NUMĖR 74
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 25 QERSHOR 2003

Kosovarët më të përjashtuar se Pjer Shori

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Agjencitë e lajmeve kanë raportuar se suedezi zt. Pjer Shori gati që është përjashtuar si kandidat për postin e shefit të UNMIK-ut në Kosovë. Sipas burimeve të konfirmuara, kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të kundërshtimeve amerikane.

Asnjeri nga ne s'ka dyshuar, ruana Zot, që përjashtimi i zt. Shori të jetë shkaktuar prej shqiptarëve a serbëve, të cilët me këtë punë s'i lidh tjetër veçse cikërrima që banojnë në Kosovë. Ata, natyrisht, s'mund të bëjnë ciu në kuvendin ku zgjedhet guvernatori i tyre. (Paj, ndoshta serbët munden, përmes lidhjes ruse në Këshill të Sigurisë... por edhe ata veçse pak ciu, padyshim.)

Si një ndihmesë modeste në kuptimin e aferës dua të ftilloj se kundërshtitë e SHBA-ve thuhet se varen nga simpatitë e shprehura të zt. Shori për një varg të mangupëve majtistë anembanë botës, një pjesë e tyre në pushtet, tjerët në opozitë. Apo si ju tingëllon ky citat:

"Ai është një ndër më të mëdhenjtë në historinë moderne. Dikush ka thënë që ai është tepër i madh për ujdhesën e vet. Kastro vështron gjithçka në perspektivë tejet afatgjatë. Ai është enciklopedist dhe gadi që i ka karakteristikat e një princi të Rilindjes."

Kështu shprehet Sekretari i Kabinetit zt. Pjer Shori për Fidelin në ditoren suedeze "Sydsvenska Dagbladet", më 20 korrik 1986. Citati nuk është ndonjë përjashtim i izoluar, sikundër që mund ta merrni me mend.

S'do mend se afera Shori duhet t'u shkaktojë kosovarëve ndjenja kundërthënëse. Në njërën anë, si evrolindorë që posa e kemi mbijetuar një luftë, sigurisht se duhet të jemi mirënjohës që shporrëm një perëndimor sybutë që i romantizon fanatikët. Ne i kemi pasur Fidel Kastrot tanë, andaj s'para më besohet se kosovarët do t'ia mbanin ison botëkuptimeve të zt. Shori.

Në anën tjetër, si shtetas në Kosovë, mundet që njeriu të ndjehet paksa i pasigurtë kur vendime kaq të rëndësishme merren në lartësi kaq fantastike mbi kokat tona. Si kosovar do ta ndjeja veten njësoj të bezdisur sikur guvernatori im i ardhshëm - me kredenciale pushtetore të një Cezari, le të mos harrojmë! - të shpallet dikush që një herë e një mot i ka kënduar oda Pinoçesë apo Salazarit. Mjerisht, druaj se është hipotezë e kualifikuar që SHBA-të në një rast të tillë do t'i mbyllnin sytë.

Ne madje s'kemi pse ta mundojmë imagjinatën për ta menduar një gjë të tillë. Mjafton të shikojmë se ç'po ndodh me trupin policor të OKB-së, UNCIVPOL-in. Detyra e ndërtimit dhe drejtimit të UNCIVPOL-ut në shtator 2000 iu dorëzua një grushti eprorësh nga radhët e asaj që dikur quhej Royal Ulster Corps, RUC. Pra, policia rojaliste dhe e korruptuar e Irlandës Veriore, që e ka krijuar një stil të vetin në vrasje e zhdukje politike. E pra, ata në Kosovë erdhën me bekimin e SHBA-ve dhe, supozoj, të Britanisë.

Andaj, s'është për t'u habitur pse UNCIVPOL-i ka tërhequr mbi vete akuza për krime gjithnjë e më të numërta, e më të rënda, kundër të të drejtave të njeriut gjatë vjetëve të fundit. Amnesty International, Human Rights Watch, e grupe tjera të numërta për të drejta të njeriut, por edhe advokati popullor i vet UNMIK-ut zt Novicki, po i shkulin flokët nga dëshpërimi. Por kot, meqë deri sot asnjë epror policor, as vendas e as i huaj, s'është gjykuar e ndëshkuar për këto akuza.

Mbetet vetëm të shpresojmë se kjo mizerje do të marrë fund së shpejti. OKB-ja e pati ngritur enkas jo moti një komision ekspertësh, që propozoi një Kosovë të pavarur. Por meqë propozimi nuk u pëlqye si i kajshëm, komisioni u desh të shpërbëhet.

Një Kosovë e pavarur sigurisht që s'do t'i zgjidhte të gjitha problemet, e me siguri që do të krijojë edhe të reja. Por ato do të ishin probleme të vetë kosovarëve. E meqë njeriu përherë duhet të besojë se njerëzit janë të arsyeshëm, e pakta derisa ata ta dëshmojnë katërçipërisht të kundërtën, shumëkush beson sot se kosovarët do t'ia dilnin në krye. Është fakt që kosovarët deri sot s'kanë pasur asnjë shans, pasi Kosova është sunduar përherë nga jashtë: prej Stambolli, prej Beogradi, e tani prej Nju Jorku.

Një herë prej herësh, do ta arrijmë patjetër edhe atë ditë. Deri atëherë, meqë OKB-ja paska nevojë kaq të ethshme për Kosovën, kosovarëve u mbetet t'i durojnë guvernatorët e vet. Veçse le të shpresojmë se zotërat do t'u blatojnë qeveritarë ca më të butë, me idole tjera nga Kastroja e Pinoçeja.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 2:22
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË