar krejtësisht normat e vlerat patriarkale të shoqërisë, dhe e cila asnjëherë, në asnjë vend, e në asnjë mënyrë nuk ka revoltuar kundër tyre. E pse ta rrahësh Gocën e Babit, kur ajo s'ta kthen fjalën kurrë!? Them në paranteza "rëndom", meqë ndodh që edhe Gocat e Babit të rrihen, nëse kanë "zgjedhur vet" burra sadistë e me kompleks inferioriteti.

(Le ta shtojmë shkarazi: mungesa e dhunës nuk është a priori argument në favor të një rendi ekzistues. Askund nuk ka më pak dhunë se sa në burg, ku të burgosurit nuk rezistojnë. Pesë strategjitë e mbrojtjes së pushtetit - çdo pushteti! - janë injorimi, përqeshja, izolimi, kërcënimi, e vetëm së fundi dhuna. Dhuna është kapital, e kapitalin duhet ruajtur prej inflacionit; këtë e di çdo ekonom me shkollë.)

Po shkolla, atëhere? A thuhet dot që femra e shkolluar është e diskriminuar? Përgjegja është - po. Pikë së pari, studimet e larta ndër shqiptarë - edhe në Shqipëri - i nisin e i mbarojnë shumëfish më tepër djem se vajza. Numri i vajzave në arsim i ngjan piramidës, me një bazë ca më të gjërë në fillore (ndonëse prapë më të ngushtë se baza e djemve), që vjen duke u ngushtuar në arsimin e mesëm, e që mbaron me një maje të hollë në universitet. Si të ftillohet - pa fenomenin diskriminim - fakti që, në një vend ku gjysma lindin djem e gjysma vajza, ka më shumë djem se vajza në të gjitha nivelet e arsimit, e sidomos në universitet!?

Së dyti, jo vetëm sasia, po edhe cilësia e piramidës arsimore shkon në disfavor të vajzave. Pa shikoni një çikë degët e ndryshme në universitetin e Tiranës. Djemtë janë shumicë në degët atraktive, si mjek, inxhinier etj, vajzat në degët dytësore. Te tryezat ku ndahen thelat e mishit, femrat janë gjithnjë pakicë. Po këtë, si ta ftillosh ndryshe, veçse me një traditë patriarkale që rezulton në diskriminim strukturor?

Së treti, ndonëse me një lule s'çel pranvera, le ta marrim edhe përjashtimin, pra një femër që ka arritur diçka në trevat e rezervuara enkas për meshkuj, p.sh. që ka arritur të bëhet mjeke. Ajo do të punojë në një kolektiv ku shefi gati qindpërqind do të jetë mashkull, ku shumica dërmuese e kolegëve janë meshkuj, e ku edhe pacienti më shumë i beson mjekut mashkull se sa atij femër. Më besoni: ata që besojnë ende se në këto kushte s'ekzistoka diskriminim, kanë vetë nevojë serioze për vizitë te mjeku.

Tregu i punës, që vje pas mbarimit të shkollës, është tregues i shkëlqyer i diskriminimit. Arsimi, thjesht, u sjell levërdi të ndryshme meshkujve e femrave. Femrat shqiptare punojnë shumica në lëmitë e tyre tradicionale, e kanë gjithandej rroga më të ulta se meshkujt. Sa përqind të drejtorëve, shefave, ndërmarrësve, deputetëve e ministrave janë femra, ta zëmë, në Shqipëri? Ata pak ca që janë, sa e kanë rrogën krahasuar me kolegët meshkuj në të njëjtën lëmi? Ekziston vetëm një arsye pse këto pyetje të dukshme nuk janë studiuar institucionalisht te ne, e ajo është se katundi që shihet udhërrëfyes nuk do.

Po fundi i shkurtër? A s'është ndjekja e modës shenj i çlirimit (emancipimit) të femrës? Edhe këtu ekziston një përgjegje e thjeshtë: jo. Welcome to Matrix: fundi i shkurtër, grimi i trashë, e flokët e blonduar s'janë veçse një nivel i ri i kontrollit patriarkal, ku edhe revolti i viktimës operacionalizohet në shërbim të rendit ekzistues. Ky lloj "çlirimi" i rrejshëm u lehtëson meshkujve qasjen mes këmbëve të femrës, ndërsa kësaj ia rrëmben edhe atë kundërshpërblimin tradicional të patriarkatit, unazën martesore - një pseudoemancipim i deformuar enkas sipas monstrave të patriarkatit!

Sa për mitin e fundit të patriarkatit shqiptar, se femra e zgjedhka vet burrin e vet, falsiteti i tij ilustrohet krejt lehtë. Ndalo 10 femra shqiptare në cilëndo rrugë të Tiranës, Prishtinës, e Shkupit, e pyete se a është e lumtur me burrin e vet. Përgjegja mbase do t'ishte befasi e pakëndshme për meshkujt, për është sekret publik ndër ne gratë. Sikur të ekzistonte njëmend zgjedhja e lirë, nga dhjetë gra, nëntë do të zgjedhnin ndryshe.

Mjafton ta dëgjosh gjuhën shqipe, sa të dlirë e sa të mirë, për të kuptuar se sa i trashë është tisi i errësirës primitive te patriarkati shqiptar. Po a ka gjuhë tjetër në botë ku të thuash për një grua që është "burrëreshë", "mbahet si burrë" - kuptohet si kompliment!?

Simotrat e mia qortonjëse, në vend se ta vrasin kasnecin, do të bënin më mirë sikur t'ia hedhnin një çikë sytë Matriksit ku jetojnë. Në vend se të ngecin në mohim, e ta refuzojnë kryeneçësisht të vërtetën e dhembshme, ato do të bënin më mirë sikur të orvateshin ta ndryshojnë atë. Ta zëmë, duke qenë më solidare me njëra-tjetrën. Mundësisht edhe me mua. Sepse për femrat shqiptare, ashtu si për të gjithë të shtypurit e botës, vetëm bashkimi bën fuqinë.

Kujdestarët hebrenj u ndejtën besnikë urdhërdhënësve të vetë nazistë deri në fund. Ata vazhduan ta mbrojnë besnikërisht rendin, në shumë raste edhe pas arratisjes së SS-ëve, deri në momentin kur u dukën në horizont tankset aleate. Në adaptimin e tyre absolut ndaj ancienne regime, ata s'kishin vënë re që bota rreth tyre paskësh ndryshuar fundekrye.

Shpresoj se qortonjëset e mia do të ndalen pak të marrin frymë, e të vërejnë se bota rreth nesh ka ndryshuar. Ne gratë s'kemi më nevojë ta mbrojmë vullnetarisht rendin e vjetër. Meqë ai shikohet si turp i burrave tanë, por edhe si prapambetura e jona, gjithandej në tërë kontinentin e lashtë të Evropës.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:22
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË