Kur
Luma zbardhi armët shqiptare
Shkruan:
Sheradin BERISHA
Siç
dihet Lufta e parë Ballkanike shpërtheu ne tetor 1912
nga shtetet e “Aleancës Ballkanike”që e përbënin
Serbia,Mali i Zi,Bullgaria dhe Greqia.Dhe shqiptarët akoma
pa u çliruar përfundimisht nga pushtuesit shekullor
osman,u detyruan t´i kthenin armët kundër pushtuesve
të ri e të luftonin kundër tyre në kushte jashtëzakonisht
të disfavorshme.
Në
gjysmën e dytë të tetorit 1912,ndërsa vazhdonin
operacionet pushtuese të ushtrisë serbe mbi tokat shqiptare
në Kosovë e gjetiu,në krahinat e Lumës, të
Opojës, Vërrinit, Gorës, Hasit, Dibrës etj,
u organizuan kuvende të shumta dhe në saje të kushtrimit
të lëshuar nga mbledhja e jashtëzakonshme e komitetit
”Shpëtimi” të mbajtur në Shkup,me 14
tetor 1912, filloi mobilizimi i përgjithshëm për
t´i përballuar agresionit sllav. Në javën e
parë të nëntorit, armata e III serbe pasi pushtoi
Rrafshin e Kosovës dhe atë të Dukagjinit, synonte
pushtimin e Shqipërisë Veriore dhe atë të Mesme
për të dalur në brigjet e Adriatikut.
Qysh
më 5 nëntor 1912 kur gjenerali Bozhidar Jankoviq hyri
në Prizren me regjimentet e Divizionit”Shumadia-1”,nisi
rigrupimin e forcave të tij,për operacionet drejt Adriatikut.Për
të realizuar këtë plan ushtarak,komanda serbe,kishte
krijuar dy njësi të veçanta,që morën
emrin”njësitë e bregdetit”dhe repartet e këtyre
njësive u përzgjodhën nga divizionet ”Shumadia-1”
dhe “Drina-2” të dislokuara në Prizren e Gjakovë.Njëherit,për
të evituar çdo rrezik që mund të kërcnonte
të ashtuquajturit”njësitë e bregdetit”që
do të operonin në drejtim të Adriatikut, nëpërmjet
Luginës së Drinit(Lumës),komanda e armatës së
tretë krijoi ”repartin e Lumës”, i cili mori
për detyrë të pushtonte këtë krahinë
dhe krahinën e Hasit, Vërrinit, Opojës, Gorës,
të çarmatoste banorët dhe të godiste pa mëshirë
çdo rezistencë të tyre.
Në
repartet ushtarake për pushtimin e Lumës u angazhuan rreth
16 mijë trupa, pasi sipas të dhënave të komandës
serbe, pa “përuljen e Lumës”dhe zotrimin e
brigjeve të Drinit nuk mund të realizoheshin planet strategjike
të proklamuara nga qeveria serbe. Përballë operacioneve
pushtuese të ushtrisë serbe,u gjendën mijëra
luftëtarë shqiptarë të krahinave të Lumës,
Hasit, Vërrinit, Opojës e Gorës,si dhe të atyre
që ishin tërhequr nga thellësitë e Kosovës-pas
pushtimit të saj.
Me
këtë rast malet e larta të Pashtrikut, (ku shtrihej
krahina e Hasit dhe Malësia e Gjakovës), si dhe degëzimet
natyrore të Sharrit-(malet e Gjalicës dhe të Koretnikut,
matanë Drinit të Bardhë), ku gravitojnë fshatrat
e trevës së Vërrinit, të Opojës dhe të
Gorës,nga fortesa natyrore u shndërruan në fortesa
lufte.Duke pas parasysh këto pozita gjeostrategjike,forcat
shqiptare u pozicionuan në vijën frontale:Malësia
e Gjakovës (Qafa e Morinës - Qafa e Prushit) — Has
(Planej-Gorozhup) — Qafa e Zhurit — Vërri (Billushë-Jeshkovë
- Lybeqevë-Lez) — Sharr (pjerrësira perëndimore
të Gurit i Zi— Opojë(Gryka e Llapushnikut).
Në
organizimin e qëndresës shqiptare u shquan krerët:
Ramadan Zaskoci, Ramadan Çeku, Qazim Lika, Islam e Sali Spahia,
Hoxhë Mehmeti, Osman Lita, Cen Daci, Bajram Gjana, Dervish
e Nezir Bajraktari, Myftar Nika, Nexhip agë Bilali, Sylë
Elezi, Ahmet Ilaz Qehaja, Jemin Gjana të gjithë nga Luma,
Elez Isufi, Cuf Xhelili e Xhafer Doda nga Dibra, Bajram Curri në
Malësi të Gjakovës, Rexhë Ali Bajraktari nga
Hasi, sheh Hasani nga Prizreni, Jahja Sait Sahiti nga Kuki i Opojës,
Kapllan Opoja, Nail Hyseni-Dani i Rapçës së Gorës,
Esat Berisha, Abdyl Osmani, Arif Krusha e shumë të tjerë.
Qendrat
komanduese të luftës u vendosën:1. Në Llapushnik
(Brez) të Opojës, në krye me Qazim Likën 2.
Në Krumë të Hasit,në krye me Rexhë Ali
Bajraktarin,3. ndërsa Këshilli Qëndror i Luftës
në krye me Ramadan Zaskocin u vendos në Qafë të
Kolesjanit,në majën e quajtur Tabe,nga ku shihej qartë
Rrafshi i Lumës. Për të mos lejuar kalimin e trupave
serbe matan lumit, përgjatë Drinit të Bardhë,
këshilli i luftës, organizoi me kohë prita në
fshatrat: Shalqin, Domaj, Gjinaj, Brut, Ura e Vezirit... Prita të
tilla u ngritën edhe në brigjet perëndimore të
Drinit të Zi si: në Kolsh, Mamëz, Surroj , Tejdrinë...
Në
këto pozicione ishin forcat mbrojtëse shqiptare, kur më
9 e 10 nëntor 1912 filluan operacionet e armatës III serbe
në drejtim të Lumës. Beteja e parë e përgjakshme
në kufijtë e Lumës u zhvillua në “Qafën
e Zhurit” dhe vijoi deri në grykën e Morinës.Në
këtë lokalitet ushtria serbe për 2-3 ditë rresht
pësoi goditje të rëndë,duke lënë në
fushëbeteja shumë të vrarë e të plagosur
dhe mjaftë armë.Pas këtij dështimi ushtria serbe
në shenjë hakmarrje,në fshatin Zhur i mori peng 37
shqiptarë ,të cilët më pas i dërguan në
Prizren me qëllim që të ushtrohet presion në
popull,për të mos e përkrahur edhe mëtutje qëndresën
e tyre.
Ushtria
serbe pas një riorganizimi me reparte të reja u nisë
sërish në drejtim të Lumës.
Forcat shqiptare,tashmë duke pasur përballë 12 batalione
dhe një repart kalorësish serbë, për të
mos u dëmtuar u tërhoqën me luftime sporadike ,përgjatë
brigjeve të Drinit të Bardhë dhe shpateve të
Koretnikut e të Gjallicës,në mënyrë që
të bëhej një përgaditje sa më e mirë
për një qëndresë të fuqishme.Repartet serbe
me goditjet e vazhdueshme që i bënin luftëtarëve
lumjanë,nga fusha e Morinës e deri në Përbreg,
hap pas hapi u futën në brendësi të Lumës-deri
në Bicaj dhe u dislokuan në hapsirat fushore të këtij
fshati. Tërheqja e luftëtarëve shqiptarë u bë
jo vetëm për shkak të epërsisë serbe në
numër të ushtarëve dhe në armatim të rëndë,
por me këtë rast u përdorë procesi luftarak
taktik:qëndresa-thyerja-tërheqja, si ligje objektive të
luftës, për ta futur armikun nëpër kurthe në
mënyrë që ta ndëshkonin më pas me mënyrat
e tyre origjinale të luftimit.
Këshilli
komandues i luftës i përqëndruar në Tabe (Qafë
të Kolesjanit),me kohë kishte siguruar prapavijën
edhe në tërthoren: Përbreg-Gjegjën-Bardhoc-Morinë-Vërmicë-Shkozë-Dobrusht-Zhur-Vërri(Billushë-Jeshkovë-Lez...),e
cila njëkohsisht luante rol të dyfishtë: 1.mbështetje
të sulmit mbi forcat armike dhe 2.mbrojtje të shpinës
së luftëtarëve në Lumë.
Në
mëngjesin e 15 nëntorit 1912 ,Këshilli i Luftës
dha urdhër për të sulmuar repartet serbe nga disa
drejtime të frontit. Falë konfiguracionit të terrenit
malor, motit të keq (me shi e bubullimë) edhe pse të
varfër në mjete lufte, lumjanët të lëshuar
si ortek mbi forcat armike, në kodrat e Kolesjanit arritën
t'i asgjësojnë qindra ushtarë serbë, ndërsa
nga radhët e tyre ranë dëshmorë: Ibrahim H.Zeqiri,bajraktar
i Radomirës,Nexhip Dullë Visha nga Kolesjani ,Rexhep Jonuz
Taci,Selman Asllan Nërguti,Halim Shehu e Daut Basha nga Shtiqni
etj. Ndërkoh, për shkak të rezistencës së
fuqishme,forcat serbe u tërhoqën nga Kolesjani dhe kodrat
e Gabricës dhe u pozicionuan në brigjet jugore të
Shejës dhe në brigjet lindore të Drinit të Zi,ndërsa
forcat shqiptare kaluan në vijën: fshati Mustafaj-Osmanaj-Bushat(Kodra
e Bushatit).
Këshilli
i luftës,pas një rigrupimi të forcave shqiptare në
teren,më 16 nëntor pa ndërpre vazhdoi mësymjen
drejt forcave serbe dhe përleshjet gjakosëse u zhvilluan
kryesisht në krahun e majtë të përroit të
Shejës. Pikërisht në këto çaste kritike
për kurorëzimin e suksesit, Lumës i erdhën në
ndihmë qindra dibranë në krye me udhëheqësit
e shquar Elez Isufin, Isuf Xhelilin, Xhafer Dodën etj,të
cilët në fushat e betejës sollën edhe 2-3 topa
që dikur ua kishin zënë turqve. Ushtria serbe e sulmuar
nga të gjitha anët,në panik braktisi fushëbetejën,
duke lënë edhe shumë të vrarë e të
mbytur në Dri dhe në përroin e Shejës.
Për
të përfituar nga situata e krijuar, Këshilli i luftës
tashmë nga Kolesjani ishte zhvendosur në fushën e
Zborit-Nangë, dhe aty përcaktoi dy drejtime sulmuese (me
3 grupe) për ndjekjen e mëtejshme të pushtuesve serbë:
-Grupi
i parë: u drejtua, në krahun e majtë nëpër
rrugën këmbësore që të shpiente nga Nanga
në Gostilë-për në Kullë të Lumës;
-Grupi
i dytë:në rrugën këmbësore që të
çonte nga Nanga në Shtiqën,Përbreg e deri
në Morinë,
-Grupi
i tretë:(në rolin e rezervës) u përdorë
si mbështetje për të dy krahët (grupet) e sulmit.Ndërkaq
forca tjetër goditëse që kishte të bënte
me fatin e Betejës së Lumës,ishte organizimi i qendresës
në të dy krahët e Drinit të Bardhë: -Në
tërthoren Përbreg-Gjegjën-Bardhoc-Morinë-Qafa
e Zhurit-Vërri(Billushë)-Guri i Zi(Opojë)-Sharr dhe
në krahun tjetër Has(Pashtrik)-Malësi e Gjakovës.
Për
të penguar shkuarjen e forcave të reja serbe nga Prizreni
në drejtim të Lumës,luftime të ashpra u zhvilluan
edhe në trevën e Vërrinit.Në vijën Dobrusht-Qafa
e Zhurit-Billushë-Lez-Leskovec,pati luftime ballore dhe anësore.
Repartet serbe në këto luftime përpiqeshin që
të shpërthejn vijën frontale në Vërri,me
qëllim të depërtimit në Opojë e Gorë
prej nga mendohej të sulmoheshin nga prapa lumjanët, mirëpo
nuk patën sukses.
Në
kulmin e qëndresës për vdekje a liri, Këshilli
Komandues i Luftës që përbëhej nga Ramadan Zaskoci,
Islam Spahia, Hoxhë Mehmeti, Elez Isufi, Ramadan Çeku,
Ramadan Kovaçi, Kadri Shahini, Jemin Gjana etj, sipas vendimeve
të marra në një mbledhje, më 17 nëntor
1912 nisën operacionet goditëse në të gjitha
frontet e luftës. Malësorët lumjanë, të
ngujuar nëpër kullat e fshatrave: Nangë, Gostil,
Shtiqën, Përbreg dhe në shpatet lindore të Gjallicës
e Pikllimës si dhe në brigjet e të dy Drinave(të
Ziut e të Bardhit), e të ngazllyer nga fitorja e bujshme
e Qafës së Kolesjanit, forcat e armikut i sulmuan nga
të dy krahët (lindje-perëndim) dhe e ndoqën
këmba këmbës.
Repartet
ushtarake serbe u përpoqën të rigrupohen e të
pozicionohen sërish në Kodrën e Galipës e në
Zbor të Nangëve, por këto përpjekje gjithashtu
dështuan keq.Repartet shpartalluese serbe pasi humbën
edhe në këtë fushëbetejë qindra ushtarë
të tjerë, braktisën edhe vijën mbrojtëse
Shtiqën-Drini i Zi. Në këto sulme lumjanët trima
veprojnë rrufeshëm,dhe gjatë luftimeve bien dëshmorë:
Abaz Zezi,Baftjar Tahiraj, Baki Maliq Domi, Bektash Gjoka, Dervish
Trota, Dullë Dema, Halil Dema, Halil Himaj, Hasan Shabani,
Ismail Neziri, Jashar Shehu, Mehmet Allaraj, Mehmet Limani, Muharrem
Mema, Mustafë Dogjani, Ramadan Koldashi, Rrustem Shehu, Shaqir
Basha, Shaqir Dauti, Tahir Smajli, Zenel Mema, Haziz Xhaferi, e
shumë të tjerë.Luftimet përfudnimtare u zhvilluan
në brigjet e lumenjve Drini i Bardhë-Drini i Zi ,ndërsa
ato me të përgjakshmet në Kullë Lumë.Këtu
iu dha grushti përfundimtar forcave pushtuese serbe të
cilat pas kapitullimit u tërhoqën nga Luma në drejtim
të Prizrenit.Sipas disa burimeve arkivore dhe këngëve
popullore,dëshmohet se në Betejën e përgjakshme
të Lumës (14-18 nëntor 1912) i patën lënë
eshtrat e tyre 12 mijë ushtarë serbë, ndonëse
flitet edhe për më tepër 16-18 mijë.
Ndonëse
në mëngjesin e 18 nëntorit 1912 mori fund beteja
e Lumës,ku forcat shqiptare triumfuan kundër armatës
III serbe, në Manastir zhvillohej një betejë tjetër
ndërmjet forcave shqiptare dhe reparteve të armatës
I serbe,që në histori njihet si Beteja e Manastirit. Në
këtë kuadër vlerësojmë se Beteja e Lumës,
Beteja e Manastirit,si dhe qëndresa shqiptare në veri
(Shkodër) dhe në jug (Janinë) kanë rëndësi
të madhe historike për faktin se në një mënyrë
apo tjetër, mundësuan mbajtjen e Kuvendit Kombëtar
në Vlorë më 28 nëntor 1912, ku u shpall Pavarësia
e Shqipërisë. |